Projekt-ligji që kundërshton arsimi

Projekt-ligji për “Arsimin e Lartë” është miratuar nga Qeveria dhe tashmë i ka kaluar Kuvendit, por ai vazhdon të mbartë me vete, jo vetëm rezervat, por edhe kundërshtitë e pedagogëve dhe strukturave universitare. “Shekulli” mblodhi opinionet e Prof. As. Dr. Aleksandër Kocanit, Dr. Zylyftar Bregut dhe M.A Ervin Gocit. “Në strukturat akademike, variantin e parë fare, e shpartalluam, kjo në kuptimin figurativ…, ndërkohë në variantin, që u prezantua përpara se t’i kalonte Qeverisë, pamë që kishte përmirësime.

Kocani: Nuk ka më autonomi
“Pamë se ishte nisur rruga për ta ndryshuar, por te varianti që u miratua në Qeveri nuk ishte i tillë. Ky variant i miratuar është shumë i keq. Në linjat e përgjithshme projekt-ligji synoi të rriste cilësinë, por nuk di se ku i ka treguesit që mund ta maste cilësinë…, se unë me këtë punë merrem, se unë shpjegoj metodologjinë (lënda “Metodat e Kërkimit Sasior në Shkencat Sociale”), nuk ka fare…, në qoftë se nuk ka parametra sesi matet kjo cilësi, kjo ngelet arbitrare dhe për mua ngelet slogan. Të masësh cilësinë është shumë e vështirë dhe ta lësh kështu si përrallë të përgjithshme është propagandë. Sepse, nëse do ta bësh duhet ta bësh tamam. Si do e masësh ti këtë cilësinë? Tjetër u synua të goditej abuzimi me autonominë. Kjo ishte shumë e mbështetur nga ne (universitarët), sepse për vite të tëra jemi ngritur kundër degjenerimit, apo regresit, që po pësonte arsimi i lartë në Shqipëri. Me artikuj të ndryshëm, madje edhe me greva të ndryshme në vitin 2004, nga universitete të ndryshme dhe u fitua diçka…, u fitua, por u zerua më pas, sepse kështu bëhet te ne, me tezën ‘Historia fillon me mua!’. Është e vërtetë që me autonominë është abuzuar shumë, por Ministritë e Arsimit, qoftë të majta, qoftë të djathta, nuk e kanë ushtruar kurrë të drejtën për kontroll.

Ata nuk mund të ndërhynë për mënyrën sesi do të shpenzohen fondet e universiteteve, por duhet të kontrollojnë se ku shkojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kanë të drejtë t’i shohin sesi janë shpenzuar paratë, por jo të ndërhynë. Nuk duhet lejuar sikurse është lejuar, që rektorët apo dekanët në emër të autonomisë të kthehen në sundues të shkollave të larta. Është abuzuar shumë me autonominë e kërkuar dhe për mendimin tim është lejuar që të abuzohet. Kështu që synimi fillestar i reformës, që të goditej kjo praktikë, ishte për t’u përshëndetur dhe këtë gjë ne e bëmë. Mirëpo tani ka një të keqe, këta parashikojnë disa masa që vërtetë e zhdukin abuzimin, por bashkë me të zhdukin edhe autonominë. Nga govata, po derdhin edhe ujin e pisët edhe fëmijën e larë”, u shpreh profesor Kocani.

Bregu: Ata që hartuan projekt-ligjin janë nxituar
“Do doja të ndalesha në nxitimin, kokëfortësinë dhe sjelljen e atyre që e kanë hartuar projekt-ligjin dhe të Qeverisë në përgjithësi për të mos reflektuar rezervat e shprehura nga bota universitare. Krahas qarqeve akademike edhe studentët, pavarësisht numrit që dalin në shesh, e kanë kundërshtuar këtë projekt-ligj. Duhet thënë se, nuk është vetëm sheshi ai që mat reagimin, por edhe komponentë të tjerë sikurse rrjetet sociale. Sjellja e Qeverisë për të mos i marrë në konsideratë qëmtimet dhe rezervat që i janë bërë nga të gjitha qarqet akademike këtij projekt-ligji më bën të mendoj se qëllimi është i keq”, tha pedagogu Zylyftar Bregu.

