Dy turistë të pazakontë bujtën një fshati malor buzë lumit Drino në Gjirokastër verën e vitit 2011. Daan Vonk dhe Theo Roelofs kishin marrë përsipër një udhëtim aventurë. Ata ishin nisur me motoçikleta nga Tirana për të vizituar një fshat, për të cilin kishin dëgjuar shumë histori. Bëhej fjalë për Lazaratin.
Me të marrë rrugën përpjetë fshatit, të rinjtë holandezë kuptuan se kjo zonë ishte ndryshe nga vendet e tjera që kishin vizituar në Shqipëri. Kalimtarët i shikonin çuditshëm ndërsa makinat ulnin shpejtësinë krah tyre dhe pyesnin se kush ishin, nga vinin dhe çfarë kërkonin.
Në njërën prej tyre dalloi një djalë që fliste mirë anglisht. Pasi u sigurua se qëllimi i dy të rinjve ishte “i padëmshëm”, ai mori përsipër t’i shëtisë në fshat dhe t’u tregojë atë që deri në atë moment asnjë kamerë tjetër nuk kishte pasur mundësi t’i fiksonte: kodrat e Lazaratit me dhjetëra hektarë të mbjella me kanabis.
Daan Vonk dhe Theo Roelofs publikuan një pjesë të filmimeve në dokumentarin aventuresk që botuan në YouTube rreth gjashtë muaj më vonë. Pamjet u bënë virale duke bërë që Lazarati të merrte nofkën “Kryeqyteti i hashashit”.
Taulant Balla, asokohe deputet i Partisë Socialiste, i shfaqi ato gjatë një diskutimi në një komision parlamentar rreth integrimit duke kërkuar llogari nga asokohe Ministri i Brendshëm Bujar Nishani.
“Në çdo kopësht shtëpie rritet kanabis dhe këtë e filmojnë turistët,” – do të denonconte Balla.
Në atë periudhë, Departamenti Amerikan i Shtetit përshkruante kanabisin si drogën kryesore që prodhohej dhe trafikohej nga grupet kriminale shqiptare, të cilat në vende si Turqia arrinin ta këmbenin me droga të forta si kokaina, apo heroina për t’i trafikuar më pas në rrjetet e tyre në Evropë.
Të dhënat e monitorimeve nga ajri nga Guardia di Finanza tregonin se në Lazarat kishte 38.5 hektarë plantacione të dyshuara me kanabis gjatë vitit 2012 dhe se sipërfaqja pothuajse u dhjetëfishua në vitin 2013.
Raporte të ndryshme ndërkombëtare e përshkruanin Lazaratin si hambarin kryesor të flukseve të hashashit në Itali dhe Evropë. Zyrtarisht nuk ka të dhëna mbi sasinë e kanabisit të kultivuar në këtë fshat, por autoritetet hamendësojnë se prodhimi vjetor mund të ketë arritur deri në 800 tonë me një qarkullim prej rreth 4.5 miliardë eurosh, afërsisht sa gjysma e prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë – për kohën.
Trysnia politike nga Bashkimi Evropian dhe ndryshimi i qeverive nxiti dy operacione të gjera policore gjatë viteve 2014-2015 nga ku u arrestuan 38 persona teksa u sekuestruan rreth 55 tonë kanabis.
Këto operacione e hoqën Lazaratin nga harta, por kapja e ngarkesave të mëdha me kokainë dhe zbulimi i të paktën tre laboratorëve të përpunimit të drogave të forta në Laç (2014), Elbasan (2015) dhe Has (2018) do të dëshmonin se tanimë grupet kriminale shqiptare po kalonin në një tjetër nivel sa i takon narkotrafikut.
Sidoqoftë kanabisi mbeti parësor dhe vijoi të kultivohej në zona të tjera përtej Lazaratit.
Mbi 213 hektarë plantacione të dyshuara me kanabis u raportua nga fluturimet e Guardia di Finanza për vitin 2016 teksa ndërhyrjet e policisë ishin ndër më të mëdhatë me rreth 2.5 milionë rrënjë të asgjësuara.
