Autoritetet franceze, belge, holandeze dhe shqiptare kanë mundur të zbërthejnë aktivitetin kriminal të grupit që dyshohet se drejtohej nga vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja në Elbasan.
Operacioni i përbashkët i koduar “Gorgon”, finalizuar më 31 korrik, arrestoi 15 persona dhe sekuestroi 38 prona, 4 llogari bankare dhe mbi 1 milionë euro kesh.
Mes të arrestuarve pati ish-zyrtarë të policisë dhe drejtësisë, teksa 18 persona të tjerë mbeten në kërkim.
Hajdar dhe Franc Çopja i shpëtuan aksionit. Ata dyshohet se janë zhvendosur në Dubai.
Grupi i tyre, i përfshirë në trafik droge, korrupsion dhe pastrim parashë, konsiderohet përgjegjës për të paktën shtatë vrasje dhe disa atentate të ndodhura në vitet 2018-2020.
Ata dyshohet se janë përfshirë edhe në grabitjen e rreth 10 milionë eurove të një dërgese parashë në aeroportin e Rinasit më 9 prill 2019.
Për këtë ngjarje nën akuzë janë vënë persona të tjerë dhe emri i vëllezërve Çopja nuk ishte përmendur më parë.
Grupi Çopjave cilësohet nga SPAK tejet i fuqishëm ekonomikisht dhe i sofistikuar në organizim.
Hetimet tregojnë se ata përdornin disa pika të këmbimit valutor, të kontrolluara prej tyre, si vend-depozita apo si arkë për paratë e organizatës.
Prej tyre tërhiqeshin dhe qarkullonin para për qëllime të ndryshme nga investimi në ndërtim deri te pagesat për vrasje.
Makineri krimi dhe vrasjesh

Vëllezërit Çopja dyshohet të jenë përgjegjës për 7 vrasje, dhjetëra atentate dhe grabitjen e miliona eurove në Rinas gjatë viteve 2018-2020.
Hetimet tregojnë se grupi i Hajdar Çopjes, njohur edhe si Hajdar Bako apo dhe “Dari i Elbasanit”, e nisi aktivitetin në vitin 2006 në trafikun e kokainës në Itali, por shpejt u shtri dhe në vende të tjera të Evropës.
Kjo i dha fuqi ekonomike për të krijuar dhe forcuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut ndërkombëtar të drogës.
SPAK dyshon se grupi i siguroi pozitat dominante pas vitit 2018 kur nisi eliminimet e kundërshtarëve duke angazhuar ndaj tyre vrasës me pagesë.
Në këtë periudhë Çopjat nisën një luftë me grupin e Erion Alibejt, njohur dhe si Agim Shurbi apo “Krymi” teksa të dyja palët duket se i drejtoheshin të njëjtëve persona për të organizuar vrasjet me pagesë: Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit.
Sipas SPAK-ut grupi i Çopjave rezulton përgjegjës për vrasjen e trefishtë të ndodhur më 29 dhjetor 2018 në Bradashesh të Elbasanit ku u vra Endrit Alibej – vëlla i Krymit, – së bashku me Arben Dylgjerin dhe turkun Erdal Durany.
Vëllezërit Alibej rezulton të ishin konkurrent me Çopjat në narkotrafik nga Britania e Madhe në Belgjikë e Holandë.
Çopjat dyshohet se qëndrojnë pas vrasjes së Klevin Bahos, ndodhur pak pas mesnatës së 1 korrikut 2019 ku mbeti i plagosur dhe vëllai i tij Aldo Baho, të cilit i bënë atentat tjetër në gusht 2020.
Ngjashëm Çopajt akuzohen edhe për vrasjen e Andi Zylyfit, ngjarje e ndodhur më 13 dhjetor 2019 në Peqin, ku mbeti i plagosur Ardit Uruçi.
Sipas dëshmisë së vrasësit të penduar Nuredin Dumani, për këtë ngjarje u përfshinë Talo Çela, Altin Ndoci, Abedin Mama njohur si “Dine Çami” dhe Fatos Gosa.