Goci: Shteti nuk jep fonde
“Projekt-ligji në pikën që ka arritur, për mua ka shumë kontradikta. Nga njëra anë thuhet që publiku duhet të ketë lirinë e veprimit dhe nga ana tjetër ngrihen disa agjenci, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse e centralizojnë autonominë. Nga njëra anë flitet për performancë të arsimit dhe nga ana tjetër nuk ka asnjë fjalë për rritje fondesh, përkundrazi duke qenë se delegohen forma menaxhimi me anë të bordeve dhe gjëra si këto, presupozohet që Shteti të tërhiqet akoma më tepër nga pikëpamja financiare. Kështu problemi financiar, nuk zgjidhet përkundrazi relativizohet akoma më shumë. Sot gjendja është katastrofë, jemi në fazën kur botojmë revistën shkencore me paratë tona, hedhim lekë nga xhepi, deri këtu ka vajtur gjendja, nuk ka para për të bërë libra dhe kjo nuk është problematikë menaxhuese, sepse problematika menaxhuese është kur ti i ke paratë. Për mua parimi është i thjeshtë, Shteti nuk është rregullator, por garant i arsimit publik, që nëse nuk është falas duhet të jetë i subvencionuar. Të gjithë shtetet perëndimore shkojnë në drejtimin e ofrimit të arsimit publik falas, i vetmi që shkon për kundër është Shqipëria. Kur unë kam bërë shkollën, periudha 2001-2005, pagesa vjetore ka qenë 40 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që në harkun e dhjetë viteve pagesa është dhjetëfishuar. Me këtë projekt-ligj tarifat do të rriten akoma më shumë, sepse në momentin që Shteti heq dorë nga fondet ku do t’i gjejë ato? Në shumë universitete nuk ka më sistem “part-time” (kohë të pjesshme), filologjiku aktualisht nuk ka doktoratura, paratë e humbura nga këto shërbime nga do të nxirren nëse nga Shteti nuk vijnë para, normalisht që përmes tarifave të studentëve”, tha pedagogu Ervin Goci.

Marku dhe Fuga: Parlamenti nuk do t’i ndryshojë gjë projekt-ligjit
Pasi është miratuar nga Qeveria, projekt-ligji për “Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor” i ka kaluar Komisionit të Medies dhe Arsimit, hallkë e cila pas disa konsultimeve të ndryshme që mundet t’i ribëjë do ta kalojë më pas për votim në Parlament. Por në këtë pjesë akademikët duken mosbesues ndaj ndryshimeve të mundshme. Ata gjithsesi i ftojnë ligjvënësit t’i dëgjojnë rezervat dhe kërkesat që kanë shfaqur strukturat universitare sikurse dhe studentët. Të paktën të shfrytëzohet mundësia e fundit që, përpara sesa të çohet në Parlament, projekt-ligji të përmirësohet sa më shumë të jetë e mundur.

“Shpresoj që Komisioni i Medies dhe Arsimit, përveç produktit që do të ketë përpara të ketë parasysh edhe të gjithë rezistencën që i është bërë këtij ligji”, tha për “Shekulli”-n, Prof. As. Dr. Mark Marku. “E them këtë sepse ekziston ende mundësia që ligji të përmirësohet. Në Komision ka shkuar një ligj, unë mendoj, i dëmshëm për ‘Arsimin e Lartë’, por ka mundësi që të ketë përmirësime gjatë rrugëtimit të tij për në Parlament. Do ishte shumë mirë që Komisioni të merrte…, sepse e ka edhe me procedurë parlamentare, që Komisioni të marrë në konsideratë edhe grupet e interesit, që në këtë rast janë universitetet…, por unë realisht nuk besoj se do t’i marrë në konsideratë”, tha profesor Marku.

Nga ana tjetër i pyetur për një opinion më shumë, nëse besonte se do e miratojë apo jo Parlamenti këtë projekt-ligj, akademiku Artan Fuga u shpreh i bindur se forca e kartonit do të jetë diktuese. “Për mendimin tim, flas për veten time… do të thosha që Parlamenti do ta kalojë, kjo sepse me forcën e kartonit mund të bëhet çdo gjë por… me gjithë respektin për parlamentarët… problemi do të thosha unë, është se, cili është legjitimiteti i deputetëve, të cilët nuk e njohin “Arsimin e Lartë” dhe nuk janë kompetentë, pra cili është legjitimiteti i tyre për të votuar në emër të qytetarëve një ligj në një kohë kur personat që merren me këtë punë…, pra kur strukturat universitare janë kundra tij, cili është legjitimiteti i një Parlamenti të tillë?

