Shumëkush Prof. Zyhdi Dervishin e njeh si pedagog, apo si studiues të sociologjisë. Pakkush e di se ai gjatë gjithë jetës së tij ka bluar edhe një pasion për poezinë, dhe deri më sot ka katër libra poetik të botuar. Duke folur për librin e fundit, i cili mban titullin “Mokra e hijeve”, profesor Dervishi tregoi se, pasioni për letërsinë e ndihmoi atë të kuptonte dhe t’i shprehte më mirë gjykimet sociologjike. Madje ai thotë se ndryshe nga si mund të shprehej në studime, në poezi ndihej më i lirë. Tema, edhe në poezi, mbetet mëtimi për të zbërthyer dhe për të përshkruar shoqërinë shqiptare.Dedikim idealit të studentëve
Profesori poezitë e librit “Mokra e hijeve” ia ka kushtuar studentëve idealist. Ai e shpjegoi kështu këtë dedikim të tijin: “Në kohën kur isha gati për ta botuar këtë libër, një studente më tha, profesor ju keni ndikuar shumë në formimin tonë si sociologë, sepse kemi mësuar me librin tuaj që në shkollë të mesme dhe na keni dhënë edhe disa lëndë në fakultet. Ju duke qenë idealist vetë, na keni bërë edhe ne idealistë”. Në këtë prizëm ky ishte një vlerësim pozitiv, por profesori tha se kjo gjë e tronditi. “Është e vërtetë që shkolla, si detyrë fisnike ka formimin e njerëzve idealistë, por unë u trondita nga kjo gjë sepse pasi këta studentë dalin nga dera e fakultetit ata përballen me llumin e Lanës, i cili në vetvete është shumë herë më i pastër nga ç’janë perversitetet dhe padrejtësitë e shoqërisë shqiptare”. “Mokra e hijeve” për Dervishin është shoqëria, e cila si një mokër hijesh, të dukshme dhe të padukshme, luan dinjitetin dhe fatin e njeriut. “Shoqëria shqiptare përjeton një ngërç social të atillë që njerëzit tanimë i ka tjetërsuar. Ata pa vlera, madje edhe kriminelët, ngrihen në piedestal. Korrektët, të ndershmit dhe idealistët, shpërfillen madje edhe poshtërohen”, tha profesori. Të shkruara, përgjithësisht, në vetën e parë, me anë të unit poetik, Zyhdi Dervishi përpiqet që me poezitë e tij të shprehë plagët sociale të shoqërisë, revoltën ndaj tyre dhe botën ideale. “Poezitë nuk kanë shumë nga jeta ime. Unë përpiqem që të përcjell mesazhet e një poezie idealiste, e cila të përçojë vlerat më të vyera për shoqërinë”.
Kërkesa për të rijetuar të kaluarën
Libri “Mokra e hijeve” nis me poezinë e titulluar “Kristale Fëmijërie”, e cila shpreh një kërkesë të brendshme të gjithkujt për t’iu rikthyer fëmijërisë. Me anë të një kërkese për t’ia mbyllur sytë, autori kërkon që “të rishohë me bebëza të kristalta fëminie gjithësinë”. “Është e bukur sepse kërkon rifillimin e jetës. Shumëkush do që t’i mbyllë sytë dhe ta rishohë edhe njëherë jetën me sytë e qiellit që ishte kur ishte vetë fëmij”, tha Zyhdi Dervishi. Në një tjetër poezi, të cilën e titullon “Qenia ime”, ai shkruan: “Një petale e vogël është vendi im, në trëndafilin e madh dritë-ylberi të rrezatimit”. Këtu ai e përshkruan jetën e gjithkujt si një vend të vogël që zë në rruzullin tokësor, teksa në vazhdim guximin dhe frymëzimin e idealistëve, duke shkruar: “Në këtë petale si në herbarium fle fryma, varri dhe dielli im i rizgjimit”. Në një tjetër poezi, në atë të titulluar “Peng”, autori shkruan se borxhin e mundimeve të nënave tona nuk mund t’ia lajmë kurrë, një farë pengu ky që profesor Dervishi thotë se, është i përgjithshëm. “Për mua nënat janë në panteonin e vullnetarëve, në panteonin e idealizmit dhe sado që t’i ndihmojnë nënat e tyre, fëmijët s’mund t’ia lajnë borxhin”.
