Jemi hipokritë! Protestuam për armët kimike, por për pazaret e plehërave s’bëjmë zë

Pleherat
Google-search//Pamje ilustruese nga një vendgrumbullim plehërash.

E mbani mend besoj?! Epo vështirë të harrohen protestat kundër demontimit të armëve kimike – me preiardhje nga Siria – në Shqipëri. Momenti i atij fjalimi të gjatë kryeministror me një miks të rëndë emocionesh, që i dha fund disa ditëve në shesh. Pati njerëz që qanë. Gëzimi ishte i pafund. Puthje. Përqafime. Krenari! Ishte fitorja e parë sheshit e qytetarëve pas rrëzimit të sistemit komunist.

Por sot më duhet ta them, shumica në atë shesh kemi qenë hipokritë. Hipokritë sepse – pak a shumë – e njëjta situatë paraqitet edhe sot dhe me kokrra kanë qenë duke u çjerrë sheshit.

I kemi lënë vetëm! Ndaj dhe ata atje lart tallen dhe s’pyesin hiç për ne qytetarët. Sa koncesione janë dhënë dhe sa janë konsultuar publikisht?!

Politikanët, sot më shumë se kurrë kanë dëshmuar se i kanë duart e lidhura me interesa të paskrupujta, korruptive dhe kriminale. Nuk ka ndryshim. Nuk ka “ata-ato”. Eshtë legjendë ideja se dikush prej tyre është ndryshe nga tjetri. “Hë se ai është më i mirë!”. Kursejini komentet, dhe më mirë lodhini trutë për gjëra të tjera.

Kryeministri i kaluar e ceku dhe i dha formë fillestare kuadrit ligjor që “rregullonte” aktivitetin e menaxhimit të plehrave. Këtu u fut ideja e importit të mbetjeve.

Kryeministri aktual, menjëherë pas protestave kundër armëve kimike e ngriu këtë ligj, për ta shkrirë tre vite më pas. Këtu importi jo vetëm që u fiksua në ligj, por u mbrojt me zell nga Qeveria dhe ca tipa që dilnin lart-e-poshtë në televizione duke thënë se kishin investuar miliarda dhe po falimentonin.

E pra Shqipëria plehra ka, por s’ka mjaftueshëm! Këtë na tha Kryeministri aktual, indirekt me veprimet dhe mosveprimet e tij.

Fillimisht si qytetar dhe si një i ri i këtij vendi, u ndjeva i lehtësuar kur Kryetari aktual i Bashkisë fitoi mandatin. Nuk harrohen protestat e tij në Sharrë kundër projektit të errët, aspak pro-natyrës dhe tejet klientelist për ndërtimin e një inceneratori atje. Por lesht…

Këtu, në këtë vend, të vetmit që nuk harrojmë me sa duket jemi ne qytetarët, sepse edhe Kryetari i ri, e paska harruar rininë e tij.

Ok! E dimë plehrat dhe menaxhimi i tyre janë problem në të gjitha vendet e botës. E kemi dëgjuar gjithmonë këtë. Por kemi dëgjuar edhe për mafian e plehrave.

Të hënën u njoftua koncensioni i madh i tyre. Një tip këtej paska hapur një firmë 100 mijë lekëshe ca vite më parë dhe me ca skema panameze thuhet se ka “kapur”, jo një, por dy qytete të vendit, Fierin dhe tashmë Tiranën.

Ajo që të vret më shumë është që “gjeneralët e mediave të vdekura” e shesin sikur është një kompani holandeze. Se po qe e huaj, është firmë e mirë. Jo mor jo?!

Ajo që kalon nën të – krahas pikave të tjera të koncesionit – është se firma në fjalë e zotëruar nga një tip shqiptar dhe ca italjanë, do ndërtojë inceneratorë dhe infrastrukturë për “përpunimin” e mbetjeve të rrezikshme dhe nga ana tjetër do paguhet 29 euro për çdo ton të përpunuar.

