Propaganda komuniste në filmin “Koncert në vitin 1936”

Diktaturat komuniste në Evropë e kufizuan artin kinematografik brenda kornizës së të ashtuquajturit “realizëm socialist” ku shprehja artistike “e pasqyroi gjallërisht” epokën e Partisë. Filmat i patën të detyrueshëm mesazhet ideologjike dhe heronjtë pozitivë që kërkonte Partia për “edukimin militant të klasave”.

Me këtë skemë u zhvillua edhe kinematografia shqiptare e viteve 1952-1991 – kur funksionoi Kinostudioja “Shqipëria e Re”.

Filmi “Koncert në vitin 1936”, ngjarjet e së cilit zhvillohen në Lushnjën e periudhës së Mbretit Zog (1928-1939), është tipik i Kinostudios për sa i përket mesazheve propagandistike dhe “skemës ideologjike” në të trajtuarit të çështjeve.

Për këtë, më poshtë sjell disa pikëpamje.

Lëmshet me ngjarjet historike

Personazhet e filmit janë të trilluara. Por ndodhi dhe ngjarje historike përmenden enkas për të krijuar besimin se ato kanë jetuar vërtetë.

Pandeli Prokopi, i përshkruar si delegat i Korçës në “Kongresin e Lushnjës” (1920), – baba i këngëtares që sipas filmit vjen për koncert në Lushnjë në vitin 1936, – apo Nuredin Beu, çifligar i Lushnjës, – që në film del si mik i ngushtë i Esat Pashë Toptanit, – nuk kanë ekzistuar.

Nuredin Beu thotë se në kohën e Kongresit qe akuzuar nga Prokopi se kishte ngarkuar njerëz për të vrarë Ismail Bej Qemalin “rrugës për në Vlorë”. Historia tregon se prej Luftës së Parë Botërore (1914-1918) Qemali jetoi në mërgim, ndërsa në kohën e mbajtjes së Kongresit të Lushnjës kishte rreth një vit që kishte ndërruar jetë (26 janar 1919).

“Lufta e Spanjës” (1936-1939), “Kryengritja e Fierit” (1935), por sidomos “Kongresi i Lushnjës” (1920) përmenden qëllimisht në film për të nxitur nënkuptimin ideologjik se ngjarjet në fjalë “ndodhën si reaksione të lëvizjeve popullore”.

Për “Kongresin e Lushnjës”, për të cilin mëtohet të jepet ideja se në vitin 1936 ishte edhe frymëzim për lëvizjet kundër monarkisë, nuk rezulton kështu. Historia tregon se Kongresi u mbajt si nismë e parisë dhe elitës kryesore të vendit për t’i prerë krahët qeverisë së dalë nga Kongresi i Durrësit (1918), që ishte nën ndikimin e fortë të Italisë. Kongresi i Lushnjës katapultoi Ahmet Zogun lart në drejtimin e shtetit si ministër të Brendshëm dhe Komandant i Xhandarmërisë.

Kënga e Kongresit, apo “Himni i Kongresit”, në film paraqitet se është bërë nga mësues Mihali – tipike si ideologji komuniste, një mësues që ka aftësi të nxisë revolucion me këngë dhe vjersha. Historia tregon se ajo është vepër e atdhetarit Ferit bej Vokopola – firmëtar i Aktit të Pavarësisë dhe organizator i Kongresit të Lushnjës.

“Reformat radikale” me zyrtarë e nëpunës injorantë

Diktatura e Enver Hoxhës propagandonte se përmes reformave, si ajo agrare, apo ajo e bonifikimit të tokave, kishte nxjerrë Shqipërinë nga balta dhe varfëria e kohës së Zogut.

Për këtë në filmin “Koncert në vitin 1936” përqeshen rëndë nismat e Mbretërisë si ato për zhbërjen e ligjeve islamike përmes reformimit të Kodit Civil dhe Penal, – sipas modelit të Qemal Ataturkut në Turqi. Heqja e ferexhesë, apo ndalimi i rrahjes së kafshëve cilësohen të rëndësisë parësore në film dhe vihen në kontrast me nëpërkëmbjen e fshatarësisë përballë kërkesave për tokë. Kjo nëpërkëmbje përcillet me “gënjeshtrat me fletushka për reformën agrare”, reformë që nënkuptohet se vetëm sistemi komunist doli mbanë ta realizojë.

Groteske skena ku kryetari i Bashkisë Lushnjë var kamxhikët e karrocierëve në mur “për t’i treguar botës se si i zbaton Shqipëria monarkiste reformat radikale”.