Vitet 2017-2018 treguan se ndërhyrja e përgjithshme e vitit 2016 kishte qenë e efektshme. Fluturimet e Guardia di Finanza gjatë këtij dyvjeçari pikasën një deri në dy hektarë të dyshuar me plantacione prej të cilave u asgjësua një total prej rreth 6 mijë rrënjësh, – vetëm 675 në 2018.
Por situata e qetësisë përshkallëzoi shpejt. Të dhënat tregojnë se fluturimet e Guardia di Finanza pikasën vetëm 28.5% të bimëve (25,719/90,175) që policia shqiptare asgjësoi gjatë vitit 2019, ndërsa në vitin e pandemisë, ish-drejtori i Policisë Ardi Veliu pranoi se tashmë kultivimi ishte zhvendosur në pyje apo zona të thella malore.
Paralelisht grupet kriminale shqiptare kishin nisur të kultivonin kanabis në kushte të mbyllura.
Në vitin 2020 numri i bimëve që u asgjësuan shkoi 137,216 (58,423 u raportua nga Guardia di Finanza). Shifrat do të mbeteshin të larta edhe në vitin 2021 (166,212) dhe 2022 (114,478) ndërsa në janar 2024, ish-Ministri Taulant Balla raportoi për 293,047 bimë të asgjësuara gjatë vitit 2023 (108,282 prej tyre qenë raportuar nga Guardia Di Finanza).
Prirja për të kultivuar kanabis në kushte laboratorike në të ashtuquajturat “shtëpi të barit” u cilësua shqetësuese në vitin 2022 nga ish-Drejtori i Policisë, Gledis Nano, i cili duke u shprehur se “askush nuk po i shikon” kërkoi ndihmën e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë për të pikasur dhe luftuar këtë mënyrë të re kultivimi.
Paralelisht me “shtëpitë e barit”, përdorimi i gjerë i telefonëve inteligjentë, rrjeteve sociale apo platformave me komunikim të enkriptuar, siç ishte platforma Sky ECC, rezulton të ketë ndihmuar në riorganizimin e narkotrafikut nga grupet kriminale shqiptare.
Rreth një dekadë pas denoncimeve bazuar në dokumentarin e turistëve holandezë, Taulant Balla u bë Ministër i Brendshëm dhe një nga nismat që ai mbështeti gjerësisht, ishte “parandalimi i trafikut të drogës në mjediset e shkollave”.
Nisma bazohej edhe te raporti i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi përdorimin e substancave të palejuara mes adoleshentëve, i cili tregonte për rritje nga 7% (2015) në 11% (2022) të numrit të minorenëve në Shqipëri, të cilët e kanë provuar së paku një herë kanabisin.
Kështu, të ashtuquajturat operacione “Tempulli” (2023-2024) proceduan mbi 2,300 persona si të dyshuar për lidhje me 30 grupe kriminale që shpërndanin apo trafikonin drogë pranë shkollave. Atyre iu kap mbi 1,500 kg drogë, ku rreth 1,400 kg ishin kanabis, pjesa tjetër kokainë, heroinë dhe ekstazi.
Operacionet policore nxorrën në pah shtrirjen e gjerë në të gjithë vendin të shpërndarjes së narkotikëve. Ato, si dhe zbardhja komunikimeve mes grupeve kriminale, tregojnë se fenomeni i trafikimit të narkotikëve në Shqipëri nuk ishte problem që mund të zgjidhej lehtë.
Përkundrazi, shifrat e rritura të të proceduarve penalisht katër vitet e fundit, – nga 1,989 (2019) në 3,046 (2023), –shpërhapja e plantacioneve në zona të tjera larg Lazaratit historik dhe rritja e konsumatorëve sugjerojnë se Shqipëria po përballet me një sfidë të re, ku trafiku dhe konsumi i drogës po hyn gjithnjë e më thellë në strukturën shoqërore dhe ekonomike të vendit.
*Version i rishikuar nga autori. Punuar më parë për Shteg.org – Projekt i Rrjetit për Rraportimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri – Të drejtat e ribotimit i përkasin vetëm autorit dhe “RRKOKSH”.