Klasa inteligjente, projekt i cili u prezantua së fundmi nga Ministria e Arsimit, do të fillojë të zbatohet në shtator të këtij viti. Ai do të fillojë vetëm në klasat e X-ta (viti i parë i gjimnazit) dhe do të jetë një projekt pilot, i cili do të shtrihet në 60 shkolla të mesme (6 të Tiranës), me synimin, që brenda tre viteve të zgjerohet në tërë vendin. “Shekulli” ishte në shkollën e mesme “Andon Zako Çajupi”, shkollë në të cilën ky projekt u testua një vit më parë dhe përmes mësueses së informatikës Diana Myrto, sjell një shpjegim më të zgjeruar sesi do të funksionojë ai.Pikësëpari në shtator secila nga 60 shkollat do të ketë të paktën nga dy “klasa inteligjente”, në të cilat do të jetë instaluar nga një projektor interaktiv. Më pas këto klasa do të pajisen me nga një laptop për mësuesit dhe 40 tableta për nxënësit, të cilat do të jenë të lidhura në rrjet. Të gjitha pajisjet do të funksionojnë në bazë të një programi të shqipëruar. Ky quhet “program i menaxhimit të klasës” dhe është krijuar posaçërisht për t’i ardhur në ndihmë procesit mësimor. Krahas tij do të operojë edhe regjistri elektronik, i cili do të ketë të hedhura në sistem të gjitha të dhënat e nxënësve.

Projektori interaktiv heq qafe shkumësin
Projektori mundëson që të shkruhet në mënyrë elektronike. “Nuk ka më nevojë për të shkruar me shkumës. Mësuesi dhe nxënësit mund t’i shkruajnë gjërat me gisht (përmes prekjes së ekranit të tabletës), ose përmes penave elektronike me të cilat do të mund të punohet pa qenë nevoja që të ngrihemi në tabelë, pasi gjithçka paraqitet përmes projektorit. Ndryshe nga projektorët e tjerë, që kemi përdorur deri më tani, e veçanta e këtij projektori do të jetë pra pikërisht ndërthurja me këtë pjesë duke nxitur interaktivitetin në mësimdhënie”, shpjegoi mësuesja e informatikës Diana Myrto. Për t’u theksuar është fakti se, në pritje të pajisjeve të tjera, në shkollën “A. Z. Çajupi” projektori interaktiv ishte vendosur tashmë.
Tabletat në vend të fletoreve
Në klasë nxënësit në vend të fletoreve do të kenë tabletat, të cilat do të kontrollohen nga laptopi i mësuesit dhe nuk mundet të përdoren për qëllime të tjera veçse mësimit, pasi ato do të kenë vetëm një program. “Mësuesi kontrollon gjithçka që mund të bëjnë nxënësit, të cilët nuk mund të abuzojnë më me faktin, që janë përballë një kompjuteri, pasi ata monitorohen tërësisht nga kompjuteri i mësuesit të tyre. Faqet e uebit bllokohen. Rrjetet sociale sikurse “Facebook” e deri te “You Tube”, nuk lejohen në këtë platformë. Këto shpeshherë në laboratorët e informatikës kanë qenë mënyra shpërqendrimi për nxënësit.
Tabletat dhe laptopi lidhen në rrjet me programin e “menaxhimit të klasës”, i cili hapet vetëm nga laptopi i mësuesit. Ky program i mundëson mësuesit të regjistrojë dhe të shpërndajë video të ndryshme, materiale mësimore apo dhe testet. Ndërkohë përdorimi i pajisjeve të ruajtjes së të dhënave, sikurse USB-ët, mund të përdoren vetëm nga mësuesit, nxënësit i kanë portat e USB-ve në pajisjet e tyre, por ato janë të mbyllura nga sistemi dhe nuk u njihen. Pastaj nëse si mësues kërkohet vëmendja e të gjithë nxënësve gjithçka mund të arrihet me një buton. Duke klikuar te opsioni “Hesht!” të gjithë tabletat e nxënësve ngrijnë dhe ata nuk mund të bëjnë asgjë me to, asnjë veprim, kështu që vëmendja shkon te mësuesi”-thotë Diana Myrto.
