Sigurimi i Shtetit dhe shoqëria shqiptare.

Fillesa e Sigurimit të Shtetit daton vitin 1943, kur më 20 korrik Këshilli i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar vendosi krijimin e organeve të tij. Gjatë viteve të luftës (por edhe më pas) ky organ u përdor siç thotë Ngjela në një mënyrë mafioze[1] për “larje hesapesh”. Enver Hoxha e kishte shumë mirë parasysh atë çka kishte marrë përsipër të kryente, e në fakt ajo çka ngjau në fund të vitit 1944 fatkeqësisht ishte vetëm fillimi. Radiogrami i mëposhtëm dërguar Dali Ndreut (i cili po kryente “spastrimet” në veri) tregon qartë “filozofinë e ndëshkueshmërisë” së atyre që do të cilësoheshin “armiq të popullit”:

Të organizohen burgjet dhe fushat e përqendrimit dhe të burgosen të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me okupatorin dhe të ekzekutohen në vend. Të gjithë robërit të mblidhen në fushën e përqendrimit, të mos bëhen arrestime në masë sepse veprime të tilla trembin popullin. Bëni kujdes! Kapni, arrestoni dhe ekzekutoni njerëz me ndikim që të bëhen shembull për të tjerët. Këta bëjnë përshtypje në popull.”[2]

Regjimi që do të ndërtonte Hoxha, deri në fundosjen e tij, do të numëronte plot 39 burgje dhe 70 kampe përqendrimi[3] struktura këto që “mbusheshin” nga aktiviteti i Sigurimit të Shtetit. Aktivitet ky i institucionalizuar, në fillim me urdhër dhe ndihmë të Jugosllavëve, më pas me vetë “vullnetin” dhe “psikikën” e Hoxhës. Institucioni i Sigurimit asnjëherë nuk ngjau të ishte një institucion i thjeshtë, siç thotë Ngjela[4] ky institucion ishte një shkollë e vërtetë, shkollë sovjetike e policisë sekrete, polici që madje për 15 vite ishte e aftë të kooperojë me KGB-ën ruse. Ngjela e përshkruan kështu aktivitetin e Sigurimit: “…kjo polici u bë një thertore e mendjes shqiptare. Me njerëz të dyshimtë, mundësisht perversë, ajo u identifikua me terrorin dhe krimin…”. Që në operacionet fillestare, sigurimi do të krijonte thyerjet e para jo vetëm në sjelljet por edhe në zakonet, veçoritë karakteristike dhe deri tek instinktet individuale të shqiptarëve. Kjo ndodhi ngaqë Sigurimi drejtonte jo vetëm hetimin, ndjekjen, përgjimin, persekutimin por edhe gjykimin e personave të cilët përfshiheshin në dosjet e tyre, pra ishte organi monopol i përdhunës së justifikuar me të ashtuquajturën “drejtësi popullore”. Ndaj përshkrimi i Ngjelës është i goditur, vërtetë “një thertore e mendjes shqiptare”, sidomos kur marrim në konsideratë shtrirjen e kufijve të terrorit që Sigurimi kishte përhapur, aq saqë edhe në shkaqe natyrore, (përmbytje, thatësira, epidemi), “nxirrej një fajtor”, i cili ngarkohej me çdo faj dhe më pas persekutohej, burgosej ose pushkatohej.

Nëse i rikthehemi “shembullit” për të cilin bën fjalë Hoxha në radio-gramin dërguar Dali Ndreut (në 1944-ën), ai “shembull” është tjetër gjë krahasuar me “shembullin” që do t’i jepej “popullit” në vitet në vazhdim, për këtë, “shembull” do të bëhej edhe vetë Ndreu. “Spastrimi” dhe fushata e përndjekjes edhe në radhët e Partisë ishte ajo çka do i tregonte më së miri vendin qytetarëve të thjeshtë, të cilët përballë kësaj kasaphane do të kuptonin se “nuk llogariteshin fare”. Vetë Dali Ndreu dhe gruaja e tij Liri Gega, (që të dy eksponentë të lartë të luftës partizane, ndërsa vetë Gega ish-antare e Byrosë Politike) do të arrestoheshin dhe do të pushkatoheshin në vitin 1957-të. Liri Gega u pushkatua edhe pse ishte shtatzëne, ky fakt tronditi jo vetëm nomenklaturën komuniste në Shqipëri, por edhe Moskën, ku siç thotë Ngjela, menjëherë pas lajmit të pushkatimit të Gegës, Hrushovi do ta thërriste Hoxhën urgjent në Moskë, për t’i thënë se “vrasja e një gruaje shtatzëne është një krim i shëmtuar që nuk ka ndodhur as në kohën e Carit”.[5]

