Përshkrim i shkurtër i pasqyrimit mediatik të zhvillimeve ndërkombëtare

PANORAMA SUPLEMENTET.jpgPo të marrim në konsideratë, nga njëra anë atë çka ka ndodhur këtë periudhë – gjashtëmujori i parë i vitit 2015-të – në përgjithësi në rajon e më gjerë, me atë çka është raportuar nga mediat, përfundimi është i parashikueshëm, që në mediat shqiptare të gjitha zhvillimet e ndodhura në Evropë do jenë trajtuar – ashtu sikurse janë trajtuar gjithmonë zhvillimet jashtë kufijve – si zhvillime “të tjetrit” dhe jo zhvillime që prek edhe publikun shqiptar. Kjo mund të parashikohet në bazë të një përvoje të kontaktit me mediat e vendit ku: fokusi kryesor edhe në raportimet sado të cekëta është gjithmonë te lajmet, që shpesh nuk kanë cilësinë e aktuales, por thjeshtë mbartin cilësinë e sensacionalitetit. Nga ana tjetër nën këtë fokus raportimet janë pa një politikë editoriale të caktuar dhe përgjithësisht të pa-filtruara nga interesat apo pikëpamjet e vendeve të origjinës nga ku “është importuar” lajmi.

Sipas Arben Mukës “në Shqipëri media nuk ka ndonjë traditë që ta trajtojë lajmin ndërkombëtar. Hapësirat për lajmet ndërkombëtare menaxhohen në mënyrë rutinë, pa staf të kualifikuar dhe ndonjëherë – është një zhargon jo-profesional por për – “të mbushur” faqet që janë bosh në ditë që nuk është se ka pasur zhvillime të rëndësishme, ose nuk ka pasur një ditë pozitive për vetë gazetarët, që nuk kanë përcjellë shumë lajme”[1]. Atë çka thotë Muka mund ta ilustrojmë me një shembull konkret.

Më datë 7 Qershor (e diel) në Turqi zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare. Nga të gjitha gazetat e marra në monitorim, vetëm Panorama i kushtonte një artikull ku e njoftonte një ngjarje të tillë politike: “Turqia voton, zgjedhjet shihen si referendum për pushtetin e Erdogan”. Në një lexim të shpejtë ajo çka pretendon Muka dallohet qartë. E para në asnjë resht nuk përmenden interesat apo pikëpamjet e Shqipërisë. Në vizitën e Presidentit Erdogan në Tiranë – 13 maj – ra në sy kërkesa e hapur e tij, që Shteti shqiptar të mbyllte çdo investim të lëvizjes “Hyzmet” që frymëzohet nga Fethullah Gulen. Kjo lëvizje në Shqipëri është e njohur për investimet e shumta në fushën e arsimit dhe kërkesa e Erdogan u pasua me një amulli në të kuptuarit të situatës. Ndërkohë në këtë artikull – që nuk ka as autor dhe as burim informacioni – thuhet qartë, që Erdogan e fajëson lëvizjen e Gulen për skandalin e korrupsionit që ai qe përfshirë kohët e fundit. Nga ana tjetër nuk përmendet fare që kjo lëvizje është e pranishme edhe në vendin tonë. Me këto detaje duket se pasqyrimi i këtij informacioni është bërë “rutinë” sikurse e thotë Muka, sa për të “mbushur” faqen, faqe të cilat gazetat e tjera kanë ditur t’i “mbushin” edhe pa qenë nevoja e përcjelljes së kësaj ngjarjeje.

PANORAMA 7-06-2015.jpg
Gazeta Panorama, me 7 Qershor 2015-te.

Tjetër rast që mund të shërbejë si shembull akoma dhe më i mirë për këtë natyrë të cekët raportimi është veprimtaria e rrjetit terrorist të ashtuquajtur ISIS (Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut). Prej më se një viti është raportuar – gjithmonë cekët – për shqiptarë të ndryshëm që marrin pjesë në luftimet atje. Ndërkohë që vetë ky rrjet terrorist ka dhe makinerinë e saj të propagandës – portalet e ndryshme në internet – lajm më 5 qershor u bë një video-dokumentar i realizuar pikërisht nga kjo makineri e propagandës. Në këtë dokumentar shfaqeshin luftëtarë të ndryshëm me prejardhje nga Ballkani, të cilët kërcënonin gadishullin për një sulm të ardhshëm të ISIS-it. Mes tyre shfaqen edhe dy persona që flasin shqip.

Videoja në fjalë, e publikuar më 4 qershor, zuri vend në të gjitha gazetat – gjeneraliste – të vendit, përveç Panoramës.

This slideshow requires JavaScript.

Por përmbajtja e lajmeve nuk ishte gjë tjetër veçse një transkriptim i fjalëve të dy personazheve shqiptare të ISIS-it, që kërcënonin Ballkanin. Ky është rast i pastër ku lajmi shitet për sensacionalitetin e tij dhe jo për cilësi të tjera. Pa dashur shtypi i shkruar – por jo vetëm – ra pre e “taktikës” së ISIS-it për të përhapur terror. Përmes pasqyrimit të një materiali të shpërndarë prej tyre – por pa filtra – shtypi i shkruar u bë instrument i propagandës së terroristëve. Gazetat më 5 qershor u shitën frikën lexuesve të tyre, në një kohë kur mund të kishin gërmuar apo marrë ndonjë prononcim nga një zyrtar i lartë shqiptar dhe të kishte qenë e kundërta. Lajmi të ishte paraqitur në këndvështrimin e balancuar p.sh.: “Ministrja e Mbrojtjes dhe Ministri i Brendshëm garantojnë se asgjë nuk e kërcënon sigurinë e vendit!”.

