“Një jetë a capella”, muzikë edhe në burg

Për nder të “Artistit të Merituar”, Prof. Milto Vakos, i cili më 30 mars shënon 85-vjetorin e tij të lindjes, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (TKOB) zhvilloi dje recitalin “Një jetë A Cappella”. I ngjitur në skenë për herë të parë në vitin 1959, dirigjenti i palodhur Vako cilësohet si mjeshtri i korit. Ai nuk iu nda muzikës as në vitet e burgimit, që kreu gjatë periudhës komuniste. Në një intervistë të dhënë për “Shekulli”-n, pas provave, profesor Vako rrëfen se, edhe në burg provoi të krijonte kore dhe të zhvillonte shfaqje, ndërsa për kohën aktuale thotë se artistët e vërtetë nuk marrin vlerësimin që u takon, në një kohë kur edhe kultura për ta ndjekur artin është venitur.

Profesor Vako, keni një jetë mes dirigjimit dhe korit, tashmë juve ju dedikohen edhe koncerte, si ndiheni?
Normalisht që ndihem mirë, është një kënaqësi e madhe për mua. Vitet kalojnë, por dashuria ime për korin mbetet e njëjta, edhe të më kushtohen koncerte është një emocion më vete.

Jeni një nga themeluesit e Akademisë së Arteve, student i pianistit të madh rus Grigory Sokolov-it. Një dirigjent, ndër më të suksesshmit për vendin tonë, mund të ndani me ne një moment tuajin?
Saktë. Fati më i madh për mua pa dyshim ka qenë të isha student i mjeshtrit Sokolov dhe të studjoja në Konservatorin Cajkovskij në Moskë, një tempull më vete. Për momente… (mendohet) nuk harroj momentet me korin që ngritëm, një kor që nuk kthehet më. Një kor që gjysma prej të cilëve tashmë janë jashtë shtetit, si Ermonela Jaho, që dëgjohet nëpër tërë botën. Më kujtohen gjithashtu Miriam Tole, Oriana Kurteshi, që është në Francë, apo Eva Golemi e shumë e shumë të tjerë që nuk më vijnë momentalisht. Një kor që u vlerësua edhe me çmime. Kujtoj momentin kur në vitin 1999 në Fiviziano të Italisë morëm çmimin e parë. Kur u nda çmimi, mbaj mend dolëm përjashta ku ishte një shatërvan aty afër. Na thanë që do të na vlerësonin me një çmim, por nuk e dinim ende… dhe mbaj mend që Vikena (Kamenica) ishte një nga ato vajzat që u hodhën në shatërvan nga gëzimi, sepse në fillim u tha me atë fjalimin që të lë pezull: “Vendi i tretë shkon për Bullgarinë, vendi i dytë, për Rusinë”. Këtu pastaj të gjithë ne ishim të shtangur me një frymë, duke parë njëri-tjetrin. Realisht kur u nisëm gëzoheshim edhe me një vend të tretë, jo më me të parin. Por sapo u tha: “Vendi i parë shkon për Shqipërinë”, ishte një emocion i papërshkueshëm dhe të gjithë e festuam ashtu sikur na erdhi.

Profesor po për sistemin e komunist çfarë mund të na thoni, ishte një periudhë që keni vuajtur edhe përndjekjen, si ndodhi?
Përndjekja nisi në fillimet e viteve 70-të, që ishin disi më të lira, ku vetë sistemi, si të thuash, u la dorë të lirë prurjeve të reja dhe ne u turrëm. Vumë një shfaqje që e titulluam: “Një dasmë nga jeta jonë”. Mbaj mend kishim koreograf Panajot Kanaçin dhe Mevlan Shanajn regjisor. Ishte ai vrulli i asaj lirisë, që mori arti në ato vite, dhe kështu u morën basma nga jashtë shtetit dhe u punuan veshje moderne dhe shumë të bukura, skena u punua mirë dhe krejt ndryshe. Njëkohësisht vumë një valle kurbate, ose thënë ndryshe valle rome. Në momentin e kërcimit ndërhyra disa herë në veshjen e tyre dhe diktova që ato të paraqiteshin ashtu sikurse e kishin si natyrë, pa këpucë, me veshje disi të hapur. Shfaqja mbaj mend që u pëlqye, pa vërejtje. Erdhën edhe nga Ministria dhe nuk thanë gjë, mirëpo dikujt tjetër nuk iu duk kështu dhe u kapën te kjo vallja. “Ç’është kjo valle, pse duhej trajtuar ashtu?”, e të tjera si këto. Duhej një fajtor dhe fajin e kishte drejtori Artistik, domethënë unë.

Disa vite më vonë, ju dënuan me burg, si ishte ajo periudhë për ju, pa muzikën?
Besojeni apo jo, por edhe në atë periudhë kam bërë muzikë. Edhe atje (Ballsh), kam bërë kor. I bija firzamonikës dhe bënim edhe shfaqje. Mbaj mend, ishte viti 1975 dhe kisha në burg Lukë Kaçajn aty, kisha “Mjeshtrin e Madh” Mihallaq Luarasin. Kaçaj këndonte atë pjesën te filmi “Skënderbeu” dhe unë e shoqëroja. Normalisht bënim dhe dy-tre organizime me të tjerë, kjo më ka ndihmuar ta mbaja veten me muzikë, edhe pse në rrethana krejt mizore, në një burg ku edhe bishtat e cigareve mblidheshin për t’u tymosur, lëre pastaj uji i asaj supës që vetëm ushqim nuk ishte. Nga ana tjetër brenda burgut, vetëm se përpiqeshim të bënim muzikë, krijohej ajo përshtypja sikur, unë apo të tjerë si unë, kishim lidhje me regjimin, ishim spiunë e të tjera si këto, përshtypje që shpesh i kalonin edhe caqet, por që në përgjithësi këtë periudhë, përtej njerëzve që kisha afër, munda ta kaloja edhe falë muzikës.

