Plaurent Dervishaj, njeriu që për 25 vite sfidoi drejtësinë

Një avion i kompanisë “Flydubai” u ul në Rinas mëngjesin e 14 gushtit 2024. Mes dhjetëra pasagjerëve të tij dallonte një mesoburrë i veshur me shapka dhe të shkurtra.

Ai shoqërohej nga policë, të cilët me t’u hapur dera e avionit ia dorëzuan një skuadre forcash speciale. Këta e larguan menjëherë.

Personi në fjalë ishte Plaurent Dervishaj, i konsideruar me rrezikshmëri të lartë si i dyshuar për disa vrasje dhe atentate.

Në vitin 2012 Dervishaj qe dënuar me burg përjetë për 5 vrasje me famëkeqen “Bandë e Durrësit” në një proces të gjatë ku qenë dënuar edhe 15 anëtarë të tjerë, përfshirë dhe kunati, Lulzim Berisha, i konsideruar si një nga krerët e grupit.

Por ndryshe nga ata, Dervishaj nuk ishte arrestuar kurrë. Nga arratia ia doli që përmes shkallëve të gjyqësorit të rrëzonte dënimin në mungesë e madje të shpallej i pafajshëm.

Autoritetet shqiptare dështuan ta ndëshkojnë për ngjarjet e viteve 1998-1999 me bandën, por tani po provojnë ta dënojnë për ngjarje të tjera.

Prokuroria e Posaçme e akuzon si porositës të atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja në vitin 2019, dhe vrasjen e Klodjan Saliut në vitin 2005.

Arrestimi i parë i Dervishajt sjell në vëmendje të shkuarën si “i paprekshmi” që për 25 vite sfidoi drejtësinë shqiptare.

Shteg.org/Dervishaj dhe Meçaj, arrestuar në gusht 2024 nga policia shqiptare.

Rikthimi i “Lentit”

Mesditën e 20 qershorit 2019 rrethinat e Shijakut u tronditën nga breshëritë e automatikëve.

Dy persona të paidentifikuar hapën zjarr pranë ambulancës së fshatit Koxhas në drejtim të një fuoristrade të zezë në të cilën po lëviznin Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj dhe Bashkim Haxhija. 

Autorët zbrazën mbi 40 plumba, por plagosën vetëm Meçajn.

Ata po inspektonin punimet për një ndërtim pranë zonës ku ndodhi prita.

Emri i Dervishajt nuk ishte dëgjuar më në media që prej vitit 2016 kur Apeli i rrëzoi një dënim përjetë.

Në periudhën kur ndodhi atentati në Shijak ai ishte kthyer në biznesmen.

Një lokal dhe restorant me emrin Zodiac në qendër të Durrësit ishte i tiji. Ortak në biznes kishte Meçajn.

Bashkë zotëronin kompaninë “New Zodiac” me aktivitet të gjithanshëm nga ndërtimet publike e private, te import-eksporti i mallrave industriale, ndërmjetësimi i sigurimeve, konsulencat ligjore etj.

Fakti që makina e autorëve humbi gjurmë pranë një lokali të familjes së Pëllumb Muharremit, njohur me disa emra dhe nofkën “Rrumi”, mjaftoi që Dervishaj ta lidhte atentatin me të dhe ta shpallte armik.

Armiq konsideroi dhe grupin që e mbështeste Rumin në Shijak, i cili përbëhej kryesisht nga krahu i Astrit Avdylit dhe Arben Mërkurit të njohur me nofkat “Kapelja” dhe “Maneci”.

Hetimet tregojnë se Dervishaj u angazhua me të gjitha mënyrat për të marrë hak për atë që duket si konflikt për influenca, interesa pronash dhe ndërtimi në Gjirin e Lalëzit.

Në këtë pikë ka dyshime se prokurori i Durrësit Arian Ndoja mund të ketë qenë palë e përfshirë, pasi ai vendoset gjithashtu në shënjestër.

