Pse studentët kanë të drejtë që e duan larg politikën nga protesta?

Studentët kanë të drejtë… sepse politika në Shqipëri nuk është e pastër. S’ka qenë kurrë! Ata kanë të drejtë sepse politika këtu promovon krimin. Tradhëtarë! Tutorë! Trafikantë! Hajdutë e burgaxhinj… fytyrat e tyre i kemi parë prej vitesh në administratë, Kuvend, e në çdo protestë të mbajtur prej partive. Studentët kanë të drejtë që s’e duan protestën e tyre nën ngjyra politike… sepse politika e kësaj klase nuk ka qenë kurrë e pastër, ka qenë gjithmonë e ndyrë, ja sepse…

Janë të panumërta çështjet e tradhëtuara prej kësaj politike. Shëndetësia falas?! Legalizimet falas?! Arsimi publik falas?! Pfff… këtu akoma s’votohet “falas” merre me mend se çfarë bëhet me gjërat e tjera!

Foto nga Dardan Vukaj//Protesta e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit.

Por pavarësisht përplasjeve dhe trysnive nga më të ndryshmet, për mua sot studentët kanë thyer një tabu. E dini cilën?! Atë të protestave. Që pas vitit 1991 të vetmit që kanë qenë koherentë në tubimet e tyre kanë qenë të përndjekurit politikë. Askush tjetër!

Por prapë se prapë politika arriti t’i thyejë ata. E dini apo jo?! Pikërisht kjo klasë politike e ndyrë i përndoqi edhe ish-të përndjekurit! Po-Po! I përndoqi sepse kishte frikë prej tyre…

Prej tyre ka pasur gjithmonë protesta. Në kohë të të djathtëve. Në kohë të të majtëve. Njëzetë e shtatë vite greva e vetëflijime! I keni harruar?! Turp nëse po…

Tradhëtarët e kauzës së parë demokratike post-komuniste enden sërish sot në politikë. S’bënë kurrë “mea culpa”… ndërsa plot familje s’kanë mundur të rehabilitohen nga plagët e së kaluarës, madje i ripërjetojnë sa herë nostalgjia zë vend edhe te të rinjtë.

Sidoqoftë kjo klasë politike e bën gjumin rehat, edhe pse herë pas here jam i sigurt se ndokujt i del si makth era benzinës, apo e mallkimeve të fatkeqëve që e vuajtën këtë tranzicion të pakufijtë. Jashtëzakonisht e trishtë po ta mendosh. Ata që vuajtën regjimin totalitar u thyen nga kjo politikë mashtruese. Po kështu u thyen nga koha. Sot kjo Qeveri, pas 27 vitesh nga ligji i parë që fliste për rehabilitimin e tyre, e ka reduktuar skemën e dëmshpërblimeve vetëm te brezi i parë i familjarëve duke i nxjerrë nga skema nipërit dhe mbesat…

E kuptoni?! Pasi ua bënë jetën ferr atyre dhe familjarëve të tyre. Pasi i vdiqën në premtime boshe, burokraci, pritje e sorrollatje. Sot kjo klasë politike ka fytyrë ta rrahë gjoksin se kinse e ka zgjidhur edhe çështjen e tyre.

Mashtrues të paskrupuj! Ju thjesht pritët sa ish-të përndjekurve më të zëshëm t’u ikte zëri… kaq! Prandaj të gjithë studentët sot s’duhet të presin, s’duhet të gënjehen, s’duhet të lëshojnë pe nga kërkesat e tyre!

Muri i kësaj klase politike do bjerë një ditë, uroj që ajo ditë, falë këtyre protestave të jetë afruar më këtej…

Kur i mendoj këto, bindem plotësisht t’u japë të drejtë kujtdo që e thotë atje para Ministrisë… sado me naivitet, apo me mungesë edukimi politik… u jap të drejtë kur e thonë togfjalëshin “jo protestë politike”.

Foto nga Dardan Vukaj// Protesta studentore përpara Ministrisë së Arsimit.

Jam i sigurt se gjithëkush e ka në këtë sens që jam munduar ta përmbledh më lart. Jam i sigurt se çdo i ri e ka këtë reagim prej mllefit të kohës së humbur prej kësaj klase politike, që edhe pse pa shqisa të dëgjimit, parjes apo dhe prekjes, arrin ta mbajë të pushtuar çdo hallkë të demokracisë duke na lënë kaq larg Evropës edhe pse afër gjeografikisht…

Ja pse studentët kanë të drejtë që ta mbajnë larg politikën nga protesta!

Advertisements

Leave a Reply