“Hamitologji – Pseudoteoritë, konceptet çapraz dhe plagjiaturat e Sabri Hamitit”, kështu titullohet libri i autorit, Sali Bytyçi. Në promovimin e këtij libri në Tiranë ishin të pranishëm, autori Sali Bytyçi, arkeologu dhe njëherësh krijuesi e studiuesi letrar Moikom Zeqo, studiuesi Behar Gjoka, zëvendësministri i kulturës në Kosovë Rexhep Hoti, sikurse dhe shkrimtarë dhe dashamirës të tjerë të letërsisë. Ky libër vjen si një kritikë ndaj mënyrës sesi ka trajtuar shumë vepra vetë Prof. Sabri Hamiti, pjesë të të cilit gjenden edhe në tekstet e shkollave të mesme. Autori, pretendon se Hamiti në disa vepra ka plagjiaturë dhe këtë thotë se argumenton më së miri, ndërkohë këtë mendim ndajnë edhe disa nga folësit që e promovuan këtë libër.“Libri i Sali Bytyçit është një nga librat e pakët që janë botuar në Shqipëri, në llojin e vet dhe është sui-generis”, kështu e cilësoi Moikom Zeqo librin e Bytyçit për plagjiaturat e Sabri Hamitit. “Ky libër duhet të marrë një karakter më të madh popullor, sepse çështja e plagjiaturës është një çështje katastrofike dhe nuk bën fjalë vetëm për Shqipërinë. Për shembull mund të them se shumë studime të mia të arkeologjisë, i kam parë në internet me emër tjetër, kjo është e turpshme dhe ky veprim i paturpshëm është jashtëzakonisht i gjerë dhe duhet ndaluar”. Zeqo në fjalën që mbajti gjatë promovimit të librit tha se e admironte guximin dhe kontributin e Sali Bytyçit, për këtë linjë. Ai u shpreh se “ky libër mund të bëhet jo vetëm për Hamitin, por dhe të tjerë që aplikojnë dhe veprojnë si ai”. Moikom Zeqo u ndal edhe te vlerësimet që i janë bërë këtij fenomeni. “Historia e veprimtarisë së tij që herë-herë bëhet shtetërore dhe akademike paraqet një gjendje të rëndë, një sëmundje të madhe, që për ta luftuar duhet vendosur ai lloj statusi që kërkohet, për sa i përket etikës. Unë do ta cilësoja librin si një libër të shkëlqyer, por që Hamitologjia duhej në thonjëza pasi… Dantologji, dantologjia nuk ishte ironike, kurse Hamitologjia është tepër ironike, kjo në aspektin e kritikës, që këtu te ne ndër shekuj ka qenë i rrallë. Mbase kritiku i madh vjen më rrallë sesa shkrimtari i madh. Ky libër prek në nerv gjendjen e rëndë të kritikës shqiptare. Një punë pionieri!”, u shpreh Zeqo. Ndërsa më herët zëvendësministrit Hoti, ndër të tjera, u shpreh se “nuk vjedhin vetëm shqiptarët, por për shqiptarët vjedhja është sikur të ishte vlerë autoriale, si pronë intelektuale, madje edhe mund të dekorohesh”. Studiuesi Behar Gjoka, tha se “libri ‘Hamitologjia’, para së gjithash, është një tekst shqyrtimor dhe verifikues, gjithnjë në gjurmim të plagjiaturës së kryer nga Sabri Hamiti, e cila është një hipotezë, që sipas qasjes së Bytyçit, e argumentuar.
