
Në fund të muajit nëntor UNESCO ndërfuti 31 elementë të rinj në listën e saj të trashëgimisë botërore. Njëri mes tyre ishte dhe lahuta. Përmes mbështetjes së gjerë të dhënë prej vitesh nga institucionet kulturore të Serbisë, ky instrument folklorik arriti të regjistrohej si “vlerë kulturore e popullit serb”. Lajmi në fjalë u raportua nga shtypi shqiptar me ngjyra nacionaliste dhe tejet emotive ku nxitej hapur mllefi i një ndjesie “vjedhjeje”.
Dy muaj më parë Nuseir Yassin (Nas Daily), i njohur për aktivitetin e gjerë të video-blogging vendosi të vizitojë Shqipërinë. E dashura e tij Alyne Tamir nisi të moderonte një grup në “Whatsapp” ku i kërkonte të gjithë personave që kishin njohuri për vendin të tregonin për aspekte interesante. Pikërisht në ato ditë doja t’i shkruaja Alyne-ës për lahutën…
Pasi i fola për kanunin dhe për kullëne pajtimit në Theth, i tregova edhe për muzikologjinë e veçantë me gjethe që ende trashëgohet sot e kësaj dite nga Sokol Koçeku. Kur po kërkoja informacione për lahutën, kuptova se ky instrument nuk ishte vetëm shqiptar pasi atë e përdordnin edhe serbët, edhe malazezët, kroatët, boshnjakët… e quanin gusle. Hasa në shumë informacione e teza, ku sigurisht që flitej edhe për idenë se ajo ishte pjesë e folkut serb. Diku thuhej se lahuta erdhi me dyndjet sllave, diku tjetër hamendësohej se vinte nga bota arabe etj-etj. Disi i çuditur nga ky informacion që nuk është se e dija, vendosa të mos i flas më tej Alyne-s për këtë instrument, ndërkohë që asaj i lanë mbresa tingujt e Sokolit me gjethe.
I përcolla një numër kontakti të tij. Pikërisht për të dhe veçantinë e melodive me gjethe Nas Daily i kushtoi një video 1 minutëshe në prezantimin për Shqipërinë.
Rreth dy muaj më vonë, në ditët e para të dhjetorit, lajmi zuri vend se pikërisht lahuta qenka “çertifikuar” tashmë nga UNESCO se nuk është e jona. Më erdhi ndërmend i gjithë ai kërkim, ndaj dhe vendosa të shkruaj.
Si fillim, si shqiptar, më vjen të them se lahuta ka pasur, ka dhe do të ketë, një përhapje të gjerë në Malësi mes patriotëve tanë të veriut, atyre të Kosovës dhe të Malit të Zi. Vetë “Eposi i Kreshnikëve” një nga shtyllat kurrizore të ekzistencës së frymës dhe kulturës shqiptare në Ballkan, është një cikël këngësh që shoqërohet me këtë instrument. I madh e i vogël mëson që në fillore se zanafilla e këtij eposi legjendar ka lidhje me dyndjet sllave dhe mesazhi kryesor i tyre ka qenë rezistenca dhe përcjellja brez-pas-brezi e vlerave shoqërore të popullsisë që jetonte në këto troje.
Por ç’është e vërteta, folkloriynë nisi të mblidhej shumë vonë, vetëm në vitet ’20, ’30. Fratër françeskanë si Shtjefën Gjeçovi, Bernardin Palaj, Donat Kurti, apo Gjergj Fishta bënë një punë kolosale duke ngurosur e dëshmuar në këtë drejtim vlera të pamohueshme të kulturës sonë, e cila përcillej gojarisht prej shekujsh. Ata ishin të parët, që pas një pune disa-vjeçare, nxorrën një botim në vitin 1937 ku përmblidhej saktë kjo veprimtari.
Kërkimet në fushën e folklorit shqiptar u zhvilluan ndjeshëm vetëm pas vitit 1950 me formimin eInstituteve Shkencave dhe më vonë të Akademisë së Shkencave. Themelimi i Institutit Albanologjik në Prishtinë dha gjithashtu kontributet e veta. Ndërsa sot pas vdekjes edhe të albanologut Robert Elsie, i cili rezulton të jetë i pari që i përktheu dhebotoi rapsoditë shqiptare në anglisht, vetëm në vitin 2004(!)… studiuesit aktivë të folkut dhe antropologjisë në Shqipëri janë të mangët.
Kështu përballë një mangësie të studimit të përthelluar, them se e kemi të kotë këtë debat. “Bjeri lahutës gjithë ditës”… “bjeri edhe me shekuj” po të duash, nëse askush s’ta dokumenton këtë normale që s’ta quan.

Ndërkohë për dreq! Institucionet ku janë?! Politikat…
Bëri më shumë që të njihej Shqipëria në botë Nas Daily në një muaj, se sa i gjithë shteti me vite…
PS: Mbase duhej ta kishim bindur Alyne-ën që Nas të bënte një video për lahutën… ku i dihet në mos UNESCO, së paku për të tjerët nëpër botë do të mësohej se me lahutë këndohet edhe shqip.