Shpesh talenti nuk mjafton. Rrethanat, apo fati, luajnë role vendimtare në jetë. Një prej futbollistëve më të talentuar shqiptar vuajti pikërisht këtë përfundim gjatë diktaturës, ndërsa historia e tij kap kufijtë e legjendës.
Qemal Vogli fitoi gjithçka në fushë, por regjimi i Enver Hoxhës e dënoi me harresë për shkak të tundimit për një jetë më të mirë. Historia e tij të magjeps për guximin. U arratis në Perëndim. Por të trishton për përndjekjen që vuajti: burg, internim, ndarje nga familja dhe sporti.
Ky shkrim biografik plotëson për herë të parë në mënyrë të gjithanshme profilin e gardianit të portës së Dinamos, i cili nuk foli shumë edhe kur koha u kthye të flasë për të.
Nga Grosics te Yashin, karriera në një epokë të jashtëzakonshme
Si portier, Qemal Vogli gëzoi majat e karrierës në fillim-vitet 50-të. Asokohe në futbollin botëror bënte bujë një brez i jashtëzakonshëm hungarezësh, të cilët ishin frymëzim sidomos për komunistët e lindjes.
Deri në vitin 1956 ata ishin të aftë të turpëronin 8-3 Gjermaninë Perëndimore, 7-1 Anglinë, 7-1 Turqinë, 8-0 Finlandën dhe 9-0 Korenë e Jugut. Të konsideruar “pionierët e futbollit total”, atyre nuk u bënin ballë as skuadra me tradita si Italia, Brazili, Uruguai, apo Suedia.
Nga ky brez dallonin Gyula Grosics, Zoltán Czibor, József Bozsik, Nándor Hidegkuti, Sándor Kocsis dhe Ferenc Puskás. Paralelisht hungarezi i arratisur në Spanjë, László Kubala, shkëlqente me Barcelonën.
Emra të tjerë si Didi, José Santamaria, John Charles, Giampiero Boniperti, Gunnar Nordahl, Stanley Matthews, Friedrich Walter dhe Alfredo Di Stéfano ishin yjet e kombësive të tjera, që shndrisnin në një epokë para Pelé-së.
Për të dalluar nga lojtarët në fushë, portierët e asaj periudhë visheshin me uniforma të zeza. Për këtë dhe faktin se hidhej me zhdërvjelltësi, hungarezi Grosics mbiquhej “Pantera e Zezë”. Ai ishte frymëzim për të gjithë portierët e asaj kohe.
Nuk bënte përjashtim as Lev Yashini. Ky ishte moshatar me Voglin dhe pak vite më vonë do të shkruante historinë duke fituar evropianin me Bashkimin Sovjetik (1960), si dhe vlerësimin me “Top të Artë” (1963) – çmimi më prestigjioz i futbollit, që nisi të jepej pas vitit 1956 dhe deri në vitin 1995 iu dha vetëm evropianëve.
Vogli u përball me të dy këta portierë legjendarë. Madje me Yashinin pati mundësi edhe të kalonte një periudhë të shkurtër stërvitjeje.
Me “Panterën e Zezë” Vogli u përball në një miqësore tejet dramatike për Shqipërinë, e cila u mbyll me rezultatin turpërues 12-0.
Ishte 24 shtatori i vitit 1950. Luhej në Budapest. Vogli u aktivizua vetëm një pjesë. Pësoi 5 gola e më pas u zëvendësua për shkak lëndimi. Zëvendësuesi i tij, Sulejman Maliqati, do ta nxirrte topin nga rrjeta edhe shtatë herë të tjera.
Kjo mbetet fitorja më e thellë e Hungarisë në futboll pas Luftës së Dytë Botërore dhe humbja më e thellë e Shqipërisë në të gjitha kohërat.
Por ajo ndeshje u diktua shumë nga gjendja e keqe e skuadrës. Kombëtarja vinte pas një reprezalje të Sigurimit të Shtetit si rrjedhojë e arratisjes nga ekipi përfaqësues i dyshes Sulejman Vathi e Bujar Kavaja. Ata qenë larguar pas një miqësoreje me Bullgarinë.
Voglit do t’i mbetej në mendje kjo ndeshje me Grosicsin, por sidomos arratisja e Vathit, të cilin e kishte shok skuadre edhe te Dinamo.
Me portierin tjetër, legjendën Yashin, kavajasi u përball në vitin 1954 në Moskë gjatë një ndeshjeje miqësore mes dy dinamove.
Krenaria e futbollit sovjetik, i shpallur “Hero i klasës punëtore”, i priste goditjet a thua kishte tetë duar. Për këtë dhe faktin se, njësoj si Grosics vishej me të zeza, mbiquhej “Merimanga e zezë”.
Moskovitët kishin dëgjuar për Voglin prej miqësoreve të nëntorit 1951 në Tiranë, (Shqipëri 1-1 Spartak i Moskës; Dinamo 0-3 Spartak i Moskës) ku ai kishte dalluar për aftësi të përkryera në portë.
Yashini dhe Vogli, – asokohe të dy 25-vjeçarë – e vlerësuan me konsiderata njëri-tjetrin.
Në këto kohë, në mjediset e sportit shqiptar Vogli mbiquhej “Shqiponja e Zezë” – ndryshe “Macja e Zezë” mbiquhej shoku i tij Sulejman Maliqati. Ai ishte protagonist i një ecurie të jashtëzakonshme sportive në Tiranë.
Me Dinamon do të fitonte pesë kupa e pesë kampionate me rekorde absolute të tipit 25 fitore radhazi dhe do të bënte pjesë në një brez të artë futbollistësh me Shyqyri Relin, Qamil Telitin, Skënder Begejën, Skënder Jarecin, Zihni Gjinalin e Hamdi Bakallin.
Por, megjithëse të shumtë ishin krenarë për arritjet e tij sportive, Vogli nuk u bë kurrë njësoj si Yashini “Hero i Klasës Punëtore”, përkundrazi. Gjithçka e tij u dënua me harresë kur më 3 shtator 1956 ai u arratis drejt Perëndimit njësoj si Vathi e Kavaja.
Ishte 27 vjeç. Kishte vetëm 10 vite futboll profesionist. Shumëkush priste të paktën edhe 5 vite të tjera në majat e sportit shqiptar.
Situata emocionale dhe rrethanat bënë, që pas një miqësoreje me Dinamon e Berlinit, ai të arratisej për në Berlinin Perëndimor.
Ishte koha kur ende nuk ishte ndërtuar muri famëkeq i Berlinit. Ishte koha kur arratisjet regjimi diktatorial i Hoxhës i dënonte me vdekje, ose me të paktën 25 vite burg.
Prej vitit 1956 e deri më sot historia e Qemal Voglit është treguar mes kujtimeve të mjegullta, me pak dokumente dhe aspak kontekste historike.
Ky shkrim përmbledh në mënyrë të detajuar gjithë historinë e tij duke iu referuar dosjes që Sigurimi i Shtetit mbajti për të, por jo vetëm.
Zanafilla prej kampioni nën presionet e diktaturës

Qemal Vogli u lind në lagjen Zguraj të Kavajës në një datë të diskutueshme mes 15 marsit dhe 29 shtatorit të vitit 1929 ose 1930. Shqipëria në atë periudhë ishte nën Mbretërimin e Ahmet Zogut.
Një certifikatë e vitit 1975, e arkivuar nga Sigurimi i Shtetit, thotë se Qemali u lind më 15 mars 1929. Diku tjetër thuhet se ai u lind më 29 shtator 1929, ndërsa në hetuesi vetë Vogli shkruante se qe lindur në vitin 1930. Ky vit përmendet më pas edhe në vendimet gjyqësore.
Me gjasë mosha duhet t’i jetë shtuar enkas në certifikata në mënyrë që ai të kapërcente më shpejt grupet e moshave në futboll.
Zyrtarisht Ramën Çepele – 17 vjeç, 7 muajsh e 21 ditësh – është lojtari më i ri në moshë që ka luajtur ndonjëherë një ndeshje me kombëtaren Shqiptare (Miqësore: Shqipëri 2-1 Kosovë, 11 nëntor 2020). Pas tij vijnë Mario Mitaj (2021) dhe Qemal Vogli (1947). Por nëse Vogli mund të ketë lindur vërtetë në vitin 1930 dhe jo në vitin 1929 atëherë ai mund të ketë qenë 16 vjeç dhe jo 17-të e për rrjedhojë ky rekord të mbetet sërish i tiji. Por kjo mbetet e diskutueshme.
Deri në adoleshencë Qemali jetoi periudhat më të vështira të historisë së Shqipërisë.

