Mund të kalosh gjithë jetën në shërbim të njerëzve dhe sërish të të mungojë respekti institucional ndaj teje. Kjo është historia e Dr. Agron Islamajt (neurolog), një histori 42-vjeçare shërbimi ndaj të sëmurëve. Histori që mban brenda 8 vite internim vuajtjesh, por një pafundësi përkushtimi ndaj njerëzve në nevojë. Doktor Islamajn sistemi komunist e dënoi, ndërsa nga sistemi demokratik nuk mori vlerësim. Por gjithçka ai e gjeti mes pacientëve, të cilët nuk e harruan kurrë dhe ju gjendën pranë edhe në çastet më të vështira. Sot edhe pse 66-vjeçar, doktori nuk rri dot pa shërbyer… “Kur nuk kam vizita, e ndjej veten keq”, thotë ai, duke mos i fshehur emocionet. Edhe pse aktualisht nuk punon më në Poliklinikën Qendrore të Tiranës, vend në të cilin punonte që prej vitit 1998, asgjë nuk e ndalon më që të vazhdojë dhe t’i kryejë vizitat në shtëpinë e tij, kjo sepse doktor Agroni mbetet gjithmonë i kërkuar. “Vijnë shpesh të më kërkojnë. Ja për shembull mbrëmë isha te një pacient te‘Tirana e Re’, te një tjetër në “Kinostudio” dhe dy pacientë të tjerë i prita në shtëpi. Zakonisht i pres këtu, por dhe u shkoj në shtëpi, sepse njerëzit janë të sëmurë, edhe me raste nuk mund të lëvizin”, shprehet doktor Agroni, i cili megjithëse në një gjendje jo të mirë fizike, pasi ka lënduar gjurin e majtë, gjendet gjithmonë i gatshëm kur vjen puna për të shërbyer. Teksa na drejton për në shtëpinë e tij private, pranë gjimnazit “Partizani” në Tiranë, të shumtë janë kalimtarët që e përshëndesin. Duke ecur ashtu-ashtu me gjurin e lënduar, doktori na mirëpret në shtëpi, në studion “modeste”, siç preferon ta quajë ai dhomën e mbushur plot e përplot me libra, vend ku mirëpret edhe pacientët e tij. I ulur në karrigen pranë tryezës së punës, na flet për studimet që ka bërë, botimet nëpër gazeta dhe revista të ndryshme, bashkëpunimet me doktorë të tjerë, dhe ndërkohë na tregon edhe botimin e tij të fundit, monografinë “Epidemiologjia dhe klinika riaftësuese e aksidenteve iskemike të trurit”.
Pacientja e parë
I palodhur së studiuari, doktori fillon e tregon vështirësitë që ka kaluar gjatë jetës së tij. Që nga shkollimi, dita e parë e punës, persekutimi, ngjarjet e vitit të trazuar 1997 dhe deri në ditët e sotme, kur e “zëvendësuan”. Teksa na flet, emocionet i ndjehen nga drithërimi i fjalëve. Tregon pacientin e parë. Na thotë se atë e mban mend edhe sot, sepse e tronditi shumë. “Nuk kisha shumë që kisha filluar punën në klinikën e neurologjisë. Mbaj mend që më caktuan për mjekim një vajzë gjimnaziste, vajzën e një gazetari, që fatkeqësisht vuante nga një tumor në tru. Ishte një paciente së cilës, ndryshe nga sa kishin bërë mjekët e tjerë, i kisha fituar besimin. Kjo më la një ndjesi afrimiteti me të. Diagnoza tumorale ishte tumor në trungun e trurit, një zonë e vështirë për t’u trajtuar, sidomos për kohën, vitet ’75. Kohë në të cilën mjetet nuk ishin. Pas 10 ditësh mjekim, gjendja iu përkeqësua. Ajo kaloi në vdekje klinike dhe nuk i hapi më sytë. Ishte një rast që më ka ngelur në mendje, edhe sot. Më tronditi aq shumë saqë iu drejtova profesor Prezës (Dr. Bajram Preza, themelues i shërbimit të neurologjisë në vendin tonë), i thashë: “Nuk dua të punoj më!”. Ai e pa gjendjen psikologjike që po kaloja dhe më mbajti afër, më këshilloi ashtu siç dinte ai. U trondita shumë. M’u deshën tri ditë që t’i kthehesha sërish shërbimit dhe ende e mbaj mend atë përjetim, ende e mbaj mend atë vajzë, për të cilën nuk mundëm të bënim asgjë”, tregon doktori me zërin që i dridhet. Por në këtë periudhë të jetës së doktor Islamajt ka edhe ngjyra të ndezura, jo vetëm emocione të hirta.
