Krimi organizohet periferive të qyteteve kryesore shqiptare – Tiranë, Vlorë, Durrës, Shkodër e Elbasan, – aq sa arti i realizmit kriminal ta përcjellë atë si vlerë.
Artistë, që thonë se zanafillën e kanë nga rruga, i përshkruajnë me lavde lagjet si baza kriminale. Ata nxisin për frymëzim jetën, kodet dhe kamjen e narkotrafikantëve. Me (apo pa) dashje shtojnë radhët e tyre.
“Lagjet tona favela” thotë refreni i një kënge të Matolale (Favela) në videoklipin e të cilit fëmijë e adoleshentë gjuajnë për trimëri policinë.
Lexo: Arti i realizmit kriminal standardizon modelin e kriminelit
Për ata që s’e dinë, favelat janë lagjet e periferisë së qyteteve të mëdha të Brazilit. Kanë zhvillim kaotik e informal prej dyndjeve demografike.
Atje dhuna dhe krimi trondisin shpesh pasi këto zona mbeten larg vëmendjes dhe fuqisë së autoriteteve.
Shumica e atyre që jetojnë në favela janë të margjinalizuar. Janë dhe të pamundur ekonomikisht. Për këtë ndjejnë nëpërkëmbje nga sistemi. Antipati.
Pikëtisht nga kjo përfiton krimi dhe bandat.
Antipatinë e banorëve kriminelët e kthejnë në urrejtje. Kështu inatin e tyre ua vërsulin sistemit dhe atyre u mbivendosin si sistem paralel kodet dhe vlerat e grupeve të tyre.
Përmes korruptimit të vlerave sociale, krimi befas e kthen favelën strehë prej nga ku i shpëton me dekada policisë.
Lexo: Si arti i realizmit kriminal po normalizon kriminalen
Në këtë rrafsh, krahasimi i Matos me lagjet tona qëndron dhe ka njëfarë doze realiteti. Në Tiranë, Elbasan, Durrës e më tej… janë plot lagje që etiketohen si njolla të krimit.
Rëndomtë nëpër periferi ka sot “çuna” të humbur në urrejtje ndaj sistemit, të cilët, në mungesë të autoriteteve, i kanë lënë vend bandave dhe krimit t’u zaptojnë lagjet.
Këto lagje baza të krimit dallojnë për erën e hashashit, “çunat” që fshehin qeset në fugat e pallateve, dozat poshtë makinave të parkuara, “paratë e turnit” te lokali që ka gjithmonë të njëjtat fytyra, dhe tufat “e çerrave” që kanë lënë shkollën që në fillim të gjimnazit.
Këta të fundit i shohin shtrembër edhe vetë komshinjtë, që dikur i kishin shokë e shoqe klase, e më shtrembër vite më vonë kur janë shkolluar, me punë, familjarë e me fëmijë. Shikimi i tyre përngjan me atë “të një klase tjetër”.
“Stili i jetës vetëm me maska, kundra sistemit, kundra me taksa. Kundra përuljes, kundra shkër#@ta […] Jeta s’o fair se ndahet me klasa!” – thotë Noizy (Te Lagja).
Lexo: Arti i realizmit kriminal promovon ëndrrën për “jetë si Rap-Star”
Varg pas vargu e këngë pas kënge, arti i realizmit kriminal bind për këto aspekte që përcjell. Pasi përqark plot të rinj shohin këtë realitet në lagjet e tyre, sidomos në periferi.
Me iluzjonin se paraja dhe kamja e shpejtë sjell status dhe vlerë në grupin e tyre, miksimi i refreneve me gjëra që përditshmëria urbane i ofron në realitet, shumfishon mundësitë për të bindur dhe për të shtuar ndjekës.
Dhe ata që duan më shumë ndjekës, nuk janë këngëtarët, por banditët. Fillon me grupe djelmoshësh cepave të pallatesh duke dëgjuar këtë “art”. Përfundon me grupe të rinjsh që me kode pranojnë të quhen “ushtarë” të mbajnë sende, “mall”, armë, e të kryejnë shpërndarje, grabitje e vrasje.
Ndëshkohet ai që flet! S’i flitet atij që ikën! Kodet e shenjta që si fillim, sigurisht, t’i mëson “arti i realizmit kriminal”.
Arti i realizmit kriminal bind se është propagandë e bukur.
Ka fytyra, muskuj, armë. Ka himne për krimin, vajza, lluks, por kurrë emra apo simfoni që trazojnë ujin e peshqve të mëdhenj.
Ata dihet se kush janë, por përfliten vetëm në lagje. Në bazë.
Kurrë ky art nuk ka histori dështimesh. Vetëm histori suksesi. Sepse dështimet nuk frymëzojnë “ushtri”.
Për sa kohë autoritetet, institucionet dhe rrymat e tjera të artit nuk frymëzojnë për të ruajtur e ndjekur vlera shoqërore si integriteti, respekti e përgjegjshmëria, të tjera lagje do bëhen “favela” e të tjerë të rinj do t’i bashkohen krimit.
Kjo frymë ka normalizuar vjedhjen, korrupsionin, tradhëtinë, përdhunimin…
Policin, prokurorin, doktorin, gjyqtarin apo dhe politikanin e kapur.
Kjo frymë do t’i mbajë lagjet dhe të rinjtë në baza të bandave.
Lexo: Arti i realizmit kriminal reklamon bandat shqiptare në Gjermani e Zvicër