Pesëmbëdhjetë ditë pasi humbi në ujërat e lumit Erzen, polumbarët e forcave RENEA mundën të gjenin të pajetë Xhorxho Seferin. S’e njihja personalisht, por historia e tij më tronditi shumë.
Kur dëgjova për të, ishte data 20 maj, e dielë. Bashkë me disa miq të mijtë, po ktheheshim nga një udhëtim në lumin e Shalës, kur ata më folën për të. Jashtëzakonisht të prekur, më thanë se Xhorxho kishte që të shtunën që kishte humbur dhe se të gjithë po mendojnë për më të keqen…
Ishte 20-vjeç. I apasionuar pas biçikletave, tureve-çiklistike në natyrë. Pedalues i pa-lodhshëm dhe aktivist i Ecovolisit.
Erzeni rrjedh nga Mali me Gropa, masivi malor përtej Dajtit në lindje. Ka një gjatësi prej më tepër se 100 kilometër dhe kur kalon mes fshatrave Pëllumbas dhe Kryezi, formon atje një kanion të jashtëzakonshëm. Prurjet janë të luhatshme, por të mëdha. Vende-vende, kur je në kanion, të duket sikur nuk ka rrjedhë, kjo pasi janë formuar vaska të gjera ku uji ka thellësi të madhe. Këtë zonë kam pasur mundësinë ta vizitoj dhe mund të them se ka një panoramë spektakolare, por krahas bukurisë, terreni tejet i thyer të kallte ndjesi frike se mos rrëzoheshe.
Nuk e di mirë dinamikën se si ndodhi që Xhorxho humbi në rrjedhën e lumit atje në kanione, por di të them se Erzeni ka marrë edhe të tjera jetë të rinjsh. Katër vite më parë, polumbarëve iu deshtën 10 ditë për të nxjerrë nga ujërat trupin e pajetë të Erjon Alizotit. Ra gjatë një ekskursioni në Shpellën e Pëllumbasit. Ishte vetëm 18-vjeç. Tetëmbëdhjetë ishte edhe Igli Xhameta, kur rrjedha e lumit e mori me vete tre vite më parë, dhe gjasat janë që këto ngjarje tmerrësisht të trishta të ndodhin sërish nëse askush nuk informon si duhet.
Web-site-i i Bashkisë Tiranë thotë ende në informacionin e saj se “uji i kristaltë dhe thellësia e kanioneve të krijon mundësi të lahesh apo të notosh. Në pjesën ku lumi ka një thyerje rreth 10 m është krijuar një ujëvarë brenda një guve. Përpara ujëvarës te kanionet ka vaska të cilat në stinën e nxehtë përdoren për tu larë dhe për të bërë banjo dielli“… Asgjë më shumë! Asnjë thirrje për kujdes paraprak!
Kujdesni miq, pasi sikurse thoshte në një postim në Facebook, një shoku im – Erion Delvina – ndërsa kujtonte Xhorxhon: “nëse ai, i shkathët sa s’mendohet, nuk ia ka dalë shëndoshë prej rrjedhës, secili prej nesh mund të ketë jetën e tij në rrezik, ca më tepër në rast mpleksjeje me guida aspak profesionale të hiking-ut. Nëse i ndodhi Xhorxhios, një djali që “mund ta sajonte varkën e tij të shpëtimit edhe nga dy shkopinj”, mund t’i ndodhë kujtdo. Kujtdo!”
Ps: Ngushëllime të sinqerta familjes Seferi!