Në interes të lexuesit të gjerë, që lexon librat përtej ngarkesave jashtë-letrare, është interpretimi që i bëhet dukurisë në fjalë, dhe jo shpallja e fajtorëve, kurse interesi i shkencës letrare, sidomos i akademizmit shqiptar, të titujve dhe librave, është zbardhja e së vërtetës dhe shmangia e pasojave që sjell kjo sindromë në studimet letrare dhe më gjerë”. Në kumtesën e mbajtur gjatë promovimit të librit Gjoka thotë se: “Lexuesi apo studiuesi i letërsisë, pra edhe i letrave shqipe, prej kohësh është vënë në përballje me tekstet e Hamitit, letrare dhe studimore, si dhe tashmë me tekstin e Bytyçit, që mëton, analizon dhe konkludon se kemi të pranishme edhe plagjiaturën në disa tekste të Hamitit”. Libri i Sali Bytyçit, përpos të tjerash, sipas Gjokës, vë në qendër të vëmendjes, gjithnjë sipas shqyrtimit studimor dhe krahasimtar, plagjiaturën e Sabri Hamitit, parë dhe verifikuar në librin Tematologjia, si dhe nënvizon idenë e riciklimit të mendimit të shtjelluar prej tij për At Zef Pllumin. “Kuptohet që, plagjiatura, si akt i cenimit të së drejtës së autorit, nuk është as e re, e as shqiptare, nuk është shpikur tani, madje, përgjithësisht ka bashkudhëtuar me lëvrimin e letërsisë, si dhe me verifikimin studimor, kudo në botë, por kudo tjetër institucionet dhe njerëzit e letrave, mbajnë qëndrim ndaj kësaj dukurie, ndërsa ne hezitojmë madje edhe të flasim me debat konstruktiv dhe shkencor”, u shpreh Gjoka, i cili në kumtesën e tij të gjatë u ndal edhe më tej në çështje më konkrete.
“Në përdorimin, në një pjesë të konsiderueshme të librit, të metodës së krahasimit të teksteve primare, të fjalorëve të ndryshëm, me tekstet studimore të autorit. Jemi përpara një libri që, pavarësisht dritëhijeve që vijnë nga skenat dhe prapaskenat tona, hap një trase tjetër në dobi të verifikimit letrar dhe studimor, qoftë edhe duke marrë një risk të sprovës kritike, që mbase nuk do të lëvrohet më tej. Jemi në situatën e përqasjes së teksteve të ndryshme, burimore dhe sekondare, të analizës së dukurisë jo thjesht sa për të gjetur fajtorin, por në një sipërmarrje për të prekur realitetin e studimeve letrare, me gjasë të deformimit të së drejtës së autorit, që vetëm argumentet, logjika faktike dhe koha do ta vërtetojë nevojën për të hapur një debat mbi gjendjen ku rreket të mbijetojë shkenca mbi letërsinë”.
“Asgjë personale me Hamitin, por për fenomenin që përfaqëson”
Autori Sali Bytyçi nuk foli shumë për librin. Ai theksoi se nuk kishte asgjë personale me profesor Sabri Hamitin, por vetëm për fenomenin, që ai përfaqëson. Bytyçi në fund tha se gjithçka do të gjykohet nga kritikët letrarë dhe ekspertët e kësaj fushe, ndërsa dha edhe disa shembuj se ku qëndronte plagjiatura e pretenduar. “Libri është fryt i përkushtimit tim ndaj shkencës dhe jo inatit tim, këtu merrem me fenomenin dhe jo individin, jo me autorin. Madje ka pasur raste kur disa miq më kritikojnë se jam i vakët dhe nuk jam tamam kritik. Unë jam përballur me argumentet dhe nuk kam kaluar përtej tyre. Më duhet të theksoj se me autorin e përmendur kurrë nuk kam pasur një raport personal, ndonjë inat… sepse ai i përket dhe një brezi tjetër. Por me veprat e tij kam patur të bëj kur gjatë një kohe kam punuar si arsimtar i shkollave të mesme dhe në punën tonë i përdornim librat e tij. Vazhdimisht, sidomos kur ishte fjala te letërsia e vjetër, përballesha në pasaktësi në librat e tij, në disa të dhëna, që ishin jo të sakta.
I krahasoja të dhënat e librave të tij sidomos për letërsinë e vjetër me të dhënat e librave të tjera ose me të dhëna e vetë autorëve, për shembull të Pjetër Budit, i cili thotë se asnjëherë nuk ka bërë studime të rregullta, ndërsa Sabri Hamiti thotë se Budi ka kryer studime të rregullta në Romë, tani kujt t’i besojmë autorit apo vetë Pjetër Budit. Kështu lindën shkrimet e para dhe unë vazhdova me teoritë e tij. Në librat teorik të tij jo rrallë ndeshim paragrafë me mendime gjeniale, pra të sakta, ndërsa më pas gjenden paragrafë që janë krejt absurde, dhe këtu dyshoja nëse është i njëjti autor i ka bërë të dyja. Më vonë kuptova se paragrafët logjika janë të marrë nga librat që ai (Sabri Hamiti) i shfrytëzonte. Përpara disa viteve në një shkrim timin pata shkruar se “ma gjeni një mendim të saktë në librat e Sabri Hamitit dhe unë do t’ju gjej ju se ku e ka marrë, ma gjeni një burim gjysmë të saktë dhe unë do ua gjej gjysmën tjetër, sikurse dhe pjesën e tij të shtuar”.