Vetmia si qeli
Më në vazhdim të tërheq vëmendjen poezia e titulluar “Qelia ime”, ku ndër vargje shkruhet se nën rrethimin e mijëra gojëve të frikshme detyrohesh të ngujohesh në qelinë e vetmisë. Profesor Dervishi e shpjegoi kështu: “Ne kemi një Shqipëri të çoroditur. Njerëzit kërkojnë kudo të marrin dhe të mos japin asgjë. Shumica e njerëzve duken si gojë të uritura, si gojë të shqyera dhe mungesa e dinjitetit bëjnë që ata të mos reflektojnë për t’i dhënë të tjerëve dhe për të mos i dhënë shoqërisë. Në njëfarë mënyre mes këtyre gojëve njeriu ndihet i vetmuar, pasi duhet vetëm të japi. Kjo është një përmbysje raportesh”. Por a ka liri nga kjo qeli e vetmi? Profesori u përgjigj se për brezin e tij është e pamundur të ketë. “Është gati e pamundur për brezin tim, uroj që brezat e tjerë mos ta kenë këtë fatkeqësi. Ky brez përjeton një fazë në të cilën gjithkush pret nga ta, pret që të japi, ndërsa brezi tjetër vetëm rri dhe kthehet në gojë të zbrazur, që është e frikshme, pasi kthehet në gojë që kafshon më shumë”, thotë profesor Dervishi, duke luajtur sërish me fjalë me faktin që përplasja e brezave në Shqipëri prodhon një mungesë të theksuar respekti dhe një nxitje për t’u ngujuar në vetmi. Ndërsa më tej tregon: “Poezia më ka ndihmuar ta shpreh, ta formuloj dhe ta kuptoj më mirë sociologjinë, me të ndihem më i lirë”.
“Shqiptarët nuk jetojnë çdo ditë”
Në fundin e librit “Mokra e hijeve” Zyhdi Dervishi shkruan poezinë që mban titullin “Edhe një ditë”. Pasi përshkruan rendin për të ndryshuar të një individi, më pas autori shkruan: “U zgjua me dhimbje koke… ishte vetëm një ditë më i moshuar”. Në këtë pikë Dervishi kërkon të theksojë idenë e të jetuarit çdo ditë, rëndësinë e kohës, faktit që koha kalon dhe përjetimi nuk rikthehet. Fakti që rendja pas kamjes së diçkaje më shumë ka si rezultat humbjen e kohës së jetuar. “Njeriu duhet të ketë një balancë shpirtërore me vetveten. Mos t’i vërë vetes objektiva të parealizueshme dhe pastaj të shndërrohet në të pakënaqur për gjithçka. Kjo pasi, në fund kur mendojmë se i kemi bërë të gjitha, kuptojmë se koha ka ikur dhe bashkë me të gjithçka”, thotë autori duke treguar se me fjalinë e fundit të poezisë kërkon të luajë me fjalët duke i dhënë rëndësinë e vërtetë edhe një dite të vetme.
Duke analizuar më tej Zyhdi Dervishi shpjegon se natyra e shoqërisë shqiptare, por dhe e vetë shqiptarëve si individë është e tillë që të mos e jetojnë momentin. “Njeriu orvatet, ëndërron e ëndërron më shumë për të pasur gjithnjë e më tepër, por tek e fundit një përfundim ka… Përgjithësisht njerëzit e perëndimit priren ta jetojnë çdo ditë. Por ne shqiptarët nuk e jetojmë. Shpesh ne priremi të jetojmë vetëm disa ditë të shënuara në jetë. Jetojmë disa data, të cilat nuk janë të shumta në jetë dhe kështu edhe ajo pak ngrohtësi që mund të shprehet në këto momente është pak e perceptueshme. Babai mundohet të jetojë me të ardhmen e djalit dhe e kundërta, djali me të tashmen e babait, dhe këtu nuk ka asgjë që do të mbetet. Por duhet që çdokush të jetojë të veten dhe të shprehet më shumë, ta jetojë momentin. Përgjithësisht ne shqiptarët kujtohemi për jetën vetëm kur afron fundi dhe kur përballemi me këtë kujtim ndaj dëshpërohemi kaq shumë”. Me këtë poezi dhe me këtë analizë, profesor Dervishi dëfton se sa me pasion e lëvron poezinë. Ai mbetet gjithmonë në mëtimin e tij për të zbërthyer dhe përshkruar veçoritë e shoqërisë shqiptare.
