Mirë, “jo!” një kombëtare, “jo!” një kampionat të përbashkët, por ç’e pengon Shqipërinë ose Kosovën të krijojnjë një turne gjithëpërfshirës me skuadrat “kuqezi” anë e mbanë Ballkanit?! Unë them asgjë s’e pengon! Me pak vullnet dhe me dy-tre ide të sakta, mund të marketizohet si duhet një kupë futbolli mes shqiptarësh dhe kjo gjë mund të nxisë jo vetëm ndërveprimet ekonomike dhe kulturore, por edhe një afrim më tej “mes veti”.
Ja dy ide “for free” për një Kupë ndërshqiptarësh!

Përtej qëndrimeve politike dhe historike rreth figurës së Mbretit, gjykoj se një Kupë Mbreti “como en España” do të ishte e përkryer nga ana e marketingut, dhe po kështu diplomacisë publike për rastin tonë. Ja për shembull, nismën për ta organizuar ta marrë përsipër Princi Leka II. Falë lobimit të tij mund të gjenden sponsorë të ndryshëm. Sigurisht pasi të dakordësohet një periudhë kohe që nuk bie ndesh me aktivitetet e tjera që mund të kenë skuadrat. Në verë për shembull! Do ishte e përkryer! Mund të ftohen të gjitha klubet përtej kufirit të Shqipërisë dhe një ftesë nga Princi Leka II merret shumë herë më seriozisht krahasuar me ide apo palë të tjera organizuese. Le ta imagjinojmë pak! Kupa e Republikës… dhe pastaj Kupa e Mbretit… dhe pastaj një skuadër që bën tripletë titujsh në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe gjetkë! Fantastike!

Kush është një produkt apo markë që mund t’i përfaqësojë më shumë Shqiptarët?! Më vjen ndërmend një produkt dhe po kështu biznes i fuqishme. “Kastrati” për shembull. Siç është Gazprom në Rusi që sponsorizon fuqimisht sportin, le të bëhet edhe këtu Zt. Shefqet Kastrati promotor i sportit duke investuar në një turne të përtej-kufijve. Fitimi do të ishte reciprok. Edhe marka do të njihej dhe reklamohej përtej kufirit edhe sporti, kultura dhe diplomacia publike do të ndërvepronin në prosperitet duke nxitur një të ardhme më të lidhur mes nesh, shqiptarësh.

Biznesmenë të tjerë po aq të fuqishëm, si për shembull Zt. Samir Mane, apo familja Hysenbelliu mund ta përdornin një turne të tillë sporti për të promovuar produktet e tyre. Fatmiri, djali i Zt. Irfan Hysenbelliu, ka qenë një futbollist dhe e njeh mirë se si funskionon futbolli. Ai mund të jetë një urë lidhëse dhe si të thuash “organizator” i këtij turneu të hamendësuar.
Ja pra, dy ide i thashë edhe unë. Kush e di sa ide do të mund të nxirrnin andej nga Federatat (FSHF dhe FFK) vetëm nëse do të kishin vullnetin dhe dëshirën për të organizuar diçka!
Ps: Nismën mund ta ndërrmarin edhe ata të Kosovës, Pacolli për shembull si largpamës, dashamirës i prosperitetit mes shqiptarëve, mund ta bënte fiks këtë punë!