Astrit Avdyli, i konsideruar “person me rrezikshmëri të lartë”, përfundoi për herë të tretë në burg. 50-vjeçari u arrestua të shtunën nga policia ndërsa Gjykata e Posaçme vendosi të hënën më 1 korrik 2024, masën e sigurisë “arrest në burg”.
Dosjet hetimore e përshkruajnë Astrit Avdylin si kreun e një grupi kriminal që vepron në zonën e Shijakut. Këtë radhë, ndaj 50-vjeçarit rëndojnë akuzat për “sigurim të kushteve dhe mjeteve për vrasje”, “ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri” dhe “mbajtje të sendeve të ndaluara në burgje”, vepra penale këto për të cilat rrezikon deri 17 vjet heqje lirie.
Prokurorët dyshojnë se Avdyli ndihmoi ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, për të synuar vrasjen e vëllezërve Durim e Valter Bami, të dyshuar si krerët e grupit kriminal të Niklës në Fushë-Krujë.
Mbi këto dyshime të prokurorëve ai u shpall në kërkim më 15 maj 2024. Emri i tij rezultonte mes 50 personave për të cilët Prokuroria e Posaçme dyshon se u angazhuan në veprimtari të ndryshme kriminale duke u organizuar përmes platformës Sky ECC gjatë viteve 2019-2021.
Në operacionin policor “Revanshi” të 17 majit 2024 autoritetet mundën të arrestojnë 20 nga të listuarit, 14 prej të cilëve u kapën në Shqipëri, 6 të tjerë në Itali, Belgjikë, Gjermani dhe Spanjë. Avdyli ishte një nga ata që i shpëtuan policisë. Gjatë aksionit policia sekuestroi armë, sende, prona dhe para në vlerën e rreth 4.5 milionë eurove.
“Revanshi” i policisë
Dy fugonë të bardhë dhe një fuoristradë e zezë ndaluan nxitimthi përballë një porte hekurit në “Lagjen popullore” të Shijakut mesditën e 29 qershorit. Mbi 15 forca speciale të policisë dolën prej tyre duke siguruar zonën.
Një skuadër iu drejtua hyrjes anësore të një shtëpie buzë rrugës, ndërsa tjetra portës kryesore të avllisë që e rrethonte. Gjithçka monitorohej nga lart përmes një droni.
Disa orë pas këtij aksioni, policia deklaroi për mediat se pas 6 javësh kërkime kishte mundur të siguronte “përmes inteligjencës policore” vendndodhjen e të shumëkërkuarit Astrit Avdyli.
Zyra për shtyp e policisë shpërndau pamjet video teksa u konfirmua se shtëpia ku u zhvillua aksioni ishte e familjes Avdyli dhe se gjatë arrestimit atij iu sekuestrua një pistoletë.

Pamjet e shpërndara nga policia tregojnë për një ambient të siguruar me mure të larta dhe një portë elektrike. Shtëpia ishte pranë rrjedhës së lumit Erzen në një nga zonat me më pak dendësi ndërtesash në Shijak.
Banesa e familjes Avdyli ndodhej afër një fabrike fasonerie, mes një sipërfaqe trualli prej rreth 12,300 metrash katrorë. Ajo ngjante krejtësisht e fortifikuar. Pamjet satelitore tregojnë se përveç rrethimit me mur blloqesh betoni, në zonën përreth është ndërhyrë për të sistemuar dherat madje edhe në shtratin e lumit Erzen.
Besohet se Avdyli fshihej në këtë banesë prej muajit maj kur u shpall në kërkim. 50-vjeçari u shndërrua në një nga personat më të kërkuar të policisë pasi prokuroria ngriti akuzën pas provave të siguruara se ndihmoi ish-deputetin Arben Ndoka, për të siguruar kushtet për vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami, dy prej krerëve që organet ligjzbatuese i konsiderojnë si drejtues të grupit të Niklës në Fushë-Krujë.
Sipas prokurorisë, edhe nga qelitë e burgut Avdyli ishte në gjendje të organizonte plane për atentate. Ai “përdorte telefonin dhe aplikacionin e enkriptuar SkyECC për të komunikuar dhe garantuar mbështetje logjistike për vrasjen e vëllezërve Bami dhe në një rast tjetër për të ndihmuar në futjen brenda territorit shqiptar pa kryer procedurat e zakonshme të nipit të tij”, thuhet në dosjen që SPAK-u e ka pagëzuar me emrin “Metamorfoza”.
Durim Bami, gjithashtu i shpallur në kërkim nga SPAK-u në kuadër të operacionit “Revanshi”, u ndalua në Dubai më 10 qershor, ndërsa Ministria e Drejtësisë njoftoi se u ka kërkuar autoriteteve të Emirateve të Bashkuara ekstradimin e tij, megjithëse dy vendet nuk kanë marrëveshje për shkëmbimin e të dënuarve.
Emri i Astrit Avdylit u bë i njohur pas operacionit të ashtuquajtur “Volvo 4” në tetor 2018 ku u zbulua një laborator i përpunimit të heroinës në Has.
Nën akuzën për “trafik të lëndëve narkotike” policia arrestoi 44 persona, ku 19 ishin anëtarë të grupit të Avdylajt. Në këtë operacion u ndalua edhe vëllai i tij, Altin Avdyli, ndërsa në total, asokohe, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti fillimisht akuza për 40 persona. Ata dyshohej se ishin përgjegjës për një linjë narkotrafiku ndërkombëtar për të cilin bashkëpunonin me grupin e Bajrit në Shkodër dhe atë të Ndokës në Lezhë.
