Bashkimi Evropian lindi si nevojë dhe dëshirë ekonomike mes vendeve të Evropës perëndimore për të pasur lehtësira në tregtinë e lëndëve të para mes tyre dhe shumë vite më vonë pas traktatit të Maastrichtit (1992) kësaj dëshire ekonomike iu shtua edhe ajo politike që e çoi këtë bashkim në një nivel tjetër. Ishte traktati i Maastrichtit ai që parashikoi dhe strukturoi bashkimin ekonomik dhe atë monetar, bashkim i cili u finalizua në vitin 2002 me krijimin e zonës euro.
Që nga ajo periudhë, e deri më sot, (sidomos kohëve të fundit pas krizës Greke) të shumtë kanë qenë tezat pro dhe kundër monedhës së përbashkët. Britania e Madhe ishte një nga kundërshtaret më të forta të kësaj ideje dhe që nga diskutimi për traktatin e Maastrichtit ajo mbajti një qëndrim haptazi kundër monedhës së përbashkët. Aktualisht vetëm 18 nga 28 vendet që janë pjesë të Bashkimit Evropian janë pjesë edhe të “Zonës Euro”. Politikat monetare të këtyre vendeve “përcaktohen” nga Banka Qendrore Evropiane, pra disa nga mekanizmat kryesore të makroekonomisë së këtyre vendeve administrohen nga një institucion jo kombëtar por ndërkombëtar. Nga këto politika realizohen qëllime si rritja e GDP-së, ulja e pa-punësisë apo stabilizimi i çmimeve etj, kështu duke mos-pasur “në dorë” një instrument kaq jetik për ekonominë siç është Banka Qendrore, vendet në zhvillim janë të pa-mbrojtura nga krizat ekonomike përderisa politikat monetare zbatohen njëjtë për të gjitha shtetet e aderuara në euro-zonë, pasi kemi të njëjtën monedhë. Këtu qëndron edhe thelbi i tezës së shumë analistëve ekonomik të cilët krizën Greke ia adresojnë dhe fajësojnë këtë strukturë politiko-ekonomike. Aktualisht jemi në një moment shumë delikat, shumë analiza (disa dhe ekstreme) hamendësojnë se kjo monedhë rrezikon të zhduket nëse kriza e eurozonës vazhdon.
Shumë vende që janë pllakosur nga kriza ekonomike kanë shqyrtuar si opsion të mundshëm daljen nga eurozona dhe kthimin e monedhës kombëtare të mëparshme (shembull konkret është Greqia me dhrahminë) me qëllim që përmes rifitimit të sovranitetit mbi politikën monetare të zhvlerësojë monedhën e saj dhe të rrisë konkurueshmërinë brenda BE-së ose edhe në arenën ndërkombëtare. Këtë gjë asnjë vend (nga 18-të të tillët) nuk mund ta bëje si vend pjesëmarrës në eurozonë me qëllime “vetjake”, sepse siç thashë më sipër, politika monetare është “komunitarizuar” domethënë është kompetencë ekskluzive e Bankës Qendrore Evropiane, dhe si e tillë është ky institucion që përcakton një politikë të qartë për Unionin në tërësi dhe jo për vende të caktuara në veçanti.
Lidhur me vendin tonë, me sa kam dijeni, sipas kritereve të BE-së, vendet që aderojnë në BE janë të detyruara vetëm të pranojnë si objektiv “futjen” në eurozonë, por momentin se kur duhet të pranohet euro-ja kjo përcaktohet nga vetë vendi, pra këtë vendim do e kemi vetë në dorë. Shembull konkret janë Bullgaria dhe Rumania, të cilat janë integruar së fundmi në BE (në vitin 2004) dhe nuk kanë “ndërruar” monedhën e tyre. Nuk është rastësi që vende si Hungaria dhe Polonia (apo dhe vende të tjera) edhe pas 8 vitesh aderimi në BE ende nuk e kanë pranuar euron si monedhë të tyren pikërisht lidhur me transferimin e kompetencave mbi politikat monetare.
Aderimi në euro ka shumë dizavantazhe, sidomos lidhur me mbajtjen nën kontroll të inflacionit, që mbahet nga Banka Qendrore Evropiane në nivele 3 %, që janë komode për vende të zhvilluara (si Gjermani, Franca etj) dhe të pa-përshtatshme për vende në zhvillim si vendi ynë. Tjetër dizavantazh lidhet me prodhimin vendas dhe eksportet, një monedhë e përbashkët (dhe e fortë siç është euroja) do të rriste kostot e prodhimit dhe mallrat tona nuk do të mund të konkurronin më dot me anë të çmimit ashtu sikurse bëjnë aktualisht, pasi dihet cilësia e mallrave të huaja në raport me ato të vendit tonë.
Aktualisht turizmi ynë “konsumohet” më shumë për shkak të çmimeve të ulëta sesa për vendet dhe resurset që ofron. Shqipëria kapitalizon të ardhura më shumë vetëm me anë të zhvlerësimit të lekut kundrejt euros, politikë që zbaton vetë Banka jonë qendrore në rrethana të caktuara kohore. Kursimet e emigrantëve tanë janë në euro dhe vetëm me anë të kursit valutor puna e tyre jashtë territorit të Shqipërisë vlerësohet shumë herë më shumë sesa do të vlerësohej nëse do të kishim euron si monedhë. Për mendimin tim kjo është dhe arsyeja e vetme se përse ndodh kthimi i emigrantëve për pushime apo dhe për-gjithmonë në vendin tonë.
Aktualisht euro përdoret dhe gjen likuiditet në shumë aktivitete të vendit, de fakto euro është futur në vendin tonë, por ende jo de juro. Pse duhet të aderojmë në euro-zonë kur aktualisht në “tregun e mrekullueshëm” të informalitetit tonë,euro gjen mjaft përdorim ashtu sikurse monedha kombëtare e jona. Mendoj që Shqipëria duhet të mbajë këtë pozicion të tanishëm edhe në rast se aderon në BE, pasi është i vetmi pozicion i cili garanton më shumë anë pozitive sesa negative për ekonominë e vendit tonë.
Ju përgëzoj për punët dhe aktivitetete e bllogut ERBLIN VUKAJ.
Ju falenderoj per komentin tuaj! 🙂