Lufta mes klaneve: Atentati që mori katër jetë në Shkodër

Arlind Bushati (32) dhe Hamza Lici (23) u vranë më 30 tetor teksa po lëviznin me makinë në “Rrugën e Tuzit” në Shkodër. Atentati u mori jetën edhe dy kalimtarëve. Policia dyshon se ngjarja ka lidhje me përplasjet mes grupeve kriminale.

Si ndodhi atentati

Hamzai dhe Arlindi u qëlluan nga një makinë e lartë, tip Range Rover, e cila i kishte ndjekur në distancë. Atentati ndodhi rreth orës 15:50 në lagjen Dobraç rreth dy kilometra në veri të qytetit të Shkodrës.

Sapo makina e tyre Mercedes Benz, tip S-Class me targa kroate, kaloi një pikë karburanti me drejtim rreth-rrotullimin e “Pesë Heronjve të Vigut”, vijuan të shtëna – një dinamikë që shkoi përtej objektivit të atentatorëve. 

Në atë kaos, makina e tyre u përplas me motoçikletën e çiftit Bashkim (67) dhe Flutura Basha (56), të cilët, pa e kuptuar, u gjendën mes atentatit. 

Hamzai dhe Flutura ndërruan jetë në vend, ndërsa Arlindi dhe Bashkimi vdiqën në spital.

Dëshmitë nga vendngjarja dhe dyshimet e para

Tri orë pas ngjarjes, Range Roveri i atentatorëve u gjet duke u djegur në Golem, rreth 5 minuta me makinë larg vendit ku u krye masakra.

Policia dyshoi se, për të humbur gjurmët dhe prishur provat, autorët – të dyshuar se janë Izmir Sakica dhe Samuel Troshani – e spërkatën makinën me acid e më pas i vunë zjarrin.

Sidoqoftë hetimet nxorën si informacion faktin se makina ishte vjedhur më 19 prill në Durrës dhe se organizatorë të atentatit mund të kenë qenë të paktën pesë persona.

Ndërkohë pranë Mercedes-Benzit, në vendngjarje, u gjetën rreth 30 gëzhoja, kjo dhe fakti se brenda u gjetën tre pistoleta, sugjerojnë se pas përplasjes ka pasur shkëmbim zjarri.

Autoritetet dyshojnë se në makinë mund të ketë qenë një person i tretë. Policia mendon se ai mund të jetë Ibrahim Lici (32), vëllai i Hamzait.

Një video e përhapur në rrjetet sociale e përforcon këtë dyshim – një person i veshur me të zeza u pa duke nxjerrë trupin e Hamza Licit nga makina. Ai shfaqet i gjakosur duke vrojtuar anëve të rrugës me gjasë në pritje të dikujt që mund të ketë qenë duke ardhur për ta marrë.

Krahasime me fotografi të mëparshme kanë nxitur mediat të raportojnë se personi në fjalë mund të ketë qenë pikërisht Ibrahim Lici.

Makina e përdorur nga autorët e vrasjeve.

E shkuara e errët

Arlind Bushati – djali i Xhemal Bushatit, kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet e pjesshme vendore që u mbajtën në Shkodër më 6 mars 2022 – rezulton të jetë kërcënuar me jetë përpara atentatit.

Më 10 tetor, tre javë përpara vrasjes, ai u kanos me armë teksa ishte me shoqërinë në një lokal në shëtitoren e Shkodrës. 

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 kur dy persona të paidentifikuar iu afruan me motor e më pas njëri prej tyre i drejtoi pistoletën, por pa shtënë. Rasti u fiksua nga kamerat e lokalit dhe Bushati e denoncoi në polici.

Autoritetet dyshojnë se ngjarja mund të ketë lidhje me këtë episod, megjithatë, Bushati nuk ishte i vetmi objektiv i mundshëm. 

Familja Lici, njohur për lidhjet me familjen Kulla, përflitet të jetë në konflikt me familjet Bilali dhe Bajri. Konflikte të cilat dyshohet të kenë shkaktuar rreth 15 të vrarë në Shkodër që nga viti 2017.

Një histori hakmarrjesh – ku zanafillë konsiderohet atentati i dështuar me bombë ndaj Lulzim Kullës – duket se është kthyer në zinxhir vrasjesh e përplasjesh mes grupeve rivale.

Familja e Hamza Licit ka një të shkuar të errët: babai i tij, Mustafa Lici, ka udhëhequr partinë “Mendimi i Djathtë Liberal” dhe ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës (2015-2019). 

Më 10 gusht 2018, ai humbi të vëllanë, Fatbardh Licin (53), i cili u vra në lagjen Kiras teksa pinte kafen e mëngjesit. Fatbardhi kishte qenë i dyshuar për një vrasje të ndodhur shtatë vite më përpara.

Edhe vëllezërit e Hamzait rezultojnë të përfshirë në ngjarje kriminale – vëllai i madh, Muhamedi, është dënuar me 13 vite burg për gjobëvënie, ndërsa Ibrahim Lici është përfolur për vrasjet e Brahim dhe Astrit Bilalit (2019), dhe Endri Mustafës (2021), ndonëse ai ka mohuar çdo lidhje.

Për qytetarët e Shkodrës, atentati i 30 tetorit është një tjetër moment i frikshëm në një qytet të lodhur nga përplasjet e vazhdueshme të grupeve kriminale, një luftë e pafund në hijet e qytetit që kërkon më shumë se një zgjidhje të përkohshme.

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.