Me rastin e “Ditës Botërore kundër SIDA-s” flet dr. Arjan Harxhi, mjek-infeksionit pranë spitalit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Doktori tregon se, pavarësisht se numri i të prekurve këtë vit ka qenë më i vogël se vitin e shkuar, të prekurit nga virusi i imunodefiçencës (HIV) nuk janë të paktë. Mjeku tregon se, rastet alarmante janë rastet e transmetimit të sëmundjes nga nëna te fëmija, raste që vazhdojnë të ndodhin në vendin tonë. Ndërkohë që, edhe pse kanë kaluar 21 vjet nga shfaqja për herë të parë e këtij virusi, sërish shoqëria shqiptare vazhdon ta shoqërojë atë me stigmatizim dhe diskriminim, aq sa sikurse thotë vetë mjeku, diskriminimi me raste ndodh edhe nga personeli shëndetësor.
Doktor Harxhi, dje ishte dita Botërore kundër Sidës, dita kur përkujtohen njerëzit që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje dhe dita kur sensibilizimi është më i madh, por sa është realisht numri i të prekurve nga HIV-i, virusi që e shkakton SIDA-n, në vendin tonë?
Në total mund t’ju them se numri i personave të diagnostikuar me virusin e HIV-it është 774, nga ku vetëm për vitin 2014 janë shënuar 75 raste të reja. Ka një rënie krahasuar me vitin e kaluar, vit në të cilin numri ishte edhe më i lartë.
Kush janë më të prekurit?
Meshkujt përgjithësisht vazhdojnë të jenë më të prekurit me 56 raste të reja të regjistruara këtë vit, ndërkohë që në total numri shkon deri në 543, me një raport më shumë se dy të tretat e numrit total të të prekurve. Ndërkohë, dua të them që alarmante janë rastet e diagnostifikimeve të fëmijëve të moshës nga 0-15 vjeç. Numri total shkon në 39 raste, ku shumicës, virusi u është transmetuar nga nëna, pra me transmetim vertikal. Vazhdon të kemi raste të infektimit të fëmijëve. Këtë vit kanë rezultuar 5 raste të reja dhe mund të them se në 4 prej tyre virusi është transmetuar pikërisht në këtë mënyrë. Ky është një problem shumë i madh për vendin tonë.
Cila është rruga e transmetimit që mbizotëron më së shumti?
Më së shumti mbizotëron transmetimi nëpërmjet rrugëve seksuale dhe mund t’ju them që, fatmirësisht nuk kemi pasur raste ose epidemi të infektimeve nga përdoruesit e drogës, sikurse ka ndodhur në vende të tjera. Kjo do të ishte shumë gjë e keqe, sepse ky virus (HIV-i) po hyri te përdoruesit më pas ka shpërthime dhe shpërndarje të mëdha të të prekurve. Kjo gjë ka ndodhur në vende të ish-Bashkimit Sovietik si: Rusia apo Ukraina, ku veçori është pikërisht transmetimi te përdoruesit e drogës. Në Shqipëri fatmirësisht kjo nuk vihet re.
Por pavarësisht kësaj numri i të prekurve në vendin tonë shtohet nga viti në vit…
Po! Vazhdon të ketë raste të reja, vazhdojmë të kemi raste edhe pse numri i tyre, duhet thënë se është më i vogël krahasuar me një vit më parë. Përgjithësisht të gjitha rastet janë raste që diagnostikohen vonë, janë raste që raportohen vonë, për shkak të numrit të vogël të testimeve që bëhen në Shqipëri. Duhet thënë se, ndërgjegjësimi për testim vullnetar është i vogël, por edhe sistemi shëndetësor nuk është i përgatitur që të ketë akses të mjaftueshëm për testimin. Për shembull, ne në Shqipëri nëse flasim për transmetimin vertikal të këtij virusi duhet të themi se, në spitale nuk ofrohet skrinimi (testimi) i nënave shtatzëna, gjë që në Perëndim është një standard normal.
Pra po thoni që në vendin tonë grave shtatzëna nuk u ofrohet testimi për virusin HIV?
Po! Sot në Shqipëri një gruaje shtatzënë nuk i ofrohet testimi për HIV-in. Nëse ne do mund t’i diagnostikonim rastet gjatë shtatzënisë do kishim mundësi që të ndërhynim me mjekime në mënyrë që ta ulnim, pra ta reduktonim në minimum transmetimin vertikal nga nëna te fëmija.
Doktor në këtë mënyrë gjendja e këtyre fëmijëve do mund të ishte më e mirë, apo nuk do të kishte transmetim?
Në këtë rast nuk do kishim transmetim. Pra, nëse ne do të mund të skrinonim këta 4 fëmijë që janë diagnostikuar sivjet, nuk do ishin në këtë listë, sepse atyre do u ofrohej mjekimi dhe transmetimi i virusit, nga ku edhe rreziku do të ishte në minimumin e mundshëm. Mund të them se në kohët e sotshme është pothuajse zero.
Për të shmangur këtë transmetim në kushtet aktuale të vendit tonë, ku nuk ofrohet testimi i grave shtatzëna, a është e nevojshme rritja e ndërgjegjësimit për testim vullnetar të çifteve që mendojnë që në një të nesërme të bëhen prindër?