Lexo: Diktatura ra, por fundi i transmetimit të propagandës së saj s’filloi kurrë në Shqipëri

Feja si “hambar prapambetjeje”

Përdorimi i fjalëve të vjetra turke dallon personazhet për përkatësitë fetare. Shumica paraqiten si myslimanë, pjesa dërrmuese me “sjellje prapanike”, të cilat pengojnë emancipimin dhe zhvillimin përpara.

Popullsia përshkruhet fanatike për fenë aq sa dhe një shprehje nga dy këngëtaret merret për keq dhe hoxha i bën shantazh Nënprefektit të ndërhyjë për t’i larguar nga qyteti.

Përballja e hoxhës me nënprefektin nxjerr prej këtij të fundit si mesazh me shfryrjen “Dio mio! Tërë jeta mes injorantësh në provincë do më shkojë?!”.

Heroi i fshehtë

Filmi mbyllet me punonjësin e Postës Nesti Bënja që arrestohet për shkrimet kritike ndaj monarkisë, botuar nën pseudonim në revistën e përdyjavshme “Bota e Re”, – revistë që realisht u botua për rreth një vit në periudhën 1936-37 nga grupimi komunist i Korçës, u ndalua nga qeveria e Kostaq Kotës (1936-1939).

Pjesa ku Komandant Shazivari thotë se Nesti është komunist, është prerë nga filmi pasi dialogu me Nënprefektin, – ku zbulohet ky informacion, – u gjykua si fyese nga kritikët e Kinostudios. Kështu kjo gjë nënkuptohet, teksa skena e arrestimit të Bënjës shoqërohet me muzikë melankolike dhe ironizimin prej tij të Neneve 503, 504 dhe 506, të cilat ndalojnë vagabondazhin, lypjen dhe rrahjen e kafshëve.

Bënja është heroi që kërkon regjimi komunist prej filmit. Përmes tij përcillet mesazhi i rezistencës kundër monarkisë.  

Të përgjithshme për filmin

“Koncert në vitin 1936” është realizuar në vitin 1978 nga regjisori Saimir Kumbaro me skenar të Kiço Blushit dhe muzikë të Limoz Dizdarit. Vepra bazohet te tregimi “Baltërave të Myzeqesë” shkruar nga Dhimitër Shuteriqi dhe personazhi kryesor, këngëtarja Donika Prokopi (interpretuar nga Manushaqe Qinami), personifikon sopranon Tefta Tashko-Koço (1910-1947), e cila në atë periudhë u kthye nga Franca në Shqipëri ku zhvilloi dhjetëra koncerte dhe interpretime operistike.

Po kështu pianistja Eleni Jankollari (interpretuar nga Margarita Xhepa), personifikon pianisten Lola Gjoka, e cila ka qenë shoqëruese e Tefta Tashkos dhe muzikante e shquar, një nga themelueset e Akademisë së Arteve të Tiranës.

Për Kumbaron ky ka qenë filmi i parë me regji krejt të tijën – pas dy bashkëpunimeve me Rikard Ljarjen “Rrugicat që kërkonin diell” (1975) dhe “Ilegalët” (1976). Megjithëse asokohe ishte i ri në moshë, ai ia ka dalë të ketë në një film një pjesë të grupit më të talentuar të aktorëve shqiptarë si Bep Shiroka, Robert Ndrenika, Albert Vërria, Mirush Kabashi, Gjon Karma, apo dhe Roland Trebicka e Margarita Xhepa.

One Comment

  1. Edi

    Filmi “Koncert me fund të viti 1936” eshte film artistik, komedi, jo historik apo dokumentar. I lejohet qe te kete edhe fantazi ose sajesa të vogla, per hir te zhvillimit te fabules. A e ke pare filmin “300”? Cili eshte raporti mes fantazise dhe fakteve me ate dhe shume filma të tjere?

    Kjo nuk do te thote qe filmi eshte thjeshte propagande, edhe pse aty ka nje mesazh propagandistik, si cdo film I asaj periudhe. Filmi sherben si nje pasqyre e pergjithshme ne forme karikature e gjendjes politiko-sociale se Shqiperise, gje qe eshte krej per filmat. Periudha e Zogut eshte nje periudhe qe ha debat e kundershti dhe historia reale jo gjithmone ofron ngjarje qe zbavitin spektatorin.

    Nuk jam kunder analizes kritike e nxjerrjes ne pah të te pavertetave historike, per hir te teknikalitetit. Por edhe të etiketohet filmi si “propagande komuniste”, me duket paksa e egzagjeruar.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.