Ajo çka përbën lajm për audiencën, jo domosdoshmërish përbën lajm edhe për median

SPONSORIZIM I AMBASADES NE FUSHATEN KUNDER AZILKERKUESVE
Fushata e Ambasadës Gjermane në Gazetën Shqiptare, për të sensibilizuar në uljen e azilkërkuesve. Qershor – 2015.

Nga sa është shtjelluar gjerësisht edhe në postimet e tjera – shih në kategorinë studime – sipas teorisë “agenda-setting” mediat kanë aftësinë për t’i diktuar perceptimin e realitetit audiencës. Është pikërisht në saj të kësaj aftësie që disa kanale mediatike – sikurse shtypi i shkruar – përqendrojnë edhe fokuset e tyre. Në këtë drejtim, në vendin tonë, shtypi i shkruar është i fokusuar më tepër në aktualitetin politik. Pse? Sepse sikurse e kemi shpjeguar edhe në postime të tjera agjenda politike e diktuar nga mediat ishte premisë për të zgjedhur përfaqësuesit – deputetët. Më poshtë, duke analizuar, do të shtjellojmë se politika paraqitet edhe si një nga grupet e interesit të vetë shtypit të shkruar, pasi interesat e aksionerëve të saj lidhen ngushtë me politikën.

Shumëkujt i ka ndodhur t’i ketë ngjarë të jetë dëshmitar i një ndodhie të caktuar, e më pas të ketë pyetur se përse nuk e pa atë të pasqyruar në media, kjo shpjegohet me “rregullin e artë”: Ajo çka përbën lajm për audiencën, jo domosdoshmërish përbën lajm edhe për median. Sigurisht kjo lidhet edhe me faktin se mediat nuk kanë gjithë hapësirën e mundshme për çdo ngjarje që ndodh, por përcaktimi i hierarkisë lidhet në mënyrë të ngushtë edhe me interesat e saj. Këtë gjë mund ta tregojmë me shembull konkret të monitorimit, por më parë duhet të shtjellojmë interesat e shtypit të shkruar, të cilat sigurisht lidhen me produktin final. Interesat e shtypit të shkruar Dr. Sami Nezaj[1] (Sami Nezaj, 2014) i ndan në dy grupe: të brendshëm dhe të jashtëm. Në grupin e brendshëm ai fut aksionerët (pronarët, botuesit) si dhe punonjësit. Ndërkohë në grupet e interesit të jashtëm ai fut partitë politike, Qeverinë, konkurrentët dhe konsumatorët. Nezaj thekson se “çdonjëri prej grupeve të interesit ka kërkesat e veta ndaj veprimtarisë së gazetës” ndërkohë që paralajmëron se “përmbushja e pretendimeve të interesit mund ta dëmtojë”[2] shtypin e shkruar, sigurisht kjo ndodh vetëm në rastet kur realiteti që mëton të pasqyrojë ajo gazetë është krejtësisht i ndryshëm – dhe lehtësisht i dallueshëm – nga realiteti që perceptohet lirisht nga audienca.

Por, duke iu rikthyer interesave të shtypit, ndër interesat më kryesore janë ato të aksionerëve, reklamuesve, e më pas vijnë ato të konsumatorëve apo publikut. Duke mbajtur një raport mes këtyre interesave gjendet hapësira edhe për të pasqyruar interesat e grupeve të tjera. Ndërkohë sikurse e thotë edhe Nezaj “interesat e zyrtarëve të politikës janë tangjent me interesat e pronarëve”[3].

Le të kalojmë në një shembull konkret. Gjatë tre muajve të parë të vitit 2015-të, në media u bënë publike rastet e shtuara të emigrimit të shqiptarëve. Fenomeni në muajt që kaluan më pas, u kthye në problematikë më vete, kur në shumë zona rurale u shënuan shpërngulje masive. Pas 6 muajsh shifrat ishin edhe më tronditëse ku më shumë se 80 mijë shqiptarë[4] numëroheshin si azilkërkues. Kjo panoramë nuk kishte sesi të shfrytëzohej politikisht nga forcat politike në vend, me opozitën, që i quajti kërkesat e larta për azil si pasojë e keq-qeverisjes së maxhorancës.

Më poshtë do të kemi titujt kryesor të datës 10 Gusht të 5 gazetave të marra në monitorim dhe një analizë e shkurtër për secilën prej tyre, analizë e cila do të nxjerrë – pak-a-shumë – edhe fokusin e secilës prej gazetave të marrë në shqyrtim.

This slideshow requires JavaScript.

“Gazeta Shqiptare” është një nga gazetat që në muajin qershor u sponsorizua nga Ambasada Gjermane në kuadër të fushatës së saj sensibilizuese kundër fenomenit të azilkërkuesve.

Më 9 Gusht, pjesë të kësaj fushate për sa i përket çështjes së e azilkërkuesve, u bë edhe Zv/Ministrja e Brendshme Elona Gjebrea, e cila duke inspektuar një pikë kufitare u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e trafikantëve që u premtojnë azil ekonomik. Ajo tha se do të kishte penalitete, ndërkohë që u bë me dije se ka nisur kontrollimi edhe me policë gjermanë.

