Nuk është në rolet kryesore, por sërish Lulzim Zeqja dallon edhe në pjesën “Vrasja e Zhan Pol Maratit”, që vjen në Teatrin Kombëtar me regji të Arben Kumbaros. Zeqja është në rolin e një prej pacientëve të një çmendine të shekullit XIX në Paris, që vihet nga drejtuesi i saj të aktrojë vrasjen e një prej zërave më të fuqishëm të “Revolucionit francez”, Zhan Pol Maratit (Jean Paul Marat). Në një intervistë për “Shekulli”-n aktori 36-vjeçar tregon se për këtë rol u frymëzua nga një endacak rruge në kryeqytetet, dhe se rolin e kishte kërkuar vetë si sprovë personale.Lulzim luani rolin e një prej pacientëve, si ja bëni që e luani aq mirë? Keni patur ndonjëherë kontakt me ndonjë të çmendur, apo si? Nga u frymëzuat?
Nuk kam pasur ndonjëherë kontakt me ndonjë të çmendur, por fatkeqësisht Tirana të jep mundësinë që të takosh shpesh njerëz të deprimuar, madje shpeshherë edhe me sëmundje të thella, dhe të cilët enden nëpër rrugë. I gjithë roli ka ardhur si pasojë e një laboratori që është realizuar me regjisorin Arben Kumbaro, ka qenë një punim interesant në teatër. Arbeni është një regjisor goxha i mirë. Unë për vete jam kënaqur me këtë rol, në çmendi nuk është se kam qenë…, por sjelljen e rolit që interpretoj te “Vrasja e Maratit” e kam hasur te një endacak rrugësh, i cili ka disa probleme. Mua realisht më duket një person normal, por që ka disa ngërçe të vetat dhe nga ai, si të thuash, kam marrë spunton për të realizuar këtë personazh.
Pse pikërisht këtë rol?
Beni (regjisori) i kishte ndarë personazhet kryesore, ndërkohë ishte edhe kjo turma e pacientëve. Vajta dhe ia kërkova vetë këtë rol, pasi, nuk e di, por më krijonte një imagjinatë të bukur. Një shfaqje brenda një spitali burg-psikiatrik. Kërkova që të bëja një nga pacientët, qoftë edhe pa tekst. Kjo sepse doja të provoja veten në këto rrethana. Beni më pas më dha rolin e një prej tyre, që ka një monolog shumë të mirë dhe unë e kam bërë me shumë qejf.
Personalisht u besoni udhëheqësve, apo revolucionit?
Besoj te njerëz, të cilët duhet të jenë të kultivuar për ta drejtuar vendin. Besoj te intelektualët. Shfaqja bën fjalë për “Revolucionin Francez”, por që edhe për ne përkon shumë mirë. Ne kemi kaluar vetë periudha të vështira nga diktatura. Them që besoj, por jo verbërisht…, demokracia ka këtë të mirën që për çdo katër vite drejtuesit mund të ndërrohen. Do të thotë që ti mund të heqësh dorë nga besimi drejt dikujt dhe t’i besosh dikujt tjetër. Besoj që kjo vepër i flet çdo lloj shoqërie, çdo lloj kohe. Edhe sot që flasim kemi protesta të ndryshme, kemi udhëheqës që drejtojnë, kemi njerëz shumë të pushtetshëm, por që nuk vjen më koha e “Revolucionit francez”, kjo sepse sot nuk është kjo kohë, sot gjërat zgjidhen me më shumë dialog, me kompromise dhe “Revolucioni Francez” paçka se i solli Botës ndryshime, në gjykimin tim, të mira, edhe ai ka pasur problemet e tij. Brenda revolucionit ishin disa njerëz si Marati, që do ta udhëhiqnin revolucionin, por që kur ky revolucion erdhi më pas në pushtet e nisi me prerje kokash, si gijotina e mbretit, Luigjit të XVI-të… Pra u kthye në diktaturë. Pushtetet me numra të mëdha janë të predispozuar të kthehen në diktatura.
Çfarë rëndësie kishte ky rol për ju?
