Nga Teatri te Biblioteka: Si u normalizua pazari me publiken

Më 17 maj u bënë gjashtë vjet nga shembja e Teatrit Kombëtar. Në atë kohë, e gjithë propaganda e qeverisë u investua mbi idenë se #Shqipëria nuk kishte para për ta ndërtuar vetë teatrin, ndaj duhej “partneriteti” me privatin.

Kompania #Fusha – nga hiçi – do të financonte teatrin e ri dhe në këmbim do të përfitonte të drejtën për të zhvilluar kulla mbi një pjesë të truallit publik.

Ai model u shit si modernizim dhe ujdi e mirë për publiken pasi teatri i ri ndërtohej me “Zero para!”. Në realitet ishte momenti kur u legjitimua publikisht ideja se veprat madhore publike mund të ndërtoheshin përmes pazareve urbanistike me falje trojesh dhe leje të bardha për kulla.

Sot, pas gjashtë vitesh, teatri s’ekziston dhe askush s’di të thotë sa është fatura totale e këtij investimi.

Në tabelën që qëndron në kantier, punimet e fazës së parë (me afat 27 muaj kalendarik) do të duhej të ishin përmbyllur nga #AgiKons në shtator 2025, por që vetëm pas një interesimi nga redaksia e Citizens.al, me një amendim të kontratës me Nr. 32188/3 prot., datë 14 tetor 2025, afati i përfundimit të punimeve u zgjat deri më 19 gusht 2026.

Autoritetet pretendojnë se punimet janë brenda lejes së ndërtimit, e cila është me afat 72 muaj dhe jo 27 sa përmendet në tabelën e kantierit.

Por përtej këtyre aspekteve proceduriale modeli i Teatrit jo vetëm mbijetoi, por u sofistikua, kuptohet për më keq. Ai u replikua te Piramida dhe te çdo ndërtesë publike me rëndësi “spektakolare” në narrativen e arkitektonikes.

Në rastin e Bibliotekës Kombëtare, që kam hulumtuar së fundmi, nuk kemi më as ligj special, as debat parlamentar, as konflikt të hapur publik si në rastin e teatrit.

Kemi diçka më të ndërlikuar dhe, mendoj, edhe më shumë problematike: VKM të paqarta që fusin në lojë Korporatën e Investimeve Shqiptare, e cila vepron me rregullore jo-transparente, negocime direkte dhe marrëveshje në prapaskenë me një plan që duket i stërholluar dhe i paramenduar.

Në janar 2025, Korporata e Investimeve Shqiptare hapi thirrjen për ndërtimin e Bibliotekës me partnerë privat.

Incentiva ishte e qartë: kush merrte përsipër të ndërtonte bibliotekën, fitonte të drejtën për të zhvilluar kullë deri në 60 mijë m² te ish-vilat gjermane.

Por, thirrja dështoi. Njësoj edhe e dyta.

Paralelisht, Korporata rezulton se po negocionte me kompaninë #XOne për një projekt tjetër: “Grand Park Skyline”, tre kulla deri në 71 kate pranë Parkut të Liqenit.

Këtu historia bëhet po aq interesante sa ajo me Teatrin Kombëtar.

Një pjesë e gjurmës së kullave binte mbi rreth 2,700 m² prona publike (#Copëzat), të cilat kompania private nuk i zotëronte kur mori lejen e zhvillimit për projektin që në vitin 2024.

Pavarësisht këtij fakti #KKTU dhe #AZHT ia kishte dhënë lejen X-One-it.

Për të mundësuar “ujdinë” e kalimit të këtyre copëzave, nuk u veprua me ligj special, as me ndonjë debat publik, por thjesht me një VKM dhe angazhim direkt të Korporatës me X-One.

Korporata negocioi me kompaninë dhe në fund, Biblioteka Kombëtare u shfaq si justifikimi publik i marrëveshjes për faljen e këtij trualli që dukshëm ishte kufizimi i kompanisë për të marrë lejen e ndërtimit – lejen e mori në korrik 2025.

Pas kësaj, pyetja që mbetet është, a u mendua Biblioteka për të ndërtuar kullat, apo kullat ekzistonin dhe Biblioteka u përdor për të legjitimuar marrëveshjen?

Kronologjia lë shumë pak vend për interpretime. Leja e zhvillimit për #GrandParkSkyline ishte miratuar që në korrik 2024.

Negocimet për “copëzat” nisën më pas. Kjo do të thotë se marrëveshja me Korporatën nuk ishte kusht për projektin — por mekanizmi për të mbyllur boshllëqet e tij.

Dhe këtu kuptohet sa shumë ka degraduar “planifikimi urban”.

Te Teatri kishte të paktën konflikt publik, mundësi për reagim qytetar.

Ndërsa te Biblioteka gjithçka ndodh në heshtje administrative dhe qytetarët zgjohen ende me një koncept-projekt të XDGA-së, që s’dihet se me çfarë procedure u përzgjodh dhe megjithëse i tillë, ia lejon Korporatës të bëjë përllogaritje se sa do të kushtojë.

Në fund, pyetja nuk është më vetëm pse Shqipëria ende nuk ka një Bibliotekë Kombëtare dinjitoze. Por pse çdo projekt publik me rëndësi të veçantë duhet të kalojë me nga një kullë nga mbrapa?

Përballë kësaj panorame, kemi apo jo planifikim publik, apo vetëm negocime sipas planeve private për qytetin?

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.