“Fabrikat e mashtrimit”, me drejtësinë përballen shefat fiktivë

Vite më parë “Call-Center”-at konsideroheshin mundësi e mirë pune për mijëra të rinj shqiptarë. Sot ky sektor është përgjysmuar, ndërsa opinioni është tronditur nga raste të bujshme mashtrimi. Por, përfituesit e vërtetë po i shpëtojnë drejtësisë ndërsa në burg po përfundojnë kryesisht punonjësit.

Kompani të krijuara brenda ditës, disa krejt “fantazma”, të tjera me adresa të njëjta, kryesisht apartamente të marra me qira, pronarë të huaj që në Shqipëri gjenin “bashkëpunëtorë” të gatshëm për të tërhequr para në emër të tyre, kjo është skema që krijuan një grusht njerëzish për të përfituar miliona euro nga të ashtuquajturat kompani thirrjesh telefonike, apo “Call- Center”.

Skema, e cila është aplikuar rëndomtë nga shtetas italianë, gjeorgjianë apo dhe izraelitë, u zbulua nga hetimet e bëra nga prokuroria e Tiranës pas sinjalizimeve të marra për transaksione të dyshimta të kryera gjatë vitit 2019.

Nëpërmjet 24 kompanive të hapura, një grup “biznesmenësh italianë” krijuan një evazion fiskal prej 5.8 milionë eurosh ndaj autoriteteve shqiptare.

Qytetarë të vendeve evropiane kontaktoheshin me telefonë dhe bindeshin të investonin në kriptovaluta apo tregje fiktive të shfaqura përmes platformave të rreme online.

Drejtësia shqiptare i ka dënuar me nga 9 vite burg italianët e përfshirë, por të dhënat tregojnë se asnjëri prej tyre nuk përfundoi në qeli.

Në nisje të skemës së krijimit të këtyre kompanive rezulton dhe një emër i njohur tashmë për drejtësinë shqiptare, Amant Josifi, ish-këshilltar i qeverisë Rama.

Një hetim i mëparshëm ka zbuluar se ai bënte pjesë në një organizatë ndërkombëtare që përmes qendrave “Call-Center” mashtroi mijëra evropianë duke iu zhvatur dhjetëra milionë euro.

“Investitorët” italianë

Shteg.org/Paraqitje grafike e një investimi italian në Call-Center.

Mes vapës së fundgushtit 2018, dy 25-vjeçarë nga Tirana bien dakord t’i shesin kompaninë që zotëronin një italiani të quajtur Maurizio Giacalone, sipërmarrës i huaj që operonte prej pak vitesh në Shqipëri në fushën e telemarketingut dhe thirrjeve telefonike.

Përmes një kontrate të thjeshtë, Jusel Mici dhe Mendim Domi, për 100 lekë i shesin Giacalones kompaninë e krijuar 5 muaj më parë, “VibeMedia”.

Pas kësaj shitjeje, dy të rinjtë krijojnë 8 kompani të tjera, objekti kryesor i të cilave ishte operimi në fushën e telemarketingut. Në këtë “aktivitet” u përfshi edhe kushëriri 22-vjeçar i Micit, Ismaili, me të cilin ndanin aksionet në katër kompani të telemarketingut.

Dy të rinjtë provuan edhe sektorin e ndërtimit: Mici në tregtimin e materialeve ndërtimore me “Edil Services” dhe Domi në ndërtim me kompaninë “N.M-09”.

Ata u shndërruan në biznesmenë, por hetimet e mëvonshme të prokurorisë zbuluan se e gjitha ishte një guaskë që mbulonte aktivitetin e kompanive të krijuara nga shtetas italianë.

Hetimi i vitit 2023 zbuloi se nga skema përfitoi direkt Giacalone dhe të paktën 7 italianë të tjerë me origjinë apo rezidencë Palermon. Domi-Mici dhe “miqtë italianë” dyshohet se hapën 24 kompani, kryesisht me fushë operimi thirrjet telefonike.

Përmes kompanive të hapura në Shqipëri, ata dyshohet se mashtronin qytetarë të vendeve të BE-së, të cilët kontaktoheshin me telefonë dhe bindeshin të investonin në kriptovaluta apo tregje fiktive të shfaqura përmes platformave të rreme online. Pas investimeve, grupi shkëpuste kontaktet me klientët.

Vlerat monetare xhiroheshin në llogaritë e kompanive fiktive e më pas nxirreshin si para të thata nga administratorët e tyre. Grupi xhiroi rreth 5.8 milionë euro duke shmangur deklarimet tatimore ndaj autoriteteve shqiptare.

