Parathënie diplome

Katër vite përpara punimit të diplomës, – normalisht – ndiqja studimet e ciklit të parë për “Shkenca të Komunikimit”, kur asokohe avokati dhe politikani i njohur Spartak Ngjela, publikoi vëllimin e parë të librit me titull “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”1. Ishte një libër, që sado voluminoz – më shumë se 600 faqe libër – sërish nuk mund të përmblidhte përjetimet e dy periudhave politike të Shqipërisë ashtu sikurse mëtonte që në titull. Ishte një libër, që u renda ta gjeja menjëherë. Një libër që më erdhi ndërmend sapo zura të shkruaj për punimin tim Master.

Profesor Hivzi Toton2, të cilin kam pasur fatin ta kisha mësues të Gjuhë-Letërsisë në gjimnaz, e mbaj mend të thoshte shpesh teksa filozofonte në mendimet e moçme të tij, se ajo kohë – periudha komuniste – nuk u duhej imponuar fëmijëve me tekste të shkollës, kjo pasi u krijonte një përfytyrim realiteti krejt tjetër për atë periudhë të pa-jetuar prej tyre. Madje ndër ta mund të krijonte edhe efektin e nostalgjisë. E rrezikshme të ndjesh nostalgji për një gjë që nuk e ka jetuar – thoshte profesori. Sipas tij – me të drejtë, mendoj unë – forca e fjalës dikton realitetin dhe duhet pasur kujdes se çfarë fjalësh hasim dhe lëmë të na diktojë rrugës pasi ato do të na formojnë realitetin që ne do të jetojmë. Pikërisht falë mësimeve të profesor Totos, – të cili në shkollë e njihnin më shumë me emrin Xhixhi – u ushqeva me idenë për të studiuar fjalët, për të studiuar komunikimin. “Pse nuk studion për komunikim, për gazetari?” – më thoshte gjithmonë. Gjatë rrugëtimit të atyre studimeve për të cilat më kishte këshilluar ai, kureshtar për ta mësuar tashmë atë periudhë dhe kureshtar për t’u vendosur në të tilla kushte – paçka se jo fiks si ato që përshkruante profesori Xhixhi, por që gjithsesi të përplasjes me një realitet të jetuar nga dikush tjetër – renda të gjeja librin e Avokat Ngjelës. Me ta gjetur e lexova me rrëmbim. Me një stil narracioni krejt të tijin, Ngjela dukej disi konfuz me periudhat e jetës që citonte, por përshkrimet e tij ishin rrëqethëse dhe realisht diktonin atë panoramë që prisja nga ai, racionalitetin, analizën e detajuar dhe përshkrimi me themel të çdo hallke të sistemit.

 

Ajo çka më bëri të kujtoj librin e Ngjelës teksa zura të shkruaj për diplomë, ishte pikërisht një veçori që pata nxjerrë nga leximi i përjetimeve të tij. Një aspekt që mendoj se përputhet me temën time. Është fakti i raportimeve të aktualitetit ndërkombëtar, që në periudhën komuniste, për masën, kishin ngjyrime të diktuara nga sistemi. Ngjela si – fillim – pjesë e nomenklaturës, thotë në vëllimin e parë të librit të tij, se kishte akses në përmbledhjet e Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Në një periudhë kur e tërë Shqipëria dëgjonte, shikonte dhe lexonte vetëm gërma të projektit të pushtetit “Enver Hoxha”, Ngjela e përmend shpesh se mësonte për çdo gjë çka ndodhte nëpër Botë dhe ishte koherent me lëvizjet e ndryshme që ndodhnin anë e mbanë, natyrisht kjo falë aksesit në këto agjenca.

Avokati – me të drejtë, mendoj unë – herë pas here në tekst thotë se me anë të raportimeve, që vinin nga jashtë, kuptoi dhe njohu realisht fytyrën e egër të një sistemi gjakatar sikurse rezultoi të ishte ai i Enver Hoxhës, që u ngrit furishëm rreth kultit të një individi. Në këtë pikë fjalët që përcilleshin me anë të raportimeve të jashtme jepnin një përfytyrim krejt tjetër nga ato çka fliste lart-e-poshtë i tërë sistemi në Shqipëri. Me këtë mënyrë Ngjela tregon se asokohe e peshoi realitetin shqiptar dhe zuri të shfaqej kritik, skeptik dhe gjithmonë e më shumë përbuzës me sistemin.