Periudha e Mbretërisë u mbyll në vitin 1939 nga pushtimi fashist dhe nisja e Luftës së Dytë Botërore. Nazistët i zunë vendin fashistëve tre vite më vonë, ndërkohë, pas Çlirimit, në Shqipëri u ngrit diktatura e Enver Hoxhës.
Regjimi i Hoxhës nisi menjëherë me përndjekje të llahtarshme ndaj të ashtuquajturve “kolaboracionistë” dhe “klasa të përmbysura”. Kështu familja Vogli u cilësua “me biografi të keqe” për lidhje të dyshuara me Ballin Kombëtar, organizatë, të cilën komunistët e shpallën “armike të pushtetit popullor” prej bashkëpunimit të tyre me nazistët.
Nxitur nga ky cilësim, në vitet e para pas Çlirimit, regjimi i burgosi Qemalit vëllezërit, – Mahmut dhe Xheladin Vogli, – duke e lënë atë vetëm me nënën, motrën, kunatën dhe dy fëmijët e njërit prej vëllezërve. Komunistët e përndoqën familjen Vogli në një kohë kur ajo kishte humbur kryefamiljarin, Bakiun, dhe djalin e madh, Myslimin.
Prej kësaj gjendjeje të vështirë psikologjike, ekonomike dhe familjare, Qemali duket se çlirohej vetëm nga futbolli.
Vogli me një shtat mesatar rreth 180cm (në dosjen e Stasit thuhet se ishte 175cm i lartë) spikati që në vitin 1946 si portier i Besës së Kavajës. Dalloi megjithëse adoleshent, nuk ishte as 16-vjeç.
Talenti i hapi rrugë kalimit te skuadra e Yllit të Kuq – sot Teuta në Durrës. Atje Vogli ra më tepër në sy. Ai u ftua në kombëtare ku debutoi më 25 maj 1947 (Kupa e Ballkanit: Shqipëri 0-4 Rumani).

Në këtë periudhë filloi punë si ndihmës-saldator në port, vend në të cilin Sigurimi i Shtetit kishte angazhuar dhjetëra bashkëpunëtorë. Tre prej tyre do të raportonin rregullisht për Voglin me nofkat: Goma, Çapkëni dhe Jehona.
“Kolegët bashkëpunëtorë” spiunonin çdo sjellje të Voglit, madje edhe çështjet familjare të tij.
Përveç tre spiunëve në port, gjatë viteve në vijim, Sigurimi do të angazhonte plot bashkëpunëtorë të tjerë të njohur me nofkat si: Bjeshkore, Biblioteka e Pogradecit, Topi, Stina e Shiut, Besuesi dhe Lumi.
Ata “i përpunonin” biografinë duke i analizuar lidhjet familjare, sjelljet në punë, opinionet, me kë shoqërohej etj. Kjo përndjekje me spiunime do të vazhdonte deri në vitin 1991 kur zyrtarisht regjimi do të binte dhe Sigurimi i Shtetit do të reformohej.
Kur Vogli ishte 18 vjeç ai rrezikon jo-pak pas një rasti pakujdesie në punë. Ai duket se kursehet pasi drejtuesit e lartë të Partisë e shohin me një sy tjetër për shkak të aftësive që kishte në sport.
“Qemali kur la punën e kishte lënë aparatin e saldaturës së elektrikut me fije të takuara […] kështu vuri në rrezik personelin dhe rimorkiatorin të digjej […]” – raportonte bashkëpunëtori Goma më 10 tetor 1947, – “Qemali ka dy vëllezër në burg njërin si armik populli dhe tjetrin se deshi të arratisej në Itali. Ky shoqërohet më tepër me Z.R, O.M, I.D.”

Ky rast i raportuar u bë problem për Voglin. Dokumentet tregojnë se në këmbim të shfajësimit për dëmet e pakujdesisë në punë, Sigurimi e detyroi të bëhej bashkëpunëtor. Mirëpo Vogli, të cilit regjimi i kishte burgosur vëllezërit, duket se nuk bashkëpunon.
“[…] për të gjitha neglizhencat e dëmtimet del se Vogli (në vitin 1947) ishte për t’u arrestuar, por siç duket atëherë nuk është aprovuar nga Drejtoria, është thirrur nga organet e Sigurimit në kantier për ta këshilluar, ku në këtë kohë është rekrutuar B.P informator” – do të analizonte më vonë në vitin 1955 në një raport Kryetari i Degës III Halim Xhelo.
“Më 1950 është marrë si sportist shumë i mirë (portier) i skuadrës Dinamo. Si lojtar është paraqitur shumë i mirë, është treguar i vullnetshëm dhe guximtar. Njëkohësisht prej 1950 deri në 1954 ka qenë në lidhje si B.P i organeve tona, por në këtë drejtim nuk ka dhënë asgjë, sepse nuk ka dashur të bashkëpunojë,” – vijon më tutje Xhelo.
“[…] Këtë bashkëpunim, për periudhën që ka qenë në skuadrën e futbollit, nuk e ka plotësuar mirë, kjo sepse nuk donte të bashkëpunonte. Për këtë në vitin 1954 u përjashtua si bashkëpunëtor, duke u konsideruar i pavlefshëm dhe deklarata e mos-dekonspirimit nuk iu mor sepse nuk donte që ta lëshonte,” – thuhet më vonë në një relacion tjetër sekret të Sigurimit.
Ishte viti 1950 kur diktatura komuniste formoi klubin sportiv të Dinamos, i cili u projektua sipas modelit sovjetik të Dinamos së Moskës, nën tutelën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Vogli ishte rreth 19 vjeç. Trajneri Ludovik Jakova pa te ai një talent të padiskutueshëm. Me rekomandim të tij, ai u shpërngul nga Durrësi në Tiranë. Por shkëputja nga familja ishte e vështirë për të.