Eksperienca botërore është se, asnjë çift nuk e bën vetë këtë test. Ne nuk kemi pse shpikim rrotën, rrotën e kanë shpikur të tjerët. Ne duhet që këtë proces ta implementojmë kaq. Eksperienca botërore është se, kur një grua shtatzënë shkon për të marrë shërbim të kujdesit të paralindjes në çfarëdolloj institucioni shëndetësor t’i ofrohet testimi. Pra t’i krijohen kushtet. Sot, Perëndimi e ka kështu që grave shtatzëna u thonë: Do të bëjmë analizat, do të bëjmë edhe testin e HIV-it, je dakord? Kaq kollaj është, por kjo gjë nuk bëhet në Shqipëri.
Po për çfarë arsye doktor?
Për shumë arsye. Është logjistika, infrastruktura dhe nuk janë të përgatitur qoftë njerëzit, qoftë edhe vetë personeli shëndetësor. Megjithatë ne po e fusim në strategjinë e re të “HIV-AIDS”-it problemin e skrinimit të gruas shtatzënë dhe parandalimit të transmetimit të virusit nga nëna te fëmija.
Doktor rasti i parë i virusit në vendin tonë është regjistruar në vitin 1993, që nga ajo kohë e deri më sot kanë kaluar 21 vite. Ju si mendoni nga shoqëria shqiptare a vazhdon të stigmatizohet kjo sëmundje?
Normalisht situatat kanë ndryshuar, por fenomeni i stigmës vazhdon të jetë i pranishëm në Shqipëri, pra edhe pse ka mbi 20 vite që ky infeksion është shfaqur në vendin tonë vazhdon dhe ka stigmatizim dhe izolim. Ka përjashtim dhe diskriminim madje jo vetëm ndër të afërmit, apo të njohurit e të prekurve, por këtë gjë e shoh ndonjëherë edhe në ambientet spitalore, te personeli shëndetësor. Natyrisht edhe ky lloj fenomeni duhet zbuluar se ku i ka rrënjët në mënyrë që të adresohet, por dua të them se në këtë spital (Spitali infektiv), absolutisht ka ndryshime shumë të mëdha krahasuar me vitin kur dhe kjo sëmundje u shfaq për herë të parë. Atëherë të gjithë ishin në stres kur punonin me këta të sëmurë, ndërsa sot është tërësisht krejt tjetër gjë. Tanimë trajtimi i kësaj sëmundje konsiderohet normale. Këtë gjë nuk do ta thosha për në institucionet e tjera, që edhe sot e kanë bezdi (personeli). Kemi pasur fenomene të tilla si të thuash…, fenomene të refuzimit të dhënies së kujdesit, apo edhe shërbimit kur e kanë marrë vesh që pacienti në fjalë është i infektuar dhe i është dashur të bëjë ndërhyrje kirurgjikale, apo ndonjë gjë tjetër. Nga ana tjetër, duhet që institucionet të ngrinë politika të tilla, që t’i vinë në ndihmë personelit duke i edukuar dhe siguruar ata. Nuk duhet që një person të dihet se është i sëmurë me këtë sëmundje. Duhet një lloj protokolli që të gjithë pacientët të konsiderohen të njëjtë dhe të një rreziku potencial, në mënyrë që çdo personel shëndetësor të marrë ato masa që quhen masat e parandalimit të rrezikut universal. Për të gjithë pacientët të ketë doreza, të ketë veshje speciale, të respektohen rregullat dhe kushtet. Normalisht kjo kërkon punë, kërkon investime masive, në kuptimin të protokolleve dhe të punës.
Në përgjithësi çfarë ndodh, a u gjenden afër pacientëve familjarët e tyre? Nga rastet që ju kanë rënë për të ndjekur, a ka pasur raste kur familjarët e kanë braktisur të afërmin e tyre?
Përgjithësisht për shoqërinë shqiptare familja vazhdon të mbetet mbështetëse. Ka raste të radha të braktisjes, por përgjithësisht familja është mbështetëse dhe unë gjithmonë u këshilloj pacientëve që të ndajnë çdo lloj problematike që kanë jo vetëm me ne, pra me stafin mjekësor, por edhe me familjarët, të cilët kanë shumë ndikim psikologjik tek ata.
Doktor si përfundim cili është mesazhi juaj për këtë ditë?
Mesazhi im është testimi, testimi, testimi. Sa më shumë testim, sepse testim do të thotë parandalim.
21 vite, virusi i HIV-it në Shqipëri
Virusi i imunodefiçencës (HIV) në Shqipëri u regjistrua për herë të parë në vitin 1993. Asokohe rastet ishin dy, një me HIV dhe tjetri me stad më të avancuar, ku simptomat tashmë ishin shfaqur (SIDA). Pas 21 vitesh, tashmë të prekur nga virusi kanë qenë 774 persona, nga të cilët 144 prej tyre nuk kanë mundur të jetojnë. Nga këto shifra të prekurish, 75 raste janë të këtij viti (2014), vit në të cilin nuk mundën t’ia dilnin 7 persona. Ky vit shënon një rënie për sa i përket numrit të të diagnostikuarve referuar me 124 rastet e vitit të kaluar (2013). Përgjithësisht më të prekurit janë meshkujt me 543 raste të regjistruara. Rastet e femrave janë të paktën 231. Ndërkohë ndër më alarmantët janë shifrat e fëmijëve (0-15 vjeç) të diagnostikuar. Numri total është 39, nga të cilët 5 raste janë shënuar vetëm këtë vit.
Publikuar te “Shekulli” më 2/12/2014