Nga ana tjetër në rastin e gazetës MAPO, ajo ndryshe nga gazetat e tjera raporton “emër-mbiemër” të njërit prej dy personazheve.

MAPO 51 - 06 - 2015.jpg
Lajmi i gazetës Mapo, 5 Qershor 2015-të.

Sipas saj ai është një imam nga Pogradeci i përmendur nga një prej familjarëve të një luftëtari tjetër, i cili ka kryer rolin e rekrutuesit. MAPO nuk citon asnjë burim informacioni, ndërkohë që as emri i gazetarit nuk bëhet me dije. Gazeta shënjon se e ka identifikuar personin vetëm përmes nishanit, që e karakterizon fytyrën e tij.

 

Ndërkohë “Gazeta-Shqiptare” e cila në këtë periudhë ka pësuar edhe një kërcënim ndaj gazetarëve të saj, pikërisht nga luftëtarë të ISIS-it, e raporton video-kërcënimin e ISIS-it, njëjtë sikurse edhe gazetat e tjera. Por ajo vë në faqen e parë si kryesore “hallin”, që në këtë rast është vetëm i “Gazetës-Shqiptare”. Krahas lajmit të videos është vendosur edhe “ironia e trashtë”. Kërcënimi i një gazetareje nga ISIS-i në Shqipëri përbën lajm edhe për “NY Times”, por jo për gazetat e tjera shqiptare, të cilat me mos-raportimin e tyre të kësaj ngjarjeje e bëjnë të zbehtë peshën e vërtetësisë për lexuesin vendas, duke nxitur stereotipin: “hë se e ka shpikur vetë”, apo “dashka të marrka azil kjo”.

Ky rast tregon qartë, së pari mungesën e profesionalizmit, së dyti fokusin kryesor drejt konsumizmit: “shtypi u shet lexuesve frikën”, e së treti se sa disinformuese kthehet kjo mënyrë e cekët raportimi, sidomos kur një zhvillim ndërkombëtar ngjyroset edhe me personazhe shqiptare. Interesi në këtë pikë është i cunguar. Sipas Besar Likmetës “Shqipëria është një vend i vogël dhe interesi i lexuesit shqiptar për botën është i kufizuar. Megjithatë media duhet të ketë një rol edukues, dhe raportimi i ngjarjeve të rëndësishme, që ndodhin në rajon dhe botë është pjesë e misionit të saj”. Likmeta beson se në qoftë se raportimi në media shqiptare do të ishte më cilësore, dhe i shkruar për një lexues shqiptar e jo e kundërta sikurse dikton praktika që ndiqet gjerësisht sot, “interesi për rajonin dhe botën do ishte më i gjerë”[2].

GAZETA SHQIPTARE PROTESTAT.jpg
Ljami i raportuar nga Gazeta Shqiptare me 15 Qershor 2015-te.

Nëse kalojmë te lajmet e rajonit, aty do të gjejmë pikërisht atë çka thoshte Muka “mbushja me lajme sa për rutinë”. Rasti që mund të marrim për shembull në këtë pikë janë post-ngjarjet e Kumanovës. Në Maqedoni shqiptarët zunë të protestonin për situatën e krijuar dhe sidomos pas indiferencës së politikës për t’i ndryshuar gjërat. Por këto protesta dhe zhvillime në Maqedoni u pasqyruan krejt cekët nga shtypi shqiptar. Protestat e 13 qershorit në Shkup u raportuan nga Panorama dhe Shqip, ndërkohë që gazeta Shekulli shkroi vetvëm një boks në faqen e dytë të saj. “Gazeta-Shqiptare” ishte e vetmja, e cila nuk e raportoi situatën më 14 qershor – pra një ditë më pas sikurse mund ta raportojë ngjajren shtypi i shkruar – por më 15 qershor, pra dy ditë pasi protestat atje ishin mbajtur. Kjo tregon qartë se sa interes dhe peshë kanë zhvillimet rajonale për këtë gazetë.

Lajmet për shqiptarët që jetojnë në rajon sikurse thotë Likmeta “shpesh janë shumë bazike, duke u fokusuar në ngjarje të mëdha, për shembull “Statusi i Kosovës”, por nuk transmetohet thelbi i çështjes apo nuk shpjegohet me themel sesi qëndron puna. Kjo gjë më pas ndodh edhe me ngjarjet e tjera, nuk përcillet kompleksiteti i jetës në rajon dhe edhe kur kjo gjë ndodh, shpesh lajmet janë të veshura me tone nacionaliste, duke i hequr lexuesit të drejtën për të gjykuar ftohtë dhe në mënyrë objektive”[3]. Ky është një përshkrim i shkurtër i pasqyrimit të zhvillimeve ndërkombëtare në shtypin e shkruar shqiptar, që me një gjendje të cekët raportimi bën që të themi se “lajmi i huaj, vjen i huaj”.


 

[1] Intervistë me Arben Mukën, korrespondent i DW në Shqipëri. Tiranë 28.09.2015

[2] Intervistë me Besar Likmetën, drejtor i BIRN Albania. Tiranë 27.09.2015

[3] Intervistë me Besar Likmetën, drejtor i BIRN Albania. Tiranë 27.09.2015

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.