Programi i menaxhimit të klasës
Programi i propozuar është një ndërthurje mes lehtësimit të punës së mësuesit dhe nxitjes së interaktivitetit të mësimdhënies. Në këtë program pikë së pari do të jenë të regjistruar të gjithë të dhënat e nxënësve, të cilët figurojnë si lidhje me një tabletë. Përmes opsionit “implemento dokumentin” mësuesi do të mund të shpërndajë materiale sikurse dhe teste. Nëse fokusohemi te kjo pjesë, kjo është dhe risia. Testet mund të përpilohen në mënyrë elektronike nga ky program dhe korrigjimi i tyre mund të bëhet, shumë shpejtë, po përmes tij. “Përpilimi bëhet duke zgjedhur mes 4 mënyrave të pyetjeve, që mund të jenë pyetjet me alternativa, pyetjet “e saktë apo e gabuar”, pyetjet me shtjellim dhe pyetjet me plotësim të vendit bosh.
E gjitha bëhet përmes programit, i cili më pas, përveç pyetjeve me shtjellim, bën dhe korrigjimin në vend të tyre. Të dhënat dalin në çështje minutash dhe më pas mund të bëhen statistika. Mësuesi përmes tyre sheh se në cilën pyetje kanë gabuar më shumë nxënësit, apo e kundërta, mund të shohë edhe rezultatin e përgjithshëm, nivelin e tyre. Në fund pra mund të nxirren dhe cilësimet e klasave, klasë e mirë, klasë e dobët dhe këtu mësuesi mund të vendosë edhe objektivat e tij, në një kohë që përmes këtij programi testohen edhe vetë aftësitë e mësuesit sesa arrijnë t’ua përçojnë nxënësve dijet” tha Diana, e cila ishte e besimit se ky program mund të zbatohej për të gjitha lëndët.
Projekti do t’i nxisë nxënësit të mësojnë sistematikisht
“Klasa inteligjente” do t’u kërkojë nxënësve të përgatiten sistematikisht, kjo pasi mënyra e pyetjes nga mësuesi do jetë më gjithëpërfshirëse. Koha kur në një orë mësimi pyeteshin maksimumi dy, ose tre, nxënës tanimë do të tejkalohet. Në një orë mësimi mësuesi do të mund t’i pyesë të gjithë nxënësit njëherësh kjo duke ua dërguar pyetjet të gjithëve në tabletat e tyre. Në këtë këndvështrim parashikohet një rritje e cilësisë së nxënësve pasi dijet e tyre kontrollohen më shpesh.
Për herë të parë në shkollën “A. Z. Çajupi”
“Klasa inteligjente” u testua për herë të parë më 28 maj të vitit 2014 në shkollën “Andon Zako Çajupi”. Në këtë test morën pjesë, përveç nxënësve më të dalluar të shkollës, edhe vetë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla sikurse edhe Kryeministri Edi Rama, të cilët ndërvepruan me anë të tabletave në një simulim të një ore mësimi digjital.
Çfarë ndryshoi nga simulimi i parë
“Vitin e kaluar projekti ishte me një tabelë interaktive, ndërkohë që në projektin e tanishëm është ndryshuar ky element dhe kemi projektor interaktiv. Programi i simulimit të parë ishte i gjithi në anglisht ndërkohë që programi i tanishëm është në shqip. Në këtë linjë u operua edhe me trajnimin. Asokohe trajnimi ishte në anglisht. Ishin dy mësuese, pra me përkthyes. Ndërkohë që për programin e tanishëm trajnimi është bërë në shqip pasi programi është shqipëruar.
Besoj se kështu do t’i vihet në ndihmë mësuesve më në moshë, të cilët e kanë disi problem jo vetëm gjuhën, por edhe teknologjinë. Në programin e parë fusha e ndërveprimit ishte më e gjerë dhe në të nxënësit mund dhe të abuzonin. Kishte raste ku luanin. Madje një nxënës arriti të thyente kodin e ‘ëireless’-it dhe të hynte në internet. Në programin e tanishëm kjo gjë nuk lejohet pasi tabletat do të kenë vetëm një program, asgjë tjetër”, tha Flutura Malo, mësuese e “Biologjisë” në shkollën e mesme “Andon Zako Çajupi”.