Pasi e kam konstatuar në disa momente plagjiaturat, i jam kthyer një teorie të mëhershme të Hamitit për të botuar në fund të viteve ’80, për kodet e mëdha të letërsisë shqipe. Këtë teori e kam krahasuar me teorinë e Northrop Frye dhe më ka rezultuar se kjo teori është e marrë nga ai. Kjo është plagjiatura më e madhe që ka bërë Hamiti, ku merr plotësisht një teori. Kjo është puna ime, janë apo jo të sakta këto që them unë, këtë do ta gjykojnë të tjerët jo unë. Ky libër promovohet në Tiranë, sepse pikërisht këtu në Tiranë u krijua edhe kulti i Sabri Hamitit, si studiues i madh i letërsisë dhe ndaj këtu duhet të diskutohet për të. Puna ime është përpjekje racionale për të larguar iracionalitetin që e mbart në këmbë ky kult”.
“Dikush e vlerësoi Hamitin, nuk hidhet lehtë poshtë”
Kur fjala u kaloi të pranishmëve, mes tyre ndër më të veçantët ishte Adem Rama, një mësues, i cili edhe gjatë fjalëve të të ftuarve u përpoq të ndërhynte dy herë. Rama ishte disi më i matur dhe ngriti me shqetësim faktin se paçka se mund të jetë e vërtetë se Hamiti ka përdorur plagjiaturë në veprat e tij, dikush e ka vlerësuar përderisa ai mësohet edhe në shkolla. Më tutje i moshuari tha me nota patriotike se në njëfarë mënyre duhet shmangur përplasja dhe ndasia mes akademikëve, duke përmendur këtu sidomos përplasjen mes Qoses dhe Kadaresë. “Erdha sapo dëgjova që ishte Sali Bytyçi autor”, tha Adem Rama, mësues i “Gjuhë-Letërsisë”, i cili kërkoi të nënvizonte diçka disi më të moderuar nga shumë prej të pranishmëve të tjerë.
“Vetë jam fis i Bytyçve, pra pak a shumë kam një prejardhje. Kam mbaruar studimet në vitin 1968 dhe mësues kam qenë në Durrës. Për librin nuk është se mund të them ndonjë gjë, sepse më parë duhet ta lexoj, por unë kam dhënë mësim edhe në shkollë të mesme dhe Sabri Hamiti ka qenë i pranishëm, edhe në ato librat e shkollave tona…, por tani këto tekste i ka hartuar dikush, ka qenë një komision që i ka shqyrtuar ato dhe ne nuk mund ta hedhim poshtë kaq lehtë. Nuk po e mbroj, nuk po mundohem ta bëj këtë gjë. Domethënë, unë nuk kam si të flas me veprën e këtij (Sali Bytyçit), pa e krahasuar edhe me librat e Sabri Hamitit. Ne na u zunë tani akademiku Rexhep Qosja me Ismail Kadarenë, apo po Qosja me doktor Berishën, ne po na zihen dijetarët.
Me atë “Kanunin e Lekë Dukagjinit” thuhej se kur burrat uleshin në tavolinë, 70 për qind është i zgjidhur problemi, por ne as nuk po mundemi me u ul, kësaj si t’ia bëjmë se ne nuk po ulemi t’i bisedojmë gjërat. Njëri flet për tjetrin dhe tjetri për tjetrin”. “Shekulli” provoi ta kontaktonte nëpërmjet telefonit Sabri Hamitin, për të marrë një prononcim të tij lidhur me këtë vepër, por teksa në rastin e parë ai kërkoi kohë duke thënë se: “Momentalisht jam i zënë”, ndërsa në rastin e dytë nuk u përgjigj.
Botuar te “Shekulli” me 29/03/2015