Takimi me bashkëshorten e ardhshme
Duke treguar se, krahas punës jepte mësim si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë, doktori na thotë se këtu u njoh edhe me Esmeralda Kalon (sot mjeke stomatologe), vajzën e cila më pas do të ishte gruaja e tij. “Ndërkohë që jepja mësim kam njohur Esmeraldën, bashkëshorten time. Në një dashuri brenda mjekësisë, u njohëm me njëri-tjetrin dhe siç bëhej zakonisht bëmë ato takimet me familjet dhe kështu…”, rrëfen doktori disi me ndrojtje ndërkohë që nis të flasë, edhe për problemet politike që më pas i diktuan jetën.
Pas dënimit të të atit për Agjitacion Propagandë, nga Tirana në Gramsh
“Gjërat po ecnin mirë, kisha përgatitur edhe disertacionin për të marrë titullin shkencor, por në vitin 1983 ndodhi që babai m’u akuzua me ligjin famëkeq të Agjitacion Propagandës dhe kështu u detyruam të vendoseshim në Gramsh, edhe jo vetëm titullin nuk e mora, por u detyrova të kisha një karrierë krejt ndryshe nga ç’e kisha përfytyruar në fillim. Në Gramsh më caktuan që të mbuloja shërbimet që mungonin. Kështu mbulova shërbimin e neuropsikiatrisë. Edhe pse më duhej që në shumë raste të paraqitesha në degë për të raportuar, të përballesha me kontrolle dhe kufizime të herëpashershme, nuk u dekurajova, por vazhdova të punojë me të njëjtin përkushtim. Në këtë drejtim për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve që kishin pësuar goditje në tru dhe që kishin paraliza, u mundova që të ngrija një repart të mirë riaftësimi. Kështu mundësuam disa pajisje goxha funksionale”. Por, përtej politikës, si e pritën njerëzit e thjeshtë punën e doktor Agron Islamajt? Ai na thotë se, pavarësisht dënimit politik që kishte marrë, njerëzit e thjeshtë iu gjendën afër. “Pavarësisht gjithçkaje populli i Gramshit pa tek unë njeriun që i shërbente dhe më vlerësoi për këtë gjë. Ruaj përshtypjet më të mira si për kolektivin që ishte asokohe, edhe për njerëzit e zonave përreth”. Në këtë periudhë në Gramsh, doktor Islamajt i takonte shpesh të ishte edhe mjek roje, për këtë flet edhe historia e radhës që ai ndan me ne. “Mbaj mend ishte një natë që në spital na u paraqit një grua që kishte abortuar dhe kishte shumë hemorragji. Na mungonte si kirurgu, ashtu edhe gjinekologu. Nuk dija çfarë të bëja. Të ndërhyja me aq sa dija nga teoritë që kisha marrë në shkollë, pra pa ja pasur idenë praktikës, e në këtë mënyrë të vija në rrezik jetën e asaj gruaje, apo ta adresoja për spitalin qendror, duke pritur një ambulancë dhe në këtë mënyrë ajo do të vdiste nga gjakderdhja? Vendosa që të ndërhynim ne. Bashkë me një mami që kishim e morëm atë grua dhe e futëm në sallë të operacionit. Me shumë frikë, por me idenë që po bënim gjënë e duhur, e pastruam dhe arritëm t’ia ndërprisnim gjakderdhjen. Nuk e di sesi ia dolëm, por di që ajo u bë shumë mirë dhe sot e kësaj dite më merr në telefon duke më falënderuar”. Ky ishte një nga rastet e shumta që doktori na tha se kishte trajtuar në Gramsh. Ndërkohë vitet kaluan dhe sistemi komunist u rrëzua, por për doktor Agronin vuajtjet nuk do të kishin mbarim. “Në vitin 1991 ishte ajo koha e demokratizimit të vendit dhe ne u rikthyem në Tiranë, por shtëpinë e gjetëm të zënë dhe na u desh të përballeshim me gjyqe, vetëm e vetëm që të kishim sërish shtëpinë. Këtu im atë, kur pa këto gjëra që ndodhën pas internimit, nuk e përjetoi mirë, sepse priste gjë krejt tjetër dhe vdiq shumë shpejt. Një vit pas tij vdiq edhe nëna. Pra prindërit nuk është se e gëzuan këtë ndryshim”. Por pavarësisht këtij përjetimi, doktor Agroni vazhdoi t’u shërbente njerëzve në nevojë.