Me porosi të Dervishajt u vunë nën vëzhgim Rrumi, Ndoja dhe më vonë Maneci, nipi i Kapeles, Aldo Avdyli dhe Genci Maloku, babai i shoferit të Ndojës.

Të paktën shtatë persona ndiqnin dhe i jepnin Dervishajt informacione për Rrumin dhe Ndojën.

Mes tyre ishin Amar Shkëmbi, Bledar Polovina, Endrit Sinani, Redjan Rraja e Julian Meçaj.

Për të garantuar se nuk do të përgjoheshin, të gjithë ishin pajisur me telefonë të komunikimit të enkriptuar Sky ECC.

Shteg.org/Makina e ish-prokurorit Ndoja pas atentatit të 1 nëntorit 2019.

Hakmarrja

Zbardhja e bisedave të bëra mes tyre në aplikacionin Sky ECC tregoi se në fund të muajit gusht 2019 grupi i Dervishajt kishte nën vëzhgim lëvizjet e prokurorit Ndoja, familjarëve të tij, po ashtu dhe të miqve me të cilët shoqërohej. 

Dy muaj më vonë, më 1 nëntor 2019, njerëzit e rekrutuar nga Dervishaj realizojnë atentatin ku mbeti i plagosur rëndë Ndoja dhe miku i tij Rrumi teksa gjeti vdekjen shoferi, Andi Maloku.

Të tre udhëtonin në një fuoristradë, e cila u qëllua pranë mbikalimit të Shkozetit me drejtim Tiranën nga një veturë tip Mercedes Benz “E Class”.

Policia e gjeti “E Class”-in të braktisur rreth 25 kilometra larg vendngjarjes, në fshatin Shkafanë të Ishmit.

Në të u gjetën veshje, dy automatikë dhe një pistoletë me zhurmëshues, të cilat më vonë u provua se ishin përdorur në atentat. 

Pikërisht mënyra se si u la makina me plot prova komprometuese rezultoi vendimtare për fatet e grupit të Dervishajt.

Hetimet provuan se Ariol Halilaj mori autorët në Ishëm dhe se njëri prej tyre ishte “në mënyrë absolute” Redjan Rraja, gjurmët gjenetike të të cilit u gjetën në veshjet e lëna në makinën e braktisur.

Rraja u arrestua në Shkodër katër ditë pas atentatit, ndërsa Halilaj gjashtë muaj më vonë.

Arrestimi i tyre kushtëzoi planet, por Dervishaj nuk u dekurajua për të larë hesapet me kundërshtarët, pasi për një periudhë u interesua të angazhojë edhe vrasës me pagesë.

Paralelisht u angazhua të “shpëtonte nga burgu” të arrestuarit duke iu gjetur avokatë përmes të cilëve u çonte porosi dhe para të afërmve të tyre.

Bisedat mes grupit tregojnë për lidhje me “një të madh në shtet” dhe 300 mijë euro ryshfet për të zhbërë ekspertizën e ADN-së ndaj Rrajës. 

Flitet për “angazhim të miqve” nga radhët e policisë gjyqësore, ku njëri prej tyre u jepte garanci dhe udhëzime se si të vepronin për të pushuar hetimet.

Ky oficer citohet t’i ketë thënë grupit se “prokurorët nuk kanë prova për bashkëpunëtorin tjetër në vrasje” dhe se “për punë dy vitesh Rraja del nga burgu nëse nuk kapet njeri tjetër”.

Oficeri thuhet të jetë takuar me Dervishajn dhe një person tjetër të njohur me nofkën “Dulla” të cilëve u ka raportuar për ecurinë e hetimeve.

Për këtë angazhim, një nga grupi i Dervishajt diskuton për blerjen e një makine të shtrenjtë për zyrtarin pasi “duhej mbajtur mik”.

“T’ia blej një makinë se na duhet, është mik i mirë shumë për Zotin, të më kishit thënë që në fillim mua, tha, i kisha zhdukur të gjitha [provat],” lexohet mes transkriptimeve të bisedave në lidhje me oficerin e dyshuar bashkëpunëtor.