Pas vdekjes së babait dhe burgosjes së dy vëllezërve Qemali ishte kryefamiljari. Nënë Haxhirja ishte pika e tij e dobët.
Në kryeqytet, klubi e sistemoi si saldator në ofiçinën e Ministrisë së Punëve të Brendshme kjo më tepër për ta pasur nën vëzhgim prej biografisë që kishte.
Sukseset me Dinamon i dhanë jashtëzakonisht popullaritet. Për pesë vite u vendosën rekorde dhe u fituan trofe radhazi.
Ky popullaritet dhe përkrahja nga Zëvendëskryeministri, asokohe, njëherësh Ministër i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, i cili e shihte futbollin si mundësi “për të agjituar masat”, bëri Sigurimin të mos vepronte kur nisën të vinin raportime se në daljet jashtë shtetit Vogli kryente kontrabandë.
Favorizimi vijoi edhe në periudhën kur Ministrinë e Brendshme e drejtoi Kadri Hazbiu, edhe ky i përshkruar si tifoz i Voglit nga njerëzit që patën mundësi ta njihnin nga afër.
“[…] Vogli kur është kthyer një herë nga turneu që skuadra kombëtare ka bërë jashtë shtetit, ka sjellë kontrabandë një sasi të konsiderueshme gjilpërash makine qepëse, gurë çakmaku e të tjerë, të cilët i kishte futur në tri kamerdare biçiklete, këto i shiti dhe fitoi nga kjo kontrabandë rreth 400 mijë lekë.” – spiunonte “Biblioteka e Pogradecit” dhe “Bjeshkorja” në muajt prill-qershor 1955.
Në fakt shumica e futbollistëve të Dinamos, apo Partizanit asokohe blinin dhe shisnin nën zë sende me porosi sa herë që dilnin jashtë shtetit duke fituar një lloj privilegji nga mosndëshkimi prej udhëheqjes. Përveç kësaj, në këtë periudhë Vogli ishte pranuar si anëtar në Partinë e Punës duke marrë kështu një vlerësim edhe më të lartë nga pushteti.

Bashkëpunëtori më i zellshëm, me nofkën “Biblioteka e Pogradecit” quhej Llambi Llampiri. Ai ishte një ish-i burgosur për vjedhje, i cili qe punësuar si mekanik në ofiçinën e Ministrisë së Brendshme në vitin 1950 enkas me synimet e angazhimit si informator.
Aty ai qe miqësuar me Voglin dhe raportonte për Sigurimin çdo gjë, deri dhe marrëdhëniet e trazuara familjare që Vogli po kalonte me bashkëshorten.
Në disa nga raportimet, në qershor 1955, Sigurimi merr informacion se Vogli po mendonte për t’u arratisur.
“[…] Qemali më tha: Unë dua vrarë, se në 1950 kur na linin të lirë unë isha edhe beqar, nënën nuk e kisha unë, nuk e vendosa, bile kur erdha këtu vëllai më tha pse e prure kokën,” – spiunonte “Biblioteka e Pogradecit” nga diskutimet që bënte me Voglin në ofiçinë.
Informatori Llampiri udhëzohej nga Sigurimi që të mbante një profil të interesuar për këtë temë dhe të mundohej të raportonte sa më shumë detaje nga plani i Voglit.
“[…] qëndro i mërzitur duke lidhur me trajtimin e keq që të është bërë gjoja, pastaj shfaqi dyshimin se edhe në punë nuk po më marrin. Në rast se ai fillon bisedimin për arratisje, mundohu t’i marrësh sa më shumë hollësira se si mundohet ta organizojë, a ka shokë të tjerë, po me kujdes që të mos i lesh dyshime” – udhëzohej informatori nga Dega e Brendshme.

Krejt ndryshe nga sa pritej, Vogli e denoncon Llampirin për “provokim” dhe “tentativë arratisjeje” duke i shpëtuar një arrestimi të mundshëm. Me gjasë raportimet e “Bibliotekës së Pogradecit” janë dekonspiruar nga operativët e Sigurimit dhe Vogli mund të jetë udhëzuar me qëllim që të denoncojë zyrtarisht personin që e spiunonte dhe t’i shpëtonte akuzave.
Kështu, më 27 dhjetor 1955, nën sugjerimin e Togerit Hajredin Hoxha, Kolonelit Helim Xhelos dhe Majorit Nuri Çakerrit, dëshmitë e mbledhura nga Llampiri në dëm të Voglit cilësohen “të pavlefshme” megjithëse qartësisht denoncimi i Voglit konsiderohet “i bërë me vonesë”.
Qemal Vogli arratiset një vit pas këtyre raportimeve, më 3 shtator 1956. Vetë Ministri i Punëve të Brendshme, asokohe Hazbiu, kishte udhëzuar marrjen e masave për ta pasur nën vëzhgim të veçantë dhe kishte urdhëruar edhe “izolimin” e tij nëse shfaqeshin dyshime të arsyeshme për arratisje.
Largimi i Voglit la pas një valë spekulimesh me trysni politike në rrethin e nomenklaturës si dhe brenda strukturës së Sigurimit të Shtetit, e cila nuk mundi ta ndalojë.
Në të gjitha dëshmitë dhe reportazhet rreth historisë së Voglit mbetet e paqartë se si u kthye ai në Shqipëri. Ndërroi mendje dhe u kthye vetë, apo u mor peng dhe u kthye forcërisht nga bashkëpunimi i Sigurimit me agjenturat simotra të vendeve të tjera komuniste?
Arkivimi i dosjes së Voglit duket të jetë bërë me asgjësime të shumta dokumentesh. Por në dosje ka mbetur një korrespondencë e mbajtur me Stasi-n, homologen e Sigurimit të Shtetit në Gjermaninë Lindore.

Por pse i interesonte regjimit të Hoxhës kapja dhe kthimi i Voglit?
Ka gjasë se një angazhim i Sigurimit mund të jetë ndërmarrë me qëllim dekurajimin dhe frikësimin e popullsisë pasi Vogli ishte rasti i tretë i sportistëve me emër, që arratisej pas dyshes Vathi-Kavaja.
Po kështu popullariteti mund të ketë luajtur rol në “dënimin e butë” që Vogli mori për arratisjen.
Regjimi i dha atij 15 vite burg, prej të cilave kreu pesë vite dhe më tej u amnistua. Mirëpo nuk ishte më e njëjta gjë. Ai u internua gjithsesi në kampet e tharjeve të kënetave e më pas në kampet e punëve në periferi të Tiranës.
Përveç kësaj iu ndalua të luante futboll. Dokumentet tregojnë se Sigurimi vijoi ta mbante nën vëzhgim të vazhdueshëm deri në vitin 1991 nën dyshimin se ishte “agjent i fshehtë gjerman”.
Në gjithë këtë histori dramatike, mund të themi se dënimi më i rëndë që Vogli mori, ishte ndarja me të bijën kur ajo ishte ende e vogël dhe ndalimi i të luajturit futboll gjatë gjithë jetës.
Qemal Vogli mund të mos fitonte kurrë medalje olimpike, Kupë Evrope, apo “Top të Artë”, sikurse bënë Gyula Grosicsi apo Lev Yashini, por e sigurt është se po të vazhdonte të luante futboll do të ishte një histori shumë herë më fantastike e sportit shqiptar, histori që nuk do të harrohej kurrë aq lehtë.
Arratisja, të gjitha lëvizjet që bëri Vogli

Arratisja e portierit të kombëtares shqiptare të futbollit Qemal Vogli, në vitin 1956, mbetet sot e kësaj dite mister. Vetë protagonisti i kësaj historie zgjodhi të mos e thotë kurrë versionin e vërtetë. Ndërkohë shumë të tjerë kanë folur për të, por pak me fakte dhe dokumente.
Si ia doli Vogli të arratisej? Veproi vetëm, apo e ndihmoi ndokush? Mbi të gjitha si i shpëtoi ai Sigurimit të Shtetit, i cili te Dinamo kishte angazhuar plot oficerë e bashkëpunëtorë.
Ky shkrim rikrijon kontekstin, kronologjinë dhe dinamikën e lëvizjeve të Voglit duke u bazuar në dëshmitë, dosjen që Sigurimi i Shtetit mbajti për të dhe materiale të siguruara nga burime të tjera.
Dinamo, asokohe kampione e Shqipërisë nisi verën e vitit 1956 një tur ndeshjesh miqësore me ekipe kampione nga blloku komunist.
Ishte data 1 gusht 1956 kur dinamovitët udhëtuan në Çekosllovaki. Fillimisht u vendosën në Pragë ku luajtën me Dinamon e Pragës (sot Slavia Praga). Një javë më pas skuadra udhëtoi për në perëndim, në qytetin e Kladnosit ku luajti me skuadrën e këtij qyteti, Banik Kladno.
Më 15 gusht 1956 Dinamo u largua nga Çekosllovakia për në Gjermaninë Lindore, e cila pas Luftës së Dytë Botërore kontrollohej nga sovjetikët. Këta qëndronin pas shtetit satelit komunist që njihej si Republika Demokratike Gjermane.

