Skenari i jashtëligjshëm i shembjes së Teatrit Kombëtar

Shembja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar e ka përshkallëzuar kauzën nga ajo e mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, te një kauzë edhe më e madhe, te ajo për mbrojtjen e sundimit të ligjit. Orvatjet e pushtetit për ta rikanalizuar diskutimin publik vetëm te estetika dhe arkitektura e projektit të ri nuk ka qëllim tjetër veçse të fshehë të jashtligjshmen.

Por kush janë këto shkelje? Shkeljet kanë të bëjnë me anashkalimin e gjykatave, prokurorisë dhe mënyrës se si menaxhohet prona publike me ligjin e prokurimit publik.

Pa u përmbyllur hetimet, pa u shprehur gjykatat, pa u siguruar fondet, pa u siguruar leja e ndërtimit, pa bërë konkurs apo thirrje për projektim e tender ndërtimi… u kalua menjëherë te shembja e ndërtesës, sipas një vendimi që u mor me e-mail.

Në muajin shkurt Bashkia Tiranë u tërhoq nga i shumëpërfoluri partneritet me privatin (PPP). Ajo vendosi që me mbështetjen e qeverisë, teatrin do ta ndërtonte vetë me para publike.

Bashkia u mjaftua vetëm me një deklaratë për shtyp. Nuk bëri aspak transparencë të diskutimeve me privatin, vlerat monetare dhe arsyet e vërteta që sollën ndarjen.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dërgoi në SPAK gjithë procedurën e ndjekur për PPP-në.

Më herët Presidenti e kishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese ligjin special mbi të cilin u bazua PPP-ja.

Presidenti dërgoi në Gjykatë Kushtetuese edhe vendimin e qeverisë që teatrin ia kaloi në pronësi Bashkisë Tiranë.

Mirëpo brenda asaj dite, Bashkia Tiranë vendosi shembjen, shembje e cila u krye duke ndërhyrë dhunshëm edhe pse Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dërgoi gjithashtu në Prokurori, atë që e konsideroi si falsifikim të akt-ekspertizës, mbi të cilën u bazua vendimi i shembjes.

Pra thënë të gjitha këto, pa u mbyllur 2 hetime prokurorie, pa u shprehur për dy çështje Gjykata Kushtetuese, Bashkia Tiranë rendi ta shembë teatrin.

Por nuk janë vetëm këto nëpërkëmbje të sundimit të ligjit. Bashkia veproi pa pasur as tender projektimi, as leje ndërtimi, as tender zbatimi e mbikëqyrjeje punimesh, procedura këto që, – për çdo punë publike – i kërkon ligji.

Për rrjedhojë mbetet e pashpjeguar ligjërisht se si u ripërzgjodh projekti i Bjarke Ingels Group (BIG), i cili qe propozuar nga privati me PPP-në prej së cilës Bashkia Tiranë u tërhoq.

Po aq e paqartë mbetet kostoja e ndërtimit, fondet, nëse janë siguruar apo jo, nëse ato janë të përballueshme për situatën ku ndodhet vendi.
Me shembjen e teatrit, nuk ka më kthim pas. Nëse nuk gjehen fondet, dëmet janë të parikuperueshme.

Pra, përveç projektit, mbetet e paarsyetuar se përse u shemb ndërtesa kur ende nuk ishin shpallur të gjitha këto procedurat që i kërkon ligji.

Thënë këto, protestat e qytetarëve nuk duhet të jenë më vetëm kundër shembjes së një vlere kulturore, por tashmë, sidomos për shembjen e ligjit dhe sundimin e paligjshmërisë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.