Krahas korruptimit të njerëzve në organet ligjzbatuese, Dervishaj nuk i ndali veprimet ndaj kundërshtarëve. 

Genci Maloku, babai i të ndjerit Andi Maloku, shoferi 24-vjeçar që mbeti i vrarë në atentat, nuk u pajtua me ecurinë e hetimeve dhe nisi të kërkonte vetë informacione se kush qëndronte pas Redjan Rrajës në ekzekutim.

Pikërisht ky interesim i tij e ktheu në objektiv për t’u eliminuar nga grupi i Dervishajt.

Në biseda me Meçajn dhe një numër të paidentifikuar, Dervishaj pretendon t’i ketë çuar fjalë përmes personave të tretë prokurorit Ndoja se atentati ishte nga dora e tij.

“Me i çuar haber atij Arianit që e keni prej meje, fjalë për fjalë […] nuk ka më radhë, babanë, vëllain, kush të më dalë në rrugë […] E dija se kush ishte në makinë dhe doja t’i kapja të dy, por nuk ishte e shkruar, sepse u bllokua arma e parë dhe iu dha mundësi për t’u shmangur,” lexohet mes transkriptimeve të ketë thënë Dervishaj.

Pikërisht vrasja e Andi Malokut dhe orvatja për të eliminuar Pëllumb Muharremin, Arian Ndojën, dhe më vonë Arben Mërkurin e Genci Malokun janë akuzat kryesore ndaj ish-numrit dy të Bandës së Durrësit, i cili tashmë është përpara drejtësisë.

Zyrtarisht për atentatin e 1 nëntorit 2019 Prokuroria e Posaçme ka akuzuar 11 persona: Plaurent Dervishajn, Julian Meçajn, Julian Pjetrin, Arjol Halilajn, Amar Shkëmbin, Bashkim Haxhijan, Bledar Polovinën, Endrit Sinanin, Genti Nderjakun, Ramazan Rrajën e Redjan Rrajën.

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 35 vite burg Arjol Halilajn dhe burgim të përjetshëm Redjan Rrajën. Të tjerët presin të gjykohen.

Sa i përket Arian Ndojës, më 6 maj 2022, ai u shkarkua nga sistemi i drejtësisë.

Procesi i vetingut gjeti probleme me pasurinë dhe kontaktet e tij me persona të tillë si Rrumi, u konsideruan “të papërshtatshme me detyrën”.

Ish-prokurori tha asokohe se vendimi ishte i padrejtë dhe se do të kërkonte zgjidhje në Strasburg.

Shteg.org/Taullai, Berisha, Dervishaj (majtas), Coli, Saliu, Dokle (djathtas).

Lufta e shkuar mes bandave

Një vajzë simpatike në plazhin e “Pistës Iliria” tërhoqi vëmendjen e një prej “të fortëve” të Durrësit, Marsel Sotira, më 18 gusht të vitit 1999.

Shikimet e vazhdueshme e nxitën t’i prezantohej dhe t’i ofronte diçka për të pirë. Takimi i la mbresa. Sotira këmbënguli të kishte shoqërinë e vajzës edhe në mbrëmje. 

Por, ajo që ngjante si nisja e një dashurie vere, pati tjetër rrjedhë kur mbrëmjen e 22 gushtit Sotira u qëllua për vdekje nga një breshëri prej rreth 130 plumbash që iu zbrazën në trup pak pasi përcolli vajzën që po njihte prej katër ditësh.

Sotira kishte reputacion si një prej “të fortëve të Durrësit”. Pavarësisht se ishte oficer i antikontrabandës ai kishte lidhje të rëndësishme me krimin e organizuar në Durrës dhe Vlorë.

Një vit para ngjarjes ai i kishte mbijetuar një atentati në të cilin kishin humbur jetën dy miqtë, Viron Curri e Arjan Paja.

Prej katër javësh ishte ngujuar në zonën pranë plazhit pasi i druhej një atentati tjetër.