Ana tjetër, Gjermania Perëndimore, e ndarë në 12 lande, kontrollohej nga anglezët, francezët dhe amerikanët, të cilët mbështesnin shtetin Federal Gjerman. Berlini, megjithëse në lindje, qe ndarë ngjashëm mes palëve që e fituan Luftën, por ana perëndimore ishte kthyer në një enklavë politike për shkak të Luftës së Ftohtë mes vetë aleatëve.
Fillimisht Dinamo u ndal në Senftenberg rreth 140km në jug të Berlinit. Atje luajti kundër SC Aktivist Brieske-Senftenberg, asokohe e treta në kampionatin gjermano-lindor. Një javë më pas, më 29 gusht, dinamovitët e Tiranës u ndeshën me ata të Berlinit.
Asokohe Dinamo e Berlinit i luante ndeshjet në stadiumin 70 mijë vendesh “Walter-Ulbricht”, i cili ndodhej në një nga lagjet kryesore të Berlinit Lindor, në Mitte. Ky stadium ishte kufi ndarës i influencave të aleatëve mes Berlinit Lindor dhe Perëndimor.
Gjatë Luftës së Ftohtë ana perëndimore e Berlinit u mbiquajt “Ishulli i Lirisë” për shkak se kjo zonë mbeti e vetmja që promovonte stilin e lirë të jetës përtej të ashtuquajturës “Perde të Hekurt”. Tre linja ajrore të përditshme e lidhnin atë me anën tjetër të Gjermanisë.
Pas përshkallëzimit të ndarjeve politike mes kampeve, në vitin 1960 stadiumi “Walter-Ulbricht” u mbyll dhe krah tij u ndërtua “Muri i Berlinit”, ndërsa Dinamo e Berlinit u zhvendos në kompleksin sportiv Dynamo-Sportforum në Hohenschönhausen, lagje periferike kjo në verilindje të Berlinit.
Rreth dhjetë vite më vonë stadiumi “Walter-Ulbricht” u rimodelua me kapacitet më të kufizuar dhe me emrin e ri “Stadion der Weltjugend”.