Keni kaq kohë që merreni me muzikë dhe më mirë se ju nuk mund ta thotë njeri… Ku ndodhet muzika shqiptare sot?
Muzika jonë si do që ta dëgjosh…, dëgjoje muzikën e Çeskut (Zadeja), ishte muzikë shqiptare, dëgjoje muzikën e tërë atij brezi, ishte muzikë shqiptare. Ishte krijuar dhe arritur të mbahej një identitet shqiptar. Ja e zëmë sikurse kur dëgjon një muzikë greke, arrin ta kuptosh që është greke. Dëgjon një muzikë serbe, po kështu. Këndoheshin jaret shkodrane dhe kuptohej identiteti, por kjo ka qenë më përpara, pse nuk e bëjnë më sot?! Muzika nuk është më ajo që ka qenë. Tanimë këndon kush të dojë. Vlera është bërë antivlerë dhe e kundërta. Del këndon dikush nga hiçi dhe me një këngë bëhet i dëgjuar nga të gjithë, ndërkohë ne (artistët) nuk na kujton njeri fare. As s’duan më t’ia dinë se kush je ti e çfarë bën. Ajo kultura e dikurshme e artit është venitur. Ja për shembull, nuk ka më kulturë për ta ndjekur korin. Në atë periudhë kishte një vrull, ndërkohë tanimë nuk ka interes. Nuk ka interes, nuk ka stimuj dhe ndaj nuk është se punohet më si dikur. Është turp ta thuash që më parë ishte më mirë, por kështu ishte. Ishte sepse kishte institucione që punonin. Ishte një ansambël shtetëror, që dikur ishte dhe jashtë shtetit dhe merrte gjerdane të arta, pse e prishe (i drejtohet shtetarëve)? Tanimë e ke lënë një embrion, një ansambël koti, një gjë të vogël fare. Po ansamblin e ushtrisë pse e prishe (i drejtohet shtetarëve)? Në këtë kuptim edhe vetë administrimi tanimë është më i dobët ndaj…

Çfarë ju ka ngelur merak nga tërë këto vite, keni ndonjë peng?
(Qesh) Ke parasysh atë shprehjen “kurrë mos u bëj plak” më mirë të vdesësh i ri (qesh sërish), e them këtë sepse kur pleqërohesh nuk ta var më njeri, të harrojnë, ja për shembull u bë një opera vjet, erdhi Ermonela Jaho, unë nuk pata mundësi ta takoja, nuk më thanë, nuk më ftuan. Por përtej kësaj, unë jam i lumtur. Nuk kam asnjë farë pengu, as inate ndaj atyre që më denoncuan, sepse ashtu ishin kohët. Nga ana jetësore pastaj ndihem mirë, edhe pse koha rrodhi momente të ndryshme. Me bashkëshorten time, Shpresën, kam dy vajza, njëra ka kryer tre fakultete dhe jeton në Shtetet e Bashkuara, edhe vajza tjetër që jeton këtu, po ashtu është mirë… (mendohet dhe qesh) kam një mbesë, që o Zot! Vajta në Amerikë tek ajo dhe gjithë dashuri më përqafonte. Më gëzon shumë. Janë këto gjëra që ta zbukurojnë këtë periudhë.

“Mësova të punoj si hidraulik në burg”
Milto Vako cilësohet si “Mjeshtri i korit shqiptar”. Ai u lind në qytetin e Pogradecit më 30 mars të vitit 1930. I pasionuar pas muzikës, në vitet 1948-52 studioi në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë. Vite më pas, periudha 53-59, kreu studimet e larta për dirigjim koral në Bashkimin Sovietik. Në Konservatorin Cajkovskij në Moskë ishte student i pianistit Grigory Sokolov, një emri të madh të artit rus. Në vitin 1959 u kthye në Shqipëri dhe në fillim punoi si dirigjent pranë Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve. Më pas themeloi dhe drejtoi korin e Liceut Artistik. Ishte ndër themeluesit e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, ku dha mësim si pedagog i klasës së dirigjimit. Në vitet 1964-1968 ishte dirigjent i korit të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe më vonë, për pesë vite drejtues Artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në vitin 1971 u vlerësua me titullin “Artist i Merituar”. Dy vite më vonë, në vitin 1973, po nga i njëjti regjim, i cili e vlerësoi, u dënua për shkak të shfaqjeve me frymë perëndimore, që lejoi në trupën e tij artistike. Për këtë internohet për dy vite në Tepelenë. Në këto dy vite punon sërish me artin. Ai punoi me korin dhe për një deklaratë të pathënë, por të shpifur, u dënua me 7 vite burg për akuzën “agjitacion dhe propagandë kundër sistemit”. Në këtë periudhë Milto Vako mësoi të punojë si marangoz, profesion të cilin e ushtroi pasi doli nga burgu në vitin 1982. “Mësova të punoja si hidraulik gjatë burgut, por kur dola hasa në atë përndjekjen që të bënte shoqëria e asaj kohe. Thonin lart e poshtë se do t’i helmoja… edhe këtë profesion e kisha të vështirë ta ushtroja, pale muzikën, jo se jo”, thotë për “Shekulli”-n Milto. Muzikës ai iu rikthye pas vitit 1991, ku filloi të punojë pranë Akademisë së Arteve në Tiranë. Dy vite si pedagog i korit dhe tetë vite më pas si shef i Katedrës së Dirigjimit, ndërkohë që në vitin 1995 mori dhe titullin Profesor.

Publikuar te “Shekulli” me 23/03/2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.