Druajtja i vinte prej faktit se më 5 korrik i ishte vrarë miku tjetër, Eduard Ongari.

Prandaj Sotira qarkullonte i armatosur dhe me makinë të blinduar.

Hetimet provuan se vajza që joshi Sotirën ishte e dashura e Klodjan Saliut, ortak i Lulzim Berishës e Plaurent Dervishajt në “Bandën e Durrësit” të përfolur për narkotrafik, prostitucion dhe gjobëvënie.

Prej 10 muajsh ata ishin në luftë me grupin e Sotirës dhe të dyja palët, deri në atë moment, numëronin shtatë të vrarë.

Pas ekzekutimit të Sotirës grupi u largua përkohësisht nga Shqipëria. Berisha, Dervishaj e Saliu u zhvendosën në Itali.

Saliu u kthye pak kohë më vonë dhe u përfshi në vrasjen e Dritan Dishës, ngjarje për të cilën u arrestua në fund të vitit 2000.

Për të shmangur dënim të mundshëm edhe për vrasjen e Sotirës, grupi mori peng vajzën që përdorën në ekzekutim. Ajo ishte dëshmitarja e vetme.

Fillimisht e dërguan në Itali. Më pas, për rreth 18 muaj deri në qershor 2002, e mbajtën të izoluar në një shtëpi në Spitallë ku anëtarët e bandës e dhunuan sistematikisht.

Në këtë periudhë autoritetet italiane kishin ndaluar Berishën për llogari të homologëve gjermanë, të cilët kishin ngritur akuza për trafik droge.

Dervishaj dhe të tjerët u angazhuan për lirimin e tij dhe Saliut.

Një dëshmitar i tha më vonë prokurorisë se grupi pagoi rreth 200 mijë euro për ta nxjerrë Saliun të pafajshëm për atentatin e parë ndaj Sotirës ku mbetën të vrarë Curri e Paja, si dhe vrasjen e Dishës.

Dëshmia në fjalë shtoi dyshimet se banda ishte përgjegjëse për zhdukjen nga magazinat e Policisë së Durrësit të një prej armëve të krimit.

Zhdukja e provave apo konsiderimi i një pjese të tyre të papërdorshme në gjykim rezultoi vendimtare për proceset ndaj Saliut, i cili qëndroi në paraburgim për një vit e gjysmë deri sa doli i pafajshëm.

“Blerja” e drejtësisë tregoi rritjen absolute të fuqisë së bandës.

Grupi nuk njihte më rivalë dhe po gëzonte suksese në sipërmarrje të ligjshme me bare, restorante, hotele dhe kompani ndërtimi.

Sipas dosjes hetimore, Dervishaj dyshohet të ketë marrë pjesë në mënyrë direkte në atentatin e parë ndaj Marsel Sotirës ku u vranë Curri e Paja më 29 tetor 1998 dhe po kështu në vrasjen e Ongarit më 5 korrik 1999.

Dëshmitë e siguruara nga prokuroria e kohës e përshkruajnë si ndër më të rrezikshmit e grupit pasi bashkë me Berishën e Saliun konsiderohej ekzekutor direkt edhe i Dritan Sallakut më 17 tetor 1998, tjetër mik i ngushtë i Sotirës.

Kështu në total, për periudhën 1998-1999, Dervishaj dhe anëtarët e tjerë të bandës do të akuzoheshin si të përfshirë në të paktën pesë vrasje.

Pushteti i krimit

Zanafilla e bandës ku bënte pjesë Plaurent Dervishaj ka mesin e viteve ‘90 me aktivitet kryesor prostitucionin, narkotrafikun dhe gjobëvëniet.

Falë lëvizjeve drejt Italisë, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës pjesëtarët e saj zgjeruan lidhjet dhe fuqinë ekonomike duke fituar reputacion.