Këto vrasje që Hrushovi thoshte se nuk kishin ndodhur as në kohën e Carit, fatkeqësisht do të vazhdonin të ndodhnin edhe për shumë vite. Të tjera fakte tronditëse me aktor kryesor Sigurimin e Shtetit, që nxjerrin në pah gjëmën e madhe përballë së cilës “populli ishte spektator”, janë ekzekutimet e Ministrave të Brendshëm, “spastrimi i spastruesve”[6], siç i quan Arshi Pipa në librin e tij “Stalinizmi shqiptar, aspekte ideologjike”. Përgjegjësit direkt të spastrimeve, ata që morën urdhra direkt për spastrime nga Hoxha, pra Ministrat e Brendshëm: Haxhi Lleshi (1944-45), Koçi Xoxe (1945-48), Nesti Kerenxhi (1949), Mehmet Shehu (1949-50; 1951-54), Tuk Jakova (1950-51), Kadri Hazbiu (1954-78), Feçor Shehu (1978-82), që të gjithë “u spastruan” pa përjashtim, me po urdhër direkt të Enver Hoxhës. “Spastrimi i spastruesve”, rezultoi të ishte një rregull absolutisht i veçantë në Shqipëri. Shtatë Ministra të brendshëm “u spastruan”, katër prej tyre u ekzekutuan, apo u shtynë që të kryenin vetëvrasje, (ky numër i Ministrave bëhet 8-të nëse këtu fusim edhe Beqir Ballukun, i cili pas 22 vitesh në krye të Ministrisë së Mbrojtjes do të pushkatohej si tradhtarë). Ky është një rekord absolut krahasuar me rekorde të tilla që do të identifikonin qenien unike të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, që do të bëhej dhe Shteti i parë në Historinë Botërore, që do të deklarohej si “shtet-ateist”.

Por tjetër makabritet që do të trondiste “popullin” shqiptar do të kuptohej pas vitit 1983 gjatë gjyqit të ish-Ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut. Dëshmia e Hazbiut do të tregonte se çfarë sjellje u rezervonte Sigurimi i Shtetit trupave të të ekzekutuarve. I pyetur nëse dinte se ku qenë varrosur Beqir Balluku, Hito Çako dhe Petrit Dume, Balluku do të përgjigjej:

Atë e di si vend, por jo si pikë ekzakte. Këtë e di, sepse u interesova që të bëhej e pamundur gjetja e kufomave të tyre sido që të ndodhte, sepse kështu ishte dhe porosia…”[7]

Më pas i pyetur nëse ishte interesuar më për varret e tyre, Hazbiu do të përgjigjej:

Jam interesuar, me sa kujtoj, pasi kam shkuar si Ministër i Mbrojtjes para vetëvrasjes së tradhtarit Mehmet Shehu, kam biseduar me tradhtarin Feçor Shehu në telefon dhe e kam porositur që të shikonte nëse ishin dekompozuar kufomat e tradhtarëve që ishin ekzekutuar në vitin 1975-së. Mbas disa kohësh tradhtari Feçor Shehu më njoftoi se kishin shkuar dhe kishin hapur varret e dy sabotatorëve, që ishin ekzekutuar e ishin varrosur në rajonin e Tiranës, të cilët sipas Feçorit nuk ishin dekompozuar. Ai më tha se kishin hedhur në varr klor ose acid, nuk më kujtohet mirë, për të shpejtuar shpërbërjen e kufomave. Me të e lamë që hapja e varreve të puçistëve të bëhej mbas një kohe. Këtë interesim unë e kam treguar sepse doja që, pasi të dekompozoheshin kufomat e tyre, eshtrat t’i zhvarrosnim nga vendi i parë dhe t’i varrosnim në një vend tjetër për të bërë të pamundur gjetjen e tyre, sepse kështu e kishim porosinë…”[8]

Janë këto disa nga faktet e shumta të veprimtarisë së Sigurimit, të cilat tregojnë se çfarë natyre kishte aktiviteti i këtij organi. Përballë këtij aktiviteti “populli spektator” do të ishte veçse i strukur, asnjëherë as në tentativë reagimi. Pipa thotë se në këtë mënyrë komunizmi krijoi një “kope skllevërish”[9]. Të mbërthyer nga frika përballë përvojave të tmerrshme që shiheshin t’u ngjante të tjerëve përreth, shqiptarët u vunë përballë dy alternativave: ose të nënshtroheshin, ose të ndëshkoheshin. Në këtë mënyrë me anë të Sigurimit të Shtetit komunizmi shkaktoi (me të nënshtruar) një psikologji të egërsisë dhe torturës, futi me forcë një kod etik që i ktheu fëmijët në spiunë të vetë prindërve të tyre, i dha një grusht unitetit kombëtar, krijoi ndasinë jug-veri, përçau shoqërinë duke krijuar krahas të ashtuquajturës “lufta e klasave”, edhe përndjekjet shoqërore nën etiketat e ndryshme (kulakë, oportunist, sabotator, trockist, agjent i imperializmit etj), kjo gjë më vonë u nxit të bëhej edhe nga vetë “populli” me fletë-rrufetë e famshme.

Kështu shkrimet e autorëve të ndryshëm për Shqipërinë, të cilët thuajse njëzëri patën pranuar instinktin e fortë shqiptar të lirisë, vlerësimin e lartë për atë çka ishte e guximshme dhe heroike, mbajtjen e fjalës së dhënë, kodin e ashpër të jetës familjare ku kryetari i familjes kishte autoritet të plotë dhe që shtëpia e çdo shqiptari konsiderohej një strehë për mikun, u bënë shkrime për një të shkuar të largët, pasi realiteti që diktoi Sigurimi i Shtetit ishte krejt tjetër gjë.

[1]Spartak Ngjela – Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare fq. 185

[2]Blendi Fevziu – Enver Hoxha fq. 143

[3] Blendi Fevziu – Enver Hoxha fq. 11

[4]Spartak Ngjela – Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare fq.194-195

[5] Spartak Ngjela – Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare fq.198

[6] Arshi Pipa – Stalinizmi shqiptar, aspekte ideologjike fq 155

[7] Blendi Fevziu – Enver Hoxha fq.291

[8] Blendi Fevziu – Enver Hoxha po aty

[9]Arshi Pipa – Stalinizmi shqiptar, aspekte ideologjike fq. 89

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.