Siç kam analizuar në postimet e tjera, me anë të “heroit” Hoxha, Sigurimi i Shtetit krijoi mitin e tij. Mit i cili edhe pas vdekjes së “heroit” vazhdoi të mbetej mes nesh. Ngjarjet e vitit ’97-të e tregojnë më së miri këtë aspekt. Në këto ngjarje më shumë se fakte, mund të gjejmë fakt-ngjarje që madje tregojnë qartë edhe pasojat që ka lënë ky mit në psikikën sociale. Viti ’97, ishte viti kur vendi do të kalonte një turbullirë e cila do të shkaktonte rënien e Shtetit, vendosjen e anarkisë dhe mbizotërimin e terrorit.
Pa i hyrë shumë historisë sesi dhe pse ngjau, periudha shkurt-mars e këtij viti ishte periudha në të cilën “të gjitha kategoritë e njerëzve” shfrynë dufin e tyre kundrejt Shtetit, harruan për një moment frikën dhe vollën vrerin e një brezi të tërë (atij brezi që kishte përjetuar traumat e diktaturës) në sy të gjithë sistemit, të cilin jo vetëm që e akuzonin për vjedhje por edhe për zhdukje njerëzish. Por megjithëse Shteti kishte rënë dhe njerëzit ishin armatosur, mes bandash dhe të fortësh lagjeje qëndronte frika e SHIK-ut (Shërbimit Informativ Kombëtar, krijuar në vitin 1991 si rezultat i reformimit të ish-Sigurimit të Shtetit). Ngjarjet në Vlorë, Elbasan apo dhe në Lushnje do të tregonin qartë paranojën që vazhdonte të ekzistonte mes njerëzve nga policia sekrete.
Tre gazetarë, Frrok Çupi, Mero Baze dhe Blendi Fevziu dëshmojnë në librat e tyre për këtë frikë. Fevziu në librin e tij “100 Vjet”[1] duke përshkruar ngjarjet e Vlorës, ndodhur në shkurt të atij viti, ku 50 studentë u futën në grevë urie për të kërkuar rikthimin e parave por edhe rrëzimin e Qeverisë, thotë se “…u hapën fjalë që SHIK-u do të vinte atë pasdite për t’i nxjerrë forcërisht nga greva. Mes tyre, frika nga SHIK-u kthye në paranojë…” Ai shton më tej se “…në mbrëmje u hap fjala se një furgon i bardhë pati marrë peng 2 studentë dhe më pas qe futur në godinën e SHIK-ut…” Pas këtyre fjalëve Fevziu shkruan se njerëzit ju drejtuan godinës duke e mësyrë. Viktima të mësymjes do të ishin 3 efektivë, ku njëri prej tyre u masakrua me sëpatë në sy të turmës. Kjo dëshmi e kësaj ngjarje tregon realisht mitin e krijuar të këtij institucioni të cilin shqiptarët e njohin vetëm si polici terrori. Fevziu thotë se asnjëherë nuk u identifikua ndonjë furgon i bardhë, asnjëherë nuk u vërtetuan studentë të marrë peng, duke nënvizuar faktin se gjithçka ishte fryt i paranojës.
Mero Baze në librin e tij “Viti ’97” sjell intervistën kryer me një ish-efektiv të SHIK-ut në Vlorë, intervistë që flet për sulmet që iu bënë këtij institucioni, dëshmon akoma më qartë këtë paranojë, Kadri Rrapi[2] në intervistë thotë “…të gjendur në errësirë ata kontrollonin zyrat me rrallë dhe kur dilnin e merrnin njëri-tjetrin për të SHIK-ut dhe ndodhte që përplaseshin mes tyre… nga të tilla përplasje pati dhe të plagosur…”. Rrapi flet dhe për fjalët e përhapura se SHIK-u me urdhër të Tiranës, do t’i nxirrte forcërisht studentët nga greva duke ndërhyrë në Universitet. Ai thotë se ishin aq pak efektivë në Vlorë saqë “…jo studentët që nuk i nxirrnim dot, por as deri tek ata nuk arrinim edhe sikur të kishin qoftë dhe vetëm dy roje…”.
Miti i Sigurimit pra kishte pllakosur në të gjithë ata njerëz që morën pjesë në ngjarjet e atyre ditëve. Frrok Çupi përcjell një ngjarje tjetër, dinamika e së cilës tregon akoma më shumë delirin e turmës si pasojë e këtij miti. Në librin “Vlora ’97” Çupi tregon se turma kishte “zënë gjallë” dy efektivë të SHIK-ut. “…Djemtë kanë kapur dy burra dhe thërrasin: Janë spiunë, janë spiunë. Janë të SHIK-ut…”[3] Neveria e llahtarshme e shprehur ndaj efektivëve dëshmon veçse besimin që ata kanë pasur tek miti i këtij institucioni.
Kjo është panorama e qartë e atyre ngjarjeve të cilat u dominuan nga instinktet e frikës dhe veprimet që rrodhën si pasojë e këtyre instinkteve lidheshin me besimi se Shteti kishte ende të njëjtën agjenturë, të njëjtën polici sekrete dhe të njëjtin potencial ndëshkueshmërie si ai i regjimit të Hoxhës. Pra ende besohej miti i Sigurimit.
[1]Blendi Fevziu – 100 Vjet fq.286
[2]Mero Baze – Viti ’97 fq.361-369
[3]Frrok Çupi – Vlora ’97 fq.64