Aleksandër Kondo, rekordmen i peshëngritjes shqiptare të viteve 80-të, u aksidentua me makinë pasditen e 30 prillit 1987.
Ngjarja ndodhi në rrugën dytësore “Midland Parkway”, pranë kishës shqiptare të Shën Nikollit në Queens, New York. Kondo kishte vetëm dy javë që ishte pajisur me patentë amerikane pas një viti që qëndronte si refugjat politik atje.
Raporti zyrtar thotë se makina që po ngiste, një Honda “Civic Sport” i vitit 1983, “u përplas me një objekt krah rrugës”. Ishte pa rrip sigurie. Kjo nuk ia kishte shmangur goditjet në kokë.
U dërgua me urgjencë në Jamaica Hospital (Queens, NY) me fraktura në kafkë e dëmtime në tru, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte. Mjekët e deklaruan të vdekur në orën 10:15 të së nesërmes, datë 1 maj 1987.
Zyrtarisht, – sipas të dhënave arkivore – në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit mësoi për vdekjen e Kondos vetëm një ditë më vonë, kur ngjarja u raportua në radio nga “Zëri Amerikës”. Për këtë, në dosje oficerët e Sigurimit shkruajnë gabimisht se “Kondo vdiq më 2 maj”.
Regjimi refuzoi kërkesat e komunitetit shqiptar për t’ia nisur trupin në atdhe, ndërsa familja, e cila ishte e internuar në Krastë të Martaneshit, u njoh me fatin e djalit të tyre shumë më vonë.
Kondo u varros më 6 maj 1987 në Cypress Hills Cemetery, ana e Brooklynit, me një ceremoni mortore të organizuar nga shoqëria e tij.

Pas rrëzimit të diktaturës, familja u përpoq disa herë ta sillte në Shqipëri, por eshtrat e ish-peshëngritësit u prenë përgjithmonë në atdhe vetëm më 25 shkurt 2005, kur me nderime dhe ceremoni zyrtare u varros në Tiranë.
Por që prej 1 majit 1987 e deri më sot, vdekja e Aleksandër Kondos është veshur me dyshime, sipas së cilave ai u vra nga Sigurimi. Dyshimet duket se do të mbeten përgjithmonë.
I pari që përmendi publikisht dyshime dhe akuza ishte Zef Camaj. Ky ishte një shqiptar, ish-i përndjekur politik nga Mali i Zi, i cili pavarësisht moshës – asokohe 29 vjeç, – ia kishte dalë të hapte një radio në New York, – quhej “Revista radiofonike e shqiptarëve të Amerikës”.
Në emisionin e 4 majit 1987, teksa fliste për Kondon, Camaj u zotua të ekspozonte materiale që “do ta demaskonte lidhjen e udhëheqjes me ngjarjen”. Por siç i raportuan më vonë Sigurimit të Shtetit, “ai nuk ekspozoi asgjë të tillë”.
Në dosjen e mbajtur për Kondon nga Sigurimi thuhet se “me gjasë Camaj do jetë trembur”. Deri sa ndërroi jetë në vitin 2001 në moshën 44-vjeçare, ai nuk e sqaroi kurrë këtë çështje.
Ditën e aksidentit, Kondo qe ftuar për drekë nga Ramiz Dani, nip i Nderim Kupit, emigrant politik ky që kishte dalë garant për ardhjen e Kondos në Amerikë.
Dani zotëronte një piceri në Lefferts Boulevard, Queens – Dani’s House of Pizza, hapur prej vitit 1959, sot zotërohet nga djali, Sabriu – e cila frekuentohej shumë nga komuniteti shqiptar.
Aksidenti i Kondos ndodhi pikërisht pas drekës, rreth 2 kilometra larg restorantit.
Raporti zyrtar thotë se makina e Kondos u përplas me një shpejtësi të madhe ndaj një peme.
Por, rëndomtë besohet se Sigurimi i Shtetit depërtoi në rrethin e kontakteve të Kondos duke organizuar një “vrasje të kamufluar si aksident”. Në këtë pikë ka dy versione:
Versioni 1: Makinës së Kondos iu liruan frenat
Sipas këtij versioni – treguar familjarëve vetëm pas vitit 1994, – besohet se aksidenti u kurdis nga të paktën dy persona, të cilët i prishën Kondos frenat e makinës në momentin kur ky ka qenë në restorant e më pas e kanë ngacmuar për një garë shpejtësie, ku këta kanë qëndruar qëllimisht nga prapa.