Ky lajm nuk gjen pasqyrim në faqen e parë të “Gazetës Shqiptare” teksa trajtohet vetëm në një boks të vogël në faqen 9-të. Ndërkohë vihet re se në faqen e parë zë vend një intervistë e një politikani. Ndërkohë që më sipër zë vend një boks që lajmëron për “listën e maturantëve të Tiranës, që kanë fituar studimet”. Ky lajm, që cilësohet si lajm utilitar, zë dy faqe – fq.10 dhe fq.11 – dhe është tipike për “Gazetën Shqiptare”, e cila kërkon të sigurojë sa më shumë arkëtime përmes këtij lajmi që përmban listë emërore. Në këtë pasqyrë tregohet qartë hierarkia e vlerës lajmore për këtë gazetë, e cila e vlerëson më shumë politikanin në fjalë dhe informacionin utilitar sesa çështjen e azilkërkuesve.

Gazeta MAPO e ka përfshirë në faqen e parë të saj çështjen e azilkërkuesve, ndërkohë që përtej lajmit zyrtar të zëvendësministres thuhet se “priten lehtësira për punësim por jo për azilantët”. Ky lajm zë vend në faqen e tretë, gjë që tregon për rëndësinë që i jep MAPO kësaj çështjeje. Nga ana tjetër titulli kryesor ka të bëjë me financimet e partive politike, ku MAPO vë theksin te shuma e majme që merr një parti e caktuar. Ndërkohë nuk kalon pa vëmendje “Suplementi MAPO Studenti”, që duke zënë vend në faqen e parë, nuk bën gjë veçse përmbush interesat e grupit të brendshëm, reklamues dhe financues sikurse është Universiteti Evropian i Tiranës. Edhe këtu pra interesat shpalosen qartë, që në faqen e parë.

Gazeta “Panorama” e ka përfshirë në faqen e parë çështjen e azilkërkuesve, teksa e ka vënë në nëntitujt anësor. Redaksia e kësaj gazete e ka pasqyruar në faqen 7-të, ku rëndësi ka marrë fakti se në kufirin shqiptar tashmë është vendosur të kontrollojë edhe policia gjermane. Ndërkohë titulli kryesor ka të bëjë me Qeverinë, e cila thuhet se ka pezulluar lejet e ndërtimit. Ky lajm është i një rëndësie të veçantë pasi zë vend fillë pas ngjarjes së ditës, ngjarjes nga kronika: Shpërthimi i bombolës së gazit në një lokal në afërsi të “Don Boskos”, Tiranë. Kjo lidhet edhe me faktin se një ndër aksionerët e grupit është edhe një firmë ndërtimi, çka shkon në linjë me interesat e grupit të brendshëm të gazetës.

Në gazetën “Shekulli” lajmi i azilkërkuesve nuk ka zënë vend në faqen e parë. Ndërkohë që në titullin kryesor flitet për procesin e legalizimeve, çka tregon mirëfillti përmbushjen e interesave të grupit të jashtëm, Qeverisë. Po kështu edhe në dy çështje të tjera që pasqyrohen në lidhje me parti politike apo me histori të një politikani.

Gazeta “Shqip” e paraqet çështjen e azilkërkuesve në faqen e parë duke e plotësuar inspektimin e zëvendësministres me zhvillimet politike në Gjermani, atje ku është thënë se mund të ofrohet një zgjidhje punësimi për emigrantët. Ajo çka bie në sy është fakti se në Gazetën “Shqip” lajmi kryesor është zhvillimi në forcën opozitare të vendit, lajmi që mban titullin kryesor zë vend në faqen e tretë, një vend më në hierarki sesa ngjarja e kronikës, e cila pasqyrohet në faqen 10-11. Kjo e fundit vjen me një detaj më shumë, ku ndryshe nga të gjitha gazetat, sipas “Shqip” të plagosur kanë mbetur 21 qytetarë e jo 20-të. Edhe këtu ajo cka duket qartë është përmbushja e grupit të interesave të jashtme, politikës.

Me këtë shembull shihet qartë që ajo çka ka qenë lajm për më shumë se 80 mijë shqiptar, përgjatë gjithë verës, për disa gazeta nuk është. Me shembullin e pasqyruar tregohet qartë edhe fokusi më tepër te ngjarjet e aktualitetit të brendshëm dhe sidomos të politikës. Gjithçka lidhet me përmbushjen më tepër të interesave sikurse edhe me faktin e përfshirjes më tepër të audiencës në ngjarjet që ndodhin në vend, kjo si shkak i krijimit të një përvoje në konsumimin e mediave të cilat fokusin e tyre e kanë patur për një kohë të gjatë në këtë rubrikë.


 

[1] Dr. Sami Nezaj, studiues dhe gazetar me përvojë të gjatë në shtypin e shkruar dhe televizion. Me gradë shkencore në Gazetari nga Universiteti i Tiranës si dhe MBA nga Universiteti i Nebraskës, SHBA.

[2] Sami Nezaj (2014): Gazeta – Menaxhimi i krizës në median e shkruar. UET/Press. Tiranë. fq.179

[3] Sami Nezaj (2014): Gazeta – Menaxhimi i krizës në median e shkruar. UET/Press. Tiranë. po aty

[4] Gazeta Shqip 10 Gusht 2015. Nr. 207 (3368) fq.7

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.