Pra asokohe, megjithëse kishte trazira politike mes dy kampeve, mundej të lëvizej ende mes dy anëve të Berlinit, gjë që nxiste angazhime të forta nga agjencitë komuniste të sigurimit për të parandaluar arratisjet.
Në një relacion të mbajtur pas ndeshjes me dinamovitët e Berlinit, në fund të gushtit 1956, Dega kryesore e Sigurimit të Shtetit informohet se në bashkëpunim me STASI-in qenë angazhuar 50 oficerë për të parandaluar diçka të tillë para dhe pas ndeshjes.
Por, ideja e të qenit kaq pranë botës së lirë duhet t’i ketë mbetur në mendje Qemal Voglit. Me gjasë do t’i jetë kujtuar ish-shoku i skuadrës te Dinamo, Sulejman Vathi, i cili në qershor 1950 qe arratisur duke u hedhur në afërsi të ngushticës së Bosforit nga vapori me të cilin skuadra kombëtare po udhëtonte në kthimin nga miqësorja me Bullgarinë.
Pas ndeshjes me Dinamon e Berlinit skuadra tiranase u zhvendos fillimisht në Leipzig.
Në një korrespondencë me gazetarin gjerman Fritz Schütte, kam mësuar se Dinamo qëndroi në Leipzig pasi më herët klubi lokal i futbollit, Chemie Leipzig, kishte vizituar Tiranën në vitin 1952 duke zhvilluar turne miqësor. Prej atëhere përfaqësuesit e klubeve kishin krijuar marrëdhënie të mira.
Dinamo qëndroi në Leipzig një ditë deri sa iu akreditua qëndrimi për t’u vendosur në një rezidencë pushimi buzë liqenit Wukensee të qytezës së Biesenthalit, rreth 20km në verilindje të Berlinit.
Atje Dinamo u vendos më 30 gusht. Zona ishte e qetë dhe liqeni rrethohej nga një pyll i dendur. Kryesisht frekuentohej nga pak turistë.
Qemal Vogli do të arratisej prej rezidencës mesditën e 3 shtatorit 1956. Ashtu i veshur vetëm me kompletin e stërvitjes, pa marrë asgjë me vete, duke lënë pas plot spekulime për mënyrën se si u largua dhe arsyet që e shtynë atë ta bënte këtë gjë.
Në dëshminë e dhënë më vonë Kapitenit Gaqo Meçi në hetuesinë e Sigurimit të Shtetit Vogli do të thoshte se arratisjen e kishte menduar pas ndeshjes me Dinamon e Berlinit. Ai tregon se kishte pasur marrëdhënie me një vajzë dhe se kishte qenë ajo dhe një i njohur i saj, të cilët i kishin treguar se si mund të kalohej në anën perëndimore.
“[…] për zonën kufitare që ishte afër stadiumit ku luajtëm ne, kam mësuar kur na treguan një gjerman me shoqen e tij, që ishin në makinën tonë [kur vajtëm për të luajtur] dhe erdhën për të parë ndeshjen. Kjo shoqja e këtij, ishte imorale, me të kam shkuar unë, kanë shkuar dhe të tjerë [nga skuadra]” – dëshmon Vogli, i cili tregon se për idenë e arratisjes ia kishte thënë në formë shakaje vetëm mikut të tij, Sulejman Maliqatit.
Në fakt Sigurimi i Shtetit ishte informuar për synimet e arratisjes së mundshme të Voglit që më 29 gusht 1956 nga oficerët Gani Goxhaj, Mehmet Caka e Gani Kodra, të cilët ishin nisur me grupin enkas për të mbikëqyrur skuadrën.
Goxhja i qe bashkuar grupit me urdhër të Drejtorit të Zbulimit të Jashtëm, Zoi Themelit. Ai e kishte angazhuar si “përforcim” kur skuadra ndodhej në Çekosllovaki. Kjo u bë pasi hallkat e Sigurimit nxorën si problematikë faktin se për këtë tur miqësoresh nuk kishte pasur komision të posaçëm verifikues të sportistëve që kishin dalë jashtë shtetit.
Paralelisht brenda skuadrës ishin angazhuar me detyra për mbikëqyrjen e Voglit disa bashkëpunëtorë, mes të cilëve edhe vetë miku i Qemal Voglit, Sulejman Maliqati si dhe Xhevdet Shaqiri.
Bashkëpunëtorët kishin raportuar për sjellje të dyshimta të portierit të Dinamos, i cili sipas tyre kishte drejtuar “pyetje të shumta rreth rrugëve që të çojnë në Berlinin perëndimor” dhe “kishte kërkuar shpjegime se përse futbollistëve u ishin marrë pasaportat”.
Gjithashtu Vogli thuhet t’u ketë kërkuar disa herë zyrtarëve të grupit që të ndaleshin në Berlinin Lindor “për të gjetur një mjek që t’i vizitonte atij krahun”. Kërkesë që i është refuzuar disa herë nën dyshimin se ai po kurdiste diçka.
Për këtë, sipas një telegrami të vetë Ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, oficerët ishin udhëzuar që të kujdeseshin për të parandaluar një arratisje të mundshme dhe madje u jepej leja që “të merrnin edhe masa izolimi nëse paraqitej nevoja”.
Si duket oficerët Goxhaj, Caka dhe Kodra duke parë që Vogli nuk u arratis fillë pas ndeshjes në stadiumin “Walter-Ulbricht” do ta kenë fjetur mendjen se ai nuk do ta provonte më, duke qenë se tashmë ishin në një rezidencë shumë larg anës perëndimore. Por Vogli do t’i befasonte të gjithë.
Përshkrimet e raporteve paraprake të mbajtura më vonë, pas ngjarjes, nga oficerët e Sigurimit, flasin për një takim të Voglit “me një vajzë gjermane përpara se ai të zhdukej nga shtëpia e pushimit” duke ngritur dyshimin se ai “mund të ketë rënë pre e një gracke agjenturore”. Por mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për të njëjtën vajzë të njohur para ndeshjes me Dinamon e Berlinit, me të cilën Vogli pranon se kishte pasur marrëdhënie.
Në këtë periudhë Vogli ishte 26 vjeç. Daljet e shpeshta jashtë Shqipërisë dhe përballja me një realitet tjetër kishin nxitur te ai dëshira për jetën. Krahas kësaj, ai duket se po kalonte një periudhë të vështirë familjare.
Në raportet e Sigurimit, bashkëpunëtorë flasin për zënka me miqtë dhe bashkëshorten, Hysmete, e cila ishte gjashtë vite më e re në moshë. Sigurimi merrte raporte të shpeshta që e përshkruanin Voglin në gjendje të trazuar psikologjike. Çifti kishte një vajzë, asokohe dy vjeçe.
Prej vitit 1949 Vogli kishte udhëtuar me Dinamon dhe kombëtaren e Shqipërisë në pothuajse të gjitha vendet e kampit socialist duke vizituar Bashkimin Sovjetik, Poloninë, Rumaninë, Hungarinë, Bullgarinë, dhe Çekosllovakinë. Ai kishte mundur të krijonte një tablo të qartë se si ishte jeta përtej diktaturës së Enver Hoxhës. Në asnjë nga këto dalje të tij nuk kishte pasur raportime me vërejtje domethënëse.
Por si ndodhi që Qemal Vogli të arratisej? Çfarë tha dhe çfarë bëri Sigurimi i Shtetit për këtë largim? Kush ishte personi i fundit që e pa Voglin përpara se të zhdukej nga rezidenca e pushimit?
Ishte data 3 shtator 1956. Dita e tretë e qëndrimit të dinamovitëve tiranas në rezidencën buzë liqenit Wukensee në anën e Gjermanisë Lindore, rreth 20 km në verilindje të Berlinit.
Vogli zgjohet pak më vonë se skuadra, rreth orës 9:30. Pas mëngjesit takohet normalisht me grupin në mjediset e jashtme.
Përveç lojtarëve të Dinamos, grupit për ndeshjet miqësore i ishin bashkuar edhe futbollistë nga Partizani si Miço Papadhopulli, Gani Merja, Fatbardh Deliallisi, apo Sulejman Maliqati.
Vogli takohet me to dhe bashkë me futbollistë të tjerë si Skënder Begeja, Skënder Jareci, Zihni Gjinali dhe Xhevdet Shaqiri del në qytezën e Biesenthalit “për pazar”. Me to janë edhe gazetari Anton Mazreku dhe arbitri Gole Sheshi.
Nga grupi i pazarit, Vogli dhe Shaqiri kthehen më herët në rezidencën e pushimit. Ata vendosin të pushojnë buzë liqenit. Në këtë moment kuriozohen nga prania e dy pushueseve, por që takimi me to ndërpritet nga ndërhyrja e oficerit të Sigurimit, Gani Kodra.
“Aty ishin dy vajza. Njëra ishte duke u larë, ndërsa tjetra po rrinte. Unë shkova iu ula afër dhe fillova t’i bëja muhabet. Në këtë moment më vjen Gani Kodra dhe unë i bërtita: Edhe këtu nuk mu ndave?! Dhe u ngrita me inat që të shkoj,” – citohet në dëshminë e mëvonshme për Sigurimin, Qemal Vogli, i cili në të dhënat e përgjithshme specifikohet se “nuk dinte gjuhë të huaja”.
Vogli ka gënjyer për gjuhën. Ai “dinte pak italisht, gjermanisht dhe rusisht” gjë që e dëshmon më vonë në rrëfimet e tij, ndërkohë që nuk e qartëson në asnjë moment nëse vajza e liqenit është ajo që kishte njohur para ndeshjes. Por ky moment duket të ketë qenë vendimtar për rrjedhën e ngjarjes.
Në raportet e Sigurimit të Shtetit Vogli përshkruhet në gjendje të trazuar. Ai thuhet të jetë zënë disa herë me oficerët Kodra dhe Goxhaj. Madje këto zënka ai i përmend dhe vetë në dëshminë që i jep Sigurimit më vonë.
Shaqiri, Jareci, Merja dhe Sheshi përmenden si personat e fundit me të cilët Vogli flet përpara “zhdukjes”.
Ish-portieri i Dinamos thotë në dëshminë për Sigurimin se e ndau mendjen për arratisjen fiks në atë moment, në nerva e sipër, rreth orës 12:20. Ai shton se grupin e gënjeu kinse po shkonte në qytezë “për t’u qethur” dhe se gjoja një nga vajzat e liqenit “ia kishte shkelur syrin”.
“Më pyetën se ku po shkoja, unë u thashë të qethem, por dhe se kjo vajza që kam përpara më shkeli syrin prandaj po shkoja. Në fakt ajo vajza as që më bëri ndonjë shenjë. Ashtu siç isha me inate u nisa rrugës për në Berlin,” – citohet në dëshminë e tij Vogli.
Kështu rreth orës 13:00 ish-portieri i Dinamos duket të ketë dalë nga rezidenca e pushimit. Ndryshe nga çfarë ka deklaruar, ai kuptonte gjermanisht pasi pranon në dëshmitë e tij se duke pyetur banorë të zonës ka arritur të koordinohet se nga t’i drejtohet qytetit të Berlinit.
Sipas dëshmisë së tij, Vogli e bëri këtë lëvizje i vetëm dhe nuk eci rrugëve për të mos rënë në sy. Për rreth 3 orë e gjysmë eci në këmbë nga liqeni i Wukensee me drejtim jugperëndimin përmes zonës pyjore të pellgut Biesenthaler.
Pas rreth 12km ecje ai ka mbërritur në qytetin e Bernaut, që është të paktën 10km larg Berlinit.
Në qendrën e pushimit skuadra e Dinamos e vëren mungesën e Voglit rreth orës 13:30 kur grupi futet në sallën e ngrënies për drekën. Kolonelët Goxha, Caka e Kodra nisin kërkimin. Pasi Vogli nuk gjendet as në fjetore dhe as në qytezën pranë ku në mëngjes kishte bërë pazar, koordinohet një kërkim më i organizuar. Por më kot. Vogli nuk gjendet.
Katër orë më vonë Koloneli Gani Goxhaj njofton autoritetet gjermano-lindore, të cilat angazhohen gjithashtu për një perimetër më të gjerë kërkimi.
Në raportet e Sigurimit thuhet se një shofer autobusi i linjës së zonave rurale dëshmon për grupin e kërkimit se e kishte marrë në atë orë Voglin, që përshkruhet si “një i ri, i veshur sportiv, por që nuk dinte nga të shkonte”. Ai thuhet se e ka lënë në stacionin fundor të qytetit të Bernaut dhe të nesërmen, datë 4 shtator 1956, e kishte parë sërish atje dhe për këtë kishte lajmëruar policinë.
Sigurimi dyshon se ai ka qenë nën shoqërinë e një vajze, e cila mund edhe ta ketë strehuar.
Krejt ndryshe, në dëshminë e tij Vogli këmbëngul të ketë qenë vetëm. Ai mohon të ketë hipur në ndonjë autobus, apo të ketë kaluar natën në Bernau. Përkundrazi ai thotë se mbërriti në këtë qytet pasdite, dhe me të pyetur kishte mësuar se në Berlin mund të shkonte duke ndjekur linjën e tramit. Ai thotë se vijoi të ecte deri sa në mbrëmje, rreth orës 21:30, mbërriti në stacionin qendror në Berlinin lindor.
Vlen të theksohet se në këtë periudhë udhëtarëve ndërqytetës që kishin destinacion Berlinin u kërkohej medoemos mjet identifikimi. Prandaj Vogli, edhe pse nuk e thotë, duhet të jetë njoftuar paraprakisht që për këtë arsye t’i shmangej transportit publik deri në hyrje të qytetit, ose realisht mund të jetë shoqëruar nga dikush tjetër që e dinte rrugën dhe po kështu dinte të komunikonte mirë gjermanisht.
Më tej dëshmia e Voglit luhatet. Ai thotë se duke gënjyer një shtetas gjerman, kinse kishte harruar kuletën në shtëpi, ky i fundit ishte ofruar t’i blinte një biletë tramvaji. Madje, gjermani i kishte thënë edhe faturistit që ta njoftonte Voglin kur të ishte pranë stadiumit “Walter-Ulbricht”.
Për gazetarin gjerman Fritz Schütte, një situatë e tillë edhe mund të ketë ndodhur. Ai thotë se në periudhën e pas-luftës gjermanët kishin dashamirësi ndaj të huajve.
“Me tramvaj shkova brenda 30 minutave. Mbasi faturisti më lajmëroi, zbrita dhe iu drejtova stadiumit. I rashë rreth e përqark dhe kalova në zonën ndarëse. Kufirin e dija që më përpara […] kalova që aty rreth orës dhjetë të mbrëmjes,” – do të shprehej Vogli në dëshminë e tij duke rrëfyer më pas kalvarin e kalimeve nga autoritetet franceze, britanike e amerikane.
Duke përfituar nga errësira, Vogli shmang rojet e anës lindore të stadiumit dhe futet në mjediset e brendshme. Impianti sportiv ishte i hapur me rrethim të ulët me parmakë. Ai i drejtohet sektorit veriperëndimor, anës së cilës ndodhej një ndërtesë private me oborr të madh. Kapërcen murin rrethues të kësaj ndërtese dhe më pas murin tjetër e kështu del në anën Perëndimore.
Por dëshmia e Voglit për Sigurimin e Shtetit nuk është bindëse. Në fakt datat dhe kohëzgjatja e gjithë periudhës në të cilën Vogli qëndron jashtë Shqipërisë mbetet e diskutueshme, ndërsa dosja e tij është kontradiktore dhe me shumë mangësi dokumentesh. Me gjasë të dhënat janë ndryshuar gjatë arkivimit.
Në Tiranë besonin se ai ra pre e një mashtrimi, me gjasë nga një vajzë, e cila mund t’i ketë premtuar atij angazhimin në një klub futbolli perëndimor.
Sorollatja kampeve dhe përpjekja për të luajtur në Gjermaninë Perëndimore
Periudha e qëndrimit të Qemal Voglit në Perëndim gjatë vitit 1956 ka mbetur mister. Pak është thënë dhe analizuar për të, ndërsa versione të ndryshme flasin për angazhimin e tij me një klub gjerman.
Por çfarë ndodhi vërtetë pasi Vogli kaloi në Berlinin Perëndimor? Si vijoi rrugëtimi i tij në Perëndim?
Fillimisht Vogli i dorëzohet policisë gjermano-perëndimore dhe natën e 3 shtatorit 1956 e kalon në postën e policisë. Të nesërmen, pasi u thotë se ishte arratisur nga lindja, ata njoftojnë autoritetet franceze.
Francezët i bëjnë një intervistë të shkurtër dhe ia kalojnë amerikanëve, të cilët ishin më të angazhuar për rastet e njerëzve që i largoheshin diktaturave komuniste.
Vogli u thotë amerikanëve, duke folur kryesisht italisht, se kishte vendosur të arratisej pasi ishte kundër regjimit të Hoxhës dhe donte t’i bashkohej vëllait që ishte larguar nga Shqipëria për në Itali pak pas Luftës së Dytë Botërore.
Ata i bëjnë fotografi, e skedojnë bashkë me gjurmët e gishtërinjve dhe e vendosin në një vilë në periferi të Berlinit perëndimor bashkë me dhjetëra të huaj të tjerë që ishin arratisur ato ditë.
Në këtë shtëpi Vogli qëndron tre ditë në pritje të një fluturimi direkt për në një nga bazat që amerikanët kishin në Frankfurt.

