Kryeministri Edi Rama ka nxitur një diskutim publik, i cili në pamje të parë duket teknik:
A mundet një gjykatë ta pezullojë Kryeministrin nga detyra?
Shkak për këtë është bërë vendimi i Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion që vendosi pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si masë sigurimi gjatë hetimit penal për abuzime me tenderët.
Qeveria reagoi duke u ankuar në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se vendimi cenon ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e qeverisë. Por teksa Kushtetuesja nuk arriti të shprehej konkretisht për çështjen duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së, qeveria ka ndërmarrë një hap tjetër: Po ndryshon Kodin e Procedurës Penale.
Sipas draftit të paraqitur këtë javë, masa e pezullimit nga detyra nuk do të zbatohet më për: Kryeministrin, ministrat, zëvendëskryeministrin dhe zyrtarë të tjerë të lartë si Presidenti, Avokati i Popullit apo Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Pra pyetja nuk është më vetëm juridike. Është politike dhe kushtetuese: Me këtë nismë, mbrohet institucioni, apo individi?
Së pari, duhet ta sqarojmë se pezullimi nuk është dënim. Nuk shpall fajtor askënd. Është një masë e përkohshme që gjykata e përdor kur dyshon se një zyrtar, duke qëndruar në post, mund të: intimidojë dëshmitarët, ndërhyjë në prova ose përdorë pushtetin për të penguar hetimin.
Pra logjika është e thjeshtë, pezullohesh jo se je fajtor, por pikërisht sepse je me pushtet dhe përmes pushtetit mund të ndikosh te hetimet.
Kryeministri deklaroi se një gjë e tillë nuk ndodh në Evropë, se një prokuror apo gjykatës nuk mund të ndalojë një ministër të ushtrojë detyrën.
Edi Rama: Nuk mjaftoi fakti që nuk ekziston asnjë rast i vetëm në Evropë, në historinë e demokracisë, një i vetëm, ku të jetë pezulluar një anëtarë i qeverisë nga një prokuror dhe një gjykatës….
Sigurisht, në demokracitë perëndimore ekzistojnë mbrojtje procedurale për ministrat: autorizim parlamenti, gjykata speciale, procedura të veçanta. Por nuk ekziston një parim që gjykata të mos ketë asnjë mjet për të kufizuar një ministër apo zyrtar të lartë gjatë hetimeve penale.
Ky është një standard që zakonisht kritikohet në raporte ndërkombëtare për shtetet me demokraci të dobët si Rusia dhe Turqia.
Në demokraci funksionale dhe shtetin e së drejtës, pushteti politik kontrollohet nga drejtësia. Nëse drejtësia nuk mundet ta kufizojë pushtetin gjatë hetimeve, atëherë drejtësia kthehet formale dhe slogani i barazisë para ligjit bie përgjithmonë.
Por çfarë ndryshon me ligjin e ri të qeverisë Rama? Gjykata mund të hetojë, por jo të zhveshë nga pushteti zyrtarët e lartë që po heton. Me fjalë të thjeshta: Kryeministri po na thotë se nëse nesër do të jetë nën hetim penal, jo vetëm që mund të mos dorëhiqet, por me këtë nismë ligjore do të jetë i sigurt ta vazhdojë punën.
Sigurisht, hetimet mund të vijojnë ndaj tij, por ai do të vijojë të drejtojë administratën që hipotetikisht prodhon dhe mban provat kundër tij.
Kjo nuk është thjesht çështje interpretimi ligjor. Është ndryshim i balancës së pushteteve.
Ndaj qeveria po e fokuson debatin te pyetja: A ka të drejtë një gjykatë të pezullojë një ministër? Ku në të vërtetë pyetja reale që duhet bërë është: A duhet që një zyrtar i dyshuar për vepra penale të vazhdojë të ushtrojë detyrën?