Në kohën kur Ngjela kishte mundësi të lexonte agjencat, aksesi në informacion ishte tejet i kufizuar. Ishte e vështirë, që edhe ai informacion – sado i pakët – që sigurohej të ishte jashtë filtrit të propagandës. Rastin në fjalë e përmend për të treguar se çfarë roli mund të luajë një mirë-informim lidhur me aktualitetin ndërkombëtar – ashtu sikurse vetë mirë-informimi për lajmet në tërësi. Ky mirë-informim mundet që të edukojë e të formojë një ekuilibër mes dogmës dhe skepticizmit të qytetarëve rreth sistemit, qeverisë apo pushtetarëve të vendit të tyre. Sipas mendimit tim – por edhe shembullit të jetuar nga Ngjela – përmes njohjes me botën mundet që të njihet edhe vetja, mundet që nxitet dhe të zhvillohet demokracia. Përmes njohjes së tjetrit, kuptohet më mirë “Uni” dhe bashkëjetesa.

Sot ai sistemi i propagandës nuk vepron më dhe falë rritjes e zhvillimit të mediave informacioni – si logjikë duhet të – përcillej më lehtë dhe më në masë. Kështu, pa atë sistem propagande, qytetarët afërmendsh që duhet të jenë më të informuar. Të paktën kështu duhej të ishte, por kështu nuk është. Pse? Sepse bombardimi me informacione – shumica prej të cilave pa-vlerë lajmore – ka zëvendësuar atë rol që bënte dikur në sistemin e kaluar, propaganda. Përhumbja dhe përgjumja e vëmendjes prej një bumi informacionesh, të cilat nuk kanë vlerë, edhe pse në pamje të parë nuk ka të njëjtin efekt sikurse të mësosh gjëra që realisht nuk janë ashtu sikurse thuhen – propaganda – në fund të fundit jep të njëjtin rezultat: Qytetarin e amullt, që nuk di gjë prej gjëje, që beson, pranon e i bindet asaj çka i thotë gjithmonë Pushteti, i çfarëdolloj forme qoftë ky i fundit.

Në këtë mënyrë ai peshim sikurse bënte dikur Ngjela i realitetit, të cilin jetonte me atë çka ai aspironte – Perëndimin – sot është po njëjtë vështirë i arritshëm. Pse? Unë them sepse media shqiptare – që për mua e ka për detyrë edhe rolin edukues – është në ditë të vështira. Kësaj i shtoj se ka pasur dhe ka gjasa të vazhdojë të ketë po të tilla ditë. Pasi prej dy vitesh tashmë e kam mbyllur ciklin e parë të studimeve dhe ndërkohë kam hyrë në vitin e tretë të eksperiencës profesionale si gazetar, mund të them – përtej një perceptimi fillestar – se raportimet jo-cilësore të informacioneve, kapja e mediave prej një grushti interesash, apo dhe fokusi i amullt në një shabllon mediatik të gabuar – gjeneralist – kanë ushqyer një hendek dijesh, një hendek, i cili për mua ka rikthyer – si dikur – perceptimin e njëfarë izolimi me Botën. Dijenia e asaj se çfarë ndodh në rajon e më gjerë, është e cekët. Treguesi më i qartë për këtë është fakti se shumica e lajmeve – të pakta – që raportohen, raportohen si probleme të huaja dhe jo si probleme që mund të na prekin edhe ne, e për rrjedhojë nxisin edhe mos-interesimin.

 

Thënë të gjitha këto, në punimin që bera u mundova të nxjerr një përshkrim sa më të detajuar të komunikimit që bëhet brenda kësaj panorame të zymtë, që tiparet i ka të një izolimi, sjelljet të një informimi të cekët – apo të gabuar –, por që në thelb vjen prej një fokusi gjeneralist, të gabuar dhe “të kapur” të mediave.


1 Spartak Ngjela (2011): Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010, Vëllimi I. UET/PRESS, Tiranë
2 Hivzi Toto – ish-mësues i Gjuhë-Letërsisë në Gjimnazin Andon Zako Çajupi, Tiranë. Diplomuar për Gjuhë-Letërsi në vitin 1975. Për një kohë dhjetëra vjeçare dha mësim në shkollën Çajupi deri në daljen në pension. Metodologjia dhe natyra e tij e mësimdhënies ka bërë, që shumëkush nga ish-nxënësit e tij ta mbajnë mend si një mësues “që të mësonte jetën”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.