Më 7 shtator 1956, pas një fluturimi prej tre orësh dhe udhëtimit me kamion ushtarak, Vogli vendoset në të ashtuquajturin “Camp King”, në Taunus, Oberursel rreth 15km në veri të Frankfurtit.
Në këtë kamp qe mobilizuar Brigada e 513-të Amerikane, e cila deri në vitin 1969 do të mblidhte informacione për llogari të kundërspiunazhit në Shtabin Qendror Amerikan të Evropës. Kjo e fundit e kishte bazën në qendër të Frankfurtit dhe rëndomtë njihej si “Pentagoni i Evropës”.
Për katër ditë ish-portieri i Dinamos u mor në pyetje për tema të ndryshme.
Pala amerikane interesohej kryesisht për informacione të karakterit politik dhe ushtarak. Sa rezervistë kishte Shqipëria, a kishte prani ushtarake sovjetike në vend dhe sa popullaritet gëzonte Partia Punës, ishin disa nga pyetjet.
Vlen të theksohet se Vogli ishte me oficer i ulët në ushtri me gradën e nëntogerit.
Shqipëria ishte pjesë e Traktatit të Varshavës, që ishte lidhur një vit përpara se Vogli të arratisej në Gjermaninë Perëndimore. Ky traktat bënte bashkë në një aleancë ushtarake Bashkimin Sovjetik, Poloninë, Rumaninë, Hungarinë, Bullgarinë, Çekosllovakinë dhe Shqipërinë.
Në thelb Traktati i Varshavës ishte një përpjekje e bllokut komunist për të organizuar një bashkësi forcash ushtarake përballë zgjerimit Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), që në atë periudhë kishte anëtarësuar Turqinë dhe Greqinë dhe i kishte dhënë dritën jeshile armatimit të Gjermanisë Perëndimore.
Në dëshminë dhënë Sigurimit të Shtetit Vogli thotë se në kamp u njoh me një shqiptaro-amerikan, i cili i kërkoi vazhdimisht informacione për çështje organizative. Ai quhej Shehat Osmani, një i arratisur nga Shqipëria në fund-vitet 40-të, i cili ishte rekrutuar e më pas angazhuar nga amerikanët për të lehtësuar në proceset e pritjes së atyre që arratiseshin nga Ballkani.
Me sa thotë në dëshminë për Sigurimin, Voglit i propozohet të punojë me amerikanët, por përballë pyetjeve të Osmanit rreth formacioneve ushtarake ai bën “rolin e budallait” duke refuzuar dhe këmbëngulur se “nuk di gjë”. Pas kësaj, amerikanët e zhvendosin në një kamp tjetër në Nuremberg.

