75 për qind e rasteve të vdekjeve foshnjore, janë të sapolindur

Edi Tushe, neonatologVdekjet e të sapolindurve përbëjnë 75 për qind të numrit total të vdekjeve foshnjore, vdekje që përgjithësisht vitet e fundit janë ulur, por vazhdojnë të mbeten shqetësuese. Eduard Tushe, mjek neonatolog shpjegon për “Shekulli”-n se përse ndodhin vdekjet foshnjore, cilat janë shkaktarët kryesorë, si dhe mënyrat e parandalimit të tyre. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, vdekshmëria foshnjore (vdekshmëria deri në fillim të vitit të dytë të jetës) ka pësuar një ulje të ndjeshme në këto 20 vitet e fundit. Nga 30 për qind e deklaruar në vitin 1995, në 8.7 për qind në vitin 2011. Ky ndryshim ka ndodhur kryesisht për shkak të uljes së vdekshmërisë pas muajit të parë të jetës (gati 9 herë më e ulët), ndërkaq që ritmi i pakësimit të vdekjeve të të porsalindurve (vdekjet në 28 ditët e para të jetës) ka qenë më i ulët (gati 2 herë më e ulët). “Aktualisht vdekjet tek i porsalinduri përbëjnë rreth 75 për qind të vdekjeve foshnjore”, thotë mjeku Tushe. “Kjo dukuri vë në pah vëmendjen që duhet të tregojnë shoqatat e profesionisteve, institucionet qeveritare dhe jo qeveritare dhe gjithë opinionin publik për përpunimin e strategjive që mund të përmirësojnë këtë lloj vdekshmërie”.

Pikë së pari, për shembull, lindi një fëmijë… më pas çfarë bëhet? Si janë procedurat? Si ndiqet ai/ajo?
Pothuajse të gjitha lindjet në vendin tonë ndodhin në prani të personelit shëndetësor dhe shumica dërmuese e tyre në institucione shëndetësore. Pas daljes nga materniteti, kujdesi për të porsalindurin edhe me tej vazhdohet nga këshillimorja e foshnjës, të cilat janë të shpërndara në të gjithë vendin. Fëmija i porsalindur shoqërohet me fletoren e shëndetit kurse këshillimores i shkon kartela e të porsalindurit (që në thelb përmban më shumë informacion profesional mbi të porsalindurin).

Pse vdesin fëmijët e porsalindur? Cilat janë shkaqet e përgjithshme që mund të çojnë në vdekje? Si mënjanohen ato?A janë të shpeshta këto raste në Shqipëri, a ka ndonjë shifër?
Shkaqet që shpien në një vdekje të të porsalindurit mund të ndahen në shkaqe “endogjene” dhe “ekzogjene”. Shkaqet endogjene kanë të bëjnë me rrethana shëndetësore të caktuara të nënës dhe frytit dhe/ose të të porsalindurit. Kurse shkaqet ekzogjene lidhen me zhvillimin socio-ekonomik e kulturor të vendit. Shkaqet endogjene në vetvete ndahen në të shmangshme dhe të pashmangshme (për shembull një keq-formim i lindur papajtueshëm me jetën). Që do të thotë se rreth 2/3 e vdekjeve të të porsalindurit mund të shmangen nëqoftëse zbatohen disa masa të njohura, si të efektshme në lindjen e një fëmije dhe në periudhën menjëherë pas lindjes. Këto masa nuk kërkojnë detyrimisht shpenzime të mëdha financiare, por organizim më të mirë të punës, trajnim të personelit, analizë të rezultateve dhe rasteve etj. Shkaqet e vdekjeve janë të ndryshme në institucione të ndryshme dhe është e vështirë të kesh një tablo të qartë për të gjithë vendin. Mund t’ju them se shkaku kryesor i vdekjeve në maternitetet e Tiranës është lindja parakohe dhe ndërlikimet që ajo sjell. Por kjo është një prirje ndërkombëtare, që ndodh gjithandej nëpër botë.

A ka faktorë risku të jashtëm për fëmijët e sapolindur? Domethënë përtej komplikacioneve shëndetësore që mund t’i kenë edhe të lindura, a mundet që komplikacionet të krijohen për shkak të faktorëve të jashtëm, të tipit luhatja e temperaturave, mangësia në higjienë, uji jo i pastër apo mangësi të ndryshme sanitare?
Këta faktorë që ju përmendni kanë shumë të bëjnë me menaxhimin, organizimin e spitaleve dhe pra hyjnë në ata që i quaj shkaqe të shmangshme. Për shembull temperatura në spitale është e ulët gjatë dimrit sepse nuk është siguruar ende ngrohja. Për të tejkaluar këtë problem është i nevojshëm një grup (ekip) i dijshëm dhe i përgjegjshëm që diskuton problemin dhe di të shfrytëzojë si duhet burimet që disponon. Zgjidhja e problemit nuk vjen vetëm duke u ankuar. Administratori i përgjegjshëm shfrytëzon autoritetin, personeli i dijshëm përdor kontaktin e hershëm lëkurë më lëkurë të nënës me të porsalindurin, nxit ushqyerjen e hershme (ushqyerje-energjingrohtësi), lejon përdorimin e mjeteve ngrohëse nga familjarët etj. Kur mungon uji merr masa për përdorimin e rezervuarëve të ujit, ose lambikëve dhe ndërgjegjëson personelin dhe pacientet se masa kryesore për të ruajtur fëmijën nga infeksionet është larja e duarve, ushqyerja e hershme, mbajtja e nënës së bashku me fëmijën (jo veçimi i fëmijës nga nëna) etj. Pra është një qasje e shumëformëshe dhe siç thashë dhe më parë e përgjegjshme dhe e dijshme.

Sa nga nënat e reja të maternitetit vijnë nga rrethet? Sipas jush, pse këto nëna zgjedhin Tiranën?Llogaritet, që në Tiranë, rreth 35 për qind e lindjeve vijnë nga rrethet. Natyrisht që Institucionet e Tiranës janë qendra referimi dhe si të tilla, në Tiranë duhet të sillen shtatzënitë me rrezik dhe fëmijët e rrezikuar. Por një pjesë e madhe e lindjeve vijnë spontanisht në Tiranë duke anashkaluar sistemin e referimit. Kjo sjell mbingarkesë të panevojshme të spitaleve të Tiranës. Mundet dhe është e drejta e individit të zgjedhë vendin ku do të lindë, por mendoj se ka ardhur koha që kjo të rregullohet. Shumica e këtyre shtatzënave parapëlqejnë lindjen në Tiranë, për shkak se mendojnë që shërbimet që ofrohen janë më cilësore.

Kur është periudha që numri lindjeve është i më i lartë? A ka ndonjë lidhje mes kësaj periudhe të numrit të lartë të lindshmërisë dhe vdekshmërisë foshnjore?
Shpërndarja e lindjeve ka karakter stinor. Në muajt e vjeshtës së vonë dhe dimrit ka më pak lindje. Nuk ka lidhje mes vdekshmërisë së të porsalindurit me numrin total të lindjeve. Vdekjet e të porsalindurve janë të lidhura me karakteristikat e foshnjave në lindje, për shembull i lindur para kohe, ose me peshë të vogël. Natyrisht nuk është kaq e thjeshtë, por e shprehur me gjuhë të thjeshtë, mora këtë shembull, si edhe më i njohuri në opinion. Shpeshherë kur krahasojmë 2 institucione, se cili ka rezultate më të mira, ne shpesh gjykojmë nga numrat globalë, në fakt duhet të shohim se sa fëmijë të rrezikuar shpëtojnë në një maternitet dhe sa në tjetrin, ose anasjelltas sa fëmijë pa rrezik vdesin respektivisht në të dy spitalet. Ky do të ishte gjykimi më i drejtë.

Ju ka ndodhur ndonjëherë që të jeni lajmëtari i një vdekjeje foshnjore? Si ka qenë për ju ky rast? Po për prindërit?
Ky është çasti më i vështirë në jetën e një profesionisti. Të komunikosh një lajm të keq nevojitet shumë ndjenjë dhe qartësi. Sa më e papritur të jetë vdekja, aq më i vështirë është komunikimi. Reaksioni i prindërve është i ndryshëm. Përgjithësisht në momentin e parë ata zemërohen, përpiqen të kërkojnë fajtor, por gjithçka varet nga takti dhe parapërgatitja e kujdesshme që u bëhet prindërve në këtë rast. Përjashtimi i prindërve nga kujdesi për fëmijën, mungesa e informacionit për gjendjen e fëmijës, informacioni i përçarë që personeli u komunikon prindërve mbi gjendjen e fëmijës, janë disa faktorë që e shtojnë edhe më shumë dhimbjen e të afërmve në këtë ngjarje dramatike të jetës së tyre.

“Zgjodha t’i lindja fëmijët në Tiranë sepse nuk kisha besim tek Spitali i Kukësit”
Mira M. është një nënë 28-vjeçare nga Kukësi, e cila zgjodhi t’i lindte dy djemtë e saj në Tiranë dhe jo në qytetin ku jeton. Zgjedhja e Mirës u kushtëzua nga pasiguria që përcjell në përgjithësi sistemi shëndetësor rajonal i Kukësit. Sot djemtë e saj janë njëri 4 vjeç dhe tjetri 6 muajsh dhe ajo ndihet e lumtur për zgjedhjen që bëri. “Në spitalet e Kukësit, nuk është se ka pasur investime. Gjendja s’të lë përshtypje të mira edhe sot lëre më atëherë dhe të them të drejtën kam pasur frikë, sepse kishim dëgjuar dhe vazhdojmë të dëgjojmë për raste vdekjesh fëmijësh, ose nënash dhe nuk kisha fare besim te mjekët këtu (në Kukës). Si unë ashtu dhe bashkëshorti im, nuk kemi pasur besim t’ua linim atyre (mjekëve të Kukësit) në dorë jetën time apo të fëmijëve. Gjendja këtu ka qenë keq, sidomos për ujin e pijshëm dhe ngrohjen”, tregon Mira, nëna e dy fëmijëve, të cilët edhe pse po rriten në Kukës janë lindur në Tiranë. “Kur kisha shtatzëninë e parë gjetëm mundësinë që të vinim në Tiranë te Materniteti ‘Koço Gliozheni’. Realisht me vetëdije të plotë se po e anashkalonim sistemin e referimit, sepse lindja në fakt i takonte të bëhej në Kukës, nëpërmjet disa njohjeve, mundëm që të siguronim ndjekjen e rastit te Materniteti i Ri në Tiranë. Trajtimi ishte ashtu sikurse kishim kërkuar, shumë shumë i mirë. Kjo pastaj më dha atë sigurinë që, edhe në shtatzëninë tjetër të shkoja atje (Materniteti ‘Koço Gliozheni’). Jo vetëm që mjekët ishin tejet të përgatitur, por dhe ambienti dhe trajtimi të bindnin që ishe në vendin e duhur”, thotë Mira.

Rritja e investimeve për fëmijët
Gjatë një konference, në qendër të së cilës ishte diskutimi për rritjen e investimeve publike për fëmijët, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se ndonëse treguesit e vdekshmërisë foshnjore e fëminorë mbeten ende relativisht të larta, në vitet e fundit vihet re një prirje uljeje. “Synojmë të arrijmë që çdo grua të ketë një shtatzëni të shëndetshme dhe që çdo fëmijë të lindë dhe të zhvillohet normal”, tha ministri Ilir Beqaj. “Ministria e Shëndetësisë mbetet e angazhuar të zbatojë objektivat e saj, që do të jenë pjesë e Planit Kombëtar të Veprimit për Fëmijët, mbështetur sigurisht mbi rekomandimet OBSH-së, UNICEF-it dhe organizatës Save The Children për përmirësimin e situatës së shëndetit të nënave dhe foshnjave të porsalindura, për të arritur qëllimin kryesor: përmirësimin e vazhdueshëm të shëndetit dhe të cilësisë së jetës së tyre, si edhe duke ndikuar në uljen progresive të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë së tyre”.

Publikuar te “Shekulli” më 19/12/2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.