Ok! Fillimisht e them hapur, do jetë më mirë se tani që plehrat s’përpunohen fare. Por seç ka këtu një erë të keqe…

Ligji i importit të plehrave do i lejojë këtyre që të importojnë mbetje për t’i mbajtur furrat hapur, sepse siç ka thënë indirekt Kryeministri: plehra ka, por jo mjaftueshëm!

Mbetjet e mbetjeve ku do shkojnë?! Do eksportohen mbrapsht, ë?!

Ky është njëri nga problemet!

Nga ana tjetër mos harrojmë precedencën. E famshmja “Tea-Oil” dhe skandali i naftës bruto të hedhur në treg. S’e mbani mend?! Ok, shkurt! Dogana që gjoja duhej t’i ruante mirë këto gjëra, u bë palë me një palo-biznesmen dhe me letra spostuan nga një çisternë në një tjetër 4.4 milionë litra naftë të pa-përpunuar, që ndalohet të tregtohet në pikat e karburantit. I spostuan në letra, se në realitet, ky grupi miks “shtetarë-kriminel” i nxori në treg duke bërë mbi 2 milionë euro të ardhura dhe një mori makinash që qytetarëve u ngelën në koalidim. E pa-llogaritshme është ndotja e mjedisit!

Ç’lidhje ka kjo me plehrat?!

Ka si s’ka! Ja si në rastin e Doganës dhe “Tea-Oil” ç’e pengon këtë tipin shqiptar dhe italianët e përtej detit që hiqen si holandez, por që ngjajnë si mafjozë, që me letra të bëjnë sikur përpunojnë mbetje, madje edhe nga ato të rrezikshmet dhe të importuarat, dhe nga ana tjetër realisht t’mos bëjnë gjë hiç. Ose veçse t’i depozitojnë sikur ndodh aktualisht?! Paratë 29 euro për tonelatë do të vazhdojnë t’i marrin dhe Tirana, Elbasani e Fieri mund të bëhen më keq se në krizën famëkeqe të Napolit. Mjerë ne pastaj! Kur ka ndodhur në vendet e tjera si Italia, pse s’mund të ndodhka në Shqipëri?! Apo thënja në fjalë s’vlen në këtë rast.

Ej! Meqenëse ra llafi, ata tipat që kishin investuar miliarda në sektorin e përpunimit të mbetjeve dhe që madje protestonin që ligji të aprovohej, pse s’protestojnë sot?! Një tip tjetër praktikisht ua ka zënë komplet sektorin dhe falimenti është më se i garantuar tashmë… Padrejtësi more!

Ej! Hahaha! U monopolizuan dhe plehrat!

Por përtej shakave, kjo situatë është për të qarë. Shtetarët s’pyesin më hiç, përurojnë inceneratorë si ai në Elbasan dhe nën togfjalëshin “standarde evropiane” mashtrojnë qytetarët se gjoja s’do ketë ndikim në mjedis.

Po nëse aplikohet një skemë kriminale, apo mafjoze – gjithmonë nëse s’është aplikuar qysh në fillim – ndikimi ka për të qenë jo vetëm në mjedis, por edhe në xhepat apo jetët tona, sepse dikush do na marrë lekë për të na pastruar, dhe fare mirë mund të na mashtrojë sikurse mashtrojnë politikanët tanë se gjoja jemi “për parfum”, në një kohë kur po na mbyt zhuli.

Por ne hipokritëve mirë të na bëhet! Nëse s’kërkojmë sheshit që të mos tallen me ne, por të ofrojnë vigjilencë dhe një politikë të fortë në këtë drejtim, e nesërmja do jetë “Shqipëria superfuqi inceneratorësh”.

Fataliste, e di, por s’meritojmë gjë tjetër. Kemi harruar që të drejtat mbrohen në shesh!


Argumentet që merren si fakte në këtë shkrim, janë përfundime të nxjerra nga raportimet mediatike.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.