Nuk ka gëzim më të madh sesa pritja për t’u bërë prind, e sidomos për femrën që për arsye biologjike ka edhe një marrëdhënie më të fortë me fëmijën. Por çfarë ndodh kur këto arsye biologjike nuk e mundësojnë dot lindjen e një fëmije? E sigurt është se kurrsesi nuk ja largon një femre dëshirën për t’u bërë nënë. “Shekulli”-it iu drejtua një vajzë, së cilës dëshira për t’u bërë nënë nuk i ishte mposhtur, pavarësisht fatkeqësive që kishte kaluar. A.B i shkroi “Shekulli”-t se kërkon që të bëhet nënë, por me një procedurë që për Shqipërinë nuk njihet shumë, të paktën për opinionin e gjerë (jo shëndetësor). Procedura në zhargonin popullor është pagëzuar si “nënë me qira”, apo “nënë zëvendësuese” (surrogate). Ajo është një procedurë e riprodhimit mjekësor të asistuar, ku konceptimi “in vitro” i një çifti, që nuk mundet të bëjë fëmijë, lindet nga një femër tjetër. Kjo praktikë është mjaft e njohur në Shtetet e Bashkuara, por pothuajse e padëgjuar për opinionin dhe ligjin shqiptar.
Pikërisht këtë aspekt kërkon që të nxisë për diskutim A.B, e cila në dëshirën për t’u bërë nënë “është e gatshme të paguajë çdo çmim”. Historia e saj fillon në momentin kur e kuptoi se nuk mundte të bënte fëmijë. “E kisha dëgjuar shpesh, por asnjëherë nuk e dija që do të vinte momenti, që do ta përjetoja një gjë të tillë. Gjithçka nis këtu e pesë vite më parë. Dita më e bukur e jetës kur duhet të lindja fëmijën tim, u kthye në më të hidhurën, atë që do të mbahej mend gjatë. Jam ndër të paktat femra në Shqipëri që nuk e kam mundësinë për t’u bërë nënë, të paktën në rrugë natyrale. Një gabim mjekësor që vuri në pikëpyetje jetën time dhe mori atë që për shumë kohë e prisja (5 vite përpjekje). Tashmë jam në një udhëkryq”, tregon ajo për “Shekulli”-n. Por edhe pse përjetoi një moment të rëndë, dëshira për t’u bërë nënë, A.B-ës nuk iu shterua, përkundrazi iu bë më e madhe në momentin kur mësoi se për t’u bërë nënë kishte një mënyrë edhe për të.
“Përpara një viti, gjatë një bisede me një mjek, krejt rastësisht zbulova që unë kam një mundësi për t’u bërë nënë”, thotë ajo. “Nëna zëvendësuese (surrogate). Është e vetmja mënyrë që unë të kem fëmijë”. Por këtu nis beteja e vërtetë për A.B-ën, aspekti ligjor, ana mjekësore që mjekët nuk marrin përsipër ta mbulojnë dhe ana financiare, që si për çdo gjë kushton. “Shqipëria nuk parashikon në asnjë ligj aplikimin e kësaj metode, por edhe e ndalon”, thotë A.B. “Ndërkohë asnjë mjek me të cilët kam komunikuar nuk e merr përsipër ta kryejë këtë proces, i cili është thuajse i njëjtë me ‘fekondimin in vitro’. Shumë më thonë të marr leje te Ministria e Shëndetësisë, por burokracia në këtë institucion bën që unë të mos kem kujt t’ia parashtroj kërkesën. Gjithsesi, unë jam e vendosur ta bëj një gjë të tillë. Me çdo çmim. Duke mos llogaritur koston financiare, e cila është e papërballueshme për një çift me pagë mesatare”. A.B tregon se edhe pse kjo mundësi për të është parë si goxha shpresëdhënëse, mentaliteti me të cilin është përplasur nuk e ka ndihmuar shumë.
“Që kur mora vesh këtë mundësi, kam kërkuar pa fund një grua që ta marrë përsipër këtë barrë për mua. Kam pyetur persona pa fund, madje jam treguar e gatshme edhe t’i paguaj, por deri më tani, askush nuk më ka ndihmuar. Për shkak të mentalitetit të ulët, asnjë femër apo mashkull që mund të ketë në krah, nuk arrin ta perceptojë idenë e të mbajturit për nëntë muaj një fëmijë që ka gjakun e një tjetri (fëmija ka gjene të prindërve, jo të gruas që mban shtatzëninë). Në shumë vende të botës, me aq sa kam lexuar, kjo është thjeshtë një punë. Madje, me më shumë fitime nga ç’mund të merren nga një zanat i zakonshëm. Por jo. Edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila në vend që të parashikojë si të veprohet në raste të tilla, është një tjetër barrierë”. Më tej A.B thotë se mbetet e vendosur për t’u bërë nënë dhe në interesin e saj është krijimi i bazës ligjore, që këtë proces ta mund ta legjitimonte. “Ajo çfarë më intereson mua është krijimi i një baze ligjore, pasi kjo mund të sjellë probleme në të ardhmen. Unë jam e vendosur, përpos të gjitha rrethanave, ta realizoj diçka të tillë”.