Katër vite më vonë, në vitin 2022, Astrit Avdyli, i njohur ndryshe si Astrit Balliu, Astrit Sulejmani apo “Kapelja”, u dënua me 12 vjet burg. Por ai dhe vëllai ishin liruar në vitin 2021 për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.
Në prill 2023, Gjykata e Posaçme e Apelit e rrëzoi dënimin me burg për “narkotrafik” ndaj Avdylit duke e kthyer një pjesë të dosjes “Volvo 4” për rigjykim me një tjetër trup gjykues. Gjatë kësaj kohe Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) vijoi hetimet paralele për shqyrtimin e përgjimeve të ardhura nga platforma SKYECC.
Në maj 2024 pas një hetimi të gjerë, SPAK-u deklaroi dyshimet se në kohën kur Astrit Avdyli ka qenë në paraburgim, gjatë vitit 2020, ndihmoi ish-deputetin Ndoka, duke angazhuar nipin e tij Aldo Avdyli dhe mikun tjetër Arben Mërkuri për të siguruar kushtet për vrasjen e vëllezërve Bami, të konsideruar prej Ndokës si përgjegjës për vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndoka, ngjarje e ndodhur në vitin 2017.
E shkuara dhe “pushteti” i Avdylajve
Emri i Astrit Avdylit u regjistrua për herë të parë në regjistrat e procedimeve penale gjatë vitit 2003. Ai u arrestua me akuzën e vrasjes, por pas dënimit me 16 vjet burg përfitoi ulje dënimi. Ai e përfitoi këtë përmes një raporti mjekësor që e diagnostikonte me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”.
Me vendim të Gjykatës së Lartë Avdyli fitoi lirinë më 2 mars 2016. Togat e zeza urdhëruan lirimin e tij të menjëhershme me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”.
Por vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u rivendos nën hetim me akuzën e përfshirjes në trafikun e drogave të forta. Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh derisa në tetor 2018 ngriti akuzat për “trafik ndërkombëtar droge”, “korrupsion”, “ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime me pronat”.
Hetimet e viteve 2016- 2018 evidentuan 5 grupe kriminale, të cilët ndërvepronin me njëri-tjetrin në kryerjen e veprave të ndryshme penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ato dyshohej se kishin shtrirje në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Dosja e etiketuar “339” ende ka dritëhijet e saj, por përgjimet e publikuara në vitin 2019 nga gazeta gjermane “BILD”, nxorën në pah pushtetin e Avdylajve në zonën e Shijakut dhe Durrësit.
Përgjimet e prokurorisë, të zhvilluara gjatë viteve 2016-2017, kur në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme vendore në Dibër dhe më tej zgjedhjet parlamentare, dëshmuan komunikime direkte të vëllait të Astritit, Altin Avdyli, me zyrtarë të lartë socialistë dhe drejtues lokalë dhe angazhimet e familjes së tyre në fushatën zgjedhore.
Altini, i njohur me nofkën “Niçja”, pranonte se do të siguronte vota për hambarin elektoral të Partisë Socialiste, por kishte çmimin e tij. “I pëlqyeri i grupit” do të vendosej në listat e kandidatëve për deputetë.
Vendosja në shërbim të politikës nuk ishin interesat e vetme që kishin Avdylajt në zonën e Shijakut dhe Durrësit. Në përgjimet e zbuluara tregohet interesi që ata kishin për pronat në qytetin bregdetar.
Në përgjimet e rrjedhura nga prokuroria, Altin Avdyli interesohet në Bashkinë e Durrësit për pronat që familja ka në qytet, një hotel shtatëkatësh dhe të paktën dy lokale.
Në rastin e hotelit pranë plazhit, trualli prej 600 metrash katrorë mbi të cilin u ndërtua, iu dha familjes Avdyli në maj të vitit 2017 me firmë të Kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako. Po në vitin 2017 familja Avdyli përfitoi dhe një lokal në qendër të Durrësit, pronë kjo e cila prej vitit 1992 shfrytëzohej nga një tjetër familje durrsake e cila nuk gjeti kurrë përkrahjen e Bashkisë së Durrësit për privatizim, pavarësisht përpjekjeve disavjeçare.
Një lokal plazhi përballë universitetit “Aleksandër Moisiu” ishte një tjetër pronë e familjes Avdyli, regjistruar në emër të së ëmës, Fatime Avdyli. Nga ana tjetër, në Shijak, vëllai i Astrit Avdylit rezulton të ketë përfituar një kontratë qiraje për një truall prej 1,000 metrash katrorë, mbi të cilin zhvilloi një biznes tregtar.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, avokati i Astrit Avdylit nuk iu përgjigj pyetjeve që “Shteg” ngriti mbi akuzat e prokurorisë apo dhe problemeve që familja ka pasur me ligjin.
*Version i rishikuar nga autori. Punuar dhe botuar më parë për Shteg.org – Projekt i Rrjetit për Rraportimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri – Të drejtat e ribotimit i përkasin vetëm autorit dhe “RRKOKSH”.
wow!! 14Zbërthehet grupi i Hajdar dhe Franc Çopja në Elbasan