I pagëzuar nga propaganda e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës si “Çelësi i Otrantos”, ishulli i Sazanit – me shumë gjasa – është vendi ku historia e paranojës së atij sistemi mund të tregohet më qartë se kudo në Shqipëri, por…
Historia propagandistike e diktaturës tregon se ishulli u çlirua nga pushtuesit nazi-fashist më 22 tetor 1944 – 7 ditë pas çlirimit të Vlorës – dhe epopeja e kësaj date ngjizi më pas jo vetëm emrin e shkollës 8-vjeçare që u ndërtua atje, por të gjithë bazën ushtarake.
Rëndomtë, thuhet se në të vërtetë partizanët Sazanin e gjetën të braktisur. Kjo e bën pjellë të propagandës së Hoxhës “çlirimin me armë” edhe të 5.7 kilometrave katrorë ishulli të Shqipërisë, por kjo është një tjetër histori, fakt është, që ajo çka ngjau me Sazanin, ngjau me të gjithë Shqipërinë.
“Çelësi i Otrantos” u ndërtua njëjtë sikurse u ndërtua në të gjithë vendin, me dy histori paralele, të cilat u jetuan ndryshe e u treguan ndryshe.
Ka persona – gjatë vizitës, vura re që kishte shumë të tillë – që besonin se në Sazanin e asaj kohe jetuan 10 mijë njerëz.
Ka të tjerë që besojnë se në atë bazë jetuan të privilegjuarit e sistemit, të cilët, bashkë me miqtë e tyre, pushonin në hotelin e ishullit dhe bënin plazh në gjirin më të bukur të Shënkollës “duke ngrënë portokaj, fiq e madje edhe pjeshka”, e gjitha kjo, në një kohë kur Shqipëria “ngordhte për bukë”.
Unë nuk besoj kështu, besoj se kjo është vetëm njëra pjesë e historisë, historia e treguar nga propaganda e sistemit. Historia tjetër, ajo e vërteta, ajo e jetuara, do gërmuar dhe medoemos nxjerrë në dritë.
Gjatë vizitës së Sazanit, hapur për herë të parë për vizitorët – fatmirësisht për të kuptuar sadopak historinë tjetër – në grupin tonë ishte një mesoburrë nga Lezha, i cili tregoi se ishulli i kishte marrë rininë.
Ai tregoi se kishte kryer ushtrinë në fillim të viteve ’80-të dhe që historia e Sazanit ishte tjetër.
Energjia elektrike në ishull, tha se ishte ndërprerë në fund të viteve ’70-të, kur lidhja me kabull me anën tjetër të bregut qe shkëputur. Drita kishte vetëm 4 orë në ditë dhe ajo sigurohej falë gjeneratorëve.
E gjithë zona nuk kishte pasur kurrë ujë të rrjedhshëm. Ky ishte problemi kryesor se përse ishulli nuk është shfrytëzuar për kohë të gjatë më parë.
Ushtarët laheshin me ujë të kripur. Për të pirë, pihej ujë që vinte me autobote nga Vlora.
Asnjëherë 10 mijë persona, pak familje në Sazan, më së shumti familje oficerësh, të cilët nën frikën e çimentos së armatosur të ishullit, mallkonin veten për damkosjen me të tillë fat të të afërmve të tyre.
Ushtarët – pjesa më e madhe beqarë – përjetonin ferrin me aksione në kushte ekstreme, që diktohej nga paranoja e sistemit, i cili tanimë ishull kishte kthyer të gjithë Shqipërinë.
Në një “Luftë të Fortë” me Botën, i gjithë vendi ishte bombarduar me bunkerë, ndërkohë që paranoja kishte kapluar edhe njerëzit e thjeshtë, të cilët besonin vërtetë që mund të sulmoheshin, e jo më ushtarët e Sazanit, “Çelësit të Otrantos”.
Në të tilla kushte, hera-herës, ushtarë kishin gjetur vdekjen e tek-tuk kishin mbetur pa-raportuar, ndërkohë që kishte pasur dhe raste vetëvrasjeje – Sazani ka një gji që quhet “Gjiri i Djallit – ku ishulli, sikurse tha vizitori, bënte të të ikte truri e “ti jepje fund vetes atje”.
Sazani është vendi ku diktatura, për të cilën i gjithë populli punonte dhe nxirrej në aksione ushtarake, mund të tregohet më qartë se kudo në Shqipëri, por për t’u rrëfyer duhen medoemos historitë e njerëzve që e jetuan atë tmerr, godinat e mbetura rrënojë të plaçkitjeve të post-’97-ës nuk kryejnë shumë rol.
I gjithë ishulli në fakt nuk ngjante fare si bazë ushtarake por sikur i kishte rënë bomba. Si një zonë e Çernobilit, që pas shpërthimit u zbraz nga njerëzit dhe gjurmët e jetës së tyre u mbulua nga vegjetacioni.
I pagëzuar nga propaganda e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës si “Çelësi i Otrantos”, ishulli i Sazanit – me shumë gjasa – është vendi ku historia e paranojës së atij sistemi mund të tregohet më qartë se kudo në Shqipëri, por asgjë nuk të bën ta besosh se kjo hapje e ishullit do të ketë këtë qëllim.