Mes plumbave, por në krye të detyrës
Ai kaloi në shërbimin ambulator në Vorë dhe paçka ngarkimit që kishte na tregon se nuk qëndroi duarkryq. “Edhe këtu krijova për herë të parë repartin e neuropsikiatrisë”, thotë doktori, i cili ishte pikërisht duke shërbyer në këtë zonë, kur në vitin 1997 shpërthyen trazirat. “Ishim në punë kur filloi tmerri i atij marsi. Pamë djem të rinj që merrnin armë dhe qëllonin, qëllonin pa pushim dhe kudo. Normalisht kryem punën edhe pse ishte e vështirë mes tërë atyre krismave. Por kur mbaruam na bllokuan mikrobusin që na sillte për Tiranë, kështu kush kishte mundësi gjeti ndonjë veturë private dhe u kthye, kush s’kishte, atë natë mbeti atje”, kujton mjeku i vjetër, i cili shton se në atë periudhë nëpër rrugë i është dashur të përjetojë, edhe bandat famëkeqe. “Mes plumbash kemi vajtur për të parë të sëmurë, madje edhe të sëmurë që asokohe ishin dikushi. Mbaj mend më është dashur të shkoja për një vizitë të tillë në Cërrik dhe në Kërrabë na ndaluan disa banda. Një tmerr i vërtetë, por që kur ua shpjeguam se kush ishim dhe për çfarë po lëviznim na lejuan të kalojmë”.
16 vjet në Poliklinikën Qendrore, e zëvendësojnë kur lëndohet në gju
Këto janë disa nga përjetimet e doktor Islamajt, i cili pas trazirave shërbeu për 16 vite në Poliklinikën Qendrore të Tiranës, shërbesë që gjithsesi nuk u vlerësua sa duhet, pasi sot ai nuk punon më aty. “Më komunikuan në telefon se më kishin zëvendësuar”, thotë doktor Islamaj, tashmë 66-vjeçar dhe me titullin “Doktor Shkencash”. “Kam lënduar gjurin teksa po shkonim në një vizitë në Lezhë. Në kthim shoferi na rrëzoi dhe lëndova gjurin e majtë. Kështu doja që të shkoja dhe ta mjekoja në Maqedoni, ndaj dhe mora leje. Por ndërkohë më marrin në telefon dhe më thonë: “Mos hajde më se të kemi zëvendësuar!” Kjo ishte shumë e rëndë. Të punosh një jetë, të përpiqesh me sa mundesh për më të mirën e të tjerëve dhe kur vjen puna të të sillen kështu. Do më kishte pëlqyer që të paktën të më ishte thënë verbalisht. Të më kishin thirrur dhe të më ishte thënë përballë, jo nëpërmjet një telefonate. Por të them të drejtën, edhe këtë e kalova si me sportivitet. Kam kaluar kaq shumë gjëra në jetë, saqë kjo nuk është se mu duk ndonjë gjë më ndryshe. Fatmirësisht ka pasur kush të më vlerësojë. Pacienti! S’ka vlerësim më të madh sesa vlerësimi i atij të cilit ti i shërben”, thotë doktor Agron Islamaj, i cili pavarësisht kësaj vazhdon dhe u shërben njerëzve në nevojë në shtëpinë e tij.