Vlerësimi për poezinë shqiptare
Teksa shpjegon se “begatimi i vendit bëhet vetëm duke dhënë kontributin si idealist”, profesor Dervishi thotë se në përgjithësi në vendin tonë të bësh poezi është një përgjegjësi e madhe pasi shqiptarët kanë një poezi popullore të veçantë dhe burimi i saj është i pashtershëm në raport me burimet individuale. Zyhdi Dervishi veçon si poetë të kalibrit botërorë Naim Frashërin, Gjergj Fishtën dhe Fan S. Nolin. Ai thotë se të shkruash pas tyre kërkon guxim të madh. “Nëse thuhet shpesh që shkruhet më shumë me gomë sesa me laps, ndoshta për poezitë në Shqipëri ky parim duhet të jetë i hekurt, pasi kur paraardhësi yt ka shkruar një kryevepër duhet të shkruash diçka drejt saj, ose të mos shkruash fare”.
Poezia si biografi e jetës modeste
Profesor Zyhdi Dervishi, si për stil, në fund të çdo poezie shkruan datën dhe vendin se ku ajo është shkruar. “Më pëlqen ta bëj këtë gjë, sepse është njëfarë biografie e jetës modeste. Kam qenë në Bibliotekë, në Pogradec apo në Krujë… shpesh herë poezia shkruhet edhe në rrugë, është si një shkreptimë, të qëllon dhe të ndriçon në moment të gjithë hapësirën përreth. Ajo ndezja e momentit të ndriçon idenë dhe më pëlqen që këtë ndezje ta ruaj”, tha Dervishi.
“Nuk hoqa dorë nga poezia”
Zyhdi Dervishi u lind në Prezë të Tiranës në vitin 1956. Atje kreu arsimin tetëvjeçar. Gjimnazin e vazhdoi në Krujë. Që në vitin e dytë vazhdoi të botonte poezi, ku (sipas asaj çka pretendon profesor Dervishi) shkroi më shumë se 100 poezi, të cilat u botuan në gazeta të ndryshme letrare të kohës. Prirja e tij e natyrshme ishte matematika. Në vitin 1972 fitoi si gjimnazist fitoi olimpiadën e matematikës. Por përtej kësaj prirje shkollën e lartë e vazhdoi në Tiranë për Filozofi. Profesor Dervishi thotë se “në fakt pavarësisht se quhej ashtu, ishte shkollë sociologjie, pasi shkolla bazë e marksizmit ka qenë më shumë sociologjia sesa filozofia”. Studimet i përfundoi me medalje ari dhe për këtë në dhjetor të vitit 1981 u emërua punonjës-shkencor, pedagog, në “Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike”. Aty punoi gjatë gjithë kohës duke botuar mbi 80 shkrime shkencore, brenda dhe jashtë vendit, (në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Gjermani, apo dhe Itali).
Një pjesë e punimeve janë tekste monografike dhe pjesa tjetër janë studime të mirëfillta mbi kulturën shqiptare, mbi komunikimin, konfliktet e të tjera karakteristika që dallojnë shoqërinë shqiptare. Pavarësisht se ka rreth 35 vite që i është përkushtuar studimeve shkencore, profesor Zyhdi Dervishi nuk hoqi kurrë nga pasioni i tij për poezinë, madje edhe në periudhën kur pa se shkrimet e tij mund të keqkuptoheshin. “Për një periudhë dhjetëvjeçare, kur mbarova studimet, e pash të arsyeshme të mos botoja poezi, kjo pasi gjykova se fjalë të miat mund të keqinterpretoheshin dhe zilia e të mbaruarit shkollën me medalje ari të ushqente tentativa hakmarrëse ndaj meje”, shpjegon profesor Dervishi mungesën e botimeve të tijat në këtë periudhë. Por pavarësisht kësaj ai vazhdoi të shkruante. Pas viteve 1990, poezitë e tij, ai filloi t’i mblidhte dhe sot ka katër botime me poezi: “Qiej të përthyer” (1999); Jehonëlebetia (2004); Vetëklonimi i maskave (2009) dhe Mokra e hijeve (2014). Natyrisht ka qenë e vështirë për të që krahas aktivitetit pedagogjik dhe shkencor të merrej edhe me pasionin për poezinë, por duket se dashuria e tij për letrat e ka bërë që të mos tërhiqet ndërkohë që po punon për të botuar librin e ardhshëm.
Botuar te “Shekulli” me 12/04/2015