Nuk e them se është më shumë, por kishte rëndësi pjesëmarrja në një vepër të tillë, një vepër me gati 32 aktorë. Një vepër me një interes shumë të lartë. Është hera e parë që punoj me regjisorin Arben Kumbaro. Unë e quaj një nga regjisorët më të mirë, i cili bën një teatër ndryshe dhe që guxon për një formë tjetër teatri. Në këtë këndvështrim do ta gjykoja me rëndësi.
Keni luajtur në tre filma më mirë aty apo në teatër?
Nuk e ndaj dot me thikë. Më pëlqen edhe teatri edhe filmi. Por në teatër përkushtimi dhe përgatitja janë më të mëdha. Në teatër je “Live!” gjithmonë. Në film mund të bësh dubla dhe ta punosh si të duash atë skenë, je disi më komod se mund të të qëllojë që nuk je mirë dhe atë skenë e punon më vonë, kurse në teatër nuk mund të thuash këtë gjë, je gjithmonë në skenë. Teatri tregon forcën e një aktori… edhe kinemaja, por te teatri peshohesh më shumë, sepse je aty “Live!”.
Vlerësuat regjisorin Arben Kumbaro, po nga aktorët kë vlerësoni më së shumti?
Ndër aktorët shqiptar vlerësoj më së shumti Ndriçim Xhepën dhe Robert Ndrenikën. Ndërkohë, për aktorë të cilët nuk jetojnë më, mund të përmend Agim Qirjaqin, i cili ka qenë një aktor shumë i madh, apo Sulejman Pitarkën dhe Vangjush Furxhin. Këta aktorë më kanë bërë dhe mua të ëndërroj.
Vepra
Vepra “Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit” është e shkruar nga gjermani Peter Weiss në vitin 1963. Kjo vepër ngacmon shumë për faktin se është konceptuar si një teatër brenda teatrit. Ajo bën fjalë për veprimtarinë e kontit de Sad, i cili në fillim të shekullit XIX, i burgosur në çmendinë e Sharentonit afër Parisit, vë në skenë një punim të tijin për vrasjen e liderit të revolucionit. Me këtë vepër Weiss tregon idenë e natyrës njerëzore, që nuk është e aftë të ndërtojë kurrë sisteme të barabarta sociale.
“Aktrimi, ëndrra që vazhdon”
“Një ëndërr që vazhdon” kështu e quan Lulzim Zeqja profesionin e tij të aktorit. Një profesion që e ka nisur në vitin e vështirë 1997 dhe që sot e vazhdon me të njëjtin përkushtim sikur atëherë. U lind në Tiranë më 17 maj 1978. Mësoi në “Shkollën e Kuqe”, duke vazhduar më vonë shkollën e mesme Ekonomike ku dhe shfaqi talentin e tij të aktrimit. “Nga televizori, nga filmat që shihja dhe i riinterpretoja me qejf, por dhe nga fakti që merrja pjesë në trupën e aktrimit që kishte shkolla, fitova stimuj, që më bënë të ëndërroja këtë profesion (aktorin)”, tregon për “Shekulli”-n, Lulzim Zeqja. Në fakt, pikërisht prej këtyre stimujve Lulzimi vendosi të shkonte në Akademinë e Arteve. Në vitin 1997 vendosi të konkurrojë për të hyrë në shkollën e aktrimit.
Në këtë vit të vështirë, kur liria nga të gjithë të rinjtë e asaj kohe perceptohej, ose me krimin dhe armët, të cilat gjendeshin kudo, ose me largimin nga vendi, për Lulzimin 19-vjeçar, liria perceptohej dhe ndihej vetëm nëpërmjet aktrimit. “Aktrimi më jepte liri, ndaj e zgjodha. Nuk e dija se çfarë do të ndodhte më pas, por doja ta provoja. Konkurrova dhe për fat e fitova”, thotë Lulzimi, i cili tregon se ndihet me fat, që gjatë rrugëtimit që bëri u ndesh me profesionistë të zotë. “Që në fillim besoja tek arti dhe si të thuash, për fat, më qëlluan profesorë të mirë dhe profesionistë të zotë, sikurse Mario Ashiku apo Altin Basha”. Në vitin 1998, me Bashën si regjisor, Zeqja, merr pjesë si figurant në “Shtrëngatën” e Shekspirit, ku përfshihet në një festival të rinjsh në Sofie. “Prej Altinit, që më mori, pata rastin të shihja dhe të njihesha me trupa shumë të mira aktorësh. Kuptova që teatri është i jashtëzakonshëm. Altini vinte nga Anglia dhe sillte një mentalitet krejt tjetër dhe me eksperiencën e tij, kursin tonë të asaj kohe e rriti shumë. Që kur ishim në fakultet kemi bërë tre-katër shfaqje, duke marrë pjesë në shumë festivale”.
