Tirana vlerëson Qazim Mulletin pas shtatë dekadash

Komuniteti tiranas vlerësoi të premten figurën e ish-Prefektit Qazim Mulleti për kontribute të çmuara patriotike. Vlerësimi simbolik kërkon të nxisë rishikimin e figurës së tij në historinë zyrtare.

Shtatë dekada pas ndarjes nga jeta, shoqata “Tirana” e nderoi ish-Prefektin e periudhës së Luftës së Dytë Botërore me titullin “Fisnikëria tiranase”. 

Ceremonia u mbajt në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës gjatë simpoziumit të zhvilluar nga “Akademia e Studimeve Shqiptare” me rastin e kthimit të eshtrave të Qazim Mulletit në atdhe.

Gjatë dhënies së vlerësimit, kryetari i shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, theksoi se “ky nuk është një rehabilitim, por një riatdhesim”. Ai e konsideroi vlerësimin si “vullnet të fortë për evidentimin e figurave patriotike”. 

Tafaj kritikoi politikën për ndërhyrjet në historiografinë shqiptare dhe gjithashtu historianët dhe Akademinë e Shkencave, të cilët, sipas tij, “ngurrojnë të shprehen me qendrime zyrtare për figura si Qazim Mulleti”.

“Në shkurt të vitit 2021 i jemi drejtuar Akademisë së Shkencave me një kërkesë për qëndrim zyrtar ndaj figurës së Qazim Mulletit, por ende nuk kemi marrë përgjigje,” – tha Tafaj gjatë simpoziumit teksa kujtoi riatdhesimin dhe rivlerësimin e figurës së Mid’hat Frashërit në vitin 2018.

“Riatdhesimi dhe rivlerësimi Mid’hatit u bë vetëm pas angazhimit të Kryeministrit Edi Rama,” – u shpreh Tafaj duke shtuar se “politika i paraprin historisë dhe historianët presin politikën që të flasin”.

I pranishëm për të marrë vlerësimin, nipi i Qazim Mulletit, Tanush Mulleti tha me emocione se ndihej i lumtur që ishte mundur të përmbushej amaneti i babait për t’i kthyer xhaxhait vlerat dhe eshtrat në Tiranë.

Qazim Mulleti (1893-1956) njihet për kontribute domethënëse në formimin e shtetit shqiptar, ngritjes së institucioneve, zhvillimit si dhe shpalljes së Tiranës kryeqytet. Ai njihet gjithashtu për rolin që dha si zyrtar në shpëtimin nga përndjekja naziste të dhjetëra familjeve hebreje.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore u pozicionua si antikomunist dhe u përfshi në “bllokun kolaboracionist”. Për këtë arsye diktatura komuniste e Enver Hoxhës e përndoqi.

Në vitin 1944 u largua nga vendi dhe jetoi në Romë deri sa vdiq më 28 gusht 1956.

Bashkëshortja dhe djali mbetën në Shqipëri. Ata u internuan ndërsa vuajtën diskreditime publike të vazhdueshme.

Regjimi e denigroi figurën e Mulletit duke “e shportretizuar” me shfaqjen groteske teatrale “Prefekti” shkruar nga Besim Levonja. Figura e tij u tjetërsua si njeri injorant, i pashkolluar dhe i korruptuar, ndërsa propaganda me të tillë qasje nuk i kurseu as familjen.

Pavarësisht se kanë kaluar tre dekada nga rënia e regjimit, studiuesit mbeten të ndarë për sa i përket vlerësimit të figurës së Mulletit.

Pikërisht për të nxitur pika takimi dhe diskutimi mes studiuesve është ngritur dhe “Akademia e Studimeve Shqiptare”, e cila organizoi dhe simpoziumin për Qazim Mulletin.

“Dita e parë e krijimit të Akademisë përkon me aktivitetin e vlerësimit të Qazim Mulletit, të cilin shumica e kanë njohur në një plan të shëmtuar dhe të padrejtë […] ka debat për figurën e tij, por duhet të dijmë t’i japim vendin me mençuri,” – tha Prof. Dr. Nevila Nika gjatë simpoziumit.

“Që goditja të ishte më e besueshme dhe e drejtpërdrejtë, diktatura urdhëroi që personazheve të veprës artistike [Prefekti] t’i vendoseshin emrat realë, […] por sot fatmirësisht po fillon kthesa, po vjen koha ku njerëzve t’u tregohet e vërteta e vlerave të kësaj figure qytetare dhe patriotike,” – u shpreh Prof.Dr. Bujar Kapexhiu gjatë simpoziumit për Mulletin.

Për ish-Presidentin Bamir Topi, Qazim Mulleti gjatë periudhës komuniste ishte “emblema e denigrimit të Tiranës”. Sipas tij “regjimi e kishte vetëm 10% me Qazim Mulletin si njeri dhe 90% me gjithë komunitetin tiranas për atë çka ai personifikonte”.

“Kjo figurë është parë vetëm nga një anë, […] për të nuk ka pasur debat, sepse faktikisht ka pasur vetëm një qëndrim, por fatmirësisht pas kaq shumë vitesh po zgjohet ndërgjegja e këtij komuniteti për Tiranën,” – theksoi Topi gjatë simpoziumit teksa kritikoi spektrin e së djathtës për mungesën e një qëndrimi për sa i përket figurës së Mulletit.

Të afërm, të njohur dhe dashamirës të familjes Mulleti u shprehën falenderues për diskutimet.

Eshtrat e ish-Prefektit do të prehen në një ceremoni të veçantë ditën e hënë, 28 gusht, në varrezat publike të Shish-Tufinës në Tiranë.

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.