Një takim i rastësishëm, një bast dhe më pas përndjekja, kur dy Gjermanitë ndesheshin në botëror

Përndjekja e diktaturave komuniste ka njohur pafundësisht histori që janë në kufijtë e të pa-imagjinueshmes, por ajo e Hans-Jurgen Kreisches dhe Hans Apelit është e jashtëzakonshme. Një fitore historike, një bast i rrezikshëm, whisky kontrabandë dhe më pas përndjekja nga policia sekrete. Kjo është tabloja e një futbollisti të Gjermanisë Lindore dhe të një Ministri të Gjermanisë Perëndimore që fati i takoi bashkë miqësisht për t’u kthyer më tej në një nga historitë më fantastike të sportit gjerman, që megjithëse u nda në dyshë nga ideologjia komuniste, prapë se prapë u ndje një komb, sepse fliste një gjuhë dhe ndante të njëjtat zakone.

Ishte viti 1974. Gjermania Perëndimore organizonte edicionin e 10-të të Kupës së Botës. Për herë të parë – dhe të fundit – në histori, në botëror do të luante edhe Gjermania Lindore. 

Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, lindja e Gjermanisë u bë shtet satelit i Bashkimit Sovjetik, ndërsa perëndimi u administrua nga amerikanët, britanikët dhe francezët. Ndarja e ashpër – edhe me një mur në Berlin – ndodhi edhe në sport. Deri në vitin 1964 gjermanët konkurronin bashkë në lojërat Olimpike – si Skuadra e Përbashkuar Gjermane – por kjo nuk vazhdoi më duke qenë se politika u ndërthur shumë më shumë me sportin në kampin komunist.

West and East
Franz Beckenbauer dhe Bernd Bransch përpara nisjes së ndeshjes, qershor 1974

Për t’iu rikthyer historisë…

Në botërorin e vitit 1974 Gjermania Perëndimore caktohet në të njëjtin grup (Grupi 1, së bashku me Kilin dhe Australinë) me Gjermaninë Lindore. Përpara kësaj përballjeje të mundshme, lindorët komunistë kishin refuzuar për 4 vite me radhë ftesa për miqësore. Ata i qenë frikësuar ndonjë rezultati negativ në përballje direkte kundër kapitalistëve perëndimor, kjo duke pasur parasysh rezultatet e dobëta në sporte si noti apo peshëngritja ku perëndimi ishte shumë më lart.

Më 22 qershor 1974 luhej në Volksparkstadion të Hamburgut. Gjermania Lindore vinte pasi kishte fituar ndaj Australisë 2-0 dhe pasi kishte barazuar me Kilin 1-1. Kundër Perëndimit pritej krejt tjetër ndeshje. Gjermania Perëndimore kishte lojtarë të kalibrit Müller e Beckenbauer dhe vinte si kampione e Evropës. Drejtuesit komunist shpresonin që së paku të mos ishte një ndeshje turpëruese për ta, por e paimagjinueshmja ndodhi, 

Gjermania Lindore arriti ta fitonte atë ndeshje 1-0. Në minutën e 12-të Sparwasser shënoi dhe lindorët e mbrojtën rezultatin. Edhe pse ishte nën një klimë të tensionuar politike, ku lojtarëve u ishte ndaluar edhe shkëmbimi i fanellave, në fushë gjermanët u ndjenë kundërshtarë vetëm në aspektin sportiv dhe luajtën miqësisht, jo si “armiq të popullit”. Arbitri Ramon Barreto Ruiz nuk pati fare ngarkesë.

Fitorja e ngjiti Gjermaninë Lindore në krye të Grupit 1, ndërsa perëndimorët u renditën të dytët dhe kaluan gjithashtu në fazën tjetër. Megjithatë kjo rezultoi më vonë të ishte një avantazh domethënës për ta, pasi kështu Beckenbauer dhe kompani shmangën Holandën, Brazilin dhe Argjentinën me të cilët tashmë do t’u binte të ndesheshin lindorët.

e-v-w
Hans-Jurgen Kreische (numri 10) në një rast për gol.

Për Gjermaninë Lindore Hans-Jurgen Kreische ishte një nga protagonistët. Sulmues i Dinamos së Dresdenit po shijonte kualifikimin ku gjatë një fluturimi me avion (për të vajtur në Hanover, atje ku do të ndeshej me Brazilin në fazën e dytë) i rastisi të ulet pranë me Hans Apelin, ky i fundit kishte rreth një muaj që ishte emëruar Ministër i Financave.