Më 11 shtator ai vendoset në kampin “Posta Nr.35” rreth 6 kilometra në veriperëndim të qytetit. Në këtë kamp Vogli qëndron deri më 17 shtator. Atje ai thotë se u miqësua me një mjek rumun i cili, pasi u njoh me faktin se i riu shqiptar ishte futbollist, i rekomandoi që të lidhej me presidentin e një klubi për të parë nëse mund të angazhohej atje.
Vogli thotë se pikërisht mjeku në fjalë, të cilit nuk ia përmend emrin, e ndihmoi të lëvizte nga Nurembergu. Ai i dha një letër që ky t’ia jepte presidentit, i mundësoi largimin me leje nga kampi amerikan dhe gjithashtu biletat për të udhëtuar drejt Munihut.
Është e paqartë se si Vogli ia doli të lëvizë drejt Munihut e aq më tepër të sigurojë një të drejtë prove te një klub gjerman në një kohë kur nuk kishte me vete as pasaportën shqiptare, e cila i qe mbajtur nga zyrtarët e Dinamos në Berlinin Lindor.
“Aty u takova me përgjegjësin e klubit dhe më nxorën në prova për të më provuar. Dola gjithsej dy herë në prova, të martë dhe të premte […] duke qenë se isha pa rroba, më blenë një kostum [sportiv dhe këpucë] me idenë se do të ma llogarisnin te rroga që do merrja,” – dëshmon Vogli duke përmendur se klubi quhej TSV 1860 München.
Ish-portieri i Dinamos thotë më vonë se drejtuesi i klubit e kishte sistemuar për të punuar në një fabrikë “për 500 marka në muaj”, por që ai nuk kishte vajtur për shkak se “nuk ndihej mirë fizikisht”.

Padyshim klubi më i suksesshëm gjerman në futboll është Bayern Munich. Por nuk ishte kështu në vitet 50-të. Asokohe më i suksesshmi në Bavari dhe tërë Gjermaninë ishte FC Nürnberg, më pas vinte Schalke 04. Ndërsa në Munih, krahas Bayernit spikaste edhe TSV 1860.
Por vlen të thuhet se pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1963, Gjermania Perëndimore nuk kishte kampionat futbolli të unifikuar. Në fakt as futboll tërësisht profesionist. Futbolli luhej në nivel rajonesh. Klubet e Bavarisë luanin në Oberliga Süd, që ishte një nga pesë kampionatet rajonale që zhvilloheshin në Republikën Federale të Gjermanisë.
Në vitin 1956, kur Vogli u ndodh në Munih, Gjermania Perëndimore ishte kampione në fuqi e Botës (1954), por vendi kishte ende të dukshme pasojat e Luftës së Dytë Botërore. Nga ana tjetër TSV 1860 München po përjetonte një moment të vështirë pasi kishte rënë në kategorinë e dytë të ligës rajonale të jugut.
Burimet zyrtare tregojnë se atë sezon skuadra u ndëshkua me dy pikë “për shkak të angazhimit të një lojtari pa dokumentacion të plotë”. Por nuk ka të dhëna të sakta se kush ishte ky lojtar. Po kështu emri i Voglit nuk figuron në asnjë regjistër zyrtar të klubit si për ekipin e parë, po ashtu dhe për rezervat.
Thorsten Ruinys, autor i librit me statistika kushtuar TSV 1860 München “Das Löwen Kompendium” më ka thënë se “nuk e ka dëgjuar dhe as ndeshur ndonjëherë emrin e Voglit në arkivat e klubit”.
Ngjashëm dhe Claus Melchior nga Departamenti i Historisë së klubit TSV 1860 München më ka thënë se “nuk ka të dhëna për Voglin”.
“Sigurisht, në çdo periudhë ka pasur faza provash me lojtarë në stërvitje, por zakonisht ato nuk janë arkivuar, nuk e përjashtoj që ky mund të ketë qenë dhe rasti i Voglit, por e sigurt është që ai nuk ka mundur të sigurojë kontratë zyrtare,” – thekson Melchior.
Megjithatë redaktori i gazetës lokale “Sechzger.de” Stefan Bink më ka thënë se Vogli mund dhe të jetë angazhuar duke përdorur identitet të rremë. Edhe pse vetë Bink nuk beson se Vogli ka luajtur ndonjëherë ndeshje zyrtare me TSV 1860 München, ai thotë nisur nga rrethanat se si i arratisur politik, pa pasaportë, “atij nuk i leverdiste që emri t’i lakohej lart-e-poshtë”.
Përpjekja e Voglit për të luajtur në Gjermaninë Perëndimore duket se ka qenë në hije të plotë.
Në fakt nga dëshmia e tij, ai thotë se ka kaluar shumë pak kohë në Munih, pasi synonte të largohej drejt Italisë për t’iu bashkuar të afërmve atje.
Në atë periudhë Italia ishte kryeqendra e futbollit botëror duke pasur një ngritje cilësore drejt futbollit profesionist. Kjo mund të shpjegojë se përse Vogli kërkoi me patjetër të shkonte në Itali.
Nuk dihet si qëndron fiks e vërteta. Por e sigurt është se ndjesia e fortë e pasigurisë dhe trazirat psikologjike që Vogli përjetonte në atë periudhë duhet t’ia kenë pamundësuar përqendrimin vetëm te sporti.
Kthimi në Shqipëri, versioni zyrtar dhe ironia e fatit
Prej vitit 1956 e deri më sot, historia e Qemal Voglit mbart mister mënyrën se si u kthye në Shqipëri. Zyrtarisht thuhet se “u kthye vullnetarisht, pasi pa skëterrën e botës imperialiste”, por nën zë është përfolur se “ai u kap dhe u kthye nga Sigurimi i Shtetit”.
Vetë Vogli nuk foli kurrë për këtë pjesë pas rënies së komunizmit duke e marrë me vete variantin e tij të së vërtetës. Në letër ka mbetur vetëm dëshmia dhënë oficerëve të Sigurimit të Shtetit dhe materialet hetuesie të mbajtura gjatë gjyqit ku dëshmitar, u thirr me detyrim, edhe Sulejman Maliqati.
Por si u kthye në Shqipëri Qemal Vogli, i cili tronditi Tiranën zyrtare duke realizuar një nga arratisjet më të jashtëzakonshme të historisë së diktaturës. Më poshtë sjell variantin e propaganduar zyrtarisht nga regjimi, variant i përcjellë në gjyq me dëshminë personale të Voglit.
Rreth tre javë pasi qe arratisur në Perëndim, fillimisht në Berlinin Perëndimor, pastaj në Frankfurt e më tej në Nuremberg, ish-portieri i Dinamos thotë se qëndroi pak ditë në Munih e që andej kaloi ilegalisht në Austri me synimin për të vajtur në Itali. Atje ai kishte vëllezërit, të cilët kishte rreth dhjetë vite pa i parë.
Kur pati qëndruar në kampin e Frankfurtit, përmes shqiptaro-amerikanit Shehat Osmanit, Vogli kishte mundur të mësonte adresën në Firence të Met Gjinalit, vëllait të Zihni Gjinalit, ish-kapitenit të Besës njëherësh shok skuadre te Dinamo. Ai i kishte nisur edhe letra ku i shpjegonte situatën dhe i kërkonte që ta ndihmonte me garanci për procedurat e shpërnguljes nga kampet gjermane për në Itali.
Nuk dihet se përse Vogli nuk priti përgjigje nga vëllai i Gjinalit. Ka gjasa që letrat e tij të jenë kthyer pas, ose procedura në fjalë t’i jetë mohuar nga autoritetet amerikane. Kjo mund të ketë qenë dhe arsyeja se përse ai është lëvizur në një kamp tjetër në Nuremberg.
Por le të vijojmë me versionin zyrtar.
Deri më 21 shtator 1956 Vogli qëndroi në Munih ku priste të angazhohej me klubin TSV 1860 München. Të nesërmen, në mëngjes, ai i kërkoi leje përgjegjësit me pretekstin se “duhej të kthehej në Nuremberg për të takuar disa miq”. Me vete kishte në total rreth 40 marka – rreth €100 në vlerën e sotme – por siç thotë Vogli, ai nuk drejtohet për në veri, por i hipën trenit për në juglindje të Munihut, më saktësisht në Freilassing, qytezë kufitare kjo me Austrinë.
“[…] u nisa për në kufirin austriak me synimin për të kaluar përtej për në Itali,” – shpjegon Vogli në dëshminë e tij për Sigurimin e Shtetit teksa tregon se për këtë qytezë kufitare dhe itinerarin që duhej të ndiqte i kishin treguar dy jugosllavë me emrat Vladimir dhe Zoran Ivanovic, të cilët i kishte takuar në kampin e Nurembergut.
Pas Luftës së Dytë Botërore kufijtë veriperëndimorë të Jugosllavisë përjetuan eksode masive. Përveç popullatave minoritare, përfituan për të emigruar edhe mijëra kroatë e sllovenë. Për këtë arsye jugosllavët ishin të njohur për shtigjet e kalimeve.
“[…] në Freillassing mbërrita nga ora 10:30. Prej aty jam nisur në këmbë për [të kaluar kufirin] në Salzburg. Mbas një ore jam futur në një pyll, kishte ujë, nuk u kalonte ndaj i kam rënë përmes katundeve dhe duke bërë kështu kalova në Salzburg nga ora katër pasdite,” – rrëfen Vogli.
Në Salzburg ish-portieri i Dinamos thyen 40 markat në shilinga austriake dhe i hipën trenit për në Villach, qytet juglindor kufitar me Italinë dhe Jugosllavinë. Atje mbërrin pas rreth gjashtë orësh udhëtim dhe detyrohet ta kalojë natën në stacionin e trenit.
Të nesërmen, datë 23 shtator 1956, Vogli provon ta kalojë kufirin me tren. Në plan ka për të vijuar në rajonin e Udines në verilindje të Italisë, por pikaset nga autoritetet austriake pa kaluar përtej.
Fillimisht Vogli u thotë policëve se quhet Zoran Ivanovic, kjo me idenë e gabuar se duke u hequr si jugosllav mund ta lejonin të kalonte. Por më kot.
“[…] pastaj dhashë emrin tim sepse më sollën një jugosllav e unë nuk dija t’i flisja jugosllavisht,” – shpjegon Vogli për Sigurimin.
I frikësuar nga ideja se mos e kthenin në Gjermani apo mos e burgosnin, ish-portieri i Dinamos arratiset nga posta e policisë duke u hedhur nga dritarja. Që andej ai i drejtohet zonës malore në jugperëndim me mendjen për ta kaluar në këmbë kufirin me Italinë. Arrin të kalojë përtej, por kapet nga pala italiane, e cila e dëbon duke ia dorëzuar sërish austriakëve.
Policia kufitare austriake e dërgon Voglin në një kamp në qytetin jugor Villach ku sikurse e përshkruan ai, ndodheshin më së shumti jugosllavë të arratisur, por edhe shqiptarë. Këtu ish-portieri i Dinamos thotë se qëndroi rreth 20 ditë.
Pikërisht në kampin e Villach Vogli merr vesh se Austria priste të luante një ndeshje miqësore në Vjenë me Hungarinë më 14 tetor 1956. Nga kjo i lindi ideja që “të përpiqej për t’u kthyer në Shqipëri përmes të njohurve që kishte në skuadrën hungareze”, të cilën e kishte ndeshur me kombëtaren shqiptare në shtator 1950.