Në prill 2024, Gjykata e Tiranës dënoi Giacalonen dhe 7 italianët e tjerë me nga 9 vite burg secilin – Ana Aurelia Stoica, pjesë e grupit, u dënua gjithashtu me 3 vite burg. Procesi ndaj tyre u zhvillua në mungesë pasi ata kanë mundur t’i shpëtojnë autoriteteve dhe mbeten në kërkim.

Ndryshe, Domi dhe dy kushërinjtë Mici janë arrestuar. Hetimet ndaj tyre i kanë kaluar Strukturës së Posaçme (SPAK) nën dyshimin për lidhje me raste të tjera mashtrimi kompjuterik në këtë sektor.

Shqiptarët e “mashtruar”

Shteg.org/Paraqitje grafike e një mjedisi Call-Center me punonjës shqiptarë.

“Jam ndjerë i mashtruar nga këta shtetas, pasi në një moment fikën telefonët dhe shkëputën kontakt me mua. U zhdukën nga jeta ime në mënyrë të papritur,” ka rrëfyer Ismail Mici në një tjetër proces gjyqësor të zhvilluar në prill 2022 për një çështje të ngjashme ku përfshihej një tjetër grup italian.

Ismail Mici ka pranuar përpara togave të zeza se ka tërhequr para nga bankat pas çdo telefonate që merrte nga “shefat”. Ai u angazhua në tërheqjen e mbi 1.5 milionë eurove pasi italianët i premtuan se “do t’i rregullonin një vend pune me të ardhura të mira”.

Mici dëshmoi se nuk përftoi asnjë qindarkë dhe se paratë ia dorëzonte një italiani tjetër në Tiranë.

“Çdo tërheqje ia dorëzoja Salvatores, [S.Solazzo, i dënuar në mungesë me 5 vjet burg], nëpërmjet një personi me emrin Andrea, – tregon Mici duke e përshkruar marrësin e parave  si një djalë rreth 30-tave, 175cm të lartë, të cilin italianët e thërrisnin “Ekonomisti” . Sipas Micit, ai “lëvizte gjithmonë me laptop me vete”. 

Ismail Mici, kushëriri i tij Jusel Mici dhe miku i tyre Mendim Domi janë nën akuzë për përfitimin e miliona eurove.

Por një hetim pasuror tregoi se ata posedonin një shtëpi në proces legalizimi prej 85 metrash katrorë në Vorë, dy apartamente familjare 62 dhe 72 metrash katrorë në Tiranë dhe dy vetura, Volkswagen Passat i vitit 2006 dhe Fiat Bravo me vlerë të përafërt 360 mijë lekë.

Kushërinjtë Mici dhe miku i tyre Domi nuk janë shqiptarët e vetëm që po përballen me drejtësinë shqiptare.

Prej vitit 2021 autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë më shumë se dhjetë operacione kundër skemave me “qendrat e thirrjeve telefonike”. Sipas raportimeve policore, janë rreth 170 persona të proceduar, pjesa kryesore administratorë apo punonjës si operatorë, programues apo “IT”.

Ilir Xhemalaj, kryetar i Sindikatës Kombëtare të Operatorëve Telefonikë (SKOT), beson se përfituesit e vërtetë të “fabrikave të mashtrimit” nuk janë përballur me drejtësinë.

“Kryesisht arrestimet e autoriteteve janë mjaftuar me punonjësit. Nuk kam parë të arrestohet ndonjë pronar. Për mua dhe për ne si sindikatë kjo pjesa e arrestimit dhe mbajtjes së punonjësve në masa të shtrënguara është e papranueshme,” thotë Xhemalaj.

Në fund të vitit 2022 autoritetet shqiptare, në koordinim me agjencitë e huaja, bastisën zyrat e disa “Call-Center”-ave me synim kapjen e një grupi prej 10 të dyshuarish për mashtrime kompjuterike.

Aksioni pati sukses të pjesshëm pasi 6 prej të kërkuarve nuk u gjendën në Shqipëri, ndërsa nga katër që u arrestuan, dy u kapën për llogari të autoriteteve spanjolle. 

Policia arrestoi programuesit Irisa Puca e Adrian Korriku dhe dy administratorët Bernardo Saraçaj dhe Erindi Pysqyli.

Sidoqoftë, operacioni bëri bujë pasi prej tij u përmend si i përfshirë dhe Amant Josifi. Ish-këshilltari i qeverisë Rama dyshohet për lidhje me organizatën kriminale të ashtuquajtur “Milton Group”.