A mund ta dëgjojnë parlamentarët kundërshtinë që po i bëhet ligjit? Mund ta dëgjojnë, mund edhe të mos e dëgjojnë, por unë për veten time do të thosha se nuk ka arsye se përse ta dëgjojë, kjo sepse në Parlament nuk është se është ndonjë deputet, që mund të votojë kundër grupit parlamentar, aty votohet mbi bazën e grupit…, pra nuk e shikoj se ka ndonjë demokratizim aty për rastet kur ‘unë nuk jam dakord’”, tha Prof. Dr. Artan Fuga.

Ndryshimet që iu bënë projekt-ligjit për arsimin përpara miratimit
Qeveria miratoi projekt-ligjin për “Arsimin e Lartë”, duke kryer disa ndryshime në propozimin e bërë, por kundërshtitë mbetën

Procesi i propozimit të projekt-ligjit për “Arsimin e Lartë” kaloi në një proces konsultimi edhe me grupet e interesit, sikurse ishin qarqet akademike. Por këto të fundit shfaqën haptazi rezervat dhe kundërshtitë e tyre lidhur me propozimet e bëra, sidomos për krijimin e 4 agjencive, të cilat sipas akademikëve cenonin autonominë, pasi ato drejtoheshin nga Qeveria. Për këto rezerva u arrit në një projekt-propozim të dytë, i cili gjithashtu nuk mbuloi të gjitha kërkesat e strukturave universitare, por që deri diku moderoi kundërshtitë e para. Por projekt-propozimi i dytë, kur u çua për t’u miratuar, u miratua me disa ndryshime. Në vijim po përmendim disa prej tyre. Kështu duke e krahasuar me projekt-propozimin e dytë për ligjin e “Arsimit të Lartë”, projekt-ligji i miratuar, në “Kreun II”, “Neni 7”, pika “e” shihet se Ministrisë së Arsimit iu shtua përgjegjësia për “lejimin e fillimit të veprimtarisë së institucioneve të arsimit të lartë”. Po në këtë nen u hoq pika “j”, për përcjelljen dhe emërimin e kandidatëve fitues të zgjedhjeve për Rektor të Universitetit te Presidenti i Republikës.

“Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor” u bë “Agjenci Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit”, që tanimë thuhet se do të merret jo vetëm me arsimin, por edhe me shkencën. Po këtu u shtua një tjetër pikë. Kjo agjenci, e cila është në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, përveçse përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve për kërkimin shkencor, tanimë është përgjegjëse edhe për hapjen e informacionit dhe koordinimin e proceseve të aplikimit në projektet ndërkombëtare. “Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë” nga institucion publik, që thuhej në propozimin e dytë, në projektligjin e miratuar ka pësuar rregullim termash, duke u cilësuar tashmë si institucion juridik publik. Në pikën 6 të saj, emërimi i drejtorit që bëhej me propozim të Ministrit dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, në projektligjin përfundimtar bëhet po me propozim të ministrit, që miratohet nga Kryeministri me propozim të ministrit të Arsimit. Kompetencën e merr drejtpërdrejtë Kryeministri.

Ndërkohë me këtë ligj, mund të pezullohen dhe mbyllen institucionet e arsimit të lartë publike, jopublike dhe publike të pavarura, pikë e cila është shtuar në “Kreun III” lidhur me organizimin dhe llojet e institucioneve të arsimit të lartë. Senati tashmë nuk ka kompetencën të miratojë me 2/3 e anëtarëve të tij planin strategjik të zhvillimit të arsimit të lartë, por e propozon. Gjithashtu, ai nuk zgjedh më anëtarët e bordit të administrimit, por përfaqësuesit e tij në këtë bord. Sa i takon senatit akademik dhe rektoratit, anëtarët e tyre që në propozimin e dytë duhej të kishin titullin profesor, ndërkohë me projekt-ligjin e miratuar tashmë duhet t’i përkasin kategorisë “profesor” ose me gradën shkencore “doktor” fituar në një prej universiteteve të vendeve anëtare të OCED ose BE.

Botuar te “Shekulli” me 10/04/2015

One Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.