Element dyshues: Nuk kishte shenja frenimi të fortë.
Versioni 2: Kondo u helmua dhe u nxit të përplasej
Sipas këtij versioni besohet se 27-vjeçari është helmuar në restorantin e Danit dhe në largimin që andej bashkëpunëtorë të Sigurimit e kanë ndjekur kërcënueshëm nga pas me synimin për ta nxitur që të përshpetojë deri në humbjen e kontrollit.
Ky version shkon më tutje duke hedhur dyshimin se makina në të vërtetë është përplasur me një objekt të rëndë, vendosur nga atentatorët e më pas me pemën.
Element dyshues: Rruga ishte mjaftueshëm e gjerë sa për të mbajtur drejtimin. Makina dukej e përplasur në dy anë.

Fatkeqësisht edhe deklasifikimi i dosjes që Sigurimi mbajti për Kondon nuk qartëson asnjë nga këto dyshime. Në të vërtetë dosja mban shumë elemente të tërthorta dhe në asnjë fletë nuk ka udhëzime për vrasje.
Por vlen të theksohet se ajo ka mungesë koherence me informacionet e mbledhura – me gjasë të dhënat më kompromentuese mund të jenë asgjësuar në momentin e arkivimit, por ky mbetet gjithësesi një supozim.
Sidoqoftë nga informacionet e dosjes kuptohet se në periudhën e fundit të jetës Kondo kishte nisur të shfaqte shenja paranoje prej frikës se punonjës të Sigurimit e përndiqnin për ta kapur apo vrarë.
Në këtë pikë ka të dhëna konkrete se Sigurimi qe angazhuar për ta frikësuar.
Në të vetmin plan-operativ që gjendet në dosjen e Kondos – mban datën 24 dhjetor 1986, – ndër të tjera, Drejtoria udhëzonte bashkëpunëtorët që Kondos “t’i bëheshin telefonata apo letra anonime për ta frikësuar”.
Përpara shpërnguljes në Amerikë, Kondo dhe shoku i tij, Xhelal Sukniqi, qenë qasur në Jugosllavi nga dy të arratisur të tjerë – Hasan dhe Halim Boshnjaku – të cilët fillimisht ishin interesuar që t’i bindnin për t’u kthyer në Shqipëri e më pas ishin përplasur fizikisht me Kondon.
Asokohe Kondo e Sukniqi hodhën dyshimin se dy vëllezërit ishin angazhuar nga Sigurimi i Shtetit dhe për këtë dëshmuan edhe në gjyq kundër tyre. Mirëpo në dosjen e Sigurimit nuk ka informacion për një udhëzim të tillë dhe rasti përmendet si ngjarje vetëm nga burimet e ndjekjes.
Në dosje gjendet raportimi nga një burim që thotë se më 20 mars 1987, Kondo kishte pësuar një aksident të rëndë në një autostradë. Ai qe përplasur nga një makinë – kishte thyer disa brinjë dhe kishte dëmtuar qafën – dhe për këtë ishte shtruar tre ditë në spital.
Sipas burimit të Sigurimit të Shtetit, Kondo dyshonte se aksidenti ishte një “tentativë vrasjeje”.
Nga ana tjetër, Nderim Kupi ka treguar një rast tjetër kur Kondo e kishte telefonuar me rrëmbim duke i treguar se një person po e ndiqte “për ta kapur”. Sipas Kupit, me të arrirë në vendndodhje, personi i dyshimtë qe larguar nxitimthi.
Të njohur të tij kanë treguar për letra apo porosi nga të panjohur, të cilët e gënjenin qëllimisht kinse ish-e fejuara, apo familjarë të tij ishin vetëvrarë.
“Lojërat anonime” të Sigurimit, mund të kenë ndikuar jo pak në gjendjen psikike të Kondos, aq sa dhe në momentin e fundit ta ketë shpërqendruar nga rruga duke e çuar vërtetë në aksident, por që dhe kjo do të mbetet gjithmonë në diskutim.
Historia e Kondos mbetet ajo e një djaloshi të ri, i cili përballë diktaturës shqiptare bëri të pamundurën për të gjetur lirinë. Kjo e bën kujtimin e tij të mbetet përgjithmonë në histori madje më shumë se sa rekordet në sport.