Në demokracitë e përfaqësuara – sikurse në Shqipëri – qytetarëve u kërkohet të shprehin opinionet, apo qëndrimet e tyre politike me anë të votës. Përmes votës ata zgjedhin një përfaqësi – deputetësh – e cila më parë u është zotuar se do t’u mbrojë interesat. Në të tillë mënyrë qytetarët vendosin jo vetëm për fatet e tyre, por edhe për të ardhmen e vendit. Kjo gjë ndodh një herë në katër vjet, ose sa herë që përfaqësuesit e qytetarëve nuk arrijnë të gjejnë dakordësinë, sikurse edhe në raste të tjera kur çështja është e të një rëndësie të veçantë dhe është e nevojshme një shumicë më e provuar sesa vetëm me përfaqësi – referendumet.
“Zgjedhjet dhe përfaqësimi janë arsenali i instrumenteve pa të cilin demokracia nuk mund të realizohet; po këtu është edhe thembra e Akilit: zgjedhjet mund të mos jenë të lira dhe, prandaj, përfaqësimi mund të mos jetë i vërtëtë’’[1] thotë Sartori (Giovanni Sartori, 2010), teksa përshkruan dhe identifikon një nga brishtësitë e demokracisë. Përballë kësaj brishtësie, ideja e mediave si pushtet i katërt, apo si peshore a “watch-dog” i sistemit, është kthyer në klishe. Kuptimi i kësaj shtylle të demokracisë ka humbur me kohën, për shkak të kapjes apo korruptimit të mediave, aq sa nga vetë këto “institucione” të lindë një rrezikshmëri më e madhe për “përfaqësimin e vërtetë”: zgjedhjet mbi “simpati të manipuluara”. Zgjedhjet me idenë se janë të lira, por që në të vërtetë nuk janë – pasi opinionet e zgjedhësve janë manipuluar – janë gjithashtu një pamundësi për demokracinë.
[1] Giovanni Sartori (2010): Ç’ është demokracia. Përkthyer nga: Kujtim Ymeri. DITURIA, Tiranë. Fq.31.