Çfarë parashikon ligji shqiptar?
Shqipëria nuk ka asnjë ligj që e parashikon me saktësi “nënën zëvendësuese”. Por për herë të parë teknikat mbi riprodhimin nëpërmjet një personi tjetër me teknika “in vitro” janë përmendur në ligjin mbi shëndetin riprodhues, ligj ky i miratuar në vitin 2002 me dekret (asokohe) të Presidentit Rexhep Mejdani. Në ligjin në fjalë në “Nenin 43” parashikohet që për të përcaktuar specifikimet lidhur me “adoptimin surrogativ”, Ministri i Shëndetësisë detyrohet të nxjerrë akte të veçanta.
Mjekët shmangen
“Shekulli” u mundua të kontaktonte një gjinekolog në mënyrë që të tregonte nëse mundej që ky proces të realizohej në Shqipëri. Duke mos dashur që të prononcoheshin, nën zë mjekët treguan se procedura është e njëjtë me një procedurë e fertilizimit “in-vitro”, por që duhej rregulluar ligjërisht. Ndërkohë që mjekë të tjerë treguan se nuk kishin shumë informacion, pasi për të folur donin kohë që t’u riktheheshin librave. Nga ana tjetër po nën zë disa mjekë thanë se për këtë procedurë rastet i drejtohen vendeve fqinje, si Greqia.
Ilir Çumani: Kësaj procedure i duhet garantuar ana humane
Për të folur për aspektin ligjor të kësaj procedure “Shekulli” bisedoi me Ilir Çumanin, i cili në cilësinë e juristit tregoi në vendin tonë për “nënën zëvendësuese”, apo “nënën me qira” ka një hendek ligjor. “Nga pikëpamja ligjore në Shqipëri nuk ekziston asnjë mundësi, që një fëmijë i lindur nga një nënë të bëhet më pas fëmijë i dy prindërve të tjerë, përveçse me procedurën e birësimit”, shprehet në cilësinë e juristit, Ilir Çumani, që është njëherësh edhe drejtor i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve. Teksa arsyeton opinionin e tij, Çumani thotë se në këto raste mund të kemi të bëjmë edhe me shkelje të të drejtave të fëmijëve, pasi “fëmija trajtohet si plaçkë”. Ndërkohë ai thotë se ligji shqiptar është i vakët në këtë drejtim, edhe nuk parashikon një marrëdhënie të tillë. “Duhet kuptuar se për këtë çështje kemi një hendek ligjor”, thotë Çumani, i cili tregon sesi mund të ishte në gjykimin e tij procedura që do të garantonte të paktën “humanitetin”. “Mund të bëhej me një marrëveshje nga një çift, që për arsye të caktuara nuk mundet të bëjë fëmijë, me një të afërm ose qoftë edhe nëpërmjet një gruaje tjetër, e cila nëpërmjet procedurave të ‘in vitro’-s, të mbajë materialet gjenetike (vezët e fekonduara, ose embrionin) të këtij çifti…
Por kur ky fëmijë lind, do lindë pra nga një nënë, e cila regjistrohet në maternitet me emër dhe mbiemër dhe këtu ndihet hendeku ligjor. Që do të thotë se ky fëmijë do të duhet të kalojë në procedurat e birësimit. Duke e rregulluar me një marrëdhënie ose marrëveshje të plotë ligjore midis palëve që janë të përfshira. Mundet që kjo marrëdhënie mes çiftit që pretendon të bëjë një fëmijë dhe nënës që po e sjell atë në jetë të rregullohet. Të rregullohet përmes një akti juridik, që realizohet nga prezenca e një noteri, por që do të duhej prezenca edhe e një mjeku specialist, sikurse edhe e një eksperti të të drejtave të fëmijëve, kjo do ishte shumë e rëndësishme, në mënyrë që në këtë marrëdhënie të përjashtohet mundësia e shitblerjes së qenieve njerëzore, pra trafikimit, dhe që gjithçka të mbetet brenda një akti human. Legjislacioni në Shqipëri nuk e parashikon një gjë të tillë!”. Por më tej, teksa thotë këtë fjali Çumani kujton se duke mos e parashikuar legjislacioni, as nuk e ndalon: “Përderisa nuk ka ligj të shkruar, nuk ka as ligj që e kundërshton!”.