Në vitin 1998 nga bashkimi i dy fraksioneve, njëri i qendrës së Durrësit me në krye Lulzim Berishën dhe tjetri i Spitallës me në krye Klodjan Saliun do të formohej ajo që më pas u quajt rëndomtë si “Banda e Durrësit”.

Për të paktën katër vite, deri në ndarjen e tyre në vitin 2003, banda kreu një seri vrasjesh dhe atentatesh të dhunshme në qytet duke përhapur terror.

Autoritetet i atribuojnë 16 vrasje, 12 atentate përplasjes me grupet kundërshtare e më vonë konflikteve mes njëri-tjetrit.

Vetëm pas disa ekzekutimesh të tjera të vitit 2005 autoritetet shqiptare lëvizën fort drejt kapjes së anëtarëve të saj, e cila kishte nisur luftë mes vetes. 

Pranverën e vitit 2006 policia ia doli  të arrestojë 7 persona të dyshuar për lidhje me bandën.

Njëri prej tyre, Adriatik Coli, vendosi të dëshmojë kundër grupit duke bërë që më 15 mars policia të shpallte në kërkim edhe 9 të tjerë, mes të cilëve Dervishajn dhe Berishën.

Shteg.org/Coli, Saliu, Dokle (majtas), Taullai, Berisha, Dervishaj (djathtas).

Por Dervishaj i shpëtoi arrestimit duke u larguar në SHBA.

Ai u shndërrua në një prej shqiptarëve më të kërkuar në botë teksa fotoja e tij u botua në rrjetin e Interpolit dhe FBI-së.

Në SHBA gjeti strehë te familjarët që ishin vendosur në Queens, New York.

Prezenca e tij i nxiti aspirata kriminale vëllait, i cili nuk kishte si t’i shpëtonte drejtësisë amerikane.

Redinel Dervishaj do të dënohej me 57 vite burg për krijimin e një grupi gjobëvënësish në zonën e Astorias.

Mediat lokale raportuan se Redi shfrytëzonte lidhjet e Plaurentit për të ngjallur respekt.

Ai u dënua maksimalisht pasi rezultonte i përfshirë dhe në një vrasje në Staten Island.

Ndryshe, për aq kohë sa qëndroi në SHBA Plaurenti mbajti profil të ulët duke mos pasur probleme me autoritetet.

Por kunati i tij, Lulzim Berisha, nuk pati sukses të ngjashëm. Arratia e tij zgjati vetëm tre javë.

Autoritetet e arrestuan Berishën më 6 prill 2006 në Maqedoni të Veriut ku ishte futur me pasaportë false.

Të lirë, me vendim gjykate

Pas një kalavari të gjatë prej 203 seancash gjyqësore, prej të cilave me mbi 180 seanca të shtyra, në janar të 2012 Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda shpalli fajtorë 16 anëtarët e “Bandës së Durrësit”.

Emri i Dervishajt do të përmendej krah Lulzim Berishës, Endrit Dokles dhe Indrit Taullait, si drejtues të fraksioneve, për të cilët prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm. 

Nuk pati akuza për trafik droge, prostitucion, gjobëvënie apo dhunë, por kryesisht për organizim vrasjesh në bashkëpunim të veçantë.

Sipas prokurorisë, grupi prej 16 anëtarësh vepronte si “organizatë kriminale”, por gjykata arsyetoi se nuk kishte mjaftueshëm prova çka solli rrëzimin e kësaj akuze.

Megjithatë Dervishaj, Berisha, Dokle dhe Taullaji u dënuan me burgim të përjetshëm ndërsa të tjetër patën dënime me 20-25 vite burg.

Vendimi u ankimua nga të gjithë të akuzuarit në Gjykatën e Apelit.

Ata pretenduan se gjyqtari i Shkallës së Parë, Gurali Brahimllari, nuk duhej të ishte pjesë e trupës gjykuese për sa kohë familjarë të tij kishin ngritur kallëzim për kërcënime të dyshuara se vinin nga anëtarë të bandës.

