E shtunë. Dita e tretë. Supozohej të ishte pushim… por jo për protestë.
Organizimi i radhës nisi sërish që në mëngjes nga Universiteti Politeknik i Tiranës. Studentë, ish-studentë, familjarë… qytetarë të ndryshëm marshuan sërish për në të njëjtin kryqëzim: “Rruga Durrësit” me “Rrugën Fortuzi”. Përballë godinës së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR). Përballë godinës së shpërlarë nga vezët e dy ditëve më parë. Vezë do të kishte edhe sot. Do të kishte edhe letra higjienike, shumë vërshëllima, kore, brohoritje, por më së shumti ato pankartat karakteristike, produkt të sinqeritetit dhe lirisë së shprehjes së çdo të riu, do të ishin edhe sot.
Të shtunën gjeta mundësinë t’i bashkohesha edhe unë protestës. Bashkë me miq dhe familjarë të mi u solidarizuam me studentët. Vajtëm aty. Te kanxhellat. Te grumbulli i pankartave, pranë organizatorëve, pranë megafonëve, pranë kordonit të policisë. “Jemi të rinj!” Ndaj e kuptojmë shumë mirë situatën.
Dhjetë vite më parë mbaj mend maturën që ishte bingo. Dega e Universitetit të qëllonte për fat i ndonjë numri nga 1-shi te 10-ta e preferencave që t’i fiksonte stilolapsi i 10 minutave përllogaritje shumë më përpara se sa të jepje provimet. Në Universitet pedagogët ishin arrogantë. Lekistë. Kushtet ishin më keq se të gjimnazit. Asnjë vend ku të njoftoheshe për ndonjë gjë. Laboratorë jo se jo, por as orare. Hiç korrektësi, pa përmendur sekretaritë e famshme…
Ditëve të sotme s’ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe. E njëjta skemë. E njëjta gjëndje. Thjeshtë muret janë me ngjyra dhe dritat s’ikin më. Dhe thjeshtë gjërat janë bërë më shtrenjtë! Prandaj dhe çështja është për t’u mbështetur! Gjërat duhen ndryshuar! Gjërat në fakt duheshin ndryshuar…
Isha student i Masterit kur në Kuvend, katër vite më parë, diskutohej “Ligji për Arsimin e Lartë”. Isha student, por njëkohësisht edhe punoja, sepse të papërballueshme ishin tarifat edhe atëherë.
Punoja gazetar. Mbaj mend intervistat me profesorët e Filologjikut, të gjithë ishin kundra të ashtuquajturës “Reformë!”. Të gjithë i shprehnin kritikat e tyre. Por kishte gjithashtu studentë, të cilët protestonin edhe asokohe.
S’ka si të harrohet 2 nëntori i 2015-ës. Kishin kaluar 60 ditë nga hyrja në fuqi e “Ligjit Nr.80/2015” kur Klodi Hoxha, Anita Lushi, Bora Mema, Viktori Çipi dhe Liri Kuçi, së bashku me studentë të tjerë, qëlluan Kryeministrin me vezë. Ishte një moment shumë kurajoz, që edhe pse vuajti fillë reagimin e ashpër të shtetarit tipik shqiptar, tregoi qartë brumin e kësaj rinie. Guximi!
Sot tre vite më pas, edhe pse vonë, mund të them se ndihesha mirë teksa solidarizohesha me ta. Protesta është më e fortë se e viteve të shkuara. Eshtë më e fortë sepse ajo çka paralajmërohej asokohe, po ndodh. E ashtuquajtura “Reformë!” po u rëndon direkt xhepave të studentëve dhe familjarëve të tyre, aspak buxhetit minimalist të Shtetit.
Tashmë jo si student, por gjithsesi si i ri i këtij vendi isha në rrugë me ta, isha për t’u solidarizuar edhe me kolegët e mi gazetarë. Në krye të detyrës. Në shi. Pa çadra, pa bilbila, pa pankarta, por jam i sigurt me shumë pasion dhe dashuri për atë çka po ndodh pasi është një moment shumë i bukur për vendin tonë. Demokraci!
Studentët e thanë edhe sot që s’duan negociata! Ata janë kategorikë! Edhe pse qeveritarët dhe opozitarët po përpiqen, studentët janë të qartë, s’ka më numra. Ndryshojeni situatën! Pa fjalë! Pa broçkulla! Pa marifete! Me vepra!
Si mund të bëhet kjo?!
Ata janë shtetarët… zgjidhjet i dinë dhe bëhen direkt. Kanë treguar se kur duan të kalojnë “ligje të jashtëzakonshme” i kalojnë edhe brenda natës. Të bëjnë seancë të jashtëzakonshme në Kuvend dhe ta pezullojnë ligjin e arsimit të lartë, ashtu siç ç’bënë “VKM”-ën e famshme që rriste tarifat për lëndët e mbartura… me “të dy duart!”
Atëherë po që ka se çfarë të dialogohet… por kurrësesi s’besoj se ka ndonjë gjë për t’u negociuar!