Dumani i ka thënë prokurorëve se Çela i përdori pa dijeni makinën e tij në atentat. Kjo ndau grupin e vrasësve me pagesë duke nxitur konfliktin Çela-Dumani.
Më 15 shtator 2020 në Rrogozhinë u vra Klevis Kapllani. SPAK dyshon se vrasja e tij u porosit nga vëllezërit Çopja.
Kapllani ishte mik i ngushtë me Dumanin, ky për këtë vrasje justifikoi si hakmarrje ekzekutimin dy ditë më vonë të vëllait të Talo Çelës, Bujarit.
Çopjat dyshohet se qëndrojnë pas edhe vrasjes së Ardit Spahiut – i afërt me Erion Alibejn – ndodhur në Bruksel më 28 nëmtor 2020.
Për grabitjen e miliona eurove në pistën e aeroportit të Rinasit, SPAK nuk jep shumë detaje, por përmend grupin e Çopjave si përgjegjës.
Për ngjarjen dyshohen të jenë përfshirë të paktën tetë persona, mes të cilëve Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë gjatë grabitjes.
Shtatë të tjerët janë arrestuar dhe dënuar me 122 vite burg.
Lufta mes bandave

Me arrestimin e Nuredin Dumanit më 29 mars 2022 nisi zyrtarisht operacioni i ashtuquajtur “Plumbi i Artë”, i cili do të zbardhte një sërë ngjarjesh të rënda kriminale në Shqipëri, përfshirë këtu dhe implikimet e vëllezërve Çopja në luftën ndaj grupit të Alibejt dhe përplasjet me Talo Çelën.
Në plan të parë ishte një luftë mes bandash dhe paralelisht, një luftë mes klaneve të vrasësve me pagesë që angazhoheshin prej tyre.
Dumani, i përfshirë në disa vrasje dhe grabitje të dhunshme, u kap pas një atentati të dështuar ndaj tij, gjë që e shtyu të dëshmonte në SPAK të gjitha implikimet dhe bashkëpunimet me grupet kriminale.
Dëshmitë e tij dhe të të penduarve të tjerë Skerdi Tasi e Henrik Hoxhaj, ndihmuan SPAK-un në kryqëzimin e të dhënave të ardhura nga platforma e komunikimit të enkriptuar Sky ECC e më pas nisjen e operacionit të parë me shtrirje në të gjithë vendin, që u mbajt më 18 maj 2022.
Nga ky operacion u lëshuan 32 urdhërarreste, prej të cilave u ekzekutuan 18 – gjysma ishin në paraburgim në pritje të gjyqeve për çështje të tjera.
Ajo që bie në sy në të gjitha rrëfimet dhe dosjet hetimore që SHTEG disponon, është brutaliteti i këtij grupi vrasësish me pagesë që angazhohej nga grupet e tjera që ishin në konflikt. Ky angazhim nuk kurseu as gratë.
Vrasja brutale e Fatmira Dedës, një 60-vjeçare me profesion infermiere, e cila u gjet me fyt të prerë më 14 shtator 2013 në lagjen Nr.3 në Durrës, tronditi mbarë opinionin publik. Ajo u gjet në garazhin e banesës së saj, një vit pasi grupet kriminale i kishin vrarë djalin.
Vrasja e saj mbeti e pazbardhur për disa vite, por rrëfimi i Dumanit mundi të hedhë dritë se kush e kërkoi vrasjen e Dedës dhe pse porositësi ishte i interesuar ta eliminonte.
Sipas Dumanit vrasjen e kërkoi Festim Qoli për shkak se Fatmira Deda po e akuzonte publikisht si vrasës të djalit të saj Elvis Deda njohur dhe si Muharrem Habili, apo me nofkën “Loshja”.
Dumani ka përshkruar ngjarjen me detaje duke thënë se ekzekutimin e Fatmirës e kreu Talo Çela për 30 mijë euro.