Nga ana tjetër, Dervishaj pretendonte përmes avokatit se dëshmitari kryesor, Adriatik Coli, kishte gënjyer dhe transformuar dëshmitë ndaj tij.

Dervishaj pretendoi se gjykata vendosi ta burgosë përjetë pa pasur prova shteruese dhe se ai “u dënua vetëm se ishte kunati i Berishës”.

Por përtej pretendimeve të të akuzuarve, gjashtë muaj më vonë Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la në fuqi vendimin e shkallës së parë dukë dënuar përfundimisht drejtuesit e bandës me burgim të përjetshëm.

Apeli dha 250 vite burg për 12 anëtarët e tjerë.

I vetmi që nuk u përball me drejtësinë ishte Plaurent Dervishaj. Procesi i tij gjyqësor u zhvillua në mungesë pasi policia nuk mundi ta arrestote kurrë.

Por çështja ndaj “Bandës së Durrësit” u shkërmoq përfundimisht nga Gjykata e Lartë.

Më 16 korrik 2014 tre nga pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë – Andi Çeliku, Shkëlzen Selimi e Artan Zeneli, – rrëzuan dënimet e përjetshme.

Treshja e gjyqtarëve arsyetoi se meqenëse akuza e “pjesëmarrjes në organizatë kriminale” kishte rënë në gjykatat e faktit, bashkë me këtë akuzë kishte rënë edhe rrethana rënduese e “vrasjes në bashkëpunim”.

Prokuroria nuk kishte ngritur akuza për “rrethana të tjera cilësuese” prandaj “anëtarët e bandës nuk mund të dënoheshin maksimalisht.”

Në këtë mënyrë, Berisha, Dokle dhe Taullai i “shpëtuan” dënimit me burgim të përjetshëm, ndërsa për Dervishajn pati tjetër zhvillim, që do ta çonte drejt “pafajësisë”.

Gjykata e Lartë e dërgoi për rigjykim në Apel nën argumentin se prokuroria i kishte bazuar akuzat vetëm te deklaratat e Colit, pa shoqëruar prova që vërtetonin dëshminë ndaj Dervishajt. 

Më 27 prill 2015, në një seancë që zgjati vetëm një orë e gjysmë, prokuroria parashtroi të njëjtat prova me të cilat e njëjta gjykatë e kishte dënuar më parë Dervishajn.

Por, kësaj here, pa prova të reja Apeli vendosi të prishë dënimet e mëparshme dhe ta pushojë çështjen ndaj Dervishajt.

Prokuroria bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila më 28 janar 2016 refuzoi ta shqyrtojë.

Në këtë mënyrë të gjitha akuzat e ngritura ndaj Dervishajt, qofshin edhe ato të vrasjeve të Sallakut, Currit, Pajës, Ongarit dhe Sotirës, ngjarje këto të ndodhura gjatë viteve 1998-1999, u rrëzuan.

Pas janarit të 2016 ai ishte njeri i lirë. Drejt lirisë ishte edhe Lulzim Berisha.

Ish-kreu i bandës fitoi liri me kusht dhjetë muaj pas kunatit.

Ai doli nga burgu në dhjetor 2016 pasi përfitoi nga “sjellja e mirë” dhe “përkrahja” e Bashkisë Durrës, e cila garantoi se do angazhohej në punë komunitare.

Zyrtarisht Berisha kishte dhe të paktën gjashtë vite për të shlyer.

Pak muaj më vonë doli nga burgu dhe Indrit Taullai, i cili përfitoi nga një situatë shëndetësore, ndërsa në vitin 2020 u lirua edhe Endrit Dokle.

Tre gjyqtarët që shkërmoqën dënimet përjetë të krerëve të “Bandës së Durrësit” nuk janë më në sistemin gjyqësor.

Shkëlzen Selimi u shkarkua në vitin 2018 nga vetingu, i cili e konsideroi si të papërshtatshëm prej kontakteve me persona të inkriminuar.

Ndryshe, Artan Zeneli u shkarkua për probleme me deklarimin e pasurisë dhe fshehjen e faktit se autoritetet amerikane i kishin revokuar vizën.

