“Ku ishit ju më 8-dhjetor të 1990-ës?” apo “Ku jemi ne, në këtë 8-dhjetor të sotshëm?”

Si sot, njëzet e një vite më parë, më 8 dhjetor 1990, do të fillonte ajo çka më pas do të hynte në historinë e kombit tonë të vogël, si revolucioni demokratik, lëvizja studentore, apo dhe fundi i komunizmit në Shqipëri. Që atëherë e deri më tani, nga mediat tona kjo datë, ashtu sikurse shumë data të tjera (11, 12 dhjetori; 20 shkurti-2prilli 1991-shit, etj) është kujtuar me nostalgji, me emisione të formateve nga më të ndryshme, e përbashkëta e së cilave (përveç temës së trajtuar) ka qenë gjithmonë, tashmë, pyetja e famshme: “Ku ishit ju më 8 dhjetor të 1990-tës?…” (po e njëjta formë e pyetjes, për datat e tjera në emisionet e tjera).

Në këto emisione, të ftuarit e ndryshëm, “pseudo-protagonistë” të ngjarjes (sipas mediave)më të madhe historike të shtetit tonë, bëjnë një lavazh truri në masë, duke heroizmuar veten e tyre, me logjikën “Unë dëgjoja “The Beatles”, vishja xhinse, mbaja flokët e gjata, ndaj isha antisistem…”. Një përbaltje, një palaçollëk që i bëhet shqiptarëve çdo përkujtimore historike, njësoj si me datat më kyçe të komb-formimit, shtet-formimit, e shtet-çlirimit tonë. Të bën të biesh dakord, deri diku, me mendimin e dikujt që në një intervistë të tijën më 14 dhjetor 1994 shprehet: “… Ne nuk kemi më nevojë as për të kujtuar dhjetorin e as për heronj të rinj, por për të gjetur demokracinë dhe paqen mesveti.” (Kjo mbase ngaqë ai vetë, që e thotë këtë, e thotë ndoshta se nuk ka të drejtën e të vetë-shpallurit hero, pasi në këto data historike të dhjetorit nuk ishte mes studentëve, ishte në Korfuz, nejse punë për të…).

E vërteta është se po më datën 8 dhjetor, por të vitit 1980, në New York, Mark David Chapman, do të qëllonte 4 herë për vdekje legjendarin John Lennon. Dhjetë vite më pas, do të organizhej për këtë datë, një përkujtimore me “rebelët” e Institutit të Arteve, këtu në Tiranë. Mbase një ironi e çuditshme. Por për “fraksionarët” e Institutit të Arteve, konceptohej ashtu shprehja e rebelizmit, mos-pajtimit me sistemit, me muzikë pije dhe delir. Nga ana tjetër në Qytetin Studenti, disa të tjerë me konceptim krejt ndryshe të mos-pajtimit, kishin filluar haptazi shprehjen e mendimeve të tyre. Nuk po festonin, nuk po pinin e as nuk po delironin… ata po protestonin dhe e donin “Shqipërinë si e gjithë Evropa!”.

Shinasi Rama për lëvizjen studentore dhe rolin e pedagogëve, më vonë do të shprehej: “ Për pjesëmarrësit, në tërësi, ajo mbetet një faqe e ndritur e jetës së tyre personale dhe një shembull për t’u ndjekur nga më të rinjtë…”. E drejtë, por ajo çka ndodhi atëherë ishte më shumë një detyrë qytetare e të gjithë pjesëmarrësve, si në lëvizjen studentore, ashtu dhe në protestat e përgjithshme, pas-vijuese. Është përgjegjësi qytetare, që në momentet kur një grup i caktuar, ngrihet për disa të drejta më shumë, ngrihet për të kundërshtuar një shtypje, një diktat, t’i bashkohet dhe t’i japi asaj zë më të lartë, duke mos e lën vetëm, duke mos e izoluar atë. Shembulli që duhet marrë është i studentëve, jo i pedagogëve, jo i intelektualëve të asaj kohe. Ishin studentët ata që “hëngrën shkopinj”, ishin ata që u ngjirën shesheve, ata që formuluan kërkesa, ata që u treguan të patrembur dhe këmbëngulës në durimin e tyre. Azem Hajdari në takimin me Ramiz Alinë, do të thoshte: “Nuk është ky sistemi për t’patur durim, por ne kemi durim, po t’jesh kembngulës në durimin tënd, ke virtyt…”. Shembulli qe nuk duhet marrë është ai i përdorimit. Fatkeqësisht ata studentë u përdorën nga disa komunistë të infiltruar, të konvertuar, disa përfitues, disa aplikues të mbledhjes së famshme të shumëpërfolur të Katovicës, e sot… Sot nuk ka demokraci, ka thjesht një përkulje të tiranisë.

Por ndryshe nga mediat pyetja që i duhet bërë shqiptarve është : “Ku jemi NE sot më 8 dhjetor?…”. Kjo pyetje nuk gjen vend në asnjë hapësirë të mediave tona. Mbase është mendim pesimist e negativ, por sot jemi aty ku mbizotëron injoranca. Sot jemi aty ku antivlera ka mbizotëruar vlerën. Sot jemi aty ku të rinjtë tanë (këtu i detyruar që të përfshihem në të, jam dhe unë) zëre se nuk janë, zëre se nuk jetojnë, janë në gjumë të vdekur. (Ne) Jemi aty ku studentët (për të mos shtuar më shumë) janë të sëmurë nga kafeina, nikotina, hashashi, alkooli, janë të sëmurë nga humbja e kohës kot. (Në raport me koston e jetesës) Janë të shtypur nga kostoja më e lartë e studimit në planet e kurrë nuk kanë ngritur njëherë zërin. Jemi aty ku nëse do të na kërkohej një revolucion, me sigurinë më të madhe, nuk do të mund ta bënim. Nuk do të mund ta bënim, përderisa nuk kemi ditur me kohë ta bëjmë. Jemi aty ku nuk ishim në gjendje që t’ia mirrnim stafetën një ndër intelektualëve të paktë të kombit tonë, Sabri Godos, nuk e trashëguam, duhet të ndihemi në faj, e duhet të vajtojmë, e prapë se prapë nuk ndihemi e nuk e bëjmë sepse nuk kemi një ndjesi të përbashkët, duket sikur na është vrarë me kohë kjo ndjesi. Nga tashmë i kryqëzuari, dikur Enver Hoxha, thuhej se: “N.q.s kërkon të çthurësh një komb, mjafton t’i degjenerosh rininë!” dhe fatkeqësisht rinia jonë është e degjeneruar, përderisa nuk ka zë, e kombi ynë është ende i çthurur në 5 shtete.

Duke ju përgjigjur kësaj pyetje të vijnë ndërmend dy këngë pesimiste të grupit Centaur, (dikur këngëtar Gent Pjetri) :  Asgjë nuk ndryshon dhe Brez i djegur. Me idenë e brezit të djegur dhe me shprehjen e John Lennon-it : “You may say I’m a dreamer, but I’m not the only one…” : Gëzuar 8 Dhjetorin, 12 Dhjetorin e kështu me radhë të gjitha datat e Demokracisë sonë të lëvduar!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.