“21 Janari”, SPAK nis hetimet për vrasjen e Aleks Nikës

Vrasja e Aleks Nikës dhe plagosja e tre qytetarëve të tjerë gjatë protestave përpara Kryeministrisë, më 21 janar 2011, do të hetohen nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).

Familjarët e të ndjerit shpresojnë për hetime më të thella dhe vendosje të drejtësisë. Çështja mbetet prej 13-vitesh pa autorë pavarësisht se është hetuar më parë nga Prokuroria e Tiranës.

SPAK njoftoi të martën, më 16 korrik 2024, nisjen e hetimeve për një pjesë të çështjes së ashtuquajtur “21 Janari”, e cila mban ende pa zbardhur vrasjen e Aleks Nikës. 

SPAK ka kërkuar nga Prokuroria e Tiranës dosjet e hetimeve të kryera më parë. Prokuroria e Posaçme tha se do të hetojë për “vrasje në rrethana cilësuese”, “shpërdorim detyre” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Angazhimi i SPAK-ut vjen me urdhër të Gjykatës së Lartë, që më 12 mars 2024 vendosi ta detyrojë marrjen në shqyrtim të një kallëzimi të bërë më herët nga familja Nika. 

Në shtator 2023 familja Nika i pati kërkuar SPAK-ut hetimin e ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi, ish-Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha, si personat përgjegjës të cilët “urdhëruan Gardën të gjuajë me armë ndaj protestuesve, ku si pasojë u vranë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika”.

Kallëzimi i familjes Nika u bë pasi më herët Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDN) qe shprehur për çështjen se “hetimet e papërfunduara kanë cenuar të drejtat themelore të jetës së viktimave dhe të afërmve të tyre”.

Por në shkurt 2024 SPAK deklaroi moskompetencë, gjë që detyroi familjarët t’i drejtoheshin Gjykatës së Lartë, e cila në fund u dha të drejtë dhe sot SPAK ka nisur zyrtarisht procedimin penal ndaj ish-zyrtarëve të përfshirë.

“Për ne është një dritare e re për drejtësinë,” – tha Mark Nika në një koment për SHTEG.

Deri më sot akuzat ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm Basha kanë qenë vetëm në aspektin publik, kryesisht nga Partia Socialiste.

Berisha aktualisht është në arrest shtëpie. Ai akuzohet për korrupsion në çështjen e tjetërsimit të pronave të ish-kompleksit Partizani në Tiranë, në të cilën si palë përfituese rezulton i pandehur edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

“Ne i besojmë SPAK-ut dhe kjo që po ndodh është, si të thuash, shpërblim i këmbënguljes sonë për të gjetur drejtësi, faktit që nuk iu dorëzuam dëshpërimit, sepse atëherë pavarësisht insistimeve nuk na e hapnin derën, as për të shqyrtuar provat,” – vijoi Nika.

Bashkë me katër të ndjerët Nika, Veizi, Myrtaj dhe Deda, gjatë protestës së 21 janarit 2011 mbetën të plagosur edhe Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa. SPAK tha se do të hetojë edhe për lëndimet e tyre.

Hetimet fillestare të Prokurorisë Tiranë vunë nën akuzë për të paktën dy nga katër vrasjet, ish-komandantin e Gardës Prendin dhe gardianin Agim Llupo.

Prokuroria e Tiranës pati kërkuar dënime të rënda deri me 25 vite burg, por në shtator 2013 Gjykata e Apelit i dënoi me katër vite burg në toal. Gjykata ra në përfundimin se vdekjet e Veizit dhe Myrtajt ndodhën nga pakujdesia.

Vendimi u komentua gjerësisht në media teksa nxiti pakënaqësi te familjarët e të ndjerëve, sidomos për familjen Nika dhe Deda, të cilët mbetën pa një proces të përfunduar sa i takon vrasjes së të afërmve të tyre.

Një dekadë më vonë familja Nika sheh dritë në fund të tunelit. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për manipulime provash apo pengime të hetimeve xhaxhai i Aleksit thotë me bindje se çështja do të zbardhet.

“Natyrisht ka kaluar kohë, mbi dhjetë vite, por jam i sigurt se edhe në kanë dashur ta bëjnë, është e pamundur të prishin provat, sepse çdo gjë lë gjurmë dhe e vërteta do të dali. Ne tanimë kemi dhe një audioregjistrim ku oficerët urdhërohen të qëllojnë dhe këtë presim ta shqyrtojnë tanimë hetuesit e SPAK-ut,” – theksoi Nika.

Protesta e 21 janarit u thirr nga PS pas një videopërgjimi të rrjedhur në media, ku ngriheshin dyshime për korrupsion ndaj Ilir Metës, i cili asokohe, si drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim (sot Partia e Lirisë), ishte zëvendëskryeministër në qeverinë e koalicionit me Partinë Demokratike të Sali Berishës (2009-2013).

Dy vite më vonë kreu i PS-së Edi Rama lidhi bashkëpunim me kreun e LSI-së, Meta, duke dalë në koalicion parazgjedhor në zgjedhjet e vitit 2013 të cilat u fituan thellë përballë PD-së së Berishës. PS dhe LSI qeverisën bashkë në periudhën 2013-2017 periudhë në të cilën me mbështetje të PS-së Meta u emërua kryetar i Kuvendit.

*Version i punuar nga autori për Shteg.org – Projekt i Rrjetit për Rraportimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri – Të drejtat e ribotimit i përkasin vetëm autorit dhe “RRKOKSH”.

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.