Ndërsa Andi Çeliku u dorëhoq nga shërbimi duke iu shmangur përballjes me vetingun.

Shteg.org/ Lamaj dhe vendi ku ai dhe miku i tij Arsi humbën jetën (2005).

“Asgjë nuk harrohet”

Dy atentate makabre brenda 24 orëve tronditën Shqipërinë në fund të muajit shkurt 2005.

Fillimisht u vra Klodjan Saliu pasi u qëllua me armë teksa po lëvizte me makinë drejt Durrësit.

Të nesërmen u vranë me eksploziv Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi teksa ngjiteshin në ashensorin e një pallati në Tiranë.

Atentatet dyshohet se kishin prapavijë fraksionin e Berishës në “Bandën e Durrësit”, i cili synonte të lante hesapet me krahun tjetër të drejtuar nga Saliu. 

Në këtë nismë Berisha dyshohet se bashkëpunoi me ish-kundërshtarin Viktor Ymeri, ndryshe “Tori i Xhihanes”, krah i djathtë i Gazment Brakës njohur si “Gaxhai” në Vlorë.

Braka dhe Ymeri qenë dënuar me burg për jetë për atentatin e dështuar, porosi e Marsel Sotirës, ndaj Berishës në vitin 1999.

Në këtë atentat mbetën të vrarë dy miqtë e Saliut, Ilir Xhunga e Arben Paja, të cilët drejtonin atë ditë makinën e tij.

Saliu, ish-krahu i djathtë i Berishës deri në vitin 2003, ishte prishur me të për pazar droge duke dalë më pas në grup më vete me lidhje të forta kryesisht vëllezërit e tij Ndriçim (2007) dhe Arian Saliu (2008), Endrit Doklen dhe Adriatik Colin.

Nga ana tjetër Berisha vijonte aktivitetin bashkë me Dervishajn, Taullain e të tjerë.

Të dyja fraksionet ishin me nam për dhunë, shantazh dhe luftë territoresh në Durrës.

Pesëmbëdhjetë vite më vonë Prokuroria e Posaçme rihapi hetimet për vrasjet e bujshme të shkurtit 2005 ndaj Saliut e Lamajt. Kjo ndodhi pasi u sigurua dëshmia e Luftar Reçit, bashkëpunëtor në të dyja atentatet.

Reçi është deklaruar të ketë qenë drejtues i makinës nga ku u qëllua Saliu dhe po kështu personi që siguroi minën me telekomandë për ekzekutimin e Lamajt.

Me dëshminë e Reçit prokuroria forcoi dyshimet se organizatorë të vrasjes së Saliut ishin Indrit Rusi, Taullai, Berisha dhe Dervishaj.

Dy të fundit u përmendën si të dyshuar edhe për vrasjen e Lamajt bashkë me Ymerin dhe Emiliano Shullazin. Por vetëm kaq. Më 15 tetor 2024, SPAK u tërhoq nga hetimi i tyre në lidhje me këtë çështje me argumentin se nuk kishte prova.

Ymeri e Shullazi ishin në burg për çështje të tjera. Taullai dhe Berisha u kapën jashtë Shqipërisë, ndërsa i vetmi që kishte mundur t’i shpëtonte autoriteteve shqiptare ishte Plaurent Dervishaj.

Por, më 14 gusht të vitit 2024, ai u deportua nga Dubai në Shqipëri, i prangosur për herë të parë në jetën e tij.

Për më shumë se 25 vite emri i tij ishte ndër më të përfolurit në rekordet e policisë shqiptare, ndërsa tani për të nis një tjetër përballje gjyqësore, por kësaj here nga banka e të akuzuarve dhe jo në arrati.

*Version i rishikuar dhe përditësuar nga autori. Publikuar më parë në Shteg.org – Projekt i Rrjetit për Rraportimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri – Të drejtat e ribotimit i përkasin vetëm autorit dhe “RRKOKSH”.

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.