Zero ndryshim pas pesë ditë protestash, vrasja e Klodian Rashës mbetet me pikëpyetje

Pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia, pesë ditë protesta në Tiranë dhe disa qytete të Shqipërisë kanë nxitur dorëheqjen vetëm të ministrit të Brendshëm.

Disa nga protestat në rrethe janë organizuar nga opozita. Në kryeqytet ajo gjithsesi ka qëndruar e distancuar për të mos marrë përsipër drejtimin e revoltës qytetare. Sidoqoftë shumica qeverisëse e ka akuzuar se po inkurajon sulmet ndaj institucioneve dhe policisë.

Në rrjetet sociale janë qarkulluar kërkesa të ndryshme. Më të arsyeshmet mbeten hetimi i plotë i ngjarjes, largimi i Drejtorit të Përgjithshëm dhe reformimi i policisë.

Pesë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, kryeministri ka treguar zero vullnet për të ndryshuar drejtimin e policisë, e akuzuar nga opozita se është e inkriminuar dhe se instrumentalizohet në manipulimet zgjedhore.

Revolta qytetare ka përshkallëzuar shpesh në vandalizma, kryesisht nga të miturit. Policia nga ana tjetër ka ndërhyrë dhunshëm duke kryer arrestime brutale e duke përdorur në masë plumba gome, gaz lotsjellës e automjete ujë-hedhës.

I gjithë ky vrull ngjarjesh ndodh teksa Shqipëria vuan prirjen më të lartë të infektimeve dhe vdekjeve nga COVID-19, ndërsa prej 11 nëntorit janë vendosur kufizime të lëvizjeve dhe ndalim të grumbullimeve me më shumë se 10 persona.

Pikëpyetjet e vrasjes së Klodian Rashës

Duke iu referuar burimeve policore, mediat thanë se vrasja e Klodian Rashës ndodhi në orën 01:45 të datës 8 dhjetor dhe se ai:

  • s’iu bind policisë
  • kundërshtoi policinë
  • ishte me probleme të shëndetit mendor
  • ishte me precedent penal
  • ishte i armatosur
  • u qëllua nga policia për vetëmbrojtje
  • u qëllua dy herë, në shpinë dhe në kokë

Shumica nga këto raportime u hodhën poshtë ditët në vijim nga familjarët dhe të njohur të Rashës.

Tre ditë më vonë, më 11 dhjetor, kur polici i akuzuar për vrasjen doli përpara gjykatës, dëshmitë e rrjedhura në media thanë se:

  • Rasha u thirr për verifikim leje lëvizjeje
  • Rasha kundërshtoi thirrjet për të ndaluar
  • Rasha ngjalli dyshim se ishte i armatosur
  • Rasha u godit nga vetëm një plumb në shpatull
  • vrasja u raportua në sallën operative në 01:09 – 46 minuta përpara orës së njoftuar në media
  • rreth 100 metra larg vendngjarjes u gjet një pistoletë
  • arma u gjet në një pellg ujë pa gjurmë të identifikueshme
  • punonjësit e policisë s’kishin kamera trupi

Një javë pas ngjarjes nuk ka version zyrtar të përmbledhur dhe nga raportimet në media mbeten pa shpjegime pretendimet se:

  • Rasha kishte plagë të madhe pas koke – dhjetë qepje
  • Rasha kishte hundë të thyer dhe mavijosje të dukshme në fytyrë

Pse s’reformohet policia?

S’ka arsye apo argument kryesor se përse Kryeministri refuzon të nisë ndryshimin e drejtimit të policisë pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Ai ka këmbëngulur se ngjarja është rastësore dhe rezultat “tragjik i një polici” dhe jo strukturës drejtuese.

Megjithatë rreth dhjetë vite më parë ai mendonte ndryshe kur ishte në opozitë.

Asokohe, teksa kërkonte drejtësi për vrasjet në protestën e 21 janarit 2011, Kryeministri i sotëm bënte thirrje për largimin e ministrit dhe drejtuesve të policisë.

Teksa merrte si shembull revoltat e dhjetorit 2008 në Greqi pas vrasjes së 15-vjeçarit Alexandros Grigoropoulos, ai thoshte se ishte logjikë e moralit të mirëqeverisjes që pas një vrasje policore shteti të reagonte me largimin e drejtuesve.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.