Nga viti 1971 e deri më sot, në shërbim
Doktor Agron Islamaj u lind më 20 janar të vitit 1948 në Tiranë. Në vitin 1970, dashuria për mjekësinë e çoi atë të përfundonte studimet në Fakultetin e Mjekësisë. Një vit më pas, më 3 janar të vitit 1971 fillon punë si mjek neurolog pranë Klinikës së Neurologjisë. Krahas punës iu përkushtua studimeve duke u specializuar për neurologji dhe sëmundjet e enëve të gjakut në tru. Duke vijuar në këtë drejtim, në vitin 1982 punoi disertacionin e titulluar, “ Studime epidemologjiko-klinike dhe riaftësuese të isulteve iskemike të trurit” për të marrë titullin “Doktor i Shkencave”, por që për arsye politike këtë punim nuk arriti ta mbronte. Në këtë vit, i ati i tij bie viktimë e ligjit famëkeq të Agjitacionit dhe Propagandës dhe pas 14 muajsh hetuesie, internohet familjarisht në fshatin Ermenj të Gramshit. Në këtë rreth ku në mjekësi mungesat ishin të mëdha, doktor Islamaj shërben si neuropsikiatër, duke krijuar për herë të parë këtë shërbim në këtë zonë, që deri atëherë nuk ekzistonte. Gjithashtu për herë të parë ai krijoi edhe repartin e riaftësimit kryesisht të të sëmurëve neurologjik. Pavarësisht kushteve dhe njollën politike, që e shoqëronte nga pas, me punën e bërë ndër vite doktor Islamaj arrin të fitojë respektin e banorëve të Gramshit. Pas tetë vitesh internim, me fillimin e proceseve demokratizuese të vendit, në vitin 1991 vuajtjet lehtësohen disi dhe rikthehet në Tiranë me prindërit e tij. Në këtë periudhë në kuadër të rehabilitimit të të përndjekurve politikë rifillon punë në të njëjtën klinikë ku kishte filluar në fillim, pra në klinikën e Neurologjisë. Në këtë klinikë doktor Islamaj qëndron deri në vitin 1993, kur pastaj kalon në shërbimin ambulator të Tiranës, në Qendrën Shëndetësore të Vorës. Në këtë qendër shëndetësore, duke parë edhe mungesën që kishte, doktori krijon shërbimin e neuropsikiatrisë, shërbim që ua mundëson njerëzve në nevojë deri në vitin 1998, vit në të cilin doktor Islamaj kalon në Poliklinikën Qendrore të Tiranës, vend në të cilin punoi (për 16 vite) deri këtë vit. Ndërkohë në fushën studimore doktor Agron Islamaj iu rikthye temës së disertacionit, temë që për shkaqe politike kishte ndërprerë në vitin 1982. Duke e riformuluar tezën e tij dhe duke e mbrojtur atë me vlerësim maksimal, në vitin 2002 ai fiton titullin “Doktor i Shkencave Mjekësore”. Po në fushën studimore në vitin 2005 specializohet për fizioterapi, pranë Universitetit “Vojo Kushi” Tiranë. Duhet thënë se kontributi i doktor Islamajt është edhe në fushën pedagogjike. Nga viti 1975 e deri në vitin 1983 ai ka qenë pedagog i jashtëm për lëndën e Neurologjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Ndërkohë nga viti 2002 e deri në vitin 2010 punoi si pedagog i jashtëm në Departamentin e Mjekësisë Sportive të Universitetit të Sporteve “Vojo Kushi”. Doktor Islamaj zotëron tri gjuhë, gjuhën franceze, italiane dhe atë ruse, pikërisht këtë aspekt të tij ia ka trashëguar e bija, e cila ndjek studimet e larta për gjuhët e huaja.
Publikuar te “Shekulli” më 12/12/2014