Reagimi përballë teknologjisë
Mësuesja Flutura Malo, tregoi se teksa shpjegoi një orë mësimi përmes “klasës inteligjente” ndjeu kënaqësi në të dhënit mësim pasi mënyra e shpjegimit ishte më interaktive, por për sa i përket reagimit të nxënësve ajo tha se kjo mbetet për t’u parë. “Në simulime kanë marrë pjesë vetëm nxënësit e dalluar dhe nuk dihet sesi do të reagojnë ndaj kësaj metode nxënësit që kanë një nivel më të ulët”. Nga ana tjetër ajo theksoi faktin se kjo gjë është edhe në raport me mësuesit, sidomos ata të cilët janë më në moshë. “E njëjta gjë mund të thuhet edhe në raport me mësuesit, nuk dihet sesa do ta përthithin dhe përdorin mësuesit më në moshë. Ata të cilët janë në prag pensioni dhe që janë më konservator në mënyrat e tyre të të shpjeguarit të mësimit”.
Regjistri elektronik
Një tjetër komponent, që do të jetë në programin e “klasës inteligjente” është regjistri elektronik, i cili sipas mësueses së gjimnazit “A. Z. Çajupi”, Diana Myrto, jo vetëm që do të lehtësojë punën e mësuesve, por do të mundësojë transparencë edhe përballë prindërve. Sipas saj regjistri elektronik do të mund të kthejë si të panevojshme organizimin e takimeve me prindër, kjo pasi prindërit do të kenë mundësi të aksesojnë, në kohë reale, në të gjitha të dhënat e fëmijëve të tyre.“Çdo e dhënë e këtij regjistri do të shihet në kohë reale.Çdo prind është thënë se do ketë një “açount” (profil) me “passëord” (fjalëkalim) dhe do mund t’i shohë të gjithë treguesit e fëmijës që nga shtëpia, se çfarë ai bën, nëse e ndjek rregullisht mësimin apo sesi është vlerësuar.
Kjo është fantastike për prindërit sepse nuk do të jetë e nevojshme të bëhen as takime me prindër, kjo pasi çdokush do të mund të hyjë në llogarinë e tij dhe të shohë të gjithë ecurinë dhe të dhënat e fëmijës, mungesat dhe vlerësimet.Duke parë këto të dhëna ai nuk është i detyruar më të vijë në takim me prindër çdo dy muaj” tha Diana Myrto. Kjo është shumë pozitive, sidomos për nxënësit që nuk shkojnë mirë në mësime dhe priren të gënjejnë, apo të fshehin notat që marrin. Prindi do të mund t’u kërkojë llogari fëmijëve sapo ai e të ketë marrë notën. “E bukura është që jemi transparent të dyja palët dhe është punë që ti (si mësues) s’e bënë dy herë. E vendos mungesën apo notën dhe nuk ke pse kryen as llogaritje, gjithçka bëhet automatikisht.
Nga ana tjetër ne si mësues duhet të jemi më të vëmendshëm, pasi sistemi kontrollohet më lehtë. Për shembull mund të ndodhë që mos të merren mungesat, kjo e dhënë shihet direkt nga drejtoria e shkollës dhe mund të kërkohet menjëherë llogari, pra edhe kontrolli me regjistrin elektronik është më direkt”. Regjistri elektronik do të mundësohet të aksesohet edhe nga sekretaria, në këtë mënyrë nuk do të ketë më ngjarje të atilla sikurse kanë ndodhur në të kaluarën. Rastet e vjedhjes apo humbjes së regjistrave nga ana e nxënësve nuk do të kenë si të ndodhin. Me regjistrat në letër kërkohej që gjithçka të shkruhej vetëm me një tip stilolapsi.
Botuar te “Shekulli” më 9/04/2015