“[…] pa leje largohem nga kampi dhe pres biletë për në Vjenë,” – thotë në vija të përgjithshme Vogli.
Ish-portieri i Dinamos thuhet të ketë udhëtuar për rreth 6 orë me tren nga Villach në Linz e më pas në Vjenë. Ai thotë se i shmangej kontrollorëve “duke bërë sikur flinte”.
Në Vjenë nuk ia del në kohë për të mbërritur para ndeshjes, e cila luhej në 14:30. Por sidoqoftë duke pyetur arrin të gjejë se ku ishte vendosur skuadra e Hungarisë dhe i pret për orë të tëra lojtarët në hollin e hotelit.
“[…] mbasi kërkova se ku ndodheshin sportistët hungarezë e gjeta hotelin […] vjen [Marton] Bukovi [trajneri], i cili më njohu. Më vonë vjen [Ferenc] Puskasi,” – thotë në dëshmi Vogli.
“Duke folur rusisht”, futbollisti shqiptar u thotë hungarezëve se “e kishte gjendur veten gabimisht në Berlinin Perëndimor, i mashtruar nga një vajzë gjermane” dhe se “tani po përpiqej të kthehej në Shqipëri” ndaj po kërkonte ndihmën e tyre.
“Ju thashë se më mashtruan gjermanët me anë të një vajze dhe më vodhën duke më kaluar në kufirin e Gjermanisë Perëndimore. Ju luta atyre që të më ndihmonin për të kaluar [për në Hungari] dhe kështu u organizua kalimi im [për në kthim],” – vijon Vogli.
Sipas dëshmisë së Voglit, hungarezët, të cilët shoqëroheshin nga një punonjës i ambasadës së tyre, i mundësojnë një dokument fals dhe përmes komunikimit me ambasadën shqiptare në Budapest organizojnë kalimin e ish-portierit të Dinamos për në lindje.
“Këta [hungarezët] më morën në Budapest […] me një letër-njoftim fals, që e bëri ambasada hungareze në Austri, [dhe më pas] shkova në legatën shqiptare në Budapest e më pas erdha këtu [në Shqipëri],” – thotë në dëshminë e tij Vogli, i cili zyrtarisht vihet nën arrest nga policia shqiptare më 21 tetor 1956, tre ditë para se Hungaria të bllokohej nga trazira të rënda politike.
Për ironi të fatit, ndeshja e 14 tetorit 1956 në Vjenë është e fundit me kombëtaren hungareze për atë që do të mbetet në historinë e futbollit si “Skuadra e Artë, Hungaria e Magjishme”.
Pikërisht Puskás me shokë, shumica e të cilëve angazhoheshin me klubin Honvéd të Budapestit, dy muaj më vonë, më 20 dhjetor 1956, nuk do të ktheheshin pas në Hungari.
Ndryshe nga Vogli, “arratia” e tyre vijon me suksese të majme futbollistike.
Pas ndeshjes me Athletic Bilbaon në UEFA Champions League, e cila shtyhet disa herë për shkak të “Revolucionit hungarez” (23 tetor 1956 – 4 nëntor 1956) shtypur brutalisht nga ushtria sovjetike, Puskás, Kocsis, Czibor dhe të tjerë vendosin të mos kthehen më në Hungari, por të vijojnë një tur solidariteti nëpër Evropë.
I pari angazhohet me Realin e Madridit dhe shkëlqen me një histori magjepsëse suksesi. Dy të tjerët kalojnë gjithashtu suksesshëm te Barcelona nën këshillën e patriotit të tyre Lazlo Kubala.
Në këtë kontekst, për Voglin mund të themi se talenti nuk mjaftoi. Rrethanat, apo fati, luajtën role vendimtare në historinë e jetës së tij, që nëse do të kishte pasur një moment ndryshe, pse jo do të kishte pasur edhe ai suksese futbollistike në Evropë.














One Comment