Por duket se “krushqia e punëve të pista”mes Dumanit dhe Çelës do të merrte rrjedhë tragjike shtatë vite më vonë pas eliminimit të vëllait të këtij të fundit, nga Dumani.
Mëngjesin e 17 shkurtit 2020, Bujar Çela, vëllai i Talos, kishte dalë si zakonisht herët në mëngjes për të nisur ditën me punën e tij si taksist.
Ai u ekzekutua vetëm pak minuta pasi po konsumonte kafenë.
Dy persona të veshur me jelekë antiplumb dhe me kapele në kokë, iu afruan dhe e qëlluan ndërkohë që autorësinë do ta merrte përsipër vetë Nuredin Dumani, i cili dyshonte se Talo Çela ishte ekzekutori i mikut të tij Klevis Kapllani, ngjarje e ndodhur më 15 shtator në Rrogozhinë.
Dumani ka treguar se për të goditur Talon shfrytëzoi njëkohësisht hakmarrjen që i kishte porositur Erion Alibej. Ky e akuzonte Talon për vrasjen e vëllait, Endrit Alibej, ngjarje e ndodhur në Bradashesh më 28 dhjetor 2018.
Vrasja e vëllait të Erion Alibejt nxiti një cikël të dhunshëm vrasjesh të ndërsjellta mes grupit të tij dhe vëllezërve Çopja ku brenda një kohe të shkurtër u vranë 6 persona të tjerë.
Ekzekutimet tronditën Elbasanin, ku tashmë kishte një luftë të deklaruar mes grupeve rivale, dhe shkaku kryesor dyshohet se ishte prishja e pazareve të drogës.
“Vrasja e trefishtë, ku u vra Endrit Alibej […] provohet përtej dyshimit të arsyeshëm se është kryer nga kjo organizatë kriminale [e vëllezërve Çopja] dhe se qëllimi i kësaj vrasje ka të bëjë me konkurrencën për zotërimin e tregut të kokainës. Vrasja […] u pasua me urdhërimin e vrasjeve […] të të afërmve,” u tha në njoftimin e datës 1 gusht nga SPAK.
Sipas dosjeve hetimore përplasja mes dy grupeve Alibej-Çopja dyshohet se ka nisur në Britaninë e Madhe pas zhdukjes së rreth 50kg kokainë. Kjo solli që me kalimin e kohës të përshkallëzonte një konflikt me viktima të shumta.
Erion Alibej, njohur si “Krymi”, u arrestua më 18 shtator 2020 në Elbasan, si porositës i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regers Runajt.
Ai dyshonte se Ramazani dhe Runaj ishin ekzekutorë apo ndihmës në vrasjen e vëllait të tij Endrit Alibej.
Në dëshminë e tij për llogari të autoriteteve belge, të cilat hetonin vrasjen e Ardit Spahiut, ndodhur më 28 nëntor 2020 në Bruksel, Krymi ka shprehur dyshimin se për këtë ngjarje ishte investuar grupi i vëllezërve Çopja.
Ai dyshonte se ekzekutimi i Spahiut erdhi pasi ky i fundit kishte informacione se kush ishte familja që po investonte në ezkekutimin e grupit të tij.
“Me sa më ka thënë Arditi, dhe në biseda vërdallë, flitet për miliona euro për vrasjet me pagesë. Franc Çopja është më i vogli, nga tre vëllezërit, por më i rëndësishmi pasi ka lidhjet me bizneset e lëndëve narkotike” – shprehej Alibej.
I vetmi që ndodhet sot pas hekurave për vrasjet e shumta të ndërsjellta mes bandave është Erion Alibej dhe bashkëpunëtori tashmë i drejtësisë Euglen Halili.
*Version i rishikuar nga autori. Punuar dhe botuar më parë për Shteg.org – Projekt i Rrjetit për Rraportimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri – Të drejtat e ribotimit i përkasin vetëm autorit dhe “RRKOKSH”.