
Janari ’99 ishte i ethshëm në Kosovë.
Viti përpara tij qe masakër.
Forcat para-militare serbe vazhdonin të kërkonin anëtarët, por dhe këdo që ndihmonte UÇK-ën.
Vjet familjet Ahmeti, Jashari dhe Delijaj qenë bërë shosh plumbash teksa militarët patën vrarë barbarisht më shumë se 120 persona.
Pikërisht javën e parë të këtij viti, në Klinë, një burrë, i cili nuk u martua kurrë, rendi pas pensionit të tij.
Më 6 janar, fati i disa dokumentave e çoi atë në Beograd, atje ku kishte punuar për më shumë se 30 vite pas Luftës së Dytë Botërore.
Asokohe Sejdi Thaçi ishte 63-vjeç dhe me shumë gjasa shpresonte, që të mund ta gëzonte pensionin në një Kosovë të paqtë.
Një javë pasi ai shkoi në Beograd, në Reçak para-militarët vranë 45 persona dhe javën që e ndoqi, në Rugovë 24 të tjerë.
Masakrat do vazhdonin e vazhdonin…
Ishte luftë! S’merrej vesht asgjë! S’kishte mjete të sofistikuara komunikimi dhe Thaçi s’kishte as para…
Deri majin e atij viti në Kosovë masakrat dhe varret masive të para-militarëve do u merrnin jetën të paktën 1 300 të pafajshmëve.
Teksa Thaçi mbeti mes katër rrugëve të Beogradit, qindra mijëra njerëz kishin nisur të shpërnguleshin nga Kosova e mijëra të tjerë kishin humbur.
Të kthehej në shtëpi?
Mundej vallë?!
A do ishin gjallë të afërmit e tij?! Po sikur edhe ata të ishin vrarë?! Ku do kthehej?!
Këto mund të kenë qenë disa nga mendimet që e kanë përndjekur Thaçin… për 17 vjet rrugëve të Beogradit deri sa ai i rikthehet Klinës.
I rrënuar. Trokë dhe tashmë 80-vjeçar…
Brenga se do trazojë dhe do jetë peshë – jo për fëmijët që nuk pati kurrë, por për nipat e tij – e kanë sëmurur aq sa të harrojë çdo gjë ç’i ngjau këto vite.
Historia e Sejdi Thaçit, që bëri bujë këtë javë, është një histori rrëqethëse e një të humburi që Lufta e Kosovës i mori jetën.
Kushdo që thotë të kundërtën, pastë fatin e tij dhe të 1 665 të tjerëve që vajtohen ende si të humbur nga një Luftë, të cilën Kosova dhe shqiptarët s’duhet ta harrojnë kurrë!