Në shtator të vitit 2023 ai u ndalua në Emirate të Bashkuara Arabe për llogari të autoriteteve spanjolle dhe pritet të ekstradohet atje.

“Milton Group” mendohet se ka koordinuar veprimtarinë e dhjetëra “Call-Center”-ave mashtruese me bazë në Gjeorgji, Ukrainë, Letoni, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, të cilat zhvatën mijëra evropianë me skema fiktive investimesh online prej dhjetëra milionë eurosh.

“Gjurmët” e Josifit

Shteg.org/Amant Josifi i dyshuar si ndërlidhës në “Fabrikat e mashtrimeve”.

Kompanitë e krijuara nga Domi dhe Mici nuk ishin të vetmet që italiani Giacalone bleu në Shqipëri. Me vlera minimale transaksionesh, për rreth 10,000 lekë, ai zotëroi edhe tre kompani të tjera, pronarët e të cilëve duket se asokohe kishin pushtet në këtë treg.

Fillimisht Giacalone blen kompaninë “Verbal Contact Center”, aksionet e së cilës ishin blerë dhe shitur më herët nga Amant Josifi e më pas, kompaninë e ortakut të Amantit, të quajtur “AKE Italia”.

“Verbal Contact Center”  e themelua në janar të vitit 2013 nga Stefano Cusenza është vendosur nën sekuestro nga prokuroria.

Një vit pas krijimit, në maj 2014, Cusenza, me origjinë nga Palermo, shet një pjesë të aksioneve tek Amant Josifi, asokohe 26 vjeç. Pak vite më vonë ky do të mbante detyrën e këshilltarit të Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Një hetim i OCCRP-së zbuloi se Josifi ishte i përfshirë në atë që gazetarët e quajtën “fabrika e mashtrimeve” të “Milton Group”.

Josifi ka mundur t’i shmanget përballjes me drejtësinë, por në maj të 2014-s djaloshi i kishte “letrat e pastra”.

Për 4,000 lekë ai blen 40% të aksioneve të kompanisë së italianit Cusenza për t’ia rikthyer më vonë po me të njëjtën vlerë. Një muaj nga ky transaksion kompania i shitet plotësisht Maurizio Giacalones, edhe ky nga Palermo.

Giacalone i ndryshon emrin kompanisë, e bashkë më këtë ndryshim zhduken dhe gjurmët e Josifit, por dokumentet tregojnë se transaksionet e “çuditshme” janë kryer në zyrën e noteres Natasha Xhaçka, nënë e Olta Xhaçkës.

Natasha rezulton të ketë noterizuar rreth dhjetë raste të tjera sipërmarrjeje biznesi të Amant Josifit, por, sipas saj, veprimet ishin ligjore dhe “akte rutinë”. 

 “Të gjitha veprimet kanë qenë sipas ligjit”, deklaroi Natasha Xhaçka duke premtuar se do të jepte përgjigje shteruese me email. Por deri në botimin e këtij shkrimi Shteg nuk ka marrë asnjë koment prej saj.

Xhaçka rezulton të ketë asistuar për veprime ligjore edhe Pranvera Strakoshën, nënën e Amant Josifit, duke i përpiluar prokurën që caktoi Juliana Frahollin përfaqësuese për veprime në QKB.

Çuditërisht Fraholli rezulton përfaqësuese edhe e kompanive që italiani Cusenza kishte hapur në Shqipëri, e që më pas përfunduan tek Giacalone.

Hetimet gjyqësore zbuluan se kompanitë e Giacalones kryenin transaksione të dyshimta, ndaj u vendosën në sekuestro nga prokuroria.

Ndërkohë kompanitë e zotëruara nga Cusenza u bënë seli për kompanitë fiktive që në vitin 2018 hapën italianët e tjerë të grupit, Luca Falsone dhe Davide Armanno.

Apartamenti 12 i katit të 7-të të një qendre tregtare në rrugën “Muhamet Gjollesha” ishte qendër kursesh që zotërohej nga Cusenza në ortakëri me dy italianë të tjerë nga Palermo. Ky apartament u bë adresë aktiviteti i katër kompanive që hapi Armanno.

Në apartamentin 22 të së njëjtës qendër tregtare kishte aktivitetin kompania “Verbal Trade” e Cusenzas. Këtë adresë vendosi për aktivitet të 3 kompanive të tij Falsone në vitin 2018, pak pasi Cusenza ia shiti Giuseppe Tortoricit, anëtar i grupit nga Palermo që u dënua nga drejtësia shqiptare.

