Vangjush Dako, e shkuara e errët e një “Supermeni”

I shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit për “korrupsion madhor” dhe “lidhje me grupet krimale”, ish-krybashkiaku i Durrësit do të gjykohet për abuzime në dhënien e një leje ndërtimi dhe një tenderi konsulence.

Procedurat penale duket se do t’i garantojnë masë më të ulët dënimi nëse do të gjendet fajtor. Ai do të përfitojë uljen e ⅓-s së dënimit, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë pranoi të premten, më 19 korrik 2024, kërkesën për vijim të procesit ndaj tij me “gjykim të shkurtuar”.

Ish-kryetari më jetëgjatë socialist në Bashkinë e Durrës është vendosur herë pas herë nën akuzë nga opozita për lidhje të dyshimta me grupet kriminale, ndërkohë që në vitin 2019 u shpall i padëshiruar nga SHBA.  

Dako, i cili drejtoi Durrësin për tre mandate në periudhën 2007-2019, u arrestua në qershor 2023 së bashku me nëntë ish-zyrtarë të bashkisë dhe sipërmarrësin e një kompanie private.

Pas thuajse një vit hetimi prokuroria pretendon se ka të provuar implikimin e tij në veprimtari të jashtëligjshme për dy ngjarje: një që ka të bëjë me një leje ndërtimi të dhënë në vitin 2011 dhe tjetri për abuzimet me fondet publike sa i përket procedurave të një tenderi konsulence.

Rasti i lejes abuzive ka të bëjë me një pallat të ndërtuar në vitin 2011 në qendër të Durrësit. Prokuroria dyshon se leja iu dha kompanisë “Fakle” dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe apartamentet ishin shitur. Për më tepër, pallati nuk ishte ndërtuar sipas projektit të miratuar pasi kishte katër kate shtesë.

SPAK-u e akuzon ish-kryebashkiakun Dako se ka tejkaluar kompetencat duke legalizuar një ndërtesë pa leje.

Fakti i dytë penal për të cilin prokuroria kërkon shpalljen e Dakos fajtor, ka të bëjë me një procedurë prokurimi, konsulencën e kërkuar gjatë periudhës 2014-2015 për sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. 

Sipas SPAK-ut, komisioni i prokurimit është ngritur me urdhër të Dakos, i cili llogariti si fond limit një vlerë gati dhjetë herë më të madhe se ajo që parashikonte ligji, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 18 milionë lekësh.

Abuzimet ishin konstatuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ndërsa ish-kryetari i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj, kishte bërë më herët kallëzim penal.

Dako pretendon se nuk ka pasur dijeni për procedurat e ndjekura pasi fondi është llogaritur nga ekspertët e prokurimeve, por gjithsesi do të jetë hetimi gjyqësor ai që do të vendosë përfundimisht mbi implikimin apo jo të kryebashkiakut më të përfolur socialist në këto afera korrruptive.

Pushteti i Dakos

Shteg.org/Paraqitje grafike e Vangjush Dakos duke dalë nga SPAK.

Ishte tetori i vitit 2018 kur nga përgjimet e mbledhura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth një grupi të dyshuar për trafik droge rrodhën në media bisedat e transkriptuara telefonike të tyre me Vangjush Dakon, asokohe kryetar në detyrë i Bashkisë Durrës.

Bisedat tregonin raportet “miqësore” të kryebashkiakut me persona të akuzuar nga drejtësia si anëtarë të grupeve kriminale, si për shembull Altin Avdyli, i njohur si “Niçja”, miq dhe familjarë të të cilit dyshohet se u angazhuan për të shtuar votat e PS-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Aso kohe opozita e akuzoi Dakon të lidhur me strukturat e krimit të organizuar dhe të përfshirë në skemat e shitblerjeve të votave, ndërsa ai u mbrojt duke thënë se komunikimet nuk ishin gjë tjetër veçse telefonata të rëndomta në kuadër të “marrëdhënies me elektoratin”.

“Kjo është politika. Ai bën një luftë për mua, fiton vota, jep një kontribut dhe ti nuk mundke t’i bësh një telefonatë?!” – deklaronte Dako në studio televizive teksa e etiketonte veten si “Superman”, i aftë për të takuar mijëra qytetarë gjatë fushatave elektorale. Nën këtë dinamikë “rutinë” ai justifikonte edhe takimet me të dyshuarit trafikantë droge.

Publikimi i bisedave telefonike nuk ishin rast i izoluar i Dakos që tregonte lidhjet e dyshimta të tij me botën e nëndheshme. 

Në dhjetor 2016 Gjykata e Apelit liroi me kusht Lulzim Berishën, një person i shpallur fajtor për disa vrasje gjatë periudhës 1998-2003 si kreu i së ashtuquajturës “Bandë e Durrësit”, e përfolur për trafik droge, prostitucion dhe rrjet gjobëvënsish në qytetin bregdetar.

Berisha u lirua “për sjellje shembullore” dhe falë garancisë për “dënim alternativ me angazhim në punë vullnetare” dhënë nga Bashkia Durrës, e cila drejtohej nga Dako.

Në dhjetor 2021 Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e Apelit për lirimin e Berishës, mirëpo ky ishte larguar nga Shqipëria.

Mediat zbuluan se Bashkia Durrës ishte angazhuar në të paktën 30 raste për të liruar me kusht të dënuarit duke ofruar “dënime alternative me punë vullnetare”.

Për lidhjet e tij me eksponentë të krimit të organizuar dhe implikimet e dyshuara në shitblerje të votave Dako nuk u akuzua kurrë zyrtarisht, por në vitin 2019 kreu i PS-së, Edi Rama, nuk e vendosi më në listën e kandidatëve për kryetar bashkie të Durrësit.

Më pas Dako dha dhe dorëheqjen nga funksionet drejtuese të partisë dhe pak muaj pas largimit, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli “non grata” me arsyetimin “për përfshirje në korrupsion madhor”, prandaj i sanksionoi ndalimin e tij dhe të familjes për të hyrë në SHBA. 

Por e shkuara e Dakos numëron të tjera akuza dhe aludime.

Në shkurt 2015 ai u akuza për abuzime me ndarjen e banesave sociale. Opozita pretendoi shkelje dhe ndarje të padrejtë për 150 banesa sociale të ndërtuara në fund të vitit 2011.

Akuzat e opozitës vijuan ndaj Dakos edhe për tjetërsimin e listave zgjedhore duke pretenduar se Durrësit i ishin shtuar 2,700 banorë vetëm për efekt vote në zgjedhjet vendore të atij viti.

Nga ana tjetër, përfshirja e vëllait të Vangjush Dakos në sektorin e ndërtimit është shoqëruar vazhdimisht me akuza për klientelizëm.

Akuza të tjera për cilësi të dobët dhe abuzime në punime u shtuan në rrafshin publik pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku shumë pallate në Durrës u dëmtuan rëndë.

Megjithëse larg politikës aktive, Dako do të vijonte të gëzonte mbështetjen e Kryeministrit Rama, i cili deklaronte hapur miqësinë me të.

“Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Nuk e përcakton Departamenti i Shtetit Amerikan kë kam mik. E përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër, do jetë miku im,” do të shprehej Rama në shkurt 2020 në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut.

*Version i rishikuar nga autori. Punuar dhe botuar më parë për Shteg.org – Projekt i Rrjetit për Rraportimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri – Të drejtat e ribotimit i përkasin vetëm autorit dhe “RRKOKSH”.

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.