Kur luhet botërori të gjithë flasin për futboll dhe kjo ndodhi edhe në atë situatë. Kreische dhe Apel folën për ndeshjen mes dy Gjermanive. Apel me zhgënjimin nga ajo humbje tha se Gjermania Perëndimore nuk do ta fitonte kurrë botërorin, por këtu Kreische ndërhyri duke thënë se e kishte gabim, pasi Gjermania Perëndimore kishte një skuadër të shkëlqyer dhe do të shpallej kampione.

Si përfundim, të dy vunë bast. Nëse Gjermania Perëndimore do ta fitonte botërorin, Apel do t’i blinte Kreisches 5 shishe whiskey. 

Gjermania Lindore u eliminua në fazën e dytë, pasi u mund nga Holanda dhe Brazili, dhe barazoi vetëm me Argjentinën. Ndërsa Gjermania Perëndimore bëri përpara duke luajtur dhe fituar 2-1 finalen me Holandën.

hans-apel
Hans Apel, Ministër i Financave në Gjermaninë Perëndimore 1974-78.

Pak ditë pas finales, Apel u kthye në Bonn në punën e tij si Ministër i Financave. Ai i telefonoi ambasadorit të Gjermanisë Lindore dhe i tha se në zyrat e tij do t’i vinte një pako diplomatike, e cila do të përmbante 5 shishe whiskey dhe që do t’ia dinte për nder nëse do të mund t’ia dërgonte Kreisches.

Kështu një pako diplomatike me 5 shishe whiskey kontrabandë, kaloi në vitin 1974 një nga kufijtë më të survejuar të globit.

Kur Kreische mori pakon, u shtang krejtësisht. Futbollisti i Dinamos së Dresdenit kishte kujtuar se e gjitha kishte qenë shaka. Ai madje për shaka e kishte marrë edhe rrëfimin e Apelit se në Perëndim ai ishte Ministër.

Kjo pako do t’i kushtonte shtrenjtë Kreisches edhe pse sikurse do të deklaronte pas viteve ’90 whisky ishte ndër më të mirët dhe e kishte shijuar për plot netë me miqtë.

kreische
Hans-Jurgen Kreische pas eliminimit të Gjermanisë Lindore, qershor 1974

Një javë pasi kishte dërguar porosinë, Apel merr një letër nga Kreische. Ajo qe shkruar nga STASI (policia sekrete e Gjermanisë Lindore) dhe në të i kërkohej që Apeli të konfirmonte ose jo versionin e historisë, se si një futbollist në anën Lindore ishte gjendur me 5 shishe whiskey. Kreische në atë periudhë ishte në pikun e karrierës së tij si futbollist, por krejt papritur shkarkohet nga skuadra e Dynamos së Dresdenit dhe pezullohet nga sporti.

Fjalët miqësore dhe urimi pa të keq “shpresoj të takohemi sërish” i Apelit në biletën që pati shoqëruar pakon, u konsiderua nga STASI si një marrëdhënie që shkonte përtej “një basti sportiv” me një zyrtar të lartë të qeverisë së Gjermanisë Perëndimore. 

Në vitin 1976 Gjermania Lindore fitoi medalje ari në Lojërat Olimpike të Montrealit, por Kreische nuk ishte në atë skuadër. Ai e pa atë sukses nga televizori, në shtëpinë e tij në Dresden. Atë vit Dinamo Dresden kishte fituar kampionatin dhe ai kishte qenë golashënues me 24 realizime, por jo. Kreische ishte tashmë në ndjekje nga STASI dhe kurrësesi nuk i lejohej më të dilte jashtë shtetit. I mbajtur vazhdimisht nën vëzhgim ai e kishte të pamundur ta vazhdonte futbollin. Edhe pse kishte aftësi të shkëlqyera dhe mbi 50 ndeshje me kombëtaren, u detyrua të tërhiqej kur ishte vetëm 30-vjeç.

Ajo që i ndodhi Kreisches i mbeti gjatë në ndërgjegjie Apelit. Pakoja e tij me 5 whiskey e dërguar për respekt, fatkeqësisht i kishte sjellë pafund telashe mikut të tij futbollist. Pas rrëzimit të murit dhe bashkimit të dy Gjermanive, Apel dhe Kreische u bënë miq. Historia e tyre është një nga më të jashtëzakonshmet. Ajo tregon qartë se çfarë niveli paranojak kishte arritur agjentura e policisë sekrete në Gjermaninë Lindore dhe se si pavarësisht politikës së ashpër të komunistëve, gjermanët i kërkuan gjithmonë bashkëatdhetarët e tyre të përtejmurit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.