Pak ditë më parë, duke diskutuar me dy miq të mi, njëri prej tyre më tregoi për një situatë tronditëse. Pas një vizite në Gjirin e Lalëzit në një zonë ku ai kryen shpesh pushimet verore, çfarë s’i kishin parë sytë…
Ajo zona e dikurshme me hije, pisha dhe qetësi, sot ishte kthyer në një fabrikë të mirëfilltë përpunimi druri. “Kamionë që të zinin rrugën dhe që mes atij pluhurit ngarkonin trungje pemësh me nxitim. Kudo dielli të sfiliste sepse s’kishte më pemë andej, ishte turp…”
Pamjet që munda t’ia marr prej celularit të tij, më bënë plot zhgënjim, mllef, nerv, inat… zura të shaj në kor me ata. T’i shohë kush të mundë e të shajmë së bashku, se gjë tjetër s’kemi çfarë të bëjmë!
PS: Nuk kam asgjë me “ndërtuesit/zhvilluesit” e kujtdo projekti në atë zonë. Por një masakër të këtillë s’ka ligj dhe as kontratë që e parashikon… por meqenëse jemi te kjo puna e kontratave… sipas raportimeve të ndryshme të tre viteve më parë, firmat që merrnin në përdorim një zonë pyjore atje – psh rasti i “Omnix Albania shpk” – duhej që me Ministrinë e Mjedisit të hartonin/zbatonin një marrëveshje për pyllëzimin e një sipërfaqeje tjetër.
Kanë kaluar 3 vite – që prej fillimit të ndërtimeve më të fundit andej – por kurrë s’kemi dëgjuar për ndonjë pyll të ri të krijuar nga investimi i këtyre kompanive që janë vendosur andej.
Turp! Prokuroria të mos ndalet me arrestimin e pushtetarëve vendorë me kinse “kanë bërë masakër me pronat në Gjirin e Lalëzit”… një masakër e tillë do me qindra pas hekurave.
Politikat me propagandë të madhe për fushata pyllëzimi janë fasadë koti përballë këtyre pamjeve! Na jepni një tjetër gji me një pyll pishash? Mundeni?!… S’besoj!
Ja një foto se si ka qenë më parë: