Aparatura e re te Neurologjiku, 25 trajtime tumorale në ditë

Ekipi i Akseleratorit "X-Knife"Më shumë se 25 raste tumorale trajtohen çdo ditë me akseleratorin “X-Knife” në Spitalin e Neurokirurgjisë, “Profesor Kurti”. Mjekët thonë se, aparatura jep rezultate të mira, por nuk përballon dot rastet e shumta, duke bërë që të sëmurët të presin me javë të tëra për t’u trajtuar. Neurokirurgu Artur Xhumari në një intervistë për gazetën “Shekulli”, shprehet se…. “Akseleratori u ka mundësuar të sëmurëve tumoral një trajtim më komod dhe shumë herë më më të saktë”. Në vendin tonë lufta kundër sëmundjeve tumorale zhvillohet me 3 armë kryesore. Me kirurgji, kimioterapi dhe me rrezatim. Ky trajtim i fundit, pra ai me rrezatim, është përmirësuar ndjeshëm këtë vit falë akseleratorit linear të quajtur “X-Knife”, aparaturë e nivelit bashkëkohor, e cila kushtoi rreth 1.5 milionë euro. Të sëmurëve që trajtohen me radiokirurgji tanimë nuk u duhet që të shtrohen në spital, pasi trajtimi i tyre kryhet me seanca, trajtim që në disa raste u shmang edhe operacionet kirurgjikale, operacione që mbartin më vete rrezikshmërinë e komplikacioneve, apo dëmtimeve serioze. Por edhe pse Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) më në fund ka akseleratorin e saj, ai nuk mjafton. “Për standardin Evropian, një akselerator u shërben rreth 500 mijë banorëve”, thotë Dr. Artur Xhumari, i cili shton se për të përmbushur nevojat e vendit tonë janë të nevojshëm të paktën 6 të tillë. Në këtë drejtim Drejtoria e QSUT-ës, po punon që brenda vitit 2015-të të instalohet edhe një akselerator i dytë, çka do të mundësonte trajtime më të shumta.

Doktor Xhumari duke punuarStafi elementi kyç i dhënies së shërbimit
Me akseleratorin linear, sot për sot, trajtohen më shumë se 25 raste tumorale në ditë, nga të cilat 24 prej tyre janë radio-terapeutike dhe vetëm një është trajtim me radio-kirurgji. Sipas asaj çka tregon Dr. Xhumari, shërbimi me këtë aparaturë kushtëzohet nga personeli, i cili duhet të jetë i specializuar. “Sa më e avancuar aparatura, aq dhe më i përgatitur duhet personeli, në të kundër aparatura nuk ka çfarë të duhet”, thotë Xhumari, i cili shton se stafi është tejet i specializuar. Aktualisht stafi i akseleratorit tek Neurologjiku, përbëhet nga 6 ekspertë: një radiokirurg (Dr. Sh. Artur Xhumari), një radio-onkolog (Dr. Aurora Aliraj), dy fizikanë mjekësorë (Blerina Myzeqari dhe Irena Muçollari) dhe dy teknikë radioterapie (Renajdo Tafaj dhe Bledar Çullhaj). Në këtë drejtim Neurologjiku ofron një anë pozitive, bashkë-koordinimin e mjekëve në trajtimin e rasteve me sëmundje tumorale. “Eshtë i nevojshëm stafi multi-disiplinar, që përbëhet nga mjeku që di të operojë, më pas imazheristi, tjetër është mjeku që kupton sëmundjen dhe e trajton pacientin me ilaçe, që mund të jetë kardiologu, neurologu, e kështu me radhë. Është i nevojshëm doktori që e sheh kancerin me mikroskop, histopatologu, mjeku i biopsisë, anatomopatologu e të tjerë, pra është e nevojshme tërësia e këtyre specialiteteve në mënyrë që të formohet stafi multi- disiplinor, i cili më pas vendos se për çfarë ka nevojë një pacient, për kirurgji, për kimioterapi apo për rrezatim. Te ne (neuro-onkologjia) kjo gjë, pra stafi multi-disiplinor ka ekzistuar prej vitesh. Ndërsa tanimë është rënë dakord, që të organizohet edhe nga spitalet e tjera në mënyrë, që të mirë-operohet edhe për sëmundjet e tjera tumorale, që nuk prekin trurin”.

Rastet e shumta kërkojnë akseleratorë të tjerë
Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, për periudhën 1993-2011 mesatarja e shtrimeve me sëmundje tumorale në QSUT ka qenë me 12039 shtrime në vit, me totalin e kësaj periudhe 18-vjeçare, që shkon në 228 mijë e 759 të shtruar. Këto shifra janë të papërballueshme edhe me implementimin e akseleratorit të ri, akselerator që sipas standardeve ndërkombëtare mund të mbulojë deri në 500 mijë banorë. “Ne jemi me një akselerator në një kohë kur në Shqipëri do të duheshin të paktën gjashtë të tillë”, thotë Dr. Xhumari. Por sipas doktorit, fatmirësisht është një projekt që po avancon, projekt i cili parashikon që brenda vitit të ardhshëm të shtohet edhe një akselerator i dytë, derisa hap pas hapi të jetë edhe i treti. Por pavarësisht optimizmit që ka Xhumari për një përmirësim në të ardhmen, e tashmja ofron kushte të tilla që të sëmurë me tumore të ndryshme të mbajnë radhë, në mënyrë që të marrin trajtimin e nevojshëm. Gjendja pranohet me keqardhje edhe nga doktori. “Një akselerator i dytë do na lehtësonte jashtë mase, sepse është shumë e rëndë t’i thuhet të sëmurit që: Po! Ti ke nevojë për rrezatim, por duhet të presësh radhën… në një kohë që radha nuk dihet sesa mund të zgjasë”.

Pajisjet e Akseleratorit "X-Knife"Aparatura e re e Neurokirurgjisë, ndryshe nga “Kobalti” i Onkologjikut
Aktualisht në QSUT trajtimin me rreze të sëmundjeve tumorale, pacientët e marrin edhe në Spitalin Onkologjik, por aparatura e këtij spitali është e një teknologjie të vjetër dhe nuk ofron të njëjtën saktësi mjekimi sikurse “Akseleratori Linear X-Knife” i Neurokirurgjisë. “Akseleratori linear shërben për trajtimin e tumoreve, qoftë ato malinje, por edhe disa beninje. Trajtimi përmes kësaj aparature kryhet nëpërmjet rrezatimit me fotone të qelizave tumorale. Aparatura ndryshe nga ato të viteve të kaluara nuk punon me kobalt, element ky që është një burim radioaktiv”, thotë Aurora Aliraj, radio-onkologe. “Rrezatimi me kobalt është një trajtim që në Evropë ka rreth 20-30 vite që ka dalë jashtë funksioni, kjo pasi saktësia e rrezatimit dhe aplikimit të dozës është më e ulët”, thotë radiokirurgu Xhumari.  Ai më tej shton se, akseleratori Linear X-Knife është i gjithi kompjuterik dhe ka saktësinë e rrezatimit gjeometrik me një diametër prej rreth 1 milimetrave. “Pra rreth 1 milimetra ka saktësinë gjeometrike që e hedh rrezen. Dhe e dyta është se kjo aparaturë ka saktësinë e dozës. Te kobalti këto parametra janë më pak të sakta. Duhet të themi se kjo diferencë te pacientët ose nuk jep trajtimin e kërkuar, ose në rastin më të keq jep dëme”.

Çfarë janë tumoret?
Tumoret janë shumim i pa kontrolluar i qelizave jo normale  në trupin e njeriut. Ato ndahen në tumore beninje dhe malinje ose të ashtuquajtur tumore të mira dhe të këqija. Tumoret beninje kanë një rritje të ngadaltë, që mund të zgjasë me vite deri në momentin që të japë shenja klinike. Nuk përhapen nga vatra primare ku janë formuar në distancë (domethënë nuk metastazojnë) dhe nuk janë infiltrativë (ka një kufi të qartë ndërmjet tumorit dhe indit normal). Tumoret malinje janë ndryshe. Në ndryshim nga ato beninje, tumoret malinje kanë një rritje shumë të përshpejtuar, metastozojnë në distancë me rrugë hematogjene ose limfatike dhe janë infiltrative domethënë nuk kanë një kufi të qartë ndërmjet tumorit dhe indit të shëndoshë, pikërisht kjo e bën të vështirë dhe heqjen totale të një tumori me kirurgji në nivel mikroskopik.

Simptomat dhe diagnostikimi
Rreth simptomave Dr. Sh. Artur Xhumari, flet rreth specializimit që ai mbulon, pra rreth tumoreve që prekin trurin. Simptomat e një tumori në tru mund të jenë të përgjithshme dhe specifike, këto të fundit varen nga lokalizimi i tumorit, pjesa ku ai shfaqet. Tumoret mund të paraqiten me dhimbje koke, epilepsi çrregullime të ekuilibrit, deficite të nervave (në formën e mpirjes ose paralizave të gjymtyrëve), çrregullime të kujtesës dhe çrregullime të sjelljes. Ka dy raste të diagnostikimit të një tumori: ai rastësor (kur kjo gjë ndodh gjatë një kontrolli rutinë dhe pacienti deri në ato momente nuk ka pasur shenja klinike) dhe diagnostikimi si rezultat i shfaqjes së shenjave klinike. Vendosja e diagnozës bëhet duke u mbështetur në shenjat klinike dhe ekzaminimet objektive, që bëhen nga mjekët, për të vazhduar me imazherinë (skaner ose rezonancë, kjo e fundit ka dhe ndjeshmërinë më të lartë për të diferencuar një tumor nga një patologji tjetër të trurit). Dhe në fund ajo që konfirmon diagnozën është biopsia.

Nga se shkaktohen tumoret?
Sot, ende nuk flitet për shkaktarë të drejtpërdrejtë të tumoreve, por vetëm për faktorë risku. Tumore të ndryshme kanë faktorë risku të ndryshëm, këtu mund të përmendim duhan-pirjen, konsumimin e alkoolit apo lëndëve narkotike, faktorët ambientalë, kimikatet e ndryshme, që gjenden në zona të mëdha urbane, në zona industriale apo dhe ish-industriale, rrezatimi jonizues, viruset etj. Duhan-pirja konsiderohet faktor risku për kancerin e mushkërive dhe laringut ose “Ebstein Barr virus”, si faktor risku për kancerin e nazo-faringut dhe limfomat. Predispozita gjenetike konsiderohet gjithashtu, si faktorë risku për tumoret dhe këtë fakt e shohim qartë në kancerin e gjirit. Femrat që trashëgojnë mutacionin e gjenit “BRCA-1” kanë një risk për kancer gjiri, që varjon nga 50 deri në 85 për qind e jetës së tyre.

Publikuar te “Shekulli” më 5/12/2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.