
Qytetarët shqiptarë – ashtu sikurse qytetarët e vendeve të tjera demokratike – i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në saj të një opinioni apo qëndrimi të tyrin politik dhe në saj të një ideje mbi përmbushjen e pritshmërive të tyre. Por – edhe përpara, edhe pasi kanë zgjedhur – ata nuk kanë kontakte të shpeshta me përfaqësuesit e tyre. Shumëkush nuk ka kohë t’i ndjekë të gjitha seancat plenare në Parlament. Po kështu jo gjithkush ka mundësi të takojë një deputet. Ndaj në mënyrë, që t’i formojnë apo t’i plotësojnë opinionet dhe qëndrimet e tyre politike, qytetarët krijojnë një kontakt – relativisht – të caktuar përmes mediave. Nga ana tjetër politikanë të ndryshëm kanë në stafin e tyre këshilltarë për marrëdhëniet me publikun, të cilët kujdesen, që të përcjellin një imazh sa më pozitiv të shefave të tyre. Përmes pasqyrimit të aktivitetit të përfaqësuesve media bën jehonë punën e tyre. Ndërkohë që përmes kontaktit me mediat qytetarët sigurojnë argumente, të cilat përthithen dhe kthehen për ta bazë faktike në formimin e opinioneve të tyre, por edhe me krijimin e ndjesisë së përmbushjes së pritshmërive.
“Kështu mënyra e dhënies së lajmeve në demokraci ndikon edhe mbi suksesin apo mosssuksesin e partive dhe programeve politike, shanseve të zgjedhjes e të rizgjedhjes së politikanëve. Për rrjedhim mediat dhe gazetaria janë pjesë përbërëse e sistemit politik: si përcues të vendimeve poltike-administrative e si truall rezonance për politikën dhe aparatin administrativ”[1]. Në këtë mënyrë duket e qartë arsyeja se përse politikanët kërkojnë kapjen e mediave, pikërisht për të pasur sa më shumë garanci suksesi.
Por përse mediat shqiptare “e duan” kapjen nga politika? Sipas Blendi Kajsiut[2] kjo vjen për arsye të mbështetjes financiare që mundet t’i sigurojë ajo. Ai e quan median shqiptare “një instrument, që mëton t’u shërbejë interesave që e mbështesin financiarisht se sa të kërkojë të rrisë audiencën”[3]. Por ndërkohë, akademiku Artan Fuga, teksa përshkruan faktin se pjesa më e madhe e mediave – duke përjashtuar në njëfarë shkalle mediat që funksionojnë mbi platforma kabllore ose me karta abonimi – nuk funksionojnë sipas një modeli ekonomie të tregut, përmend se “në një masë të konsiderueshme, mediat ushqehen financiarisht nga kompani jomediatike, që u përkasin në pronësi të njëjtëve operatorë”[4], nga ana tjetër Fuga përmend edhe një problem tjetër, shpërndarjen e parave publike drejt mediave nga Qeveria, në formë reklamash apo dhe favorizimesh në sektorë të tjerë të ekonomisë. Në këtë pikë pra duket e qartë se përse mediat shqiptare “e duan” kapjen nga politika, në saj të përfitimeve.
“Mediat ashtu si dhe metaforat, transformojnë dhe transmetojnë përvojën”[5] thotë Marshall McLuhan teksa përshkruan mediat si përkthyese. Kështu rezulton se premisat e zgjedhjes së përfaqësuesve në Shqipëri të mos jenë vetëm opinionet dhe qëndrimet e qytetarëve në momentet kur atyre u kërkohet të shprehen me votë, por dhe kapja e mediave – për arsye interesash reciproke – pasi pritshmëritë – në mungesë të kontakteve direkte mbi performancën e politikanëve – formësohen nga fushata të mirëfillta mediatike të cilat diktojnë më pas dhe “simpatitë”.
[1] Stephan Russ-Mohl (2010) : “Gazetaria”. Përkthyer nga: Ardian Klosi. K&B. Tiranë, fq.27
[2] Blendi Kajsiu studiues dhe pedagog, diplomuar në Ekonomi dhe Shkenca Politike
[3] Cituar nga Jonila Godole (2014): Gazetaria shqiptare në tranzicion. Papirus. Tiranë. fq.88
[4] A.Fuga; B.Gjergji; G.Skura; I.Luarasi; J.Godole; M.Marku (2014): Media në demokratizim. Papirus. Tiranë. fq. 72-73
[5] Mrshall McLuhan (2013): Instrumentat e komunikimit – Media si një zgjatim i njeriut. IDK, Tiranë. fq.73
One Comment