Të dhënat e transfertave bankare tregojnë se italianët përdorën administratorët shqiptarë të kompanive, si Ismail Micin, për të nxjerrë paratë nga llogaritë e kompanive të hapura në Shqipëri.

Udhëkryqi i brezit të ri

Kristiana Kolën e takojmë në radhë për të marrë shërbim në një nga të paktat banka që qëndrojnë hapur deri në orën 20:00 në Tiranë. Që kur mbaroi gjimnazin, ajo punon në sektorin e thirrjeve telefonike, ndërsa studimet për “Administrim dhe Politika Sociale” ka vendosur t’i ndërpresë për momentin.

Puna në “Call-Center” i siguron Kristianës të ardhura të mira pasi “kompanitë e mëdha ofrojnë kushte të kënaqshme” pavarësisht se “nuk dallojnë nga pjesa tjetër kur vjen puna te bonuset apo pagesat e orëve shtesë”. Në këtë pikë “të gjithë janë njësoj”.

“Gjithmonë e gjejnë një mënyrë që mos të ta japin [bonusin],” tregon 23-vjeçarja.

Kristiana tregon se si një një kompani tjetër arriti të zinte pozicionin e “mbikëqyrëses së sistemit” por kompania u mbyll befasisht pas raportimeve se drejtuesit kërkoheshin nga policia.

“Nuk po e merrnim vesh çfarë po ndodhte, po ndiqnim raportimet e mediave derisa dikush na tha që duhet të iknim në shtëpi,”  vijon ajo rrëfimin. Që pas asaj përvoje Kristiana angazhohet në sindikatën Solidariteti, që advokon për të drejtat e operatorëve telefonikë.

Kristiana beson se arsyet që shumë të rinj përfshihen në kompanitë e “Call-Center”-ave janë paratë.

“Të rinjtë ndalen dhe thonë: ‘Ok! Kam dëgjuar që bëhet shumë lekë, do ta mbaj këtë punë për pak sa për shlyerjen e ndonjë borxhi, por problemi është se ata ngecin, tërhiqen nga leku i shpejtë dhe më pas kjo [punë] iu pëlqen,” vijon ajo rrëfimin.

Në zyrat e bursave online puna përshkruhet tejet dinamike për agjentët “Retention”, të cilët në mënyrë që të jenë efektivë, trajnohen për të pasur “personalitet në komunikim”.

“Ky është kasapi si të thuash, pasi e bën atë [klientin] fërtele duke e nxitur të bëjë investime të mëdha,” – përshkruante rolin e “Retention”-it, kryetari SKOT Ilir Xhemalaj në një intervistë të mëparshme.

“Ata të thonë që duhet të gjesh ti mënyrën tënde [të të bindurit],” shpjegon Kristiana, sipas së cilës, pasi të rinjve nis t’ju pëlqejë puna, nuk njohin më kufi përballë qëllimeve për të arritur bonuset.

Përtej përfitimit, operatorët e “Call-Center”-ave përballen me kushte të vështira pune dhe orare të zgjatura.

“Një telefonatë çdo 30 sekonda… tani imagjino, 10 orë rresht, pastaj ta bësh 10-15 vjet këtë punë! Këtë kam bërë unë dhe kolegët e mi. Jemi shkatërruar nga sistemi nervor!” tregonte Ilir Xhemalaj.

Shumica e kompanive, sipas tij, aplikojnë politikë rraskapitëse.

“Shpërblime të kufizuara për punët jashtë orarit dhe ndëshkime sistematike sa i përket vonesave”.

Përveç kësaj, puna e operatorëve nuk njihet me status të veçantë.  Puna në këtë sektor për një periudhë të gjatë i lë shumicën prej tyre  me probleme të dëgjimit, shikimit apo dhe ortopedike.

“Unë kam mbaruar në Sapienza për shkenca politike dhe qeverisje, kam dhe diplomë në të drejtë administrative, por në një kohë kur kam 10-15 vite punë si operator, vështirë të më besojë kush për punë juridike në të ardhmen, kur unë nuk ka mundur ta ushtroj plotësisht profesionin,” shpjegon Xhemalaj.

Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tregojnë se në viti 2016 ishin të regjistruara në këtë sektor 409 kompani me rreth 18,600 të punësuar, ndërsa në 2014-n rezultojnë të regjistruara  270 kompani me diçka më pak se 9,300 punonjës.

*Version i rishikuar nga autori. Punuar dhe botuar më parë për Shteg.org – Projekt i Rrjetit për Rraportimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri – Të drejtat e ribotimit i përkasin vetëm autorit dhe “RRKOKSH”.

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.