Vetëm 21 vjeç, Lulzim Zeqja merr pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Kajros ku konkurronin 55 shtete dhe më pas në fillim të viteve 2000 karriera e tij zhvillohet jashtë vendit, teksa aktron për tre vite në teatrin italian të “Politeama”-s në Piza. Në vitin 2005 luan në filmin “L’orizzonte degli eventi” (Horizonti i ndodhive), film me të cilin merr pjesë edhe në Festivalin e “Cannes” (Kanës). Më pas u kthye në Shqipëri, ku pati disa role të tjera dhe vendosi përfundimisht të qëndrojë këtu. Në vitin 2008 merr pjesë në filmin “Lindje, Perëndim, Lindje” me regji të Gjergji Xhuvanit dhe tre vite më vonë në filmin “Amnistia” të Bujar Alimanit, ndërsa aktron në role të ndryshme edhe në teatër. “Krahas Altinit dhe Marios mund të përmend Kiço London, Ndriçim Xhepën, Spiro Dunin, Artan Imamin, Yllka Mujon, Sesilja Plasarin e shumë të tjerë, të cilët kanë qenë një mbështetje për mua. Këta njerëz, sikurse dhe shumë kolegë të mi, më bënë që të mos hiqja kurrë dorë. Kemi punuar dhe kjo e ka shtyrë ëndrrën time që të mos shuhet kurrë. Si të thuash këta njerëz më lanë të ëndërroj. Këta njerëz ma çuan ëndrrën përpara”, tregon me modesti Lulzim Zeqja, i cili aktualisht është aktor i Teatrit Kombëtar, edhe së fundmi interpreton rolin e një prej pacientëve të çmendur në veprën e Peter Weiss, “Vrasja e Zhan Pol Maratit”.
“Besim tek teatri, kriza do kalojë”
Duke folur për “Shekulli”-n edhe në lidhje me gjendjen që po kalon teatri shqiptar, Lulzim Zeqja u shpreh me besim se gjithçka është në drejtimin e duhur dhe se shumë shpejt gjërat do të ndryshojnë. “Siç kalon e një krizë ekonomia apo politika, ashtu e kalon edhe teatri. Aktualisht po bëhen disa reforma dhe janë për t’u parë, por ka gjëra pozitive, nuk mund të shihet vetëm zi. Them se ka një përpjekje të mirë. Është shpejt të flitet, por besoj se jemi në drejtimin e duhur. Kjo shihet edhe në numrin më të madh të shfaqjeve, që janë vënë në skenë këtë vit, 6 premiera”, thotë aktori, i cili e konsideron artin shpirtëror që ofron teatri si të nevojshëm për një metropol sikurse Tirana. Nga ana tjetër Zeqja është i mendimit se teatri duhet të bashkëpunojë me teatrot e huaj. “Duhet të ketë bashkëpunime, duhet të ftohen regjisorë, aktorë, trupa të huaj në mënyrë që të ketë shkëmbime përvojash, të ketë zhvillime sikur rajoni dhe teatri të mos jetë i përqendruar vetëm në Tiranë, pra mos të jetë i mbyllur. Ndërkohë për mendimin tim u duhet dhënë më shumë kohë shfaqjeve, pasi kështu aktorët ndihmohen më shumë që t’i vijnë rolit më tepër. Në një raport me kohën, deri më tani harxhohet më shumë kohë me provat, sesa me shfaqjet dhe është për të ardhur keq sepse kështu shpërdorohen energji”.
Botuar te “Shekulli” me 22/03/2015