Çështja e mjekut Taulant Muka, i cili akuzoi zëvendës-ministrin e Arsimit dhe një deputete të Partisë Socialiste për plagjaturë, ka ditë që është kthyer në debat viral mes personash publikë dhe jo-publikë. Shumëkush – përmes statusesh apo dhe artikujsh në portale – është shprehur i zhgënjyer nga fakti se pak pas akuzave, Muka zuri vendin e zëvendës-ministrit, ndërsa të tjerë rendën ta ofendojnë me fjalë nga më të ndryshmet, për faktin se e gjitha kjo gjë ngjau si për “pazar”, krejt pa hije për një të ri të shkolluar jashtë…
Urrej kur çështjet në media degjenerojnë dhe përfundojnë së marri me individët… prandaj në këtë çështje do të doja të merresha më shumë me “fenomenin” që karakterizon përgjithësisht masën në Shqipëri se sa me individin “Taulant Muka”.
A më zhgënjen mua veprimi i Taulantit? Jo! Aspak! Përkundrazi… Mendoj se mesazhi qytetar i kësaj historie duhet të jetë pikërisht këmbëngulja për t’u vlerësuar për vlerat që ti ke, të tjerat pastaj janë pa rëndësi.

Për mua Taulanti i tregoi masës se duhet të këmbëngulësh për të marrë atë çka të takon nga djersa jote. Sepse nëse ka ndonjë gjë që në këtë vend nëpërkëmbet më së shumti është pikërisht djersa. Djersa e punës së çfarëdolloj natyre qoftë ajo, fizike, mendore, shkencore, fshesore… nëpërkëmbet!
Identikiti i masës së përgjithshme të punëdhënësve shqiptar është ai i shushunjave që të pijnë gjakun nëse u kërkon ca vlerësim më të drejtë… apo akoma më shumë, meritokraci. Në tërësi masa e punëtorëve në këtë vend vuan aq shumë për gjak, sa s’bën as hije mbi tokë. Këmbëngulësit si Taulanti janë me kokrra dhe shpesh përpihen dhe degëdisen… kështu, në këtë mënyrë shushunjat e këtij vendi kanë diell dhe kurrë re mbi kokë.
Por ndër shushunjat më të mëdha janë ato të dijes…
Çështja e postit ministror? Pranimi i atij posti është vlerësimi që ka gjykuar se meriton Taulanti për punën e tij. Ai ka vite që kundërshton mënyrën se si vlerësohet dija në këtë vend. Në këtë pjesë më duket absurde të komentosh, shfrysh apo ofendosh, pasi po flasim për dikë që është më shumë se i kualifikuar për të dhënë kontribute për këtë shoqëri…
Për të gjithë ata që hedhin vrer nga ky vendim i tij, kam thjesht dy pyetje, po ju mendoni se keni marrë maksimumin nga puna juaj? Çfarë do të bënit për të merituar atë që mendoni se e meritoni?