E enjtja parlamentare e kësaj jave ishte ndryshe nga javët e tjera. Krahas diskutimeve të shumta që u mbajtën me mungesë të opozitës, për një çështje në veçanti, opozitën e bëri vetë maxhoranca. Kjo çështje kishte të bënte me sportin dhe specifikisht “ligjshmërinë fiskale” në botën e futbollit.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe kishte thirrur në interpelancë Ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj, por ndërsa ky i fundit e përqendronte diskutimin te klubet, Braçe këmbëngulte te institucioni kryesor përgjegjës i futbollit në vend Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).
Ahmetaj, në mungesë totale të etikës, paraqiti në Parlament raste të evazionit fiskal ku emra të njohur të futbollit shqiptar nuk kishin të deklaruara pagat reale që ata përfitonin. Për këtë gjendje, me dashakeqësi të plotë Ministri nuk ia hidhte fajin Presidentëve të Klubeve, por lojtarëve apo trajnerëve që ai përmendte. Pra sipas Ministrit shmangien e bëjnë punëmarrësit dhe jo punëdhënësit! Sipas kësaj logjike të Ahmetajt, ish-kolegu i tij Alfred Peza do të ishte fajtor për mos-deklarim të pagës reale në kohën kur ai ushtronte profesionin e gazetarit… gjë që nuk rezultoi të ishte kështu.
Por le të ngelemi te Braçe…
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë tha plot të vërteta! Federata Shqiptare e Futbollit nuk është transparente për sa i përket detyrimeve fiskale që lindin nga marrëdhëniet e saja ekonomike. Rasti i tatimit mbi të ardhurat nga të drejtat televizive, apo të ardhurat në burim – që nuk dihet se sa është – mbetet hije e rëndë për FSHF-ën. Po kështu mjegulla e deklarimit të pagave dhe honorareve brenda këtij institucioni mbetet njollë që nuk lahet lehtë. Por gjithashtu e vërtetë është se Braçe ka një lidhje të fortë “tifozerie” me Partizanin, ndërsa ish-Kryeministri Bashkim Fino, ishte kandidat i dalë nga kjo maxhorancë për të fituar postin e kreut të Federatës së Futbollit.
Ndaj këtyre diskutimeve, FSHF reagoi pasditen e së enjtes duke deklaruar se “gjuha ofenduse dhe kërcënuese në Parlament fsheh në subkoshiencën e një segmenti të caktuar të politikës ëndrrën e vjetër për të pushtuar me dhunë FSHF-në” po kështu në këtë reagim thuhej se “politika po baltoste imazhin e FSHF-ës” dhe se gjithçka do t’i “përcillet FIFA-s dhe UEFA-s”. Nga kjo deklaratë u nënkuptua qartë se Federata mbetet nën ombrellën e këtyre instancave ndërkombëtare sa herë që kërkohet transparencë apo kontroll i qarkullimit të parasë në këtë institucion.
Reagimi me vetëm katër paragrafe i FSHF-ës dhe mos-dhënia përgjigjie prej 8 muajsh ndaj Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave thjesht sa shton pikëpyetjet rreth kësaj teme: Pse në FSHF kanë frikë nga transparenca?!
Nga ana tjetër, fakti se nuk merr përgjigjie për çështjet e kërkuara prej më shumë se 8 muajsh ngre një pyetje tjetër: Edhe sa do të presë Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave që të kërkojë nisjen e një hetimi tatimor për FSHF-ën?!
Gjasat janë që e gjitha të jetë thjesht një formë presioni e radhës për “pazare nën tavolinë”, shtypi sportiv s’e ka cekur hiç këtë temë ndërsa rastet e hulumtimeve gazetareske janë me gishta.
Por sidoqofte, vlen për t’u thënë se çështjet e ngritura nga Braçe mbeten serioze!
Krahasimi me qytetarëy që ai bëri në Parlament, sado populist të duket, është i drejtë. Çdo qytetar i këtij vendi përballet sot me një formë të caktuar të autoritetit fiskal, ndërkohë që FSHF-ja apo dhe klubet e futbollit gëzojnë “paprekshmërinë” dhe kanë luksin të mos u përgjigjen Ministrave, apo dhe Kuvendit.
Sporti shqiptar po vuan prej kohësh nga ndëshkime për substanca të palejuara, trukime ndeshjesh apo dhe dhunë në stadiume. Akuzat për evazion fiskal dhe mungesë transparence janë thjesht kapaku në një tenxhere me presion, që politika dhe FSHF kërkojnë ta mbajnë vazhdimisht pa-shpërthyer!