Yjet e “showbiz”-it, fëmijë nëpërmjet nënave “me qira”
Lindja e fëmijëve me nëna surrogate, thënë ndryshe zëvendësuese, është një trend “Hollywood”-jan, që është ndërkombëtarizuar gjithnjë e më tepër. Kjo “praktikë” është parë si zgjidhje nga disa aktorë të kinematografisë amerikane si: Robert De Niro, Giuliana Rancic, Elizabeth Banks, apo dhe Nicole Kidman, të cilët më pas u bënë një shembull për t’u ndjekur nga çiftet gay, sikundër janë aktorët Neil Patrick Harris dhe David Burtka, apo dhe këngëtari Elton John me David Furnish-in. Këta të fundit janë personat që kanë hapur dhe debatet më të shumta rreth kësaj çështjeje. Aktori i famshëm Robert De Niro është baba i 6 fëmijëve, nga të cilët 3 janë fëmijë të lindur nëpërmjet ndihmës së një nëne tjetër. De Niro 71-vjeçar dhe gruaja e tij e tretë, Helen Grace (59), kanë një vajzë 3 vjeçe, e cila erdhi në jetë nëpërmjet një nëne surrogate. De Niro, gjithashtu me të njëjtën “teknikë” ka dhe dy binjakë (19), të quajtur Julian dhe Aaron, të cilët erdhën në jetë në kohën kur ai ishte në marrëdhënien e tij të dytë.
Aktorja e njohur Nicole Kidman është gjithashtu një nga yjet e mëdha të “Hollywood”-it, që kanë zgjedhur këtë “teknikë”. 47-vjeçarja, Kidman, në martesën e saj të dytë, me këngëtarin australian Keith Urban, ka 4 fëmijë, 1 djalë dhe 3 vajza, nga të cilat më e vogla quhet Faith. Katër vite më parë, asaj i dha jetë një nënë zëvendësuese. Elizabeth Banks është një tjetër aktore, e cila zgjodhi që fëmijën e saj ta mbarste një nënë tjetër. 41-vjeçarja dhe bashkëshorti i saj, Max Handelman, katër vite më parë u bënë me një djalë, të cilin e quajtën Felix. Por shembujt e këtyre çiftesh aktorësh e kanë ndjekur edhe çifte gay. I pari ishte Elton John, i cili së bashku me partnerin e tij David Burtka është baba i dy djemve, katër dhe dy vjeç. Këngëtari i famshëm deklaroi se fëmijët e tij ishin ngjizur me një metodë “in vitro”, në një klinikë në Kaliforni dhe më pas ishte mbarsur nga një nënë “vullnetare”. E gjithë kjo procedurë nuk kaloi heshtur nga mediet, të cilat pretenduan se britaniku kishte paguar 20 mijë sterlina, duke nxjerrë në këtë mënyrë çështjen kaq delikate të “nënave me qira”. Tjetër çift gay-sh që është bërë me fëmijë në të tillë mënyrë është aktori Nail Patrick Harris, i cili së bashku me partnerin e tij, David Burtka, katër vite më parë u bënë baba të dy binjakëve, një djali dhe një vajze. Edhe Harris pretendoi gjithashtu se ngjizja e fëmijëve ishte bërë në një klinikë amerikane.
Turizmi i fertilitetit
Trendi i përhapur nga yjet e “showbiz”-it ka bërë që shumë shtete, të cilat kanë një kuadër ligjor më të zgjeruar dhe që e lejojnë riprodhimin me nëna surrogate, të përballen me një valë “turistësh” që vizitojnë vendet e tyre vetëm për këtë qëllim. Rusia, Ukraina dhe sidomos India, qëndrojnë ndër vendet më të preferuara. India mban vendin e parë për numrin e rasteve të trajtuara. Në këtë vend numri i klinikave është jashtëzakonisht i madh. Ato madje mundësojnë vetë edhe “nënat me qira”, të cilave në këtë shtet, ligjërisht nuk u njihet mëmësia. Për gjithçka ka një kosto financiare që është ligjërisht e pranueshme. Për shifra që variojnë nga 10 mijë deri në 35 mijë dollarë në këtë vend mund të bëhesh prind pa qenë nevoja, që gruaja e jote të mbetet shtatzënë. Ndërkohë që nga viti i kaluar ky shtet ua ka ndaluar këtë “shërbim” çifteve gay.
Publikuar te “Shekulli” më 23/01/2015