Po flisnim një ditë, mes miqsh, një kafeje pasdite në Tiranë dhe tema e diskutimit ishte humbja e kontaktit me natyrën dhe se sa ndikon kjo te jeta e një njeriu:
“Stresi, rutina, monotonia… janë traumat psikologjike të dinamikës së kujtdo qyteti!”.
“Robi s’del! S’lëviz, s’bën gjë. Më së shumti në ndonjë qendër tregëtare, në ndonjë kafe. Kontakti me natyrën zero. Minimal fare.”
“Alternativat janë të pakëta. Edhe nëse do s’ke ku del. Tiranës, i rroftë liqeni!”
Nga këtu muhabeti u bë interesant. Sfidues!
“Pse s’i ikim qytetit ne?! Pse s’ikim në mal?! Hiking!” – kjo ishte sfida që rodhi mes miqsh atë pasdite. Në fakt teksa ky muhabet holloi llumën e zhurmës rutinë, në mend më goditi pyetja: “Kur ka qenë hera e fundit që i jam ngjitur një mali?”. Përgjigjja ishte “Asnjëherë!”.
Kështu nisi qejfi për t’u marrë me “hiking” (shtegtim) si arrati e asaj traume psikologjike që të ngarkon qyteti.
Pas dy-tre provave në dy-tre vende, sfida gjeti strehë te Klubi Discover Albania dhe “Misioni Korab“.
Frymëzimi për t’iu ngjitur malit më të lartë në Shqipëri u bë motiv për të shkruar këtu në blogun tim.
Ky ditar shtegtimesh do të flasë pikërisht për këtë pjesë, me qëllimin që, pse jo, soditësit e natyrës, dhe të